Kadri Biçaku/ Arratisja nga Shqipëria komuniste për të shpëtuar ndërgjegjen

0
421
blank

Pasi i vëllai vdiq në burg, babai dhe xhaxhai vuajtën vite të tëra dënimi dhe pasuria e familjes iu sekuestrua, Kadri Biçaku u vendos para presionit për t’u kthyer në bashkëpunëtor të Sigurimit. E vetmja mënyrë për të mbrojtur ndërgjegjen ishte arratisja. Kadriu ia doli të kalonte kufirin në vitin 1965 dhe u vendos përfundimisht në Suedi.

60 vjet nga ajo kohë, familja e tij ndan me kujto.al historinë e Kadri Biçakut, mbështetur plotësisht në dëshmitë e tij

Përgatiti: Petrit dhe Nerim Biçaku*

Në një regjim ku bindja e verbër ishte normë, Kadri Biçaku zgjodhi rrugën më të vështirë, të qëndronte i ndershëm ndaj vetes dhe ndërgjegjes së tij.

Një familje nën hijen e persekutimit

Historia e Kadri Biçakut nuk mund të kuptohet pa kontekstin e dhimbshëm të familjes së tij, e cila u etiketua dhe u përndoq nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Kadri Biçaku lindi në vitin 1934 në fshatin Qarrishtë të Librazhdit, në një kohë kur Shqipëria po formësohej nga ideologjia komuniste. Si bir i Jemin Biçakut dhe nip i Kapo Biçakut, ai u rrit në një mjedis ku përndjekja politike, për shumë familje shqiptare, ishte pjesë e përditshme e jetës.

Gjatë kohës së regjimit komunist në Shqipëri, familja e Jemin dhe Kapo Biçakut u konsiderua si "kulake" dhe "armike e popullit", jo për ndonjë faj konkret, por sepse, si shumë familje të tjera që kishin pasuri, tokë apo blegtori, ose nuk përputheshin me ideologjinë e regjimit, trajtoheshin si elementë të rrezikshëm për regjimin dhe përsekutoheshin.

Etiketat si "armik i popullit" ishin mjete të zakonshme që pushteti i përdorte për të frikësuar dhe shtypur çdo formë kundërshtimi ose mendimi të pavarur.

Qershori i vitit 1944 rezultoi në një verë të zjarrtë për familjen Biçaku dhe fshatin Qarrishtë. Dy grupe partizane, të cilat në popull përshkruheshin si “brigada” po i afroheshin fshatit Qarrishtë nga dy drejtime të ndryshme, njëra nga Qafa e Shapkës, tjetra nga Rrajca, me një qëllim të qartë: të shtypnin çdo formë rezistence kundër Partisë Komuniste. Në këtë kohë, në Qarrishtë dhe rrethinat e tij vepronte një grup që i përkiste Ballit Kombëtar, me bindje politike dhe ideologjike në kundërshtim me Partinë Komuniste. Udhëheqës i kësaj zone ishte Jemin Biçaku dhe në mesin e grupit, ndodheshin gjithashtu vëllai i tij Kapo Biçaku dhe djali i Jeminit, Nexhip Biçaku.

Edhe pse rezistenca lokale bëri përpjekje për t’u mbrojtur, “brigadat” partizane arritën të hynin në Qarrishtë. Pas hyrjes, ata dogjën rreth njëzet shtëpi, përfshirë edhe kullën e përbashkët të Jeminit dhe Kapos. Asnjëri nga tre burrat nuk pranoi të dorëzohej. Edhe me ardhjen e dimrit, ata vendosën të qëndronin në mal për t’u shmangur nga regjimi i ri komunist.

Në pranverën e vitit 1945, Kapo Biçaku së bashku me nipin e tij Nexhipin u dorëzuan dhe u dënuan me nga dhjetë vjet burgim. Kapo i vuajti shtatë prej tyre dhe më pas u lirua. Nexhipi nuk pati të njëjtin fat, ai vdiq në burgun numër 2 në Tiranë, në vitin 1953, në moshën 36-vjeçare. Kockat e tij nuk u gjetën kurrë.

Jemini u dorëzua gjatë vjeshtës, në shtator të 1945. Ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, por për shkak të moshës së shtyrë u lirua pas tetë vitesh, në vitin 1953. Familja nuk ia tregoi lajmin tragjik për vdekjen e të birit derisa ai doli nga burgu. Kur mësoi të vërtetën, Kadriu, një dëshmitar i asaj kohe, kujton se si Jemini e përjetoi me dhimbje të thellë humbjen e Nexhipit.

