Lutja e fundit!

0
1007
blank

Lutja dëshpëruese e 23-vjeçarit Skënder Daja para pushkatimit: Ma falni jetën se jam i ri!

Mëngjesin e 27 janarit të viti 1953, Qemal Daja u ekzekutua nga regjimi komunist, i akuzuar për veprimtari armiqësore kundër pushteti popullor. Ai la jetim katër fëmijë të cilët regjimi i shpërndau veç e veç nëpër jetimore në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Më i vogli i tyre ishte Skënderi, i cili mbeti jetim në moshën 3-vjeçare. U rrit me mundime nëpër jetimoret e Shqipërisë dhe në moshën 18-vjeçare, do t'i duhej të kërkonte vetë strehë e ushqim. blankPa familje, i uritur, pa një strehë për të kaluar netët, Skënder Daja endej nga qyteti në qytet me shpresë se do të gjente një punë për të rregulluar jetën. Pasuria e tij e vetme ishte një kitarë dhe pasioni për muzikën.

Pas përpjekjeve të dëshpëruar për të gjetur një punë në Tiranë në vitin 1964-'65, Skënderi largohet nga Tirana dhe gjen një punë si marangoz në Fier. Për katër vite ai gjen miqësitë e tij dhe nis të stabilizohet. Netëve të verës ai mblidhte rreth vetes mjaft miq e shokë për t'i dëgjuar tingujt e kitarës së tij.

Në Vitin 1970, Skënderi detyrohet të shkojë ushtar në repartin e punës në Ksamil. Kufiri me Greqinë i dukej kaq afër dhe befas i kujtohet ëndrra që kish parë dikur, duke kënduar me kitare me idhullin e tij, Adriano Çelentano. Biseda me shokët ku tregoi ëndrrën, do t'i ndryshonte gjithë jetën e tij. Për atë ëndërr ai do të arrestohej për tentativë arratisje. Pas torturash e presionesh në hetuesi ai dëshmon: “Desha të këndoja me Adriano Çelentanon, edhe sikur të fshija me fshesë rrugët e Romës”. Për këtë fjali ai do të dënohej me 10 vjet burg për "agjitacion e propagandë, tentativë arratisje".

Nisi të vuajë dënimin në burgun e Spaçit. Kur u arrestua, kitara e tij u sekuestrua, si e vetmja pasuri që kishte. Por në burg gjeti miq e shokë të burgosur që kishin gjithashtu pasion për muzikën, gjeti edhe kitarë në burg. Ishte e Gëzim Çelës, që ia kishte dhuruar këngëtarja e famshme e kohës, Vaçe Zela. Sa herë që e lejonte komanda, Skëndër Daja i binte kitarës për t'u kthyer në njërin prej të burgosurve më të dashur për të gjithë. Sepse tingujt e asaj kitare u kthyen në ngushëllim për dhimbjet e atyre të burgosurve politik që vuanin, mungesën e lirisë, torturën, punën e rëndë në minierë dhe mallin për familjen. Në vitin 1973,  në revoltën e burgut të Spaçit, Skëndër Daja ishte aty me kitarë e me kitarë protestoi si askush tjetër.

blankTë shtunën e 19 majit 1973, të burgosurit skllevër u kthyen si çdo ditë, të rraskapitur nga puna në minierat e Spaçit, vonë në mbrëmje. Të nesërmen, edhe pse e diel, ata ishin të detyruar të punonin përsëri gjithë ditën. Prej tre muajsh, nuk kishin bërë asnjë ditë pushim, nuk kishin parë diell me sy: gjithë ditën punonin brenda nëntokës me dy turne, ndërsa natën e kalonin brenda këtyre kazermave të akullta.

Të dielën diskutuan me njeri-tjetrin për të mos shkuar më në punë.

Revolta shpërtheu më 21 maj. Ishte një revoltë e natyrshme, pasi kishte kaluar çdo cak që mund të durojë një njeri sado i fortë të jetë fizikisht. Pas përleshjeve me policët, të burgosurit morën në dorë situatën dhe komanda e burgut mbeti jashtë telave. Të burgosurit u bënë zot të asaj hapësirë ku vuanin dënimin. Skëndër Daja ishte një prej të burgosurve më aktivë në revoltën kundër komandës. Në fakt ishte një revoltë kundër regjimit komunist. Nën zhurmën e thirrjeve të policëve për t'u dorëzuar, Skënderi merr kitarën, ngjitet lart mbi tarracë dhe këndon këngë për lirinë, këndon edhe këngët e idhullit të tij, Adriano Çelentano. Aty forcat e policisë nuk mund të afrohen përkohësisht. Ato tri ditë ai këndoi këngët që nuk kishte mundur deri atëherë t'i këndonte deri atëherë. Por do të ishin këngët e fundit.

Ditën e tretë të revoltës, horizonti nxinte nga forcat e shumta policore që kishin ardhur me urgjencë nga Tirana dhe rrethe të tjera, për të shtypur revoltën e Spaçit. Mijëra policë e ushtarë të armatosur me automatikë e mitralozë prisnin urdhrin për të qëlluar.

blankZëvendësministri i Brendshëm, Feçor Shehu dhe zyrtarë të tjerë të policisë e burgjeve, me kërcënimin e armëve i shpërfillën kërkesat e të burgosurve për takim me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, që të bënin të njohura padrejtësitë ndaj tyre dhe urdhëruan shtypjen e protestës me dhunë.

Mëngjesin e 23 majit, ndërsa të burgosurit kishin 3 ditë pa bukë e pa ujë, forca të shumta policore hynë në kamp dhe pa mëshirë, ushtruan dhunë barbare mbi të gjithë të rebeluarit.

Rreth 370 të dënuar, të lidhur me pranga e zinxhirë, u nënshtruan në oborrin e kampit. Po atë mbrëmje, u zhvillua një gjyq special për 12 të arrestuarit e parë, katër prej të cilëve u dënuan me vdekje, pushkatim dhe u ekzekutuan menjëherë: Skënder Daja ishte njëri prej tyre. Bashkë me të u dënuan me pushkatim edhe të burgosurit Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj.

blank

Pas vendimit, secili prej tyre kishte mundësinë të bënte një lutje për falje të jetës. Skënder Daja e shfrytëzoi këtë mundësi dhe iu drejtua me një letër Kuvendit Popullor. Ishte një lutje për t'i falur jetën sepse ishte i ri, vetëm 23 vjeç.

“Unë, Skënder Qemal Daja, i datëlindjes 1950, me arsim 8-vjeçar, lindur në Tiranë, me origjinë fshatar i varfër, i dënuar në Kampin e Spaçit me 10 vite për tentativë arratisjeje, sot i dënuar me vdekje, i akuzuar  me nenin 72-7, 6 dhe 73. Në fakt, kam pranuar se i revoltuar kam bërë propagandë atë ditë, ashtu siç bërtitën të gjithë në kamp dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj grupazhi e nuk jam bërë pengesë për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kur mbaroi revolta ne kishim frikë se do të na rrihnin, prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll këtë letër lutjeje, me shpresë që të më falni jetën si i ri që jam”, kjo është letra e Skënder Dajës, drejtuar regjimit, që Kujto.al e ka gjetur në Arkivën e Shtetit.

Padyshim, lutja dëshpëruese e 23-vjeçarit nuk mund të prekte shpirtin e egër të diktaturës komuniste që ato ditë kishte ndjerë kërcënimin nga revolta. Ndëshkimi do të ishte i egër për të shtypur çdo mundësi për përsëritje të kryengritjes së të burgosurve kundër regjimit komunist./kujto.al

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here