Historia e dhimbshme e Zenel Dragut, 16 vite burg nëpër kampet e diktaturës. Lutja e nënës për një përqafim që kurrë nuk ndodhi…“Ti do të dalësh një ditë e vëllezërit e motrat do t’i gjesh shëndoshë e mirë, po mua nuk do të më gjesh. Kam qejf të çmallem një orë me ty”
Ishte hera e fundit që do t'i shihte sytë e nënës. Ajo i erdhi te burgu i Spaçit e u përpoq t’i afrohej sa mundi për ta prekur birin e saj, por hekurat nuk e lejuan të shkojë më tej, veçse te majat e gishtave. Kështu, nëna e Zenel Dragut, iu lut të birit që të kërkonte një takim pak më të gjatë se 10 minuta, ashtu siç e kishte takuar gjithmonë. Donte pak më shumë kohë e hapësirë, pa hekurat e burgut në mes, që të mund ta përqafonte vetëm një herë, se ishte plakë e ndoshta nuk do ta gjente kur të kthehej në shtëpi pas burgut. Kështu, vendosi t'i lutej komandës së burgut, Zenel Dragu, duke i kërkuar një takim special me nënën. Një takim që kurrë nuk u realizua. Nëna vdiq e Zeneli e mori vesh tri vite më vonë. Kjo është një pjesë e vogël e dhimbjes së tij në burgun e Spaçit, atje ku hyri djalë i ri e doli burrë me thinja. E ka rrëfyer në librin “Zërat e Kujtesës” takimin e fundit më nënën, lutjen e saj dëshpëruese për një përqafim me të birin.
Lutja e nënës
Kam një rast të veçantë që dua ta përmend: më kishte ardhur nëna në takim, së bashku me një familje tjetër, me taksi. Atëherë taksia ishte e shtrenjtë, kushtonte tre mijë lekë të vjetra, pothuajse sa rroga e një muaji. Ishte kohë vere dhe kishte sjellë plot ushqime, fruta (bostan, rrush, etj), se i burgosuri është si gruaja shtatzënë: i shkon mendja për gjithçka. Megjithëse unë gjithmonë i thosha familjes se nuk kam nevojë, se kam ushqime boll, ata bënin punën e tyre. Unë u kërkoja të mos harxhonin për mua, por ata nuk më dëgjonin. Kishin caktuar një kuotë për mua, dy mijë lekë në muaj dhe m’i dërgonin muaj për muaj, kur nuk vinin në takim, ose kur vinin, më sillnin tre katër mijë lekë ushqime, plus kontributit të motrave dhe farefisit. Takimi ishte dhjetë minuta, të ndarë me hekura nga njëri-tjetri. Kishte dy palë hekura rreth një metër larg njëri-tjetrit. Polici rrinte në mes të hekurave. Nëna futi dorën mes hekurave, e futa dhe unë nga ana tjetër e hekurave dhe takuam majat e gishtave. Pra, nuk kishe mundësi ta përqafoje nënën. Atë ditë kishte ardhur një familje në takim. Ata kishin takim special, zgjaste dy orë. Nëna ime i shprehu indinjatën e saj policit.
“Kam ardhur disa herë, po si nuk kam patur mundësi të rri një orë me djalin?!” “Djali yt është kapadai. E ka hundën përpjetë. Ky nuk bën kërkesë”, thotë polici. Ata donin të të ulnin, të të poshtëronin. Më thotë nëna: “Bëje një kërkesë për hatrin tim. Ti do të dalësh një ditë e vëllezërit e motrat do t’i gjesh shëndoshë e mirë, po mua nuk do të më gjesh. Kam qejf të çmallem një orë me ty.”
Dhe unë, kundër vullnetit tim, të them të drejtën, i bëra një letër operativit të komandës.
“Pres të më vijë nëna. Nëna është shumë e vjetër, ndaj kërkoj një takim special. Unë jam punëtor i afishuar në tabelë, si minator i dalluar.” Se vërtetë ashtu isha. Minatori më i dalluar në minierën e Spaçit. Nuk ma miratuan.
Nëna kishte ndërruar jetë, por unë s'e dija
"Nëna më ka vdekur në 23 dhjetor të vitit 1983. Unë nuk e dija. Nuk më kishin treguar. E mora vesh pas tri vitesh, nga një kushëriri im, djalë daje, që ra edhe ai në burg. U takuam në Spaç. Duke biseduar thotë: “Kur ka vdekur halla…”
Unë mbeta i habitur.
“Cila hallë more?”
“Nëna jote. Nuk e di?”
Mbeta si i mpirë. Aty nuk e dhashë veten, po kur u ktheva në kamp, qava nën batanije që mos të më shihte kush. Atëherë u dërgova një telegram njerëzve të mi: “Më gjeni dy kile kafe dhe njëzet paketa cigare.” Thirra të gjithë njerëzit aty për kafe, për ngushëllim. Aty ishte zakon që të tjerët sillnin paketa cigaresh që të ndihmonin. Nuk ia mbajta askujt. Dikujt i mbetej hatri. U thashë unë kam paketa, mos t’ju mbetet hatri; m’i kanë sjellë nga familja. I shpenzova dy kile kafe dhe cigaret. Nga një kafe e një cigare duhan për secilin. I vura si detyrë vetes, që për një muaj, të mos shihja televizor. Mbaja zi".
Citimet i përkasin intervistës së Zenel Dragut, të publikuar në “Zërat e Kujtesës” V, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.