Pjesë nga mbrojtja e guximshme e Fadil Kokomanit në sallën e gjyqit, mbështetur në librin “Ridënimi” të Fatos Lubonjës
Të rrallë, shumë të rrallë ishin ata që guxuan të përballeshin me regjimin komunist në Shqipëri. Vështirë ta thuash se në ç’raport ishte brenda tyre shpresa se vërtet do të sillnin ndryshim, me vendimin për ta rrezikuar jetën sepse nuk donin të jetonin në atë mënyrë. Ndoshta, për këdo, kjo ishte thjesht një marrëzi por, askush si ata, nuk u dhuroi atyre që iu ndodhën pranë, motivimin që i jep njeriut e vërteta e thënë hapur.
Vetëm se diktatura ishte edhe cinike. Këta heronj sakrifikoheshin në një zjarr që regjimi e shuante gjithaq. Dhe terri vazhdonte të sundonte njëlloj si më parë. Kjo ndodhi dhe me Fadil Kokomanin majin e vitit 1979, në sallën e gjyqit që vendosi pushkatimin e tij dhe të Vangjel Lezhos.
Kokomani dhe Lezho, komunistë idealistë, kishin jetuar dhe studiuar në Rusi gjatë viteve liberale të Hrushovit dhe kishin mbetur përjetësisht të dashuruar me atë vend. Ishin të dy gazetarë në Radio Tirana, kur u arrestuan në vitin 1963, për tentativë arratisjeje, pasi planet e tyre për t’u kthyer në Rusi, u zbuluan. Ata kishin nisur disa letra kundër regjimit të Tiranës për në Bashkimin Sovjetik, çfarë vetëm sa ua komplikonte situatën. Fadili, në fillim, u dënua me vdekje, por iu fal jeta dhe dënimi iu bë 25 vjet burg, po aq sa ishte dënuar dhe Vangjeli.
Vuanin prej 16 vitesh dënimin me burg, kur në vitin 1978, i dërguan një letër Komitetit Qendror nga Spaçi, ku kritikonin kursin politik të Enver Hoxhës dhe diktaturën që ai kishte instaluar në Shqipëri. Kjo solli riarrestimin e tyre dhe dënimin me 10 vite burg për agjitacion e propagandë, por, për arsye që vetëm mund të imagjinohen, ata nuk u rikthyen në burg për të vazhduar dënimin.
Duket se dikush e mësoi çfarë kishin bërë ata të dy, ose e dinte që prej fillimit, por u pendua më vonë për dënimin me vetëm 10 vite burg dhe kërkoi jetën e tyre. Fakt është që Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, pas disa muajsh që mbaheshin në kaushin e burgut të Tiranës, u përfshinë në një proces të ri, gjoja si drejtues të një organizate revizioniste antirevolucionare të krijuar në kamp-burgun e Spaçit, akuzë për të cilën edhe u pushkatuan. Për ta justifikuar akuzën, u ridënuan edhe 8 të burgosur të tjerë të Spaçit, gjoja si pjesëmarrës në organizatë. Akuza, e papranuar nga të akuzuarit, u mbështet vetëm nga dëshmitë e rreme të disa dëshmitarëve, të njohur mes të burgosurve për këtë lloj aktiviteti dhe nuk u provua për asnjë çast, pasi nuk mund të kishte prova, kur nuk ekzistonte organizata. Megjithatë, kjo nuk e pengoi prokurorin të kërkonte pushkatimin e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos.
Në këtë kohë, pasi ishin njohur me pretencën e prokurorit, të pandehurve iu dha e drejta e fjalës. Në librin e tij, “Ridënimi”, i shtëpisë botuese “Koha”, Fatos Lubonja, një nga të akuzuarit e këtij procesi, sjell fjalimin e Fadil Kokomanit, që iu kërkua të fliste të parit. Lubonja përmend se Kokomani kishte shkruar gati 20 fletë për këtë mbrojtje, të cilat i lexoi me një zë çuditërisht të qetë. Fadili mohoi që bashkë me Vangjel Lezhon të kishin ndonjë pretendim revizionist duke theksuar se ata kërkonin vetëm një kurs politik ndryshe nga ai që zbatonte Enver Hoxha, që ishte bërë një udhëheqës absolut në vend. Kokomani gjithashtu e shpalli hapur të gënjeshtërt akuzën ndaj tij dhe Lezhos, pasi hodhi poshtë si të pamundur, mundësinë që ata të kishin krijuar një organizatë në burg. Kokomani lexoi se ata kërkonin që “udhëheqja, e cila është kthyer në një Zeus absolut”, të shikonte mundësinë për vendosjen e marrëdhënieve me BRSS-në që kështu punët e socializmit të ecnin më mbarë, me më pak vështirësi. Ata kërkonin edhe që udhëheqja të flakte “natyrën e rëndë të saj, prej subjekti absolut”, gjë që sipas tij vihej re në çdo artikull gazete apo në çdo vepër muzikore, apo letrare, “ku emri i Enver Hoxhës”, lexonte Kokomani, “sot nuk ka vend që të mos përmendet”. Ata kërkonin që udhëheqja të realizonte, përkundrazi, një “mirëqenie klasike të avantazheve të socializmit, një demokraci të përkryer”, mungesa e së cilës ndihej aq fort në burg. Ndërsa për sa i përkiste krijimit të organizatës, ai pyeti në kishte mundësi të krijohej një organizatë e tërë në burg a në kamp “kur në çdo hap e në çdo bisedë që të bësh çdo gjë merret në shënim dhe raportohet brenda ose në komandën përkatëse; kur madje edhe një gjë të vogël, ta zëmë një fletore apo pak ushqim të mbash te koka, vjen kapteri e ta zbulon pse është lajmëruar?”. Përgjigjja e tij ishte “Kurrë jo”. Ai tha se mundësitë për të krijuar kësi lloj organizatash nëpër kampe e nëpër burgjet e Shqipërisë, “janë kategorikisht të ekskluduara” dhe se këtë e thoshte me kompetencë të plotë.
Në fund të fjalës, dorëzoi fletët dhe u ul.
“Salla sikur ishte mbushur me një tjetër ajër, që i digjte ndryshe shpirtrat njerëzorë”, shkruan Lubonja. Të gjithë ata që ishin aty e dinin se njeriut që po fliste, i mbetej dhe pak kohë për të jetuar dhe kjo e bënte gjithçka solemne, por në të njëjtën kohë edhe absurde, sepse të gjithë e ndjenin gjithashtu se nuk kishte asnjë kuptim që atij t’i merrej jeta. Heshtjen e theu kryetari i gjyqit, i cili ia dha fjalën një prej të pandehurve të tjerë, Xhaferr Xhomos, që tha vetëm se ai e kishte ditur veten më të mirë, por Fadili ishte një mijë herë më i mirë dhe se Fadili ishte shoku i tij gjenial…
Një shok që nuk u kthye me ta në burg... një shok që u pushkatua bashkë me Vangjel Lezhon dhe Xhelal Koprenckën në fund të atij maji tronditës të vitit 1979.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.