Ndalu, ku shkon Zef Pali? Nji djal shkodran i ka sot dy fjalë me ty!

1
1240
blank

Ndalu, ku shkon… nuk lihet sot shoqënija kështu pa folë, pa kuvendue; as nuk mund të largohen sot prej tejet ata që të deshtën e të ndigjuen fjalën e zanin, e në heshtje me ndejë kur ti, shtigjet, që nuk kan ma kthim, po merr….Jam këtu sot me të kujtue se ka nji tragjedi në çdo njeri, në çdo familje, në çdo shtëpi të atij vendi ku linde dhe u rrite, o Zef Pali.

Profesor Sami Repishti, është një ndër intelektualët e përndjekur nga regjimi komunist që mundi të arratiset bashkë me miq të tij, djem shkodranë. Një prej tyre ishte edhe Zef Pali, i cili ishte gazetar i seksionit shqip në Radio Vatikani dhe një ndër intelektualët shqiptar të rëndësishëm, i shpallur “armik i popullit” nga regjimi komunist. Në nëntor 1977, Zef Pali ndërroi jetë në Romë, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Lajmi tronditi gjithë elitën e  intelektualëve shqiptarë që jetonin jashtë Shqipërisë. Radio Vatikani dha lajmin e hidhur, ndërkohë që edhe Zëri i Amerikës e përcolli gjithashtu lajmin me hidhërim.  Gazeta New-York Times dha lajmin e vdekjes sё prof. Palit. Ata jetuan jashtë atdheut me mallin e brengën e pasosun për të afërmit e tyre e për atdheun që ishte për ta tokë e ndaluar. Një prej momenteve shumë prekëse ishte edhe kur ndonjë prej tyre ndërronte jetë. Pikëllimi përfshinte të gjithë sa ishin shqiptarë jashtë atdheut. I tillë ishte përjetimi i profesor Sami Repishtit kur mori vesh lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të tij, profesor Zef Palit.

Nga Sami Repishti

Ndalu, ku shkon  Zef  Pali? Nji djal shkodran i ka sot dy fjalë me ty. Nuk lehet sot shoqënija kështu pa folë, pa kuvendue; as nuk mund të largohen sot prej tejet ata që të deshtën e të ndigjuen fjalën e zanin, e në heshtje me ndejë kur ti, shtigjet, që nuk kan ma kthim, po merr.

Ndalu, Zef Pali! Rinia e qytetit ku linde dhe u rrite sot âsht burrnue, e pjekë nga e keqja e vuejtja, gjykon ajo ma mirë fjalët e punët e sotshme; por, mos harro se në atë vend që së bashku braktisëm, ka shumë filiza të njomë që ende kanë nevojë për ushqim. Sepse nuk ka shumë shtylla arbënore rreth e rotull tyne, o Zef, që sot ball-hapun para të rijve të dalin, e me bindjen e profetëve biblikë, të proklamojnë se Shqipnija âsht e Shqiptarëvet --- edhe pse Shqiptarëvet u âsht mohue vendi në Shqipni…

Jam këtu me të kujtue, Zef Pali, pse tragjedia që na tronditi të gjithëve nuk âsht nji lamsh i pa formë që rokulliset në boshësi; jam këtu me të kujtue se ai mal vuejtjesh e vaji të ndërpremë, se ai akt poshtënimi e ai ortek shtypjeje e shnjerëzimi që na sot përballojmë, âsht ngritë si guri mbi gur mbi tragjeditë vetiake e familiare të të gjithë neve. Jam këtu sot me të kujtue se sot ka nji tragjedi në çdo njeri, në çdo familie, në çdo shtëpi të atij vendi ku linde dhe u rrite, o Zef Pali.

Më kujtohet dyqani i babës tand, në të hyme të rrugës At Shtjefën Gjeçovi. Dy hapa nga e majta, ishte  Rruga Skënderbej; nga e djathta, ishte Rruga Lek Dukagjini, e pak ma poshtë , Rruga 28 Nanduer. Kur nuk rrijshe në dyqan, ti shkojshe në shkollë, ku çeta e Fretenve Françeskanë punonte, si bleta në zgjojt e begatshëm, për të mirën e Shqipnisë e të Shqiptarëvet të vorfën. E ardhmja e yte ishte përcaktue, që të edukoi, e që të frymëzoj, o Zef! Ashtu si të njohëm na, ti je prodhimi besnik i Shkodrës tremijë vjet Shqiptare.

blankPor çka mund të tham ty sot, o Zef Pali! A duhet të kujtoj unë ty se Zefat e vramë an-e-kand Shqipnisë kanë të gjithë familje, e prind, e fëmij? Ti e din ma mirë se çdo njeni nga na, sepse në atë qytet që të ushqej në fëmini me dashuni për atdhe, jeton sot grueja yté    djali yt, o Zef. Tridhejtë e tre vjet ma parë, kur ti u largove, ajo ishte e re, e voglushi ishte nji fëmi i njomë. Sot ata kanë  ndryshue. Në atë qytet që të brumosi rininë sot vajton nji plakë, sot derdhë lot nji fëmi i burrnuem. Në atë qytet të gjithë jeten tande sot vajtojnë me qindra të rij që të njohën e që ndigjuen kobin tand. Në atë qytet që të deshti, shumë janë ata që të deshtën, e që sot të kujtojnë me dhimbje e krenari.

