Kleriku dhe atdhetari i vrarë nga partizanët, në teqe

0
132
blank

Baba Zylfoja (Zylfiqar Zaimi), gjyshi i gjyshatës së Turanit, një dinjitar bektashian, por edhe një atdhetar “vepra e të cilit është plazmuar në të gjitha ngjarjet tona kombëtare në vitet 1900-1940” u vra natën e 20 nëntorit 1943, kur një batalion partizanësh hyri në teqenë e Turanit dhe i morën jetën klerikut bektashi dhe disa nacionalistëve të strehuar aty.

 

Nga Syrja Xhelaj*

…Klerikët bektashianë, sidomos në vitet 1942-1943, të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka në emër të lirisë së kombit, pritën e përcollën në teqetë e tyre luftëtarë të çdo ideje, pa më të voglin dallim, vetëm e vetëm të organizohej një luftë e përbashkët për shporrjen e okupatorëve. Ndër vizitorët më të shpeshtë të teqesë së Melçanit në ato vite ishte dervish Adil Bregu i teqesë së Grepckës, i cili në këtë periudhë kryente edhe funksionin e Kryetarit të Këshillit të Frontit Nacionalçlirimtar në atë zonë. Por edhe një prej nipërve më të dashur të baba Zylfos, Fajko Zaimi (djali i vëllait të tij), i cili ish rritur në teqenë e Turanit, merrte pjesë në aksionet më të guximshme të guerileve komuniste të Korçës, madje shpesh me bashkëpunëtorët e tij, stehohej ilegalisht në teqe në kujdesin e klerikëve të atjeshëm.

Duke e konsideruar të shenjtë luftën kundër okupatorit fashist, baba Zylfua jo vetëm në teqenë e Turanit ku rrinte vetë, por edhe në Melçan, në Vrepckë, në Devoll e gjetkë, kish porositur të gjithë dervishët e tij, të merrnin kurdoherë nën mbrojtje e në kujdes edhe forcat nacionaliste, sepse vlente të ishim të bashkuar të gjithë për lirinë e kombit dhe jo kokë mënjanë me njëri-tjetrin. Pjesëmarrës aktiv në çetën e Safet Butkës, Alo Luarasi, kujton midis të tjeravë për janarin e vitit 1943: “Në teqenë e Turanit ndejëm një natë. Safeti bisedoi me baba Zylfon, mikun e Sali Butkës. Baba Zylfua ishte një burrë i mençur, nacionalist dhe fetar i mirë…”. Dhimitër Talo dhe Xhevdet Bulgareci, Kolë Tromara e Myslim Qesaraka, Beçe Turani dhe baba Muharrem Kreshova, rrinin tok me njerëzit e tyre, me ditë e net të tëra në teqenë e Turanit, të bindur se mendja e kulluar e baba Zylfos, do të ndriçonte sadopak ato peizazhe të turbullta të vitit 1943.

…Ja si e vizaton nacionalisti i shquar Musa Kranja, qëndrimin në një natë të prillit 1943, në teqenë e Turanit: “Shkuam vonë, ishim të lodhur dhe të trishtuar nga vrasja e një shokut tonë, prej italianëve në Strugë. Trokitëm në portë dhe ajo na u hap menjëherë. Emrin tim, baba Zylfua e kish mësuar prej Aziz Çamit, me të cilin e lidhte ideali i Shqipërisë etnike… Ajo që më bëri përshtypje ishte se, kur flisnim keq për çetat komuniste në Korçë e Pogradec, ai heshtte. Ndërsa kur nisa t’i flas për betejën në Alarup kundër italianëve i erdhi drita e syve dhe me zërin e butë na tha se pushka e shqiptarit ndaj shqiptarit është mynxyrë, ndërsa pushka e shqiptarit ndaj pushtuesit është detyrë…”

Mirënjohja dhe respekti që baba Zylfua gëzonte edhe në këto kohëra kaq të vështira, ishte i madh dhe i dukshëm, madje jo vetëm në rrethet bektashiane. Kështu, Profesori i Institucionit Roman të Studimeve për Lindjen e Mesme, Angelo De Matteis, në një deklaratë të tij gjatë qëndrimit në Shqipëri thotë tekstualisht: “Në Korçë kam pasur takime me Kristo Kirkën, me peshkopin ortodoks dhe kryemyftiun… Zotërinjtë e sipërpërmendur më kanë këshilluar se, nëse doja të takoja krerët e vendit, domethënë Safet Butkën, Mestan Ujanikun, Reshit Çollakun për të njohur të vërtetën mbi mendimin politik të popullit shqiptar lidhur me Italinë, duhej të takohesha me baba Zylfon, i cili ishte në gjendje të më krijonte këtë mundësi…”. Është mëse e mjaftueshme që të kuptosh pasi ke lexuar këtë deklaratë, se në shpirtin plot mirësi të baba Zylfos, nuk kanë ekzistuar ndarje ideologjike midis formacioneve të luftëtarëve shqiptarë...