Pas dënimit të tyre, regjimi komunist sekuestroi pasuritë e familjes Biçaku. U morën bagëtitë, mushka, dhitë, delet, lopët dhe katër qetë. Shteti mori edhe monedhat e arit që ndodheshin në shtëpinë e tyre. Jo vetëm kaq, por iu sekuestrua edhe dyqani i tekstileve që familja kishte në qytetin e Librazhdit.

blank
Babai i Kadriut, Jemin Veli Biçaku, (4 maj 1873–5 shtator 1954)

Në vitet '50 dhe '60, regjimi komunist i Shqipërisë u bë gjithnjë e më izolues dhe shtypës.  Kadri Biçaku e përjetoi këtë realitet nga afër dhe, si shumë të tjerë, filloi të ndiente se nuk kishte më të ardhme për veten e tij në atë sistem.

Zgjedhja që bëri Kadriu, largimi nga Shqipëria, nuk ndikoi vetëm në fatin e tij personal, por ndryshoi rrjedhën e jetës për rreth 60 anëtarë të familjeve të Jemin dhe Kapo Biçakut. Si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimit të tij, ata u internuan kolektivisht në zonën e Dumresë, ku qëndruan deri në rënien e regjimit komunist në fillim të viteve '90. Një dëshmi e qartë e ashpërsisë së regjimit, i cili ndëshkonte jo vetëm kundërshtarët, por edhe të afërmit e tyre, pa bërë dallim.

Vendimi për t’u arratisur

Viti 1965 shënoi një kthesë vendimtare në jetën e Kadri Biçakut: vendimin për të braktisur njëherë e përgjithmonë atdheun e tij. Më 10 mars të atij viti, ai u thirr në degën e Punëve të Brendshme në Librazhd për një “bisedë” me kryetarin Bajram Muça dhe nënkryetarin Petrefi. Gjatë dy orëve të tensionuara, Sigurimi i Shtetit tentoi ta rekrutonte si bashkëpunëtor, duke kërkuar të spiunonte familjarët, miqtë dhe fqinjët.

Në atë çast, Kadriu kuptoi se e vetmja mënyrë për të ruajtur dinjitetin dhe lirinë ishte largimi i përhershëm nga Shqipëria. Një "jo" ndaj regjimit mund të nënkuptonte burgim, internim apo edhe humbje jete. Ai u paraqit si i gatshëm për bashkëpunim, por në zemër kishte marrë një vendim të pakthyeshëm përballë një regjimi që kërkonte nënshtrim të verbër.

Me justifikimin se do të ushqente delet tek Tahir Ruçi në Peqin, Kadriu mori leje për disa ditë dhe nisi të mendonte me kujdes të madh se cilën rrugë do të ndiqte për t’u larguar nga Shqipëria. Ai hëngri mëngjesin në Librazhd, drekoi në Elbasan dhe u kthye përsëri në Librazhd në orët e mbrëmjes.

Aty, zgjodhi të largohej nga rruga kryesore drejt Urës së Librazhdit, tek fusha e sportit, për të mos tërhequr vëmendje. Nën hijen e natës, kaloi përmes Xhamisë së Re të Librazhdit, Qafë e Shapkës, Lomë e Belegut, në anë të Qarrishtës, Rahanishtës, Fushë e zezë, Stoni e Kernicës, Zalli i Rrinës dhe më pas, përmes ujit të akullt, arriti në fund të Osmon Gjuri.

Terreni ishte i egër, i pafalshëm dhe i zhytur në borë, çdo hap një sfidë, çdo ndalesë një rrezik. Por ai nuk ndaloi. Destinacioni i fundit në tokën shqiptare ishte Qafë e Kryqit. Para se të zbardhte dita, ai kaloi kufirin dhe iu dorëzua rojeve të para të postës kufitare në Belicë, në territorin jugosllav.

Matanë kufirit

Pas një rruge të gjatë e të lodhshme, nis një periudhë e re për Kadriun me sfida të reja, por edhe me momente shprese. Në postën kufitare të Belicës, Kadriu hëngri mëngjesin. Ishte i rraskapitur, me këmbët e ënjtura dhe trupin të ngrirë nga të ftohtit, thuajse pa fuqi për të qëndruar në këmbë.  Dy ushtarë e ndihmuan të kalonte përroin e Vevçanit, duke e mbajtur për krahu aty ku terreni ishte më i vështirë. Pas njoftimit në Strugë, dy oficerë erdhën për ta marrë. Me zë të dobët, ai tha, “Jam shumë i lodhur, nuk kam më fuqi për të ecur”. Ata e mbajtën për krahu deri te makina dhe e dërguan në Strugë.

