"Nata e fundit kur e pashë tim atë para pushkatimit”

1
3599
blank

“Kur mora vesh se e pushkatuan babain, isha 6 vjeç dhe nuk e njihja fjalën ekzekutim...E pashë babain kur e shtynë dhe e plasën brenda asaj makine, pastaj u nisën me shpejtësi. Qëndrova për disa minuta deri sa makina u zhduk nëpër errësirë. Ndenja aty duke qarë dhe kur nuk pashë njeri në rrugë, u ktheva. Nënën e gjeta aty në prag të derës, e përkulur dhe e mbytur në lot... .

Nga Luljeta Progni

Mesnatën e 20 shkurtit  të vitit 1951, në oborrin e shtëpisë së Kacelëve, kishte zbarkuar Sigurimi i Shtetit. Mes britmash e kërcënimesh, shqyen portat e shtëpisë sepse kërkonin Jonuz Kacelin, tregtarin e famshëm të Tiranës, të cilin e kishin caktuar si një ndër fajtorët për bombën në ambasadën sovjetike, që kishte plasur pak ditë më herët.

Mirvjeni, i biri i Jonuzit ishte asokohe vetëm gjashtë vjeç. Po flinte në dhomë bashkë me vëllain e motrat. Ishte zgjuar nga thirrjet e frikshme të oficerëve të Sigurimit të Shtetit. “Ashtu siç isha në përgjumje, dëgjova trokitje të forta në portën e jashtme. Kishte dhe shumë zëra para portës. Doli babai dhe hapi portën. Disa zëra e pyetën kush është Jonuz Kaceli? Ishin dy oficer sigurimi dhe dy përfaqësues të lagjes që ngrinin supet. Unë jam, u përgjigj babai. Ata e shtyn mënjanë dhe filluan kontrollin. Unë isha te cepi i shkallës, i tmerruar shihja ata të huaj që bastisnin shtëpinë e kishin mbërthyer babain pas hekurave... Nëna ime, Merjemja rrinte si e hutuar dhe vetëm qante...”.  Janë përjetimet e një fëmijë 6-vjeçar tek sheh babanë e tij të lidhej dhunshëm nga disa njerëz të panjohur... pa kuptuar se ç’faj kishte bërë... E kishte pyetur e ëma, Merjemja: çfarë ke bërë Jonuz?! “Asgjë s'kam bërë, mos u mërzit” i ishte përgjigjur Jonuzi.

Pasi kishin bastisur shtëpinë përmes ulurimash kafshërore para 7 fëmijëve, oficerët e sigurimit e kishin marrë Jonuz Kacelin, të lidhur me pranga për t'u larguar nëpër natë nga rrugica e Kacelëve drejt rrugës “Tefta  Tashko”.

Amaneti

blank“Kujdes fëmijët! Amanet!” Ishte fjala e vetme dhe e fundit që la pas Jonuz Kaceli, atë natë të ftohtë shkurti duke marrë me vete imazhin e të shoqes Merjemes dhe të birit  6-vjeçar Mirvjenit, që e ndiqte i hutuar nëpër rrugën e errët. Gjashtë fëmijët e tjerë nuk kishin guxuar të dilnin nga dera e shtëpisë, të tmerruar prej britmave të oficerëve të sigurimit. Mirvjeni gjendej aty, ndoshta edhe se ishte më i vogël e nuk po e arrinte të kuptonte dot as frikën, ndoshta edhe se kishte qenë kaq shumë i lidhur me të atin... Guxoi ta ndiqte nëpër natë babanë e prangosur, të rrethuar nga njerëzit e panjohur, që e shtynin dhunshëm të ecte drejt fundit të rrugës, atje ku i priste një makinë.

“E pashë kur e shtynë dhe e plasën brenda asaj makine, pastaj u nis me shpejtësi. Qëndrova për disa minuta deri sa makina u zhduk nëpër errësirë. Ndenja aty duke qarë dhe kur nuk pashë njeri në rrugë, u ktheva. Nënën e gjeta aty në prag të derës, e përkulur dhe e mbytur në lot... Ishte nata e fundit që e shihja babanë”.

Mirvjeni nuk e kuptonte mirë se çfarë po ndodhte në Shqipërinë komuniste sepse ishte shumë i vogël, por nuk i hiqet kurrë nga kujtesa ajo natë e frikshme, lotët papushim deri në mëngjes, sepse nuk do ta shihte kurrë më të atin.

“Kështu e gdhimë me lot deri në mëngjes, ku na gjetën komshinjtë, ishim të gjithë bashkë në atë dhomë me nënën, motrat e vëllain tim Osmanin. Komshi kishim një njeriun tonë që ishte martuar me një italiane. Ata morën nënën duke i dhënë kurajo që të mund të përballonte situatën për hir të fëmijëve. Na u gjendën shumë afër, sepse e mbaj mend mirë se na jepnin kurajo gjatë gjithë kohës. Ishin kohë të vështira”.

