Mit’hat Havari publikon emrat e ish-sigurimsave që e spiunuan

0
968
blank

Pasi ka siguruar dosjen e tij pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, ish-drejtuesi i lartë i policisë gjatë viteve të pluralizmit, ka bërë publikë emrat e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, të cilët e kanë spiunuar deri sa në dhjetor të vitit 1990, Mit’hat Havari u arrestua gjatë revoltës antikomuniste në qytetin e Elbasanit. 

E kërkonte prej vitesh me kureshtjen legjitime të kujtdo që e ka ndier survejimin gjatë viteve të diktaturës dhe madje ka provuar edhe burgjet e saj, siç ka ndodhur me Mit’hat Havarin, i cili qëndroi në qelitë e burgut të Elbasanit, nga dhjetori i 1990-ës, deri në prill të vitit 1991, por vetëm këtë tetor, Havari ka mundur të sigurojë përmes AIDSSH dosjen e tij. Dhe menjëherë pas kësaj, ka bërë publikë emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit që gjenden në atë dosje.

Më poshtë, po sjellim një pjesë nga shkrimi i Mit’hat Havarit, publikuar në media të titulluar “Unë, Sigurimi i Shtetit dhe Dosja 4171:

“Dosja kishte 215 faqe të shkruara, thuaj një roman. Brenda këtyre faqeve ishte historia e aktivitetit tim armiqësor kundër pushtetit komunist. Aty kishte raporte bashkëpunëtorësh me pseudonime, por dhe legale të shkruara me dorën të lirë. Sigurisht u trondita kur gjeta brenda bashkëpunëtorë sigurimi me pseudonime, të cilët disa munda t’i çkodoja, kishte emra që i konsideroja miq dikur, por në fakt ishte e kundërta. Ajo që më gëzoi më shumë ishte fakti që nuk kishte bashkëpunëtorë nga gjaku im, kjo do ishte e tmerrshme pastaj, sikundër u ka ndodhur shumë të tjerëve. Pseudonimet e bashkëpunëtorëve të ndodhur në këtë dosje ishin: “Artilieri”, “Zjarrmetari”, Dielli”, “Gëlqerja”, “Malësori”, “Kalaja”, “Aviatori”, “Çajupi”, kishte dy baza, “Pulti” dhe “Çelësi”, kishte edhe baza të tjera, bazat ishin vende, ku bëhej kontakti mes bashkëpunëtorit dhe objektit që gjurmohet. Dosja me aktivitetin tim armiqësor kundër “Partisë dhe shtetit” ishte hapur ne vitin 1982 deri në fund të vitit 1990, kur unë u arrestova në demonstratën antikomuniste të Elbasanit. Në dosjen time kishin punuar këta punëtorë operativë sigurimi dhe kryetarë degësh të brendshme ndër vite:

Mete Shyti, shef seksioni nga Tragjasi i Vlorës; Përparim Balla, punëtor operativ, që më ka ndjekur për 8 vite rresht; Arqile Ligori, shef seksioni; Luan Gjonça, zv.kryetar i Degës së Brendshme; Gëzim Hila, kryetar i Degës së Brendshme; Enver Zeneli, kryetar i Degës së Brendshme; Qamil Lamaj, zv.kryetar i Degës së Brendshme; Vladimir Haderi, shef seksioni; Gani Zeneli, operativ Sigurimi; Maksim Prifti operativ Sigurimi; Sherif Çeço, shef i Sigurimit të Ushtrisë; Fatmir Berdulla, kryetar i Degës së Brendshme; Nazmi Qerreti, zëvendëskryetar i Degës së Brendshme; Ilirijan Metaj, punëtor operativ; Anesti Naçe, punëtor operativ etj.

Brenda dosjes ishin edhe emrat e dy sekretarëve të parë të Komitetit Partisë së rrethit Elbasan, Pali Miska dhe Xhemal Dymilja, që kanë vendosur të “këshillohesha” nëpërmjet vartësve të tyre Fatmir Selita dhe Alqi Nase, të dy funksionarë të propagandës në Komitetin e Partisë në Elbasan. Dosja prej 2015 faqesh, nga A te ZH përshkruhej vetëm nga agjitacion e propaganda ime e “mprehtë”, sikundër e quanin ekspertët e Sigurimit të Shtetit. Dinamika në dosje ngrihej dhe ulej në varësi të shkallës së rrezikshmërisë së propagandës sime, nga “2A” te “2B” dhe anasjelltas, në fund të viteve ’90 u mbyll me “2A”, pra në kushte arresti. Më të egrit operativë Sigurimi, që punonin kundër meje, ishin dy: Përparim Balla dhe Mete Shyti.

Nga bashkëpunëtorët e Sigurimit ishte “Artilieri” (ing. Ylli Riska), “Zjarrmëtari” (Qemal Xhangolli), “Dielli” dhe “Gëlqerja”, të dy të fundit i kam identifikuar kush janë: i pari doktor Berti, i dyti Enveri, të tjerët do t’i identifikoj më vonë. Emrat legalë që më kishin denoncuar me egërsi ishin: Nasi Dimitrovski, Irfan Tosku, Agim Shkëmbi, Fahri Shkëmbi, Refik Kurti, Robert Doka, Sihat Gjomemo nga Tragjasi i Vlorës, Lili Naçi, Xhevair Xhelali, Shefqet  Balla dhe shumë të tjerë, shumica e tyre punonin aty në uzinën e çelikut, por dhe jashtë saj. Të gjithë të zellshëm për të ndihmuar “shokët” e Sigurimit të Shtetit për të dënuar “armikun” e klasës, që fliste kundër pushtetit popullor, që nxinte realitetin dhe arritjet e socializmit utopik.”

Mit'hat Havari e mbyll shkrimin e tij, të cilin premton ta pasojë me të tjerë, mbështetur në dosjen e tij voluminoze të Ish-Sigurimit, duke thënë që “Sot është një kategori njerëzish që nuk duhet të ndihen krenarë për punën që kanë bërë prindërit e tyre në regjimin komunist, kryesisht ata të Ministrisë së Brendshme, Sigurimit të Shtetit, hetues e gjykatës, por dhe të tjerë” dhe nxjerr në pah që përgjegjësit e krimeve të komunizmit nuk u vunë kurrë para përgjegjësisë dhe ata dhe pasardhësit e tyre, në shumë raste, morën pozita të privilegjuara në strukturat e shtetit shqiptar edhe pas rënies së komunizmit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here