Në Strugë iu dorëzua shërbimit të sigurimit jugosllav, ku u pyet për identitetin. U prezantua, “Jam Kadri Biçaku, djali i Jemin Biçakut nga Qarrishta”. Për të lehtësuar dhimbjen dhe ënjtjen e këmbëve, iu bë një injeksion. Më pas, iu drejtua një pyetje, a kishte televizor në Shqipëri? I rraskapitur, u përgjigj se kishte vetëm radio nga Bashkimi Sovjetik. Drekën dhe darkën e konsumoi në Strugë. Por rreth orës dy të natës, u zgjua për ta dërguar drejt Ohrit. Prej andej, i shoqëruar nga një polic, udhëtoi me autobus drejt burgut të Idrizovës në Shkup. Mëngjesin e konsumoi në autobus.

Gjatë qëndrimit në këtë burg, Kadriu përjetoi një situatë të paqartë dhe provokuese. Pesë oficerë jugosllavë e morën në pyetje, por mënyra e të shprehurit shkaktoi keqkuptim. Kadriu mendoi se po e akuzonin si enverist, mbështetës i diktatorit Enver Hoxha. I prekur në shpirt, reagoi menjëherë me zë të lartë, “Unë nuk jam enverist! Po të isha, nuk do të isha larguar kurrë nga Shqipëria!” Më vonë, një përkthyes me origjinë shqiptare, e qetësoi dhe i shpjegoi se pyetja e tyre ishte krejt ndryshe, ata donin thjesht të dinin nëse vinte nga shteti që sundohej nga Enver Hoxha, jo të gjykonin bindjet e tij politike. Tensioni nuk u zhduk plotësisht, por ai ndjeu lehtësim. Me kalimin e kohës, u bë e qartë se qëllimi i tij nuk kishte qenë spiunazhi apo bashkëpunimi me ndonjë fuqi të huaj, por thjesht kërkimi i lirisë dhe ruajtja e ndërgjegjes së pastër.

Kadriu u vendos në një dhomë të përbashkët me pesë burra të tjerë. Një nga një, ata u thirrën për t’u marrë në pyetje, dhe deri në mbrëmje ai mbeti vetëm. Dhoma ishte e thjeshtë, me disa dyshekë të vjetër të vendosur direkt mbi dysheme.  Pak më vonë, një nga stafi hyri dhe i solli një gavetë me çaj dhe një copë bukë. Por pushimi ishte i pamundur. Këmbët i kishin fryrë dhe dhimbja ia bënte të pamundur gjumin. Në një cep të dhomës ndodhej një kovë që përdorej për nevojat personale. I lodhur, kujtoi një thënie të vjetër se urina ndihmon në uljen e ënjtjes. Pa ndonjë zgjidhje tjetër, zhyti këmbët në kovë, duke shpresuar në ndonjë lehtësim. Më pas, i vendosi dyshekët një mbi tjetrin dhe u ul për të kaluar natën ashtu si mundej.

Në mëngjes, punonjësit e institucionit u tronditën nga gjendja e rëndë e këmbëve të tij. Menjëherë vendosën ta dërgonin te mjeku, i cili, pasi vlerësoi situatën, këmbënguli që Kadriu të dërgohej urgjentisht në spitalin ushtarak të Shkupit.  Rreth orës dy të pasdites, ai mori injeksione kundër dhimbjes. Më vonë në mbrëmje, një grup mjekësh u mblodhën për të diskutuar rastin e tij. Disa përmendën mundësinë e amputimit, por Kadriu reagoi me vendosmëri: “Më mirë të vdes sesa të më prisni këmbët!”. Rehabilitimi ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Për tre muaj, ai qëndroi në spitalin ushtarak, duke marrë trajtim dhe rikuperuar ngadalë derisa më në fund arriti të ngrihej në këmbë.