Tashmë është pranuar edhe nga vetë historiografia e periudhës komuniste, se formacionet e para të Ballit Kombëtar, kanë bërë rezistencë të dukshme antifashiste. Ka qenë pikërisht kjo, një ndër arsyet që u kërkua bashkëpunimi midis tyre dhe formacioneve nacionalçlirimtare i arritur në Mukje në gushtin e vitit 1943. Gjithsesi pa dashur të analizojmë zhbërjen e Luftës së Dytë Botërore, siç dëshmohet sot përmes një dokumentacioni autentik dhe të pasur, ishin emisarët jugosllavë ata që nuk mund ta pranonin Marrëveshjen e Mukjes, duke nxitur nacionalçlirimtarët ta shkelnin atë me të dyja këmbët. Kësisoj në shtatorin e vitit 1943, atëherë kur Enver Hoxha njoftonte me radiogram se: “Ne duhet të punojmë… me shkaktue divergjenca në radhët e Ballit… dhe me i ra kresë…”, hidhej poshtë në mënyrë përfundimtare dhe të frikshme çdo lloj bashkëpunimi midis shqiptarëve të ndarë në ideologji, duke iu hapur rruga luftës vëllavrasëse.

Korça… tani po gjendej krejt e brishtë, e paqetë, kundruall një mërie që binte era gjak dhe që shpërfillte krejt atë histori shekullore të vëllazërisë etnike. Baba Zylfua zgjodhi të ishte në syrin e këtij cikloni, pikërisht në shenjë dashurie ndaj Zotit dhe kombit…Dëshmohet se në teqenë e Turanit, pas gushtit 1943, komunistët nuk shkelën më, madje tentuan jashtë mureve të saj të vrisnin Faslli Frashërin, njërin prej patriotëve korçarë dhe përkrahës fillimisht i lëvizjes komuniste, por që u mor menjëherë në mbrojtje nga disa besimtarë bektashianë të Turanit. Por edhe vetë baba Zylfua nuk kishte mundur të shpëtonte nga zemërimi i verbër komunist. Pak kohë më parë, atij i kishin dërguar në teqe një letër anonime ku i thuhej se ish dënuar me vdekje nga partia komuniste”.

Ndonëse skenat e kësaj tragjedie ndërroheshin aq shpejt, baba Zylfua sikundër plot klerikë të tjerë bektashinj… u përpoq me çdo mënyrë për të qetuar shpirtrat e besimtarëve. Ai bëri ç’ish e mundur të të shpërndante përmes myhibëve të tij, traktin e Ballit Kombëtar ku hidhej dritë mbi çfarë po ndodhte dhe ku, midis të tjerash, thuhej: “Djelmëria jonë, krenaria e kombit, nuk përdoret sot për me luftue anmikun, jo, njëmijë herë jo! Sot ajo përdoret, urdhnohet prej komantëve të saj për t’u turrun kundër vllaznëve që ndodhen në çetat e Ballit Kombëtar, urdhnohet të marshojë në radhët e para për me u ba fli, jo ma për Shqipninë… por për serbët Miladin e Dushan”.

Gjithaq, në porositë që baba Zylfua u jepte këtyre shpërndarësve të traktit në Devoll, Korçë e Gorë-Opar dhe Kolonjë, kurrë nuk harronte që gjithçka të ndodhte në biseda, në paqe, “se të gënjyerit nga i paudhi janë të përkohshëm, ndërsa atdheu i përjetshëm”.

Mësohet se në përpjekje për të qenë unik në qëndrimin e tyre, në këto ditë ka ndërmarrë edhe një udhëtim në teqenë e Zallit në Gjirokastër, për të folur me baba Selimin. Vite më pas, rreth kësaj bisede, baba Rexhepi (në atë kohë dervish i teqesë së Zallit) do të kujtonte se në fund të fjalës baba Zylfua kish thënë: “Ka ardhur përpara pak ditësh Kolë Tromara dhe na ka sjellë porosinë e Mid’hat Frashërit, që asnjë pushkë të mos ngremë ndaj shqiptarëve, qofshin këta edhe komunistë gjakatarë. Baba Selimi dëgjonte i menduar. Pastaj duke ulur sytë në sofër tha: “Vështirë do e kemi me komunistët biri im! Këta nuk besojnë në Zot. Nga qafirët mund të presësh çdo gjë…”.

