Ndëshkimi fizik në burgjet komuniste

0
212
blank

Një skuadër ndëshkimi në gatishmëri për të torturuar. Policë me shkopinj gome e këpucë me gjemba që i vërsuleshin të burgosurit derisa ai humbte ndjenjat. Ish-i dënuari politik Luan Muftiu ka treguar si funksiononte ndëshkimi fizik në burgjet e komunizmit

 

Nga Luan Myftiu

 

Kur u prishën me kinezët, thërrisnin për patriotizëm dhe unitet kombëtar duke fshehur “thikën”, të cilën e nxirrnin përsëri, posa e shihnin që nuk u ndodhi asgjë e keqe nga prishja e kësaj “krushqie”. Ne e kuptonim menjëherë ndryshimin e qëndrimit të tyre, sepse ata e kishin sinkronizuar aq shumë mekanizmin e dhunës, sa edhe rojet që do të futeshin për mbajtjen e rregullit në kamp, i zgjidhnin sipas situatës politike. Por, kur detyroheshin të ngrinin degën e dafinës, të terrorizonin me një lloj “thike” më të madhe, që i rrëzonte viktimat pa zë. Ndërsa lejonin studimin e gjuhëve të huaja dhe fusnin në kamp roje të “butë”, krijonin skuadrën e ndëshkimit, e cila përbëhej nga 11 deri në 13 policë. Këta qëndronin në gatishmëri të përhershme për të “stolisur” barbarisht mëkatarin e pafajshëm që duhej bërë shembull. Rrihej dhe mbyllej në birucë ai që kishte guxuar t’i përkthente në shqip shokut, qoftë edhe titullin e një reviste italisht që botohej legalisht në Tiranë, ose ai që kish vizatuar Europën pa kufijtë e shteteve; duke u akuzuar, i pari, si shkelës i rregullores, e cila lejonte vetëm që të dënuarit t’i shprehnin njëri-tjetrit shkallën e pendimit për “fajësinë” e tyre, ndërsa i dyti, për shkak se kishte propaganduar në kamp Europën e bashkuar dhe kishte shprehur haptazi tradhtinë e tij ndaj atdheut, nëpërmjet dëshirës për ta parë Shqipërinë pa kufij, të asimiluar nga Europa borgjeze.

Ata që rriheshin, ishin të lumtur kur dilnin të pagjymtuar për jetë, pasi kish pasur raste që, gjatë rrahjes, edhe vdisnin dhe kurrkush s’përgjigjej për ta. Viktima, pasi zhvishej në këmishë e mbathje në një dhomë të caktuar, rrethohej nga skuadra e armatosur me kamzhikë të rëndë gome, të cilët të nxinin mishin, por nuk të thyenin kockat. E keqja vinte nga këpucët e rënda me gozhdë alpine, me të cilat ata goditnin ku të mundnin më parë. Dhe, kur “rebelit” i binte të fikët, i hidheshin kova me ujë të ftohtë dhe, ndërsa përmendej, fillohej me të nga e para, derisa të bindeshin se kishte marrë një mësim të mirë, nga i cili do t’i dilte nga llahtari gjumi natën edhe pas shumë kohësh. Ata e dinin mirë se kur arrinte kjo pikë, sepse ishin bërë mjeshtër në zanatin e tyre. Si ai furrxhiu që e di me saktësi se kur piqet buka. Por kishte ndërmjet të dënuarve edhe nga ata trima të marrë, të cilët, kur përmendeshin ashtu të nxirë e të gjakosur, ngriheshin nga dyshemeja në këmbë e, duke bërtitur, kërcënonin policët e magjepsur se do të vinte ajo ditë kur ata të gjithë do të përgjigjeshin për krimet e tyre. Atëherë “rrebeshi” niste i papërmbajtur dhe vetëm fuqia e Zotit mund ta shpëtonte “kryengritësin” e gjorë. Megjithëse këto ndëshkime kryheshin fshehurazi, lajmi i tyre gjente korridore të holla për t’u përhapur menjëherë në kamp e për të mbjellë aty panik. Ky qe një terror total në qenien e të dënuarit, sepse ai nuk i dinte shkaqet e vërteta të një ndëshkimi të tillë që të mund t’u ruhej, përveç atij që komanda nuk i duronte dot njerëzit e ndershëm e kryelartë. Por e pësonin keq, sidomos, ata që nuk e fshihnin përbuzjen e tyre ndaj spiunëve, të cilët, duke qenë të çliruar nga paniku dhe presioni psikologjik, krekoseshin nëpër kamp me pushtetin që u jepte poshtërsia e tyre.

Marrë nga libri “Nën terrorin komunist”, botim i ISKK, Tiranë 2014

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here