“Mizerie ka qenë. Atje vetëm se lëviznim më lirshëm, por apeli bëhej tri herë në ditë, me policë, dhe na duhej leje edhe për të dalë në qytet”
“Kur u mbyll kampi i Tepelenës, na sollën në Lushnjë, në Plug, dhe na futën të gjithë në punë. Specialistët, ngaqë nuk kishin atë kohë, i morën nga të internuarit, për punë në ndërtime, zdrukthtari apo shërbime mekanikësh. Gratë, të gjitha, punonin në fushë: kanale, toka të reja dhe prashitje, punë të rënda. Dhe paguheshim, por, jo njëlloj si ata të lirët. Diferenca bënin edhe në zgjedhjen e punës, duke u ngarkuar punë të rënda të internuarve”
Një ndër kampet më famëkeqe të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri ishte edhe kampi i internimit në Plug të Lushnjes. Atje u mblodhën familje të internuara të atyre që regjimi i kishte titulluar “armiq të popullit”. Të internuarti në Plug ishin gra, fëmijë e të moshuar. Ata erdhën nga kampe të tjera si ishte ai i Tepelenës, i Kamzës, i Sukthit etj.. Synimi kryesor ishte që këtu ata të përdoreshin për punë të detyruar në bujqësi. Plugu ishte përzgjedhur si një vend i përshtatshëm përqendrimi, ku kontrolli bëhej edhe më lehtë. Këtu filluan të vijnë edhe të dënuar të tjerë nga burgjet, duke e bërë pak nga pak kampin të ishte me shumicë nga burgjet e Shqipërisë. Në atë kamp ishin vendosur edhe grekët e quajtur “monarko-fashistë. Më 31.5.1952, kryetari i Degës së Kampeve dhe Burgjeve, Sabri Sevrani informonte se nuk ishte zbatuar kontratat e datës 3.7.1951 ndërmjet Drejtorisë së Fermës Lushnjë dhe Komandës së Kampit nr. 5, e miratuar kjo nga Drejtoria e Përgjithshme e Farërave dhe Drejtoria e Policisë Popullore në MPB.
Nga evidencat e kampit dilte se në kamp ishin 430 “monarko-fashistë”, prej të cilëve 150 “demokratë”. Në këtë mënyrë në shumicë ishin “monarko-fashistët” grekë, duke i dhënë kësisoj kampit vlerën e një vendi ku grumbulloheshin armiqtë e socializmit. Paralelisht me Plugun, në fermën “Ylli i Kuq” Kamëz, ishin 300 persona grekë, shumica gra, të cilët nuk i kishin vënë në punë, pasi nuk mundeshin të punonin. Kërkohej shfrytëzimi i grekëve në maksimum, në mënyrë që jo vetëm të siguronin ushqimin që konsumonin, por edhe të prodhonin më shumë.
Gani Kupi, është një prej të mbijetuarve të kampit të Plugut i cili rrëfen:
"Kur u mbyll kampi i Tepelenës, na sollën në Lushnjë, në Plug, dhe na futën të gjithë në punë. Specialistët, ngaqë nuk kishin atë kohë, i morën nga të internuarit, për punë në ndërtime, zdrukthtari apo shërbime mekanikësh. Gratë, të gjitha, punonin në fushë: kanale, toka të reja dhe prashitje, punë të rënda. Dhe paguheshim, por jo njëlloj si ata të lirët. Diferenca bënin edhe në zgjedhjen e punës, duke i ngarkuar punë të rënda të internuarve. Në Shtyllas, në vitin ‘54 , krijuan një kamp të veçantë, me “të rrezikshëm” dhe personalitete. Aty sollën krejt ish-funksionarët dhe intelektualët që kishin shpëtuar nga pushkatimi e që vinin direkt nga burgu, pasi i kishin bërë nja dhjetë vjet për të hapur kanalet e Fierit. Ne, të internuarit na vunë brenda të njejtit sistem me tela me të burgosurit. Papritmas pastaj e hoqën kampin e të burgosurve dhe ne na lanë të lirë. Ata nuk e di se ku i çuan. Atë periudhë erdhën ndihma dhe na jepnin një konservë mishi për disa ditë dhe bukën e jepnin për gjashtë ditë. Po shyqyr na futën në barakat me krevate që ishin aty. Pastaj na hoqën. Nja njëzetë vetë i çuan në Kuç të Kurveleshit, për të rindërtuar shtëpitë e Gjolekajve të famshëm, duke krijuar kështu kampin e Kuçit të Kurveleshit. Nga 100 vetë, 60 prej tyre ishin personalitete dhe 40 të tjerët, ishin djemtë e familjeve politike. Pra, të burgosur të cilët pushtetarët i konsideronin “të rrezikshëm”. Kështu, u izoluam prapë deri në vitin 1958, në Kuç të Kurveleshit. Lidhur më Kuçin, më kujtohet një rast sa i dhimbshëm aq edhe komik që zbulon faktin që prindërit tanë që jetonin jashtë, nuk mund ta përfytyronin se çfarë po ndodhte tamam në Shqipëri. Vjen një letër që ua dërgon Hasan Dosti djemve (Viktorit dhe Lekës), ku thoshte ndër të tjera: “Ju duhet të mësoni në shkolla dhe për të studiuar në universitet, është mirë të shkoni në Çekosllovaki, sepse çeku i ka shkollat e forta…” Pra, nuk kishin asnjë lloj informacioni; Hasani, nuk arrinte ta perceptonte se çfarë kërkonin djemtë e tij në Kuç. Por, nga ana tjetër, Kuçi akademi ishte, se pjesa më e madhe e të burgosurve ishin profesorë”.
Aziz Ndreu ka qëndruar për pak kohë në Plug për t'u transferuar më pas në Vlorë në një tjetër kamp internimi. “U shpërndamë nëpër sektorë të ndryshëm: sa në Savër e sa në Plug. Atje u bashkuam prapë, se erdhi edhe kampi i Tiranës dhe kampi i fabrikës së tullave, ku kishin qenë madje edhe një pjesë e fisit tonë. Dhe mendoje se sa problem ishte për strehim. Kështu u detyruam të futeshim nga dy-tre familje në një vend. Mizerie ka qenë. Atje vetëm se lëviznim më lirshëm, por apeli bëhej tri herë në ditë, me policë, dhe na duhej leje edhe për te dalë në qytet”.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.