Një ekip i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale ushtroi kontroll në Repartin nr.311 Qafë Bari, Pukë. Konstatoi se si tremujori i parë i vitit 1986 kishte sjellë një prodhim nga puna e të dënuarve në masën 137%, sigurisht, përmes një trajtimi kriminal ndaj gjithë të dënuarve politikë. Me efektivin e repartit ishte organizuar një seminar për figurën e E.Hoxhës. Bie në sy fakti se roja i postbllokut e mbante gjithmonë armën e mbushur.
Pjesë e raportit për Qafë-Barin:
Nga data 22-24 prill 1986, nga ana e drejtorisë u kontrolluan detyrat e lëna gjatë ndihmës e kontrollit që u ushtrua në muajin shtator të vitit 1985 në Repartin nr.311 Qafë Bari, Pukë.
Nga shikimi një për një i detyrave të lëna rezulton se:
1-Komanda e repartit, kuadrot dhe në tërësi efektivi, kanë plotësuar nga të gjitha sektorët.
2-Në efektivin e repartit ekziston një gjendje e mirë moralo-politike. Kjo duket jo vetëm në realizimin e detyrave të lëna, por edhe në arritjet që ka bërë efektivi në sigurimin e të dënuarve, riedukimin e tyre, aktivizimin në punë, ku norma si tremujor është realizuar 137%, programet e punës politike dhe ato ushtarako-profesionale, janë realizuar 100%, si katërmujor dhe përvetësimi nga efektivi është i mirë, masa të mira janë marrë për kushtet e jetesës e të banimit të efektivit e për të dënuarit, higjienën dhe pastërtinë dhe në krijimin e një agjitacioni të fuqishëm figurativ për riedukimin e të dënuarve.
Për edukimin e efektivit, komanda e repartit ka organizuar në përvjetorin e vdekjes së udhëheqësit të madh e të paharruar të popullit tonë, shokut Enver Hoxha, një sesion shkencor me temën: “Të reflektojmë thellë me porositë e mësimet e shokut Enver Hoxha për ushtrinë popullore”.
Në metodën e punës së saj, komanda e kuadrot punojnë me plane vjetore, tremujore e mujore dhe lufton për vënien e tyre në jetë. Veç këtyre, komanda ka zbërthyer me detyra plenumin e 13 të KQ të PPSH-së dhe detyrat që ka shtruar MPB dhe byroja e partisë së degës.
Veç këtyre komandës i lihen edhe këto detyra:
1-Deri në datën 10.5.1986 të bëhet një plan masash ku të zbërthehen detyrat që shtron plenumi i 14 i KQ të PPSH-së për kontrollin.
2-Të fillohet menjëherë nga punimi e zbërthimi i rregullores së re të reparteve dhe të riedukimit e burgjeve, e cila punohet pjesë-pjesë me të gjithë efektivin dhe të organizohet seminari për njohjen e saj. Afati deri në datën 30.6.1986.
3-Me ardhjen e rregullores së disiplinës të organizohet punimi e zbërthimi i saj me të gjithë efektivin e repartit nën drejtimin e komandës. Për këtë qëllim të organizohen edhe tema e biseda për kuptimin e saj. Afati deri në datën 30.6.1986.
4-Në takimet e të dënuarve me të afërmit e tyre, të zbatohet rregullorja e reparteve të riedukimit. Të ndalohet takimi me shokët që është aplikuar në disa raste. Për këtë, komanda të instruktojë personelin e shërbimit për ta pyetur qartë. Afati deri në datën 30.4.1986.
5-Roja e postbllokut nr.2, armën të mos e mbajë të pasiguruar në dhomën e postbllokut. Për këtë qëllim, të merren masa që arma të mbahet e mbyllur me çelës në arkë ose kasafortë. Afati deri në datën 30.4.1986.
Oficerët e drejtimit: Andon Mixha, Musa Bregasi, Lek Ymeri.
Komisari i Repartit nr.311: Selaudin Hoxhalli (nuk ka nënshkruar)
Komandanti i Repartit nr.311: Edmond Caja
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.