Ndahet nga jeta Musa Çapani, ish-i internuari që e pa vdekjen me sy që fëmijë

    0
    245
    blank

    Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Musa Çapani, një nga të mbijetuarit e diktaturës që ka provuar internimin që në moshë të mitur. Dhe bashkë me internimin, urinë, të ftohtin, trajtimin çnjerëzor deri dhe humbjen e familjarëve dhe moshatarëve.

    Falë dëshmive të tij, ne sot kemi një ide më të qartë për kampet e internimit në vitet e para të regjimit komunist, specifikisht për atë të Kamzës, ku Musain e dërguan në moshën 6-vjeçare, bashkë me nënën, gjyshet dhe katër motra e vëllezër sepse i ati, Hasan Çapani, ishte arratisur jashtë Shqipërisë. Kjo, pasi e kishin burgosur si mbështetës të Ballit Kombëtar. Musa Çapani është autor librash, ku përmes poezive, apo edhe skicave, ka lënë dëshmi autentike për kampet e internimit dhe jetën në to.

    blank
    Kampi i Mesit, Kamëz, Viti 1949. Shkëputur nga albumi narrativ "Një si mijëra familjet e tjera" me skica të Musa Çapanit, botim i ISKK, 2018. Ai është autor edhe i librit me kujtime "Jetë apo dhembje", Tiranë 2001

     

    Kujtimet e hidhura të kampit të Kamzës e shoqëruan Musain për gjithë jetën. Jo vetëm ato që kishin të bënin me mjediset ku jetonin, ushqimin e neveritshëm që u jepnin, urinë dhe varfërinë e përgjithshme, por edhe ndarjen e dhimbshme nga jeta të fëmijëve dhe të rinjve për shkak të sëmundjeve që shpërthenin në kamp.

    “Atëkohë ra një epidemi dhe vdiqën shumë të internuar. Diçka si kolerë, si dizenteri, a kush e di. Kisha një shok të ngushtë që vdiq. Ishte moshatari im. Erdhi koha për ta varrosur, por nuk kishte varreza. Bisedojmë me ata të kampit.

    Na thanë: “Nuk kemi ku t’ju çojmë. Këtu brenda këtij territori do të varroset.” Kur u kujtuam se atje poshtë, te Kampi i Mesit, kishin varrosur një të internuar. Po me sa duket kishin vdekur edhe dy-tre pleq të tjerë dhe ishin bërë nja tre-katër varre.

    Po, një varrezë e vogël, por nuk ekziston më ajo varrezë. Vajta kur erdha në Tiranë, në vitin 1991. Barakën e gjeta, por varreza nuk ekzistonte më.

    Erdhi koha për ta varrosur. Ishte dimër. Ata hapnin varrin dhe varri mbushej me ujë. Fushë. Morën ca teneqe dhe përpiqeshin ta zbraznin ujin që të shtinin brenda trupin. Nëna ime kishte një kapotë që e kishte ruajtur nga rinia. Vajti me vrap në kamp dhe grisi astarin e kapotës që të mbështillnin atë djalin, Besnikun, se Besnik quhej. Kjo është një ngjarje makabre që nuk më shqitet kurrë nga mendja”, ka treguar Musa Çapani, për “Zërat e Kujtesës” V, botim i ISKK. Para kësaj ngjarje, ai ishte tronditur edhe nga vdekja e një 17-vjeçari të internuar në atë kamp.

    Nga dëshmitë e Musa Çapanit njohim më me detaje, edhe dramën e vitit 1951, kur u shpall amnistia për fëmijët e internuar 5-13 vjeç, çfarë solli ndarjen e shumë minorenëve nga nënat e tyre. Kështu do të ndodhte edhe me Musain, të cilin bashkë me dy motrat dhe një vëlla i kthyen në shtëpinë e tyre në Leskovik. Iu desh të përballonin një udhëtim të mundimshëm në borë dhe më pas jetesën në një shtëpi ku kishin mbetur thuajse vetëm muret dhe ushqimi i vetëm ishte mielli i misrit dhe barishtet e mbledhura ledheve të fshatit.

    Musai u ribashkua me të ëmën në fshatrat e Lushnjës në vitin 1953, për të vazhduar jetën në internim për vite të tëra. Në Grabian, ai humbi gjyshen, nënën dhe vëllain e madh, i cili nuk mori kujdesin e duhur shëndetësor.

    Një jetë, më shumë se gjysma e së cilës kaloi në internim, mundim e persekutim, vetëm sepse regjimi komunist në Shqipëri, kur nuk hakmerrej dot me kundërshtarët vetë, hakmarrej me fëmijët e tyre.

    Lamtumirë Musa Çapani!

    Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

    PËRGJIGJU

    Please enter your comment!
    Please enter your name here