"Në Ballsh, vdisnin 16 vetë në vit nga uria...veç kur këputeshin"

0
134
blank

Ka vuajtur në disa burgje, përfshirë Spaçin dhe Qafë-Barin, e megjithatë, Dashamir Kovaçi, në disa drejtime si uria dhe kushtet higjienike, veçon dhe quan “tmerr” burgun e Ballshit. Kaloi rreth 9 vjet aty dhe nuk mund të harrojë: kapanonin e të moshuarve që ishte shndërruar në një pavijon të sëmurësh të braktisur; ndyrësinë që kishte kapluar çdo mjedis dhe urinë që bënte kërdinë më shumë se gjithçka tjetër në kamp, ku të dënuarit “veç kur këputeshin dhe vdisnin”

 

Dëshmia e plotë:

 

Nuk kishte shumë uri në Spaç; në Ballsh ishte tmerr… Vdisnin 16 vetë në vit nga uria në Ballsh. Ata i vinin diagnoza të ndryshme, por kjo ishte arsyeja. Vetëm një djalë i ri mendoj se vdiq nga ceroza, sepse e njihja mirë, kishim shoqëri. Ai vdiq 27 vjeç.

Më kujtohet një burrë i vjetër, shumë i mirë, i urtë. Duke ndenjur veç kur u këput e vdiq. Nuk i vinte njeri nga familja, sepse edhe ata ishin të këputur, kështu që tasin me gjellë, kishte raste që e ruante për më vonë. Ai vdiq nga uria.

Ishte një i burgosur tjetër, me të cilin më pëlqente të bisedoja e të rrija. Flisnim për tema të ndryshme bashkë. Në atë kohë, ky kishte bërë 37 vjet burg; ishte kampion bashkë me Sami Dangëllinë. Një ditë po bëja xhiro me Shemsi Totozanin, i cili ishte një rang ambasadori sepse kishte qenë me mision në Francë dhe ky ballisti, të cilit më vjen keq që nuk ia mbaj mend emrin, më pa nja 2-3 herë, pastaj pa edhe tjetrin i habitur që çne unë muhabet me Shemsiun, bëri nja dy xhiro, e pa që nuk e prishëm terezinë dhe erdhi përballë nesh:

"Unë të njoh ty", iu drejtua Shemsiut. "Nuk më kujtohesh", iu përgjigj ky. "Ti na ke vrarë Hysni Lepenicën", i tha. Shemsiu iu përgjigj se nuk e kishte vrarë ai Hysniun. "Ti ke qenë aty", këmbënguli ky miku im. Unë po rrija në këmbë dhe po i dëgjoja të dy. Shemsiu mundohej të justifikohej, por ai e mbante mend mirë. Dhe doli që kishte qenë vërtet aty kur e kanë vrarë. "Ne, i tha Shemsiu, na dërguan me Hysniun për të bërë marrëveshje. Marrëveshja nuk funksionoi dhe ne u ndamë aty. Në momentin që ne kthyem krahët, dëgjuam krisma. Unë e mora vesh nga të tjerët që e vranë..." Ky miku im këmbëngulte dhe i thoshte që "ti e ke vrarë se nuk ratë dakord dhe e gjuajtët me pushkë. E keni organizuar takimin vetëm për ta vrarë". Shemsiu nuk e pranonte e ngulte këmbë në të vetën.

…Ky miku im për të cilin po ju flas, ishte shumë i dobët, kockë e lëkurë. I vinin njerëzit ose edhe unë ndonjëherë i çoja ndonjë gjë dhe nuk e pranonte. I kishte dalë dëshmitare e shoqja kur e kishin arrestuar, edhe vajza pastaj, dhe e kanë dënuar për politikë. Ai mbante një kostum shajaku me lesh të rrahur, pantallonat si çitjane, opinga, xhaketë, bluzë, të gjitha akull të reja. Se ku i kishte gjetur s'e di. Vinte dhe qylafin, e shtypte pak te maja dhe i rrinte maja si me antenë.

Në oborr ishte një altoparlant afër me zyrat. Atje bënte xhiro me kostumin e ri. Besoj se kostumin do t'ia ketë falur ndonjë i burgosur, kur kishte dalë nga burgu. Xhiron e bënte në orën 4-5 të mëngjesit, kohë që nuk lejohej të qarkullonte njeri në oborr. Këtë nuk e ngacmonte njeri, si për çudi. Nuk ishte njeri i keq, ishte jashtëzakonisht i mirë.

Puna

Kishte edhe aty [në Ballsh] një grup pune. Ka qenë një kanal, një përrua që kalonte anash Ballshit, poshtë stacionit të trenit dhe përgjatë rafinerisë së naftës. Kudo që shkonte ky përroi afër zonave të banuara dhe industriale, duhej të bëhej me beton. Kjo puna

në kanal ishte disi ndihmë për spiunët dhe ata më të varfrit e burgut. Në kohën që isha unë atje, kanali ishte afër Ballshit. Shtrohej me gurë të mëdhenj që i sillnin me makina. Gjithë brigada mund të kishte rreth 15-20 vetë që punonin. Merrnin besoj rreth 200 lekë në muaj. Çfarë mund të blije me ato pak lekë?! Atëherë fillonin e bënin shkëmbime: paketat e cigareve me vezë.

