Kujtimet e Abdullah Berberit: Ju rrëfej kohën e përgjakshme

0
583
blank

 "Procesverbal i mbajtur sot më datë 3.11.1947 mbi ekzekutimin e të dënuarit Mustafa Qose… në orën 12:30 tek kodrat e fermës. Fjala e tij e fundit: të fala nënës dhe krejt familjes.. edhe të fejuarës time”

Ishte viti 1946, në kinema 17-nëntori po zhvillohej një gjyq i ashpër, po dënohej opozita shqiptare e asaj kohe e quajtur Bashkimi Demokrat.  Grupi i prokurorëve drejtohej nga krimineli famëkeq Nevzat Haznedari.  Në sallën e gjyqit ishte edhe Zalo Xhomaqi. Ishte vendosur anash trupit gjykues dhe po shkruante. Kishte rolin e sekretarit në atë gjyq.

Po dënoheshin dhjetra të rinj të akuzuar për veprimtari armiqësore. Në grupin e kësaj organizate ishte edhe Abdullah Berberi, i cili bashkë me Petrit Berishën dhe Akil Bashën, apo edhe të tjerë, akuzoheshin se ishin angazhuar në përhapjen e trakteve që ishin hartuar prej krerëve kryesorë të asaj organizate, ku bëhej thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945.

Të cilësuar si armiq të popullit, ata ishin në sallën e gjyqit në korrik të vitit 1946. Në atë sallë ishte edhe sekretar Zalo Xhomaqi, i cili në atë rol shkruante akuzat dhe vendimet për pushkatime të prokurorëve katilë. Por Zalo Xhomaqi, nuk i përkiste asaj rrace kriminelësh ndaj dhe shpejt do të përfundonte i pushkatuar si ata të rinj për të cilët po shkruante atë ditë vendimet me vdekje. E ka rrëfyer Abdullah Berberi, se si u shfaq Zalo Xhomaqi në krah të të dënuarve dhe si përfundoi para pushkatimit. Në librin e tij, “Tregime, kujtime, mendime, vjersha, përkthime e parodi ...”, botuar në vitin 1993, Abdullah Berberi rrëfen si i mbijetoi regjimit komunist, por sjell në kujtesë edhe momente të tmerrshme të atij gjyqi e asaj kohe të përgjakshme.

Rrëfim nga Adbullah Berberi

E njoha me 5 korrik 1946, ditën e parë të gjyqit që zhvillohej kundër rinisë së Rezistencës. Trupin gjykues e drejtonte Irakli Bozo, prokuror ishte Petrit Hakani, sekretar gjyqi ishte i paharruari Zalo Xhomaqi.

22 të rinj nga 15 deri në 23 vjeç, qëndronin  të lidhur dy nga dy, të vendosur e krenarë. Kapiten Zaloja afrohet e ndërsa me heq prangat, buzëqesh lehtë e më zë të ulët më thotë se ishte antikomunist dhe shok i tyre… më 9 korrik hapet dera e qelisë numër 3 ku kisha kaluar tmerret e hetuesisë nga Muço Saliu. Përsëri sekretar Zaloja vjen të shënojë disa të dhëna e më thotë: “Kanë zënë një pjesëtar të grupit tuaj në kufi, I.C. Ai prej shtrëngimit ka fol kundra teje…”

Zaloja, përveç të dhënave për atë gjyq monstruoz, kishte shkruar dhe përhapur edhe një trakt që e kishte titulluar “10 shqiponja lidhur me zinxhirë” (Tiranë prill 1946).

Trakti fillon kështu:"Ai që e nis qeverimin me gjakderdhje e terrorizëm, është i shtrënguar fatalisht të vazhdojë ashtu si e nis, s'kthehet dot mbrapsht më, futet thellë e më thellë sa vetë dhe është i dënuar të mbytet në pellgun e gjakut që vetë krijoi”. Trakti mbyllej me fjalët: Jini krenarë ju nëna shqiptare që keni lindur bij si 10 shqiponjat e 10 prillit! Ata do të dënohen, do të rrinë mbyllur në burgun që ndërtoi fashizmi i mallkuar dhe që e zmadhoi “liria kriminale e Koçi Xoxes”.

I ulët në gradë, por shumë i lartë në zgjuarsi e në fisnikëri i dashuri Zalo! Nuk kaloi shumë kohë dhe në pellgun e gjakut që krijuan, ra edhe Koçi Xoxe me shokët e punës. Pas tyre do të binin edhe të tjerë.

Pak muaj më vonë, ndërsa flija në korridorin e burgut, një shkelm i fuqishëm më zgjon… ashtu i trembur shoh prokurorin Petrit Hakani që bërtet: E di për ku jam nisur këtë mëngjes të errët? Të vras me dorën time, mikun tënd, tradhtarin dhe dekonspiratorin tonë Zalo Xhomaqi”.

E ndërsa pushkatohej edhe Zaloja, pa ditur se ku, një tjetër gur i rëndë i vihej themelit të opozitës shqiptare të kohës. Kjo mjerisht do të vazhdonte edhe më vonë … Hija e vdekjes kishte nisur punën e palodhshme, ajo korrte pa pushim të gjithë ata që nuki përkisnin këtij ideali… ndërkohë procesverbalet vazhdonin.

Procesverbal:

I mbajtur sot më datë 3.11.1947 mbi ekzekutimin e të dënuarit Mustafa Qose… se ka pasur aktivitet me grupin e Sami Qeribashit…

U ekzekutua në orën 12:30 tek kodrat e fermës. Fjala e tij e fundit: Të fala nënës dhe krejt familjes.. edhe të fejuarës time”

Mustafa Qose ishte vetëm 25 vjeç atë ditë që u pushkatua. Pak më vonë do të pushkatohej edhe gardiani i burgut, Mustafa Dibrani.

Kur grupi “Fronti i Rezistencës” u dënua me vdekje, Mustafai hapi derën e qelisë, më përqafoi e duke qarë më tha: “I pushkatuan të gjithë ata burra të dheut!... Kur Hivzi Golen e nxorën nga qelia për ta çuar në breg të lumit, më përshëndeti me dy duart e lidhura me pranga me një buzëqeshje të lehtë… e vranë edhe atë farë burri”.

Nuk do të shkonte shumë dhe ky trim e patriot dibran do të braktiste detyrën e do të vritej në kufi, ndërsa përpiqej të linte pas skëterrën e komunizmit…/kujto.al

blank

Shënim: marrë me pjesë nga libri "Dosja e Diktaturës" me autor Pjetër Pepa

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here