Pas shërimit dhe procedurave të nevojshme, u takua me një përfaqësues të lartë të qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Jordanin, një deputet me përgjigjësi në çështjet e emigracionit. Jordani nuk ia delegoi askujt detyrën, por e shoqëroi vetë Kadriun me makinë deri në banesën e tij të re në komunën e Kisella Vodës në Shkup. Banesa ishte e kompletuar dhe shteti i caktoi edhe një pagë mujore prej 32,000 dinarësh. Më në fund, ai kishte mundësinë të lëvizte lirshëm dhe të mendonte për një jetë të re.

Një jetë e re në mërgim, por hija e regjimit e ndiqte pas

Në Strugë, ndër shqiptarëve të shpërngulur nga dhuna komuniste, Kadriu hodhi hapat e parë drejt një jete të re.

Aty u miqësua me familjen Kreka, të arratisur nga Shqipëria, dhe u fejua me vajzën e tyre, Dritën, bija e Shefki Krekës nga Goliku i Pogradecit, një burrë që kishte humbur jetën nga dora e komunistëve për shkak të bindjeve të tij. Pas një kohe të shkurtër, Kadriu dhe Drita u martuan në Strugë.

Më 20 dhjetor të vitit 1966, Kadriu mbërriti në Suedi dhe atje mori strehim politik. I siguroi Dritës dokumentet e nevojshme për bashkim familjar dhe Zoti i bekoi me dy djem, Petritin dhe Nerimin. Jeta në mërgim i dha Kadriut një mundësi të dytë, të ndërtonte një familje të re në liri, larg persekutimit, frikës dhe izolimit të diktaturës.

Për të siguruar një jetë të qëndrueshme për familjen në kryeqytetin suedez, Stockholm, Kadriu ndoqi kurse të gjuhës suedeze dhe, me këmbëngulje e disiplinë, u kualifikua si teknik për prodhimin e pjesëve të aeroplanëve. Ai punoi për 25 vite me ndershmëri dhe përkushtim në këtë profesion.

Por liria fizike nuk e përjashtoi dot hijen e regjimit. Herë pas here, në orët e vona të natës, telefoni binte. Në anën tjetër dëgjohej zëri ngacmues e kërcënues i përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Stockholm, që përpiqeshin ta trembnin dhe destabilizonin. Por Kadriu nuk u përkul kurrë. Me neveri dhe urrejtje të thellë, ai u përgjigjej, “Ju jeni këlyshët e Enverit dhe Stalinit!”  Përndjekja nuk u ndal me telefonata. Tre herë, gjatë viteve ’70, njerëz të dërguar nga ambasada tentuan ta rrëmbenin dhe ta kthenin me forcë në Shqipëri. Tentativat ndodhën në tre vende të ndryshme në Stockholm, në Handen, në kopshtin zoologjik Skansen, dhe më e rënda, në Huddinge, në vitin 1979.

Pas kësaj të fundit, çështja përfundoi në gjykatë. Një nga të pandehurit dëshmoi se kishin marrë urdhër të drejtpërdrejtë nga ambasada për ta kapur Kadriun të gjallë dhe për ta dorëzuar në Tiranë. Dëshmia tronditi sallën. Prokurori suedez, me ironi dhe habi, komentoi, “Si keni mundur të mendoni se një gjë e tillë është e realizueshme? Të sillje Kadriun në Tiranë të gjallë...ishte një mision i pamundur.”

Kjo ngjarje dëshmoi qartë se regjimi komunist shqiptar nuk ndalonte para asgjëje për të ndëshkuar kundërshtarët e tij, qoftë edhe jashtë kufijve. Ambasadat nuk ishin thjesht përfaqësi diplomatike, por qendra presioni dhe spiunazhi, instrumente të frikshme të një shteti që zgjaste hijen e tij edhe në mërgim.

Por Kadriu nuk ishte një njeri që thyhej lehtë. Ai i kishte mbijetuar vdekjes më shumë se një herë dhe e kishte provuar peshën e dhimbjes, përndjekjes dhe humbjes. Tashmë, me një familje për të mbrojtur dhe një jetë të ndërtuar me mund, ai nuk do ta pranonte kurrë të bëhej vegël e një regjimi që kishte shkatërruar atdheun e tij. Për Kadriun, vdekja do të ishte më e pranueshme se përkulja para diktaturës.

blank
Foto familjare e Kadriut në Stockholm, në fund të viteve ’70, së bashku me bashkëshorten Drita, djalin e madh Petritin dhe djalin e vogël Nerimin.

