Fati tragjik i kompozitorit shkodran Gac Çuni dhe disa vargje dhimbjeje të Arshi Pipës: Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë; mâ s'ta gjegja zanin, mâ nuk t'ndesha jashtë! N'imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë; Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?;Fshâj nji kangë lirije qi t'u mbyll n'krahanuer!
Disa tinguj të lehtë, me një melodi melankolike, nisin të thyejnë ngadalë heshtjen nëpër qelitë e burgut të Burrelit, një natë pranvere të vitit 1956. Ishte zëri i Gac Çunit, djali shkodran që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, në qelinë e burgut të Burrelit. Kënga nisi të ngjallë shpirtrat e burgosur të atyre njerëzve, që po vuanin pa faj nëpër qelitë e atij burgu. Ishte kënga e fundit, melodia e fundit e djalit 20-vjeçar. I kushtohej dashurisë së tij të humbur, vajzës shkodrane me kaçurrela, që kishte mbetur imazh i largët për zemrën e djalit të burgosur. Kaçurrelat e vajzës së bukur që kishte qenë dashuria e tij platonike, që do të mbetej në mendjen dhe zemrën e tij, si një hije që endej nëpër rrugicat e bukura të qytetit, atje ku Gaci kishte jetuar ato pak vite rinie, i lirë.
Unë pa ty jam i vetëm....
Unë pa ty jam i tretun....
Gjithmonë kam me të kujtu...
Skam me te harru moj kaçurrele
Kaçurelat e tu...
Përmes vuajtjeve që i sillte tuberkulozi, kur villte gjak e rënkonte papushim nga dhimbja, ai kompozoi aty nëpër qeli, këngën për dashurinë e humbur. “Kaçurrelat e tu”. E këndoi menjehërë, duke e ndarë me bashkëvuajtësit e tij brengën për dashurinë e tij të humbur.
Ishte mësues dhe kompozitor i talentuar i brezit të tij. Gac Çuni lindi në vitin 1926, në Shkodër. Kreu Seminarin Jezuit dhe Liceun e Shtetit në Shkodër. Pas diplomimit, punoi si mësues në Bajzë të Kastratit, ku dhe u arrestua me akuzën se kishte takuar të vëllanë e arratisur dhe se kishte komunikuar dhe ndihmuar dajën e tij, që ishte asokohe i arratisur si antikomunist, në malet e Dukagjinit.
Akuzohej gjithashtu, se kishte pasur lidhje me një klerik patriot, si Pader Çiril Cani, kur ai ishte me shërbim në Koplik, atje ku Gaci kishte qenë mësues. Në akuzën e sigurimit të shtetit, thuhej se Gac Çuni nuk e kishte dashur komunizmin. …Se i kishte shkruar një letër dajës së tij në malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar atë, me ushqim e rroba për të mbijetuar nëpë ato male.
Arshi Pipa kishte qenë mësues i tij, por edhe bashkëvuajtës, nëpër kampet e burgjet komuniste. Gac Çuni dha shpirt në burgun e Burrelit, përmes dhimbjes së papërshkrueshme nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit, për të cilën autoritetet e burgut, ndaluan ndihmën mjekësore. Dha shpirt, ashtu i drobitur nga sëmundja e rëndë, larg familjes e shoqërisë, larg "kaçurrelave të saj".
Kur vdiq Gac Çuni, mësuesi dhe bashkëvuajtësi i tij Arshi Pipa, shkroi:
«Elegji për Gac Çunin».
Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin!
Banja t'madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin!
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë!
Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t'Bedenit,
fill andej përplasun brrakave t'liqenit;
ra e u'mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati,
s'ishte për tê kazma, s'ishte për tê shati
Se ktij qielli i fali çka s'i dha secilit:
frymën e muzikës, zanin e bilbilit.
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zâ
Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ
Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija,
tash ndër kangë shkodrane, tash n'Ave Maria.
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin
Tretun ndër kujtime t'ambla qi ato zgjojshin…
Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë,
mâ s'ta gjegja zanin, mâ nuk t'ndesha jashtë!
N'imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë
Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?
Fshâj nji kangë lirije qi t'u mbyll n'krahanuer!
Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer!
Fshâj e përmbas teje le t'ankojë shoqnija
qe na njofti vlerën, mbarë t'ankojë rinija!
Shënim: Informacioni është marrë në artikullin me titull: Requiem për Gac Çunin, botuar nga: adiandradi.com, me autor Pjetër Pepa.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.