Pushkatimi

Mirvjeni nuk e kishte dëgjuar kurrë fjalën ekzekutim. Nuk e dinte çfarë do të thoshte. E dëgjoi për herë të parë mesnatën e 27 shkurtit, ku dy oficerë të sigurimit kishin mbetur në derën e shtëpisë për të dhënë lajmin se Jonuz Kaceli ishte ekzekutuar. Këtë fjalë nuk e  kishte kuptuar as e ëma, Merjemja.

“Ju lutem mund të më thoni çfarë do të thotë ekzekutim, pyeti nëna oficerët, por ata nuk u përgjigjën dhe u larguan me shpejtësi nga dera. Ekzekutim! Na u duk si një fjalë e huaj shumë e pakuptueshme. Nëna shkoi menjëherë tek familja e Hamdiut që ishim komshinj, edhe ne fëmijët e ndoqëm pas. Sa na pa në oborr Hamdiu, na doli para. Hë Merjeme, si është puna?!,  e pyeti nënën i shqetësuar. Nëna i tha që më thanë e kanë ekzekutuar, por se di çdo të thotë kjo fjalë. Ai uli kokën. Ndenji si i hutuar. Për disa çaste nuk foli. Ne e shikonim në dritë të syve. Përgjigja e tij do na jepte forcë nëse do ishte pozitive.  Eh tha ai, dmth e kanë pushkatuar... Ne shtangëm. Nëna lëshoi bërtima e tmerruar”, rrëfen Mirvjen Kaceli.

blankPas pushkatimit të Jonuz Kacelit, do të ishte shumë e vështirë jeta për shtatë fëmijët e tij dhe bashkëshorten Merjeme. I priste internimi dhe përndjekja gati 40 vjet, deri në fundin e vitit 1990, kur u rrëzua sistemi komunist. Në gusht të vitit 1991, pak muaj pas rrëzimit të diktaturës, eshtrat e Jonuz Kacelit u gjendën bashkë me disa të tjerë të pushkatuar të ngjarjes së bombës në ambasadën sovjetike. “ I gjetëm eshtrat e babait në gusht të vitit 1991. I gjetëm në bazë të dëshmive të fshatarëve që ishin aty rrotull në atë pushkatim. Madje, ishin shumë vetë që e dinin pak a shumë vendin. Pikërisht në këtë vit, me një vendim të veçantë, babai jonë u shpall i pafajshëm. Kur gjetëm kufomat, pamë se kafka e babait tonë, ishte ndryshe nga e të tjerëve. Ajo kishte një të çarë në mes të ballit. Kjo e çarë është ashtu si më kanë thënë ata që kanë parë torturat e babait. Pra, atë e ka bërë Mehmet Shehu me qytën e revoles, para se të shkonte dejt pushkatimit, ai kishte vdekur nga torturat. Këtë e kanë rrëfyer dy punonjës të ministisë së Brendëshme pas vitit 1991. Kur Mehmet Shehu kishte parë babanë në korridor të Ministrisë kishte thënë: Ja, Jonuz, erdhi dita të jemi përballë. Më zgjidh dhe të flasim si burrat... Por nuk kishte pritur asnjë çast më shumë dhe e kishte qëlluar babanë me qytën e revoles në ballë. Ndaj kafka e babait tonë ndryshonte nga të tjerat... atë ditë kur iu gjetën eshtrat”. Rrëfimi i Mirvjen Kacelit, është marrë nga një intervistë që ai ka dhënë për gazetarin Albert Zholi, për gazetën Telegraf, pak vite më parë. Më poshtë shfaqet fotogafia e Jonuz Kacelit, bashkë me miqtë e tij në vitin 1940. Nga e majta: Mehmed Tugu, Masar Hema, Selman Begeja dhe Jonuz Kaceli. Foton e ka publikuar i biri Jonuzit, zoti Osmon Kaceli.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

1 Koment

  1. Çfar drejtësie kur kurrē nuk u gjykuan ata kriminel komunistë kur dihen edhe emrat e tyre Shqipëria ka ende ne pozita te larta ish komunista ndaj dhe ështê kështu si është me dhemb shpirti kur i lexoj këto vuajtje ju siguroj ,qe as regjimi serb më gjakatar nuk ishte ndaj nesh. Në Kosovë kur arrestohej dikush kurr familja nuk prekej as nuk prejashtohej nga puna ,sa ma dhimbsen ato femra aq intelektuale Musine Kokalari Sabiha Kasimati Marie Tuci e qindra tjera .Zot i madh kaq i fuqishēm është njeriu kaq shumë dhimbje munď të durojë😪😥😥

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here