Shqipnija nuk âsht sot, vendi i andrrave tueja, o Zef Pali! Atje vajtojnë nanat, vajtojnë fëmijt, vajtojnë motrat, për vllaun, për babën, për djalin. Shqipnia nuk âsht sot vendi i andrrave tueja, o Zef Pali! Ajo âsht sot kombi i të vejave që vajtojnë fatin e tyne e të burrave të humbun nëpër botë. Kush e din sa herë ne fushat e përqëndrimit e në kampet e punës së detyrueshme ku u ndrynë për tridhetë-e-dy vjet vllaznit e motrat tona, kush e din sa herë duhet t’a kenë pyetë ata vehten:

« Pse u largove e më le rrugëve pa mbrojtje o baba  im, o biri i im, o vllau i im, o burri i im?». Kush e din sa herë edhe voglushi i yt që u burrnue duhet të ketë përsëritë: « Pse u largove o babë?». Kur dimni ngrinte, e urija lodhte trupin e tij të njomë, natën në vetmi, shpesh duhet të ketë tretë ai në mendime për ty, e me gjithë zemër duhet të ketë urue ai natë të mirë, për së largu. Sot urimet e tij janë mbarue; ditën që kobi i vdekjes tande ka hye në shtëpinë ku nanë e djal banojnë, me lot duhet të ketë vajtue i riu dhe e ama, e në mbramje si përherë, urimin e natës së mirë për të parën herë ai ka ndryshue e me zemër të plasun nga shpresa e vdekun me vdekjen tande, o Zef, ai të vetmen qetësi ka muejtë me gjetë tuj pëshpëritë me frikë --- me frikë o Zot! --- « pushofsh në paqë, o babë; kryenaltë do të jem unë gjthëherë për ty».

Në mendjen e të riut, pa dyshim do të kenë kalue kujtimet e gjata e kuptimi i tyne; sepse baba Zef ka vdekë në mërgim që të ketë Shqipnia të tjera gra pa burra e të ndnamë për jetë e për së gjalli; që të mos mbushen në Shqipni burgjet me njerëz të pafajshëm përsëri; që të mos ndërtohem kampet e përqëndrimit në çdo fshat të atdheut Shqipetar; që të mos dergjet rinia në punë të randa e të detyrueshme; që të mos shfrytëzohen njerëzit si skllavët e mesjetës e të kohëve feudale; që të mos rriten fëmijt, si u rrit ai vetë, pa babë, pa ndihmë, pa mbrojtje, --- sikur Shqipnia të ishte vendi njerkë i atyne që e duen ma shumë se vehten.

Kurrë ndonjiherë tjetër  ideali i shqipnisë për Shqiptarët nuk ka qenë ma kuptim-plotë; kurrë ndonjiherë tjetër nazionalizmi Shqiptar nuk pati baza morale ma të forta, e ma shumë të drejtë me qenë kryenaltë. Historia na mëson se që nga profetët e Izraelit e deri te shejtënesha e gjallë Shqiptare, Nana Terezë, kuptimi i qytetnimit dhe i kryenaltësisë njerëzore ka qëndrue, jo në ushtritë e perandoritë e fuqishme, që u shkrumzuen pa lânë asnji shenj e gjurmë, por në të vërtetën e madhe që ata proklamuen, në drejtësinë e pakorruptueshme që ata predikuen, në lirinë e pakushtëzueme që ata dëshiruen për vehte e për të gjithë pa përjashtim.

Emni i yt, o Zef Pali, nuk u shkrue me germa të mëdha në shtylla të gjana gazetash e faqe muri me ngjyra që i shlyen shiu i parë i verës. Ti nuk gëzove titujt e naltë të pushtetit e të publicitetit që ul e ngren njerëzit simbas erës që frynë. Por, flej i qetë, sepse emni i yt u kalit në zemrat e atyne që digjen për Shqipni, që vuejn për gjakun Shqiptar, që luten për njerëzimin mbarë. Aty âsht guri themeltar i çdo tempulli, i çdo qytetnimi, i çdo kulture, i çdo rilindjeje, i çdo përparimi; aty âsht çelsi i fitores së njeriut mbi botën e pashpirt që e rrethon, i fitores së njeriut në përpjektet e tij për çlirimin e njeriut kudo e kushdo qoftë ai.

Pusho në paqë, o Zef!

Nji paqë që t’a uroj në emën të shumë  Shqiptarëve që nuk kanë mundësi me u shprehë. E bashkë me fjalën tonë, merr me vehte në banesën tande të fundit edhe ndjesitë e mirënjohjes, e lutjet dalë nga thelbi i zemrës, që sot thuhen në shumë shtëpia Shqiptare, me dashuni e dhimbje për ty.

Publiku në gazeten “Flamuri” numer 215 viti 1977.

blank

"Profesor Zef Pali ishte një ndër drejtuesit e rëndësishëm të Ballit Kombëtar. Ndaj dhe kryesia e kësaj partie vendosi qё “Bilbili i Ballit tё Shqipёrisё Etnike Zef Pali” tё varrosej nё New- York nё tё njetёn varrezё, ku preheshin eshtrat e Mit-hat Frashёrit. Pёr tё bёrё ceremoninë mortore trupi i tё nderit u vendos nё tё njëjtën shtëpi mortore “Frank Compell”, ku nё tetor tё vitit 1949 u vendos trupi pa jetё i Mit-hat Frashёrit. Kështu me 30 nendor 1977, ditёn e merkurё arkivoli i profesorit mbërriti nga Roma nё New-York. Ceremonia e lamtumirës u zhvillue me 3 dhjetor 1977. Morёn pjesё shumё shqiptarё, pёrsonalitete politike, shoqёrore, akademike e fetare tё diasporës. Njё grup shqiptarёsh nga Kalifornia kishin qëndisur njё flamur me qeleshe, tё cilin e vendosen tek kryet e profesorit. Me 2 dhjetor tё atij  viti gazeta New-York Time dha lajmin e vdekjes sё prof. Palit", shkruan Zef Përgega.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here