"Triskat e bukës ishin ndarë në kategori; fëmijët dhe të moshuarit 400 gr dhe quhej ordinere, nëpunësit 600 gr dhe quhej e mesme, punëtorët 800 gr dhe quhej triskë e rëndë. E lehtë, e mesme, e sikur të ishin pesha për boksierë. Por mirë e kishin menduar, ajo jetë ngjante me një ring boksi, vetëm me një ndryshim, se boksi vazhdonte 9 minuta, tre raunde nga tre minuta, kurse triskat aq sa minuta ka viti dhe vitet. bTriska e bukës ishte një fletë me përmasa 7x7 cm, ku sipër shënohej emri dhe poshtë ishin datat e muajit qe quheshin lata. Çdo latë kishte një ditë. Shitësja e bukës priste latën me gërshëre dhe e ngjiste në një fletë më të madhe, sipas kategorisë..."
Nga Orhan Sakiqi
Hamdi Dizdari ishte komshiu ynë. Kishte qenë tregtar i suksesshëm me dyqane e shtëpi, sigurisht të shtetëzuara mbas 1944. Tani ishte kthyer në karrocier, që na sillte drutë e zjarrit. I jepnim triskat e druve dhe ai me karrocën e tij na i sillte në shtëpi. Kjo na kursente kohën për të shkuar në fushën e baltosur të druve. Z.Hamdiu, siç i thërriste nëna ime, ishte një burrë i gjatë, i shëndoshë e faqekuq. Mbante një kapele të vjetruar republike, rripin poshtë barkut të fryrë, xhaketë të shkurtër meshini dhe çizme gome të Durrësit, që i jepnin një pamje groteske midis një karrocieri dhe një tregtari. Me kapele të mirë e pa çizme ishte tregtari, kurse në gjendjen e sotme, karrocieri i druve. "Nuk është turp puna, - thoshte. Me karrocë e kam filluar tregtinë dhe tani përsëri erdha te ajo, po arsyen s'po e di!" - dhe qeshte me gjithë zemër. Më bënte përshtypje se kalin e mbante "dritë", i shndriste qimja me zilka dhe mburojë sysh ai dukej si kalë garash sportive. Kalin s'para e shohin, por mua diçka e re të veshi më thonë: Paska rezerva tregtari dhe përsëri qeshte. Punoj, thoshte, dhe jo keq, por me një tufë fëmijësh është halli te triskat...
Mbasi sillte drutë, Hamdiu dhe si me nuhatje pas tij vinte druvari lumjan Selmani. Një burrë i imët me mollëza të dala i parruar dhe i pa fjalë e kundërta e Hamdiut që ishte gjithë humor. Në një trastë kishte një arsenal veglash pune: sharra, sëpata, pyka, çekiçë.
Drutë, me gjithë kujdesin e komshiut Hamdi, nuk ishin gjithmonë të përdorshme për sobë. Kisha dëshire të shikoja Selmanin trupvogël se me sa lehtësi e çante trungun e madh, duke i ditur damarët siç thoshte vetë. Te damari vendoste pykën nga ku krijohej çarja, për ti hapur rrugë pastaj sëpatës. Pazari dihej 100 lekë dhe dreka. Punoj thoshte dhe jo keq, por me një tufë fëmijësh në Lumë është halli te triskat...
Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, triskë është një fletë e vogël e ndarë në lata, ku shënohet sasia e ushqimeve, e druve eqymyrit, e artikujve të veshmbathjes etj., që mund të marrë njeriu apo familja (në sistemin e shpërndarjes në formë të caktuar). Por triskë është edhe një dokument për anëtarësim ose lidhje me një detyrë si triske fronti, triskë rinie, triskë partie.
Fjala triskë, brezit tonë, nuk i është ndarë gjithë jetën, shoqërues i përhershëm. Me të në dorë paraqiteshim çdo ditë te dyqani i bukës, një herë në dy javë te dyqani i ushqimeve, një herë në muaj në fushën e druve, diçka më rrallë te ai i veshmbathjes. Pastaj qumështi që ishte një histori më vete. Më të rëndësishme ishin sigurisht triskat e bukës. Çdo anëtar i familjes kishte një të tillë që e merrte kryefamiljari në qendrën e tij të punës. Triskat e bukës ishin ndarë në kategori; fëmijët dhe të moshuarit 400 gr dhe quhej ordinere, nëpunësit 600 gr dhe quhej e mesme, punëtorët 800 gr dhe quhej triskë e rëndë. E lehtë, e mesme, e sikur të ishin pesha për boksierë. Por mirë e kishin menduar, ajo jetë ngjante me një ring boksi, vetëm me një ndryshim, se boksi vazhdonte 9 minuta, tre raunde nga tre minuta, kurse triskat aq sa minuta ka viti dhe vitet.