Guri i fshehur – një akt dashurie në kohë trysnie

Veprat e Kadriut gjatë dhe pas rënies së komunizmit pasqyrojnë dashurinë e tij të thellë për prindërit dhe lidhjen e palëkundur me rrënjët, pavarësisht jetës në mërgim. Në Suedi, një vend i lirë, ai ndërtoi një jetë të re - një jetë pa frikë, por jo pa dhimbje. Malli për atdheun, malet e Qarrishtës dhe zërat e fëmijërisë mbeti gjithnjë në zemrën e tij. Ai nuk i harroi kurrë rrënjët e veta, dhe mendimet e tij shkonin vazhdimisht te prindërit e ndjerë, Jemin dhe Mejte Biçaku. Kujtimi për ta nuk u zbeh kurrë. Ai mbeti brenda tij si një ndjenjë e thellë dashurie dhe përgjegjësie. Për këtë arsye, gjatë komunizmit ai shënoi fshehtas varret e tyre, që kujtimi të mos humbiste.

Babai i Kadriut, Jemini, ndërroi jetë në vitin 1954. Në atë kohë, familja ishte shpallur “armike e popullit” dhe, për këtë arsye, nuk lejohej të zhvillohej një ceremoni varrimi sipas zakoneve myslimane.

Në ditën e varrimit, ishin të pranishëm vetëm dy dëshmitarë nga katundi. Kadriu ndodhej në shërbim ushtarak dhe, megjithëse kishte dëshirë të ishte pranë familjes në këtë moment të rëndë, autoritetet nuk ia lejuan pjesëmarrjen. Për të mos e lënë varrin e të atit në harresë, ai vendosi fshehtas një gur të groposur për të shënuar vendin.

Kur u largua nga Shqipëria në vitet ’60, Kadriu nuk besonte se do t’i jepej ndonjëherë mundësia të kthehej. Por pas rënies së komunizmit, ai arriti të vizitonte vendlindjen, dhe atëherë u aktualizua edhe shpresa për të gjetur varrin e të atit. Dhe ashtu ndodhi, guri u gjet pikërisht në vendin ku e kishte vendosur dekada më parë. Më 15 shtator 2018, me iniciativën e Kadriut, u mbajt një ceremoni fetare në nder të Jeminit, e udhëhequr nga një hoxhë nga fshati Dragostunjë, ku morën pjesë Kadriu dhe disa të afërm. Pas ceremonisë, ata mbajtën një darkë përkujtimor në një restorant në Librazhd. Në të njëjtën ditë, u vendos një gur varri me gjithë elementet përkatëse, duke i rikthyer të atit respektin dhe paqen që i ishin mohuar për dekada.

blank
Kadri Biçaku pranë varrit të të atit, Qarrishtё, shtator 2018

Të njëjtën përkujdesje tregoi edhe për nënën e tij, Mejten. Ai shënoi vendvarrimin e saj me kujdes, por me kalimin e kohës, autoritetet ndërtuan një rrugë pikërisht mbi atë zonë. Sot është e pamundur të identifikohet vendndodhja e saktë. Kjo humbje fizike u kthye në një plagë tjetër të heshtur, një dhimbje që Kadriu e mbajti në shpirt si dëshmi e padrejtësisë së kohës.

Kadri Biçaku u largua nga Shqipëria për të shpëtuar shpirtin dhe ndërgjegjen, por zemra i mbeti gjithmonë e lidhur me vendin ku lindi. Ai nuk iku për të harruar të kaluarën, por për të ruajtur integritetin dhe lirinë e vet.

blank
Kadriu pranë kullës së Jemin Biçakut, ku u rrit në Qarrishtë. Shtëpia, dikur plot jetë, sot mbetet vetëm një kujtim i heshtur.

Por më e fuqishme ishte ndjenja e drejtësisë. Kadriu zgjodhi të qëndrojë i drejtë dhe i sinqertë, edhe kur kjo kishte një kosto. Ai nuk tradhtoi kurrë ndërgjegjen, por i qëndroi besnik ndaj vlerave dhe së vërtetës. Përmes kësaj, la një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë, një dëshmi e jetës me nder dhe dinjitet.

 

*Ky tekst është përgatitur nga të bijtë e Kadri Biçakut, Petriti dhe Nerimi, mbështetur në dëshmitë e vetë Kadri Biçakut. 

Fotoja kryesore: Kadri Biçaku, në fillim të viteve ’60 dhe Kadri Biçaku, në Stockholm, korrik 2025

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here