Higjiena

…Higjiena dhe ajri ishin një çështje më vete në Ballsh. Oborri ishte i rrethuar, sepse aty afër ishin çisterna nafte, të cilat lëshonin një gaz. Në mes të oborrit dilte një tub. Tubi që dilte në oborr, vinte nga nëntoka dhe kishte një orar të caktuar kur e hapnin për të çliruar gazin e mbledhur. Ai gaz ishte aq i tmerrshëm sa nuk e ke idenë. Nuk gjenim vend; 2 500 vetë që ishim aty, lagnim peshqirët dhe i vinim në fytyrë. Ishte edhe një tjetër më larg, por ai digjte gaz, nxirrte flakë. Edhe në Qafë-Bari, italianët kishin zbuluar një burim të tillë gazi dhe kishin hequr dorë nga kjo gjë sepse ndodhnin aksidente me punëtorët civilë. Kurse këta vazhduan; nuk e kishin problem këtë pjesë. Mendonin: sa do na vriten? Po ja, 20-30 mijë. Sa të burgosur kemi? 50 mijë? S'ka gjë na mjafton, le të vazhdojë.

Apeli

…Nga Ballshi më kujtohet një rast: na thirrën në apel. Apeli ishte një nga kënaqësitë e tyre për të na torturuar. Na linin në këmbë në pikë të diellit, ose në mes të të ftohtit e lagështisë. Kurse kur bëhej kontroll, duhej të rrije gjithë ditën në këmbë. Kur ktheheshim në kapanon e gjenim të gjithin tym, sepse kishin bërë kontroll, dhe kashta e dyshekët të hapur për tokë.

Ai personi për të cilin ju tregova më parë, burri me kësulën e bardhë, po rrinte në këmbë gjatë apelit dhe veç kur u këput para meje. Ishte gjë e tmerrshme të të binte njeriu ashtu para syve! Kjo gjë ndodhte shpesh, një këtu..., një atje...

Kapanoni-pavijon

…Në Ballsh kemi pasur 5 kapanone. Në një kapanon, i cili ishte gjysmë, rrinin më të moshuarit, më të këputurit, të paaftët fizikisht. Kishte shumë priftërinj, por edhe njerëz të zakonshëm, të verbër, të cilët nuk lëviznin dot. Ata, edhe nevojat personale i kryenin aty. Shërbimin ua bënte një prift që ishte edhe vetë i moshuar. Prifti ishte një burrë i shkurtër, i shëndoshë. Kishte një karrocë shërbimi, me të cilën sillte ndërresat dhe ushqimin. "Hajdeni bylbylat e mi," u thoshte; i trajtonte si fëmijë të vegjël. Kisha hyrë disa herë dhe e kisha parë se si u shërbente. Era në atë kapanon ishte e padurueshme, gjithë pisllëk e tym duhani. Një djalë i ri nga Elbasani, një ditë më thotë: “Hajde me mua se do të tregoj diçka." Ishte koha e drekës, dhe ai e dinte se çfarë ndodhte atje. Muret e kapanonit ishin prej pupuliti dhe eterniti. Pupuliti ishte i keq si material se stimulonte tartabiqet dhe morrat. Dritaret ishin shumë poshtë. Në gjithë zonën e Ballshit vinte era squfur, por era aty brenda i kapërcente të gjitha. Kur iu afrova dritares, pashë priftin që po vinte me karrocën e tij e me atë shprehjen e tij "Hajdeni bylbylat e mi!" dhe ata të shkretët që gëzonin dhe thoshnin ndonjë fjalë, se qejf i madh: do të hanin. Tek dritarja e vogël, ndodhej një plak nga Tropoja. Rrinte këmbëkryq dhe dridhte ndonjë cigare. Nuk e dija që ishte i verbër dhe nuk e di akoma se si arrinte ta dridhte cigaren.

Prifti që u shërbente ishte spiun, ama shërbimin ndaj tyre e bënte me përkushtim të madh. Unë po e ndiqja skenën në njërin cep të dritares, dhe ai elbasanlliu në cepin tjetër. Më porositi që të rri në heshtje. Prifti ua ndan ushqimin të tjerëve dhe i sjell pjatën të verbrit m'u para këmbëve, ia afron edhe dorën që t'i krijonte idenë se sa larg e kishte pjatën dhe lugën. Ndërkohë që prifti po merrte pjatën nga karroca, vjen një mace me pulla të bardha e të zeza dhe i ulet përballë të verbrit. Ai futi lugën në pjatë dhe pastaj në gojë.

Macja futi putrën në pjatë dhe pastaj në gojë. Sa here që ai fuste lugën, aq herë fuste putrën macja në pjatë. Ishte shumë e lezetshme ta shihje, por shumë tragjike sepse ai prift e shihte atë skenë dhe nuk e ndalonte duke e ditur se ajo mace shkonte nëpër banjo të pista, apo shkelte në dysheme që ishte po e pisët. Ambienti padyshim që ishte i pisët. Kur bënim xhiro jashtë, një i burgosur nga Tropoja që ishte i sëmurë, ecte dhe pështynte në tokë. Aty kishe frikë të shkelje, sepse ishte si sanatorium.

