Kujtim Luzaj, kthimi në atdhe pas vdekjes, i një qëndrestari të paepur

0
210
blank

Ishte viti 1960, kur ai tenton të arratiset, duke kaluar kufirin në Pogradec, por kapet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Arrestohet  dhe dënohet nga gjykata  me 10 vjet burg.  Ishte në burgun e Burrelit, kur e ridënojnë pa asnjë shkak, me akuzën për agjitacion e propagandë, duke e mbajtur në burg edhe për 4 vite të tjera.

 

Mbërrin sot në atdhe trupi  i një qëndrestari të paepur të burgjeve të komunizmit, Kujtim Luzaj,  djali i profesor Isuf Luzajt, i cili u nda nga jeta më 1 dhjetor 2020, në San Diego, SHBA.  Me amanetin për tu prehur pranë varrit të të atit dhe familjarëve të tjerë në  Kaninë,  të afërmit njoftojnë se varrimi i tij do të behet nesër, me 20 shtator 2022,  në Kaninë, ku është organizuar edhe ceremonia e lamtumirës së tij.

I lindur me 18 qershor 1940, Kujtimi ishte 4 vjeç kur i ati Isuf Luzaj u arratis nga Shqipëria, duke lënë në atdhe bashkëshorten Drita me katër fëmijë të mitur. Falë aktivitetit të pandërprerë antikomunist të profesor Luzajt në emigrim familja e mbetur në Shqipëri u shenjestrua  dhe u vu nën vëzhgim të rreptë, që nga ditët e para të regjimit komunist e deri ditën kur u përmbys. Barra më e rëndë në familje i qëlloi bashkëshortes së Luzajt, Dritës, e cila edhe pse vinte nga familja e pasur Mezinaj e Vlorës, u detyrua që gjithë të bënte punë nga më të rëndomtat e mundueset, për të ushqyer fëmijët e saj.

Kujtimi mbaroi shkollën fillore  në Ujin e Ftohtë, ndërsa tetëvjeçaren  dhe shkollën e mesme në Vlorë. Ishte viti 1960, që do të shënonte një goditje tjetër shumë më të fortë në jetën e tij. Ai tenton të arratiset, duke kaluar kufirin në Pogradec, ku kapet nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Arrestohet  dhe dënohet nga gjykata  me 10 vjet burg.  Ishte në burgun e Burrelit, kur e ridënojnë pa asnjë shkak, me akuzën për agjitacion e propagandë, duke e mbajtur në burg edhe për 4 vite të tjera.

Pas daljes nga burgu, regjimi i dha një tjetër goditje, duke mos e lejuar të banonte në Vlorë, por në internim në fshatin Qishbardhë. Aty krijon familjen e tij të re, duke u martua me Merjeme Çeloaliajn, që vinte nga një familje po ashtu nacionaliste nga  Dukati. Në familjen e tyre erdhën njëri pas tjetrit edhe tre fëmijë, të cilët sikurse edhe prindërit u detyruan të kalojnë vitet më të bukura të jetës në persekutim.  Si vajza Hyrija, që trashëgonte emrin e gjyshes së Kujtimit, ashtu edhe dy djemtë Ndriçimi dhe Drisanti, studiuan në Itali dhe Amerikë, duke realizuar atë çka të atit i ishte mohuar nga regjimi.  Menjëherë pas rënies së regjimit Kujtim Luzaj emigron fillimisht në Itali e më pas shkon në SHBA në Çikago, ku banonte edhe i ati prof. Isuf Luzaj, ku jetuan bashkë me të dhe dy vëllezërit, Muhametin dhe Dalanin dhe motrën e tyre të vetme Elisabetën, deri në vitin 2000, kur babai i tyre u nda nga jeta.  Pas vitit 2000, Kujtimi zhvendoset në Kaliforni ku jeton për 5 vite me xhaxhain Ifraimin, që kishte ardhur  nga Argjentina. Në 2005 edhe Ifraimi ndërron jetë dhe Kujtimi së bashku me vëllezërit dhe motrën u kujdesën t’i sjellin eshtrat në Kaninë ku prehen edhe sot së bashku me të atin Isuf Luzaj.

Kujtimet e burgut:

Në një bisedë me studiuesen Zyba Hysen Hysa, Kujtim Luzaj do të kujtonte shtegtimin e  tij burgjeve të diktaturës dhe disa kujtime nga jeta në burg.

"Më akuzuan për biseda arratisjeje, ishim tre veta: Unë, Alem Luzi dhe Pëllumb Xhyheri. Ne kishim bërë një bisedë, por u zbuluam dhe na arrestuan. Që nga hetuesia, pasi u dënova, më çuan në Tiranë, në kampin e të burgosurve tek ish Kombinati i Mishit, prej andej ne “Uzinën e Traktorëve”, nga atje, në “Sodën Kaustike “ në Vlorë, më pas në Fabrikën e Çimentos në Elbasan, nga atje, 6 vitet e fundit në Burrel.

Kur isha në Elbasan munda të komunikoj me Isufin duke i dërguar një letër e cila i kishte rënë në dorë dhe m’u përgjigj me një adresë “Bilbil Zenel Labi” gjoja një mik i familjes dhe e imitonte tamam si ai dhe nuk po e kuptoja që ishte im atë, kurse në një frazë të vetme, më thoshte: “Ta marrësh vesh mirë se kush jam, babai im dhe gjyshi yt kanë studiuar për hoxhë në Stamboll, prandaj e ruajmë akoma këtë miqësi...” Këtu e kuptova që ishte Isufi. Letrat e mia mos ia jep njeriu t’i lexojë, sepse shejtani di shumë se është shejtan, por unë, nga Gëzimi, e hapa në gjithë kampin këtë gjë, sigurisht me ata që i quaja shokë, pra në shokët e mi. Për fat të keq i vete në vesh komisarit të kampit, i cili më thërret në zyrën e tij dhe më pyeti:

- Ç’njerëz ke jashtë?’

- Kam babanë dhe xhaxhanë si dhe një mikun tim familjar, Bilbil Zenel Labin.

- Ku e mori vesh ky adresën tënde, - më tha, - se ne e morëm vesh se kush është

Bilbil Zenel Labi? Që sot e tutje nuk ke për të marrë asnjë korrespondencë dhe vërtet nuk mora më letra.

Unë u dënova 10 vjet dhe u ri dënova në Burrel edhe 4 vjet të tjerë. Pjesa tjetër m’u shtua në burgun e Burrelit nga një poezi të cilën nuk e kisha bërë vetë, por Mitat Alushi nga Dukati, i cili u vra në Elbasan, në moment dëshpërimi u hodh në tela dhe e vrau roja. Në shtratin e tij u gjend kjo poezi e cila u dedikohej dy të burgosurve që kishin dashur të arratiseshin nga kampi e cila ishte tepër armiqësore për sistemin komunist: “Trim, ku shkon, thotë tufani?/ Trim ku shkon, thotë rrebeshi,/ Mizorinë dot s’e rrëzoni,/ Plot me plumba u mbush sheshi...” U dënova për përgatitje “Agjitacion e propagandë” se në ekspertizën e poezisë dilte shkrimi im, në të vërtetë shkrimi ishte imi, por unë e kopjova nga origjinali për ta ruajtur si një kujtim të pavdekshëm dhe më vjen keq që nuk i mbaj mend të gjitha vargjet e poezisë, së vërtet ka qenë shumë e bukur.

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here