“Që të ketë një goditje të drejtë e të shumëanëshme reaksioni, shtrohet sot në qarkun t‘onë problemi i një operacioni të gjërë e të rreptë, marrje masash kundra elementeve kundërshtar që njihen si udhëheqësa, fillimi i gjygjit të popullit kundra Lleshit me shokë, pse ky gjyq do të ndihmojë mjaft në mobilizimin e masës...”
Në valën e aksioneve në veri të Shqipërisë, për të eleminuar kundërshtarët e komunizmit, epiqendra e sulmeve ishte Shkodra me malësitë përreth e më tej, Mirdita, Puka, Dibra, Mati, etj.
Në fund të majit 1946, Komiteti qarkor i Shkodrës ishte mbledhur për të bërë një rezyme të punës së pushtetit, për nënshtrimin e veriut antikomunist e për të nxjerrë detyrat e reja, deri në eleminimin e plotë të çdo zëri që ishte ngritur kundër regjimit të Enver Hoxhës.
Ky raport i datës 31 maj 1946, nënvizon që në krye, aktivitetin e reaksionit në qarkun e Shkodrës, ku në krye analizohen lëvizjet e klerit katolik dhe përhapja e parullave për ndërhyrjen e perëndimit dhe rrëzimin e komunizmit.
“Faktet që e provojnë janë mbledhjet e shpeshta të klerikëve në Shkodër, Sadrinë, Kollonë, transferimet e fundit të disa klerikëve nga një nënprefekturë në tjetrën, takimet e shpeshta të tyre me elementët e pakënaqur e armiq të pushtetit tonë”.
Lëvizja e klerit katolik sipas këtij raportimi të komunistëve të Shkodrës, ishte intensifikuar më shumë në Zadrimë dhe në Dukagjin.
Shqetësues për komunistët ishte bërë fakti se ilegalët që kërkoheshin si antokomunist, kishin nisur të organizoheshin në arrati në mal e të bënin mbledhje mes tyre, duke përfshirë njërëz me influencë në zonë, si bajraktarët e Shoshit, Shalës, etj.
Më tej, dokumenti zbulon edhe gjithë lëvizjet që kishin vënë re në zonën e Mirditës dhe organizimet e tyre. Për t’ju kundërvënë këtij fakti, drejtuesit komunist të qarkut Shkodër po hartonin një plan masash për t'u prerë hovin aksioneve të antikomunistëve, mes tyre shtimin e survejimit të cdo lëvizjeje të tyre, deri tek gratë apo vajzat e ilegave, të cilat do të gjurmoheshin mos kishin lidhje burrat e shtëpisë.
Dokumenti dëshmon se komunistët e kishin ndjerë, ende pa ndodhur vala e kryengritjeve antokomuniste në veri, që do të jepnin sinjalet e para, pikërisht në kohën e këtij dokumenti, do të vijonin gjatë gjithë verës së 1946, e deri në fund-vjeshtën e po atij viti, kur pothuajse e gjithë lëvizja, u mposht nga komunistët me forcën e armëve.
E sjellim në arkivën tonë Kujto.al, si më poshtë, këtë dokument shkëputur nga dosja 62/1 e fondit 14 në AQSH:
Shkodër më 31.V.1946
Komitetit Qëndror të P.K.Sh
Tiranë
Të dashur shokë;
Në mbledhjen e 25 Majit të komitetit Qarkor, në prezencën të delegatit të qëndrorit sh. Myzafer Trebeshina, u rrahën këto probleme me rëndësi:
REAKSIONI. – Në gjithë qarkun t´onë, prehet një përpjekje për organizimin nga ana e gjithë elementëve kundërshtar, përpjekje që drejtohej përsëri- nga sa duket nga kleri. Faktet që e provojnë janë mbledhjet e shpeshta të klerikëve në Shkodër, Sadrinë, Kollonë, transferimet e fundit të disa klerikëve nga një nënprefekturë në tjetrën, takimet e shpeshta të tyre me elementët e pakënaqur e armiq të pushtetit tonë.