Triska e bukës ishte një fletë me përmasa 7x7 cm, ku sipër shënohej emri dhe poshtë ishin datat e muajit qe quheshin lata. Çdo latë kishte një ditë. Shitësja e bukës priste latën me gërshëre dhe e ngjiste në një fletë më të madhe, sipas kategorisë që i kushtonte kohë dhe shkaktonte shtimin e radhës. Buka ishte e zezë dhe e fortë që mezi Shumë herë zëvendësohej me misër, që ngjante si një pllakë tallashi. Për të sëmurët, shumica me TBC, kishte një 'favor' buka e grurit nuk zëvendësohej me misrin.
Triska kishin të drejtë të merrnin vetëm ata që ishin në punë shteti. Hamdiu, Selmani e shumë të tjerë jo. Po të hoqën nga puna, mbete pa triska, mbete pa bukë. Buka ishte apoteoza, ishte riti. Regjimi kishte në dorë bukën, pra, kishte jetën. Të merrte e të hidhte në fermë si punëtor, pavarësisht se ti ishe agronom, të hidhte në një qytet tjetër pa pyetur se kishe rrënjë aty ku ishe, të hidhte në kantier si punëtor, pavarësisht se ishe inxhinier, te hidhte ku të donte, ti do t'i shkoje nga prapa. Rrugë tjetër nuk kishte, ndryshe quheshe parazit.
Ishte edhe triska e qumështit. Jepej për fëmijë dhe per të sëmurë. Qumështi shpërndahej vetëm në një dyqan për gjithë Tiranën, që ishte aty ku sot është bar Guva në rrugën këmbësore. Radhë për burrat mbahej për nje dhe fillonte nga Teatri Popullor (sot Kombëtar) gati 150 m reshtuar për një. Nga ana tjetër ishin gratë, kurse në mes hynin pa radhë familjet e dëshmorëve. Në radhe shumica ishim fëmijë, që detyroheshim të rrinim me ore për 1kg qumësht.
Radhë, radhë, radhë, refren i përditshëm i jetës, siç shkruan kolegu im, Kolevica.
Dyqani i bukës i lagjes sonë ishte në Rrugën e Kavajës, pranw Ministrisë së Punës sot. Shkonim me shokun tim Besnikun drejt dyqanit, kur na grishën disa shokë për të luajtur në fushën e Shallvares. Mbas loje u drejtuam drejt dyqanit, por Besniku nuk po gjente triskat. Kërkuam në pantallona e triko që i kishim vënë si porta, por ato ishin zhdukur. Ku të shkonim. Besniku, një djalë i gjatë e i hollë, me ballë të gjerë, rreth 12 vjeç, u zverdh tëri. Qukat që kishte në fytyrë i kuqëlonin më shumë.
Çfarë do t'i them tani babës?! Për fat ishte fund muaji, që kishte pak lata të mbetura. U mblodhëm shokët e me lejen e prindërve i dhamë nga një latë për familje. Shkuam të gjithe te shtëpia e tij, buzë Lanës së vjetër dhe i shpjeguam babait të Besnikut si ishte puna. Mbasi bisedoi me prindërit tanë u bind. Ishte besimtar. Zoti ju bekoftë, - na tha.
Fëmijë që u rritëm në radhë, fëmijë që u rritëm me triska. Por nuk mjaftonin triskat e nevojave të përditshme. Kishte edhe triska të tjera ideologjike si e Frontit, e Rinisë dhe e Partisë. Triska e Frontit NÇI, e dalë nga Konferenca e Pezës, që predikonte bashkimin e popullit, nuk u jepej të gjithëve. Atë e jepte këshilli i lagjes. Ke qenë tregtar, nuk e merr; ke qenë në burg, jo e jo. Mirëpo triskat ishin të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën. A e ke triskën e Frontit? - Jo. Atëherë të pret vetëm puna e krahut, ndryshe nuk merr triskat e ushqimit. Pastaj duke u rritur vinte triska e Rinisë. Familja që nuk kishte triskën e Frontit, nuk merr atë të Rinisë.
Xhorxh Oruell te libri "Ferma e Kafshëve" thotë: "Te gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat." Këta më të barabartët sundonin në emër të barazisë, që për këtë barazi nga fillimi i viteve '80 triskati zëvendësuan me tollona.
Shkëputur nga libri "Kronikë e jetëve të humbura", me autor Orhan Sakiqi
Tragjikisht per kete popull,ata qe hartuan politikat KOMBVRASESE,familjet e DEGJENERUARA te Kastes se KUQE,japin leksione "demokracie".
Pafutyresia e tyre,nuk njeh kufi.....
Te njejtit promovojne te njejtat, spiunllekun, shpifjet, pabesine, poshtersine,vesin,krimin, kuserite.....