Në qasje të idesë kundër luftës vëllavrasëse, na vjen edhe një dëshmi e asaj kohe. Në një mbrëmje në teqenë e Turanit, kur Safet Butka i kërkon babait ndihmë për blerjen e armëve, ky kish nguruar, duke thënë se mund të ndihmoj për veshje dhe për ushqime, po për armë jo, pasi feja nuk ngatërrohet në punë armësh. Ndërkohë që, Safet Butka përpiqej të shpjegonte se ç’po ndodhte, ish hedhur Loni Kristo dhe i qe drejtuar baba Zylfos: “Ç’pret hejvalla, të vijnë komunistët dhe të na vrasin? Ata s’kanë as fe dhe as atdhe!...Të parën gjë që do të bëjnë komunistët kur të vijnë në teqe do t’i presin kokën baba Zylfos, i tha Safeti, Loni Kristos” …

Ngjarja e trishtë e tetorit të këtij viti, që lidhet me vetëflijimin e Safet Butkës në teqenë e Melçanit, e pikëlloi së tepërmi baba Zylfon. Tashmë nuk kishte asnjë mëdyshje se ajo, më e frikshmja, lufta vëllavrasëse midis shqiptarëve, po ndodhte duke marrë jetë të pafajshme, duke nënshkruar një nga aktet më të turpshme në historinë kombëtare. Ka qenë nacionalisti Beçe Turani, tek i cili kishte mbërritur vesh më vesh lajmi për një sulm të komunistëve në teqenë e baba Zylfos dhe që mori menjëherë masat, për të mos ndodhur diçka e tillë. Burrat e katër-pesë shtëpive pranë teqesë, u porositën të vëzhgonin me kujdes, sidomos natën, madje Beçe Turani, i pati thënë baba Zylfos ta përcillte për disa kohë në Mokër, tek njerëz të besuar të tij, por ky nuk kish pranuar...

…Në mesin e nëntorit, në teqe shkojnë edhe nacionalistët e shquar të Korçës, Sabri Panariti dhe Refat Goskova, të cilët në atë ashpërsim të luftës vëllavrasëse, kishin menduar të hiqeshin mënjanë, duke u larguar nga bashkëpunëtorët dhe familjet e tyre, në pritje të qetësimit të gjakrave. Ata së thelli, kishin menduar se plagët që hapnin kriminelët serbë, të udhëhequr nga Dushan Mugosha, ndër radhët e nacionalistëve, do të dhembnin po aq edhe tek vëllezërit e tyre, shqiptarë të pafajshëm, ndaj dhe shkuan në teqe armëulur dhe shpirtzhuritur. Në njërën prej këtyre ditëve, në teqenë e Turanit mbërrin njëri prej nipërve të baba Zylfos, i cili diçka kish dëgjuar të flitej në Vërlen dhe nuk mund të rrinte pa e treguar. Babai e kish kuptuar qysh në sy…Ish ngritur nga muhabeti i kafeoxhakut dhe pa e lënë djalin e Vërlenit të fliste i kish lëmuar flokët duke psherëtirë thellë. “Pastaj hapi krahët, më përqafoi dhe shqiptoi: Zaimajt do të kujtojnë jetë e mot baba Hysen. Por edhe unë në gjurmë të tij eca. Zoti atje lart i di të gjitha. Ai është më i Dituri!”.

Tri ditë më pas, e paralajmëruar si në tragjeditë e Eskilit, gjëma do të ulej dhimbshëm në vatrën e Haxhi Bektash Veliut. “Për të asgjësuar baba Zylfon dhe gjithashtu teqen e njohur të Turanit, çerdhe të atdhetarizmit dhe bektashizmit, terroristë të batalionit partizan "Rrëzë Fushë" të komanduar nga Spiro Stajo, hyjnë në mesnatën e 20 nëntorit 1943, të maskuar si bujtës dhe therën me bajoneta teksa flinte, njeriun e Perëndisë, baba Zylfon. Ata masakruan dhe therën intelektualin nacionalist Sabri Panariti... luftëtar i lirisë dhe i pavarësisë... Dora kriminale nuk u ndal as mbi nacionalistin tjetër, Refat Goskova dhe të birin, i cili kish bërë çfarë ishte e mundur të shuante atë luftë makabre vëllavrasëse, duke shpërndarë tek ndjekësit e formacioneve nacionaliste të Korçës, frymën e vëllazërisë së tarikatit bektashian.

Kjo natë e zezë në historinë e Korçës, me të drejtë u ngulit në përfytyrimin e të gjithë popullit të asaj treve, si "nata e thikave" dhe sot e kësaj dite, mbetet një akt - akuzë ndaj ideologjive të tilla që çojnë në drama njerëzore të papërsëritshme.

Të nesërmen, në oborrin e teqesë vërshuan qindra myhib e dashamirës të baba Zylfos, me dhimbjen e thellë në shpirt dhe gati për hakmarrje, por ishin sërish dervishët dhe baballarët e Korçës dhe Kolonjës të cilët nuk lejuan të derdhej ende gjak i pafajshëm.

*Marrë nga libri “Baba Zylfo Turani-Martir i Kombit”, nga Syrja Xhelaj, botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Tiranë, 2023. Autori ka përdorur si burime në këtë pjesë Arkivin Qendror të Shtetit, Revistën “Urtësia” dhe botime të tjera.

Nw foton kryesore: Ulur, nga e majta në të djathtë: Baba Zylfo dhe Sali Butka. Më këmbë, nga e majta në të djathtë: Sabri Panariti, Feta Butka, Muharrem Butka.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here