Është pas këtyre mbledhjeve dhe takimeve që dalin parrulla reaksionare si: “shpejtë do të sulmohet rusi nga anglo-amerikanët”, “shpejtë do t’na sulmojë greku dhe komunistët do t’ikin këndej”, “shteti do t’i lejë fshatarët pa bukë, do ua marr gjithë bereqetin”etj. “Më pak punë vullnetare dhe më tepër punë morale” i thotë popullit në kishë prifti, duke u përpjekjekur të sabotojnë punën vullnetare të së dielës.
Kjo lëvizje e klerit vërehet më tepër në periferinë e qëndres, në Zadrimë, dhe sidomos në Dukagjin, ku terreni është i lidhur me të dhe nga ne më pak i kontrolluar. Ai është i lidhur ngushtë me njerëzit e legalitetit (ish oficera zogistët, ish funksionarë të Zogut, nënpunësa të mbetur jashtë kuadrit e të vjetër nga fryma), me barajktarët, me tregëtarët e tatuar e të pakënaqur, me një pjesë të rinisë katolike (sidomos me atë të shtresave të larta) dhe me t’arratisurit. Priftërinjtë lëvizin nëpër familje e fshatra katolike duke u munduar të mbjellin panik e t´a shkëpusin masën nga ne. Ilegalët tentojnë të bëjnë një mbledhje të gjërë e të organizuar.
Gjer tasht nga lëvizja e forcave tona kjo mbledhje u ka dështuar, por ata kanë mundur të bëjnë mbledhje të vogla në Mirditë e në Nikaj Mertur të Dukagjinit. Në këto mbledhje dyshohet se kanë marrë pjesë dhe barajktarë që sot akoma janë legal. Vërehet lëvizja e shpeshtë e anës pasanike në qytet dhe e rinisë katolike kundërshtare. Kjo vërehet si në lagje, si në shkollë, ku të rinjtë e të reja reaksionare mundohet të sjellin ngatëresa. Masat e fundit në shkollë e kanë forcuar gjer diku pozitën tonë, po atje duhet punuar shumë dhe celula e shkollës nuk e manovron dot aq mirë terrenin. Ne kemi mbërritur t’i njohim të rinjtë e të rejat reaksionare po nuk kemi mbërritur akoma t’i izolojmë fare ata nga masa e gjërë e rinisë. Kjo iu shtrua celulës së shkollës dhe rinisë: të demaskohen të rinjtë reaksionare dhe dallaveret e tyre, të forcohet puna e rinisë sonë në shkollë si nga ana axhitative si nga sjellja si nga ana e mësimëve (shokët tanë të dalin të parët e jo të jenë në rrezik moskalimi).
Vërehet një lëvizje në pronarët e Bregut të Matës që strehojnë dhe ndihmojnë t’arratisurit në krerët e malësive, në nënpunës të vjetër që akoma janë në pushtetin tonë por që dita ditës po pastrohet. Këto lëvizje të japin përshtypjen e një vendimi për të vepruar shpejtë, pse këto lëvizje bëhen shumë arçik e në mënyrë të pa kontrolluar mirë nga ata. Sikur janë të alarmuar dhe në nxitim. Kjo ne na ka ndihmuar t´i njohim më lehtë dhe t´i survejojmë.
Reaksioni është përpjekur të futet në rradhët t´ona.
Fakte: në Lesh, Gjin Zefi, antar partije dhe përgjegjës seksioni të brendëshëm , kapet i lidhur me Marka Gjonin, në Pukë e në Mirditë nganjë a.p. dyshohen dhe janë në survejim, në Breg të Mates ka e në Pukë ka të r.k.që bëjnë punën e reaksionit.
Kohët e fundit janë vrejtur dhe levizje të agjenteve të UNRAs (nga Puka, Leshi, Mirdita) si dhe lëvizje ajrorësh anglezë në rajonin e Pukës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të qarkorit në fillim të Majit ne i vumë në dukje këto përpjekje të reaksionit dhe ia shtruam çështjen me njëherë organizatës.