Banjot ishin të larta sa gjysma e trupit, dhe përdorimi i tyre ishte një gjë e sikletshme. Muret ishin të ndyra gjithandej dhe nuk i pastronte njeri. Në atë burg, ndodhej edhe një shkodran 95 vjeç, i dënuar me 25 vjet burg. Ai ecte me shkop. Mbas disa ditësh pashë atë burrin nga Shkodra, ashtu të shëndoshë, me këmbë të holla, tek rrinte i kërrusur me bastun në dore duke u kollitur. Bashkë me të, ishte edhe prifti qe po e ndihmonte të futej në banjë dhe të dilte. Shkodrani urinonte në këmbë, sepse po të ulej për të urinuar, nuk çohej dot më. U mbështet te muri, u kollit, mbaroi punë edhe doli. O Zot çfarë tmerri ishte! Ai ishte 95 vjeç, i dënuar për "agjitacion e propagandë".

…Kohët e fundit që do mbyllej kampi i Ballshit, të gjithë atyre që ishin te dhoma e vogël bashkë me priftin dhe disa të tjerë në kapanonet e tjera që ishin të paaftë, u bënë një foto dhe me një dekret i liruan nga burgu. Qafa e Barit është hapur diku nga viti 1982. Ne kemi qenë nga të parët atje. U mbyll Ballshi dhe të burgosurit e Ballshit i sollën aty. Disa prej tyre ishin shumë të sëmurë, aq sa edhe spitali i burgut e kishte hequr shpresën për ta. Edhe kur i nxorën në foto ata rrinin shtrirë, nuk çoheshin dot. Fotoja duhej për t'ia paraqitur një komisioni, për t'i justifikuar.

…Ka qenë edhe një person, shqiptar që kishte jetuar 40 vjet në Kanada. Ai e quante veten "partizan i flakte i Fidel Kastros" dhe kishte vajtur në Kubë, ndërkohë që gruan me fëmijët i kishte lënë këtu. Atje kishte grua tjetër. Ai më tërhiqte, sepse fliste spanjisht. Ky ishte me origjinë korçar ose përmetar. Kur erdhi në burg ishte në rregull, në këmbë, i veshur me kostum, i pastër. Kushedi çfarë kishte me vete, sepse kishte punuar gati 40 vjet atje. Mbasi kishte dalë në pension, vendosi të kthehej në Shqipëri. E pritën në Rinas, mbajtën në hotel ku i bënë dhe hetuesinë. E kanë gënjyer në fillim sa ia morën të gjitha lekët dhe pastaj e çuan në Ballsh pasi e dënuan me 25 vjet burg. E kishin akuzuar për "agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor jashtë dhe brenda vendit”. Këtu kishte familjen tjetër. Më duket se i erdhi njëherë djali ta shihte. Aty kishte një shok i cili i bënte shërbim;

Sami e kishte emrin. Ai tregonte se si ishte jeta atje, dhe bënte dallimin e jetës atje dhe asaj që gjeti këtu. Brenda një kohe rekord ai u këput fare. Erdhi në gjendje shumë të mirë dhe u katandis si ajo bima që e lë ashtu pa ujë dhe këputet. Nuk i shërbente dot vetes. I bënë një dyshek me kashtë, i vunë çarçaf dhe e lanë jashtë për disa kohë. Ndoshta e kanë quajtur "të dënuar", por jo "të burgosur". Gjoja duhet "t'i gjejmë hotel, por nuk ka dhoma". Mbase nuk ia kishin bërë akoma gjithë sekuestrimin e pasurisë.

Nuk ndenji shumë, rreth një muaj, sepse u këput menjëherë. Kishte 4-5 muaj që kishte ardhur në Shqipëri. Ditë e natë ai rrinte atje jashtë. Ishte ftohtë, se po të ishte vapë ai do të vdiste brenda javës.

Problemi i Ministrisë së Brendëshme ishte ta mbante gjallë aty për sendet personale që kishte sjellë. Mbas disa kohësh, e çuan në spital dhe nuk e di çfare ndodhi më pas.

Të afërt në atë burg kam pasur Tomor Lamçen nga Korça, sepse kishim edhe shtretërit afër. Kishte mbaruar liceun këtu, dhe nga mosha ishte dyfishi im. Kishte kryer edhe universitetin në Francë bashkë me diktatorin tonë. Ai ishte i vjetër në burg dhe më tregoi për një person, i cili ishte kthyer nga Amerika dhe kishte pësuar të njëjtën traumë si ky që ju tregova më lart. Thoshte gjithmonë me vete se çfarë i kam bërë vetes që u ktheva. Ai nga Amerika kishte vdekur brenda 6 muajve, pasi e futën në burg...

Shënim: Dëshmia është marrë nga libri “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VI, realizuar me intervista të Luljeta Lleshanakut, botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), Tiranë, 2020.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here