Nxitën celulat të forcojnë sektorin e informacionit dhe lidhjen e tyre ne masat e popullit. E porositëm edhe një herë orgnizatën të na dërgojë herë pas here raporte të posaçme informacioni dhe të njohi mirë gjithë lëvizjet dhe njerëzit e dyshimtë në sektorët e ndryshme.
U shtrua demaskimi i vazhdueshëm i parullave të reaksionit, ngjallja e urejtjes kundrejt fashisteve grekë e italian e kundrejt imperializmit (këtu na ndihmuan mjaft mitingjet ne rastin e 2-7 Maj, mitingje që vazhduan dhe që kanë Pasur gjallëri dhe pjesëmarrje të gjërë në shumë raste), mobilizimi i popullit më tepër në punën vullnetare, popullarizimi i masave të qeverisë dhe afririmi më tepër i shtresave të ulta e të mesme me ne etj.
Në mbledhjen e fundit u vërejt se organizata është mobilizuar dhe ka dhënë në këtë drejtim, qoftë në infomata,qoftë në mobilizimin e masës për punë,për kurse kundra analfabetizmit,për demaskimin e parullave e të tjera. Po mbetet akoma për të bërë mjaft për demaskimin ereaksionit ndërkombëtar e të brendshëm (prandaj do të vazhdojë fushata e 2-7 maj)për popullarizimin e B.S. e të Jugosllavisë, për ndjekjen dhe çfarosjen e kriminelave, për një mobilizim më të mirë të shtypit dhe të radios s´onë në këtë drejtim.Shokët u udhëzuan të jenë më të zgjuar kundrejt axhentave të jashtëm, të kenë kujdes për levizjet e ajrorëve, të drejtojnë shokët e ardhur nga Jugu e të hapur në teren që të vërejnë më mirë se ata si të rinj, nuk e njohin mirë dallaveraxhiun; Përgjegjësit e Komiteteve u-vunë para përgjegjësis në lidhje me njohjen e terenit të tyre e ja t´a bëjnë si Puka që thotë se ´ reaksioni është krejt i topitur´ në një kohë që pikërisht këtë muaj, aty reaksioni ka- lëvizur mjaftë dhe ua ka hedhur të gjithëve. Kjo iu vu në dukje Franos dhe shokëve të Komiteteve të tjerë.
U-shtrua problemi dhe u-nxit organizata të shtojë vizitat në familjet e lidhura me ne,sidomos në ato të dëshmorëve, të kontrollojë më mirë levizjet e grave reaksionare ose të degjeneruara që i përdor reaksioni për qëllimet e tij; nxorrën ekipe mjekesore për të përshkuar terenin Mirditës e të Dukagjinit një muaj rrjesht, mundohemi të fusin në punë ata që pa dashje preken nga reformat t‘ona ekonomike ose kulturale.
Por që të ketë një goditje të drejtë e të shumëanëshne reaksioni, shtrohet sot në qarkun t‘onë problemi i një operacioni të gjërë e të rreptë, marrje masash kundra elementeve kundërshtar që njihen si udhëheqësa (Mbrojtja ka mjaft informata dhe këto shtohen vazhdimisht), fillimi i gjygjit të popullit kundra Lleshit me shokë , pse ky gjyq do të ndihmojë mjaft në mobilizimin e masës. Gjithashtu shtrohet problemi i shpejtimit të ndarjes administrative, për t´a coptuar kështu jutakun e Marka Gjonit në Mirditë dhe e bajraktarëve të tjerë.
Ne do të përpiqemi t´a mbajmë orgnizatën të gjallë në zbulimin e bazave e të njerzëve të reaksionit,në lidhjen e sajë me masat, në mobilizimin e tyre sa më tepër pro nesh, por që të kemi rezultate konkrete, ne e shohim të nevojshme veprinin që thamë më lartë./kujto.al
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.