Letra para se të arratisej/ Bilal Xhaferri: Jam vënë në gjendjen e një njeriu që i mbetet vetëm një gjë, të hidhet nën rrotat e trenit dhe tani duke luftuar me jetën e me vdekjen, po provoj të ekzistoj akoma i gjallë dhe të arratisem, gjë që më duket njëlloj sikur hidhem në rrotat e trenit. Nuk jam implikuar në asnjë çështje politike, me asnjë lloj fuqie të huaj, në asnjë organizatë, me asnjë lloj personi. Po ndjek fatin tim të hidhur!
Bilal Xhaferri ishte një ndër shkrimtarët e suksesshëm të viteve '60 në Shqipërinë komuniste. Vinte nga një familje patriotike. Në vitin 1943, mbeti jetim nga nëna në moshën 8-vjeçare, bashkë me tri motrat e mitura. Dy vjet më vonë, në moshën 10-vjeçare, regjimi komunist i pushkatoi të atin, Xhaferr Hoxhën. Bilal Xhaferri punoi qysh në moshë të mitur për të ushqyer veten dhe motrat bashkë me gjyshin e tyre të verbër. Regjimi komunist iu kishte sekuestruar gjithë pasurinë e gjithsesi ata duhet të mbijetonin. Jeta e tij në fëmijëri dhe më pas në rini është shumë e vështirë. Megjithatë ai ia del të mbarojë arsimin e mesëm dhe të angazhohet si një ndër shkrimtarët më të mirë të viteve '60. Por ai ishte biri i Xhaferr Hoxhës, i cili ishte pushkatuar si “Armik i popullit” dhe për këtë arsye do të përndiqej pa pushim nga regjimi komunist, përmes mekanizmit më të tmerrshëm, Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1969, Bilal Xhaferri vendos të arratiset, pasi kishte kuptuar se do të burgosej së shpejti.
Para se të largohej, ai la një letër në të cilën shpjegon arsyet e arratisjes. Më poshtë botohet letra e Bilal Xhaferrit, më 30 gusht 1969, para se të kapërcente muret e diktaturës drejt botës së lirë. Letra gjendet në dosjen që Sigurimi i Shteti kishte hartuar për Bilal Xhaferrin gjatë kohës së përndjekjes së tij.
Letra para arratisjes 30 gusht 1969
Ju më dëbuat. Jam vënë në gjendjen e një njeriu që i mbetet vetëm një gjë, të hidhet nën rrotat e trenit dhe tani duke luftuar me jetën e me vdekjen, po provoj të ekzistoj akoma i gjallë dhe të arratisem, gjë që më duket njëlloj sikur hidhem në rrotat e trenit. Nuk jam implikuar në asnjë çështje politike, me asnjë lloj fuqie të huaj, në asnjë organizatë, me asnjë lloj personi. Po ndjek fatin tim të hidhur.
Unë jam një njeri që kam dhënë prova se e dua këtë vend, e dua këtë popull dhe u përpoqa të bëj në jetë, duke u përpjekur në fushën letrare, në kushtet më të vështira. Sa për një gabim timin taktik por pa qëllim të keq, ju më privuat plotësisht, më mohuat, më zhdukët për së gjalli si letrar.
Sidoqoftë, përsëri unë do të mbetem ai që isha, një njeri që e do deri në fund popullin dhe atdheun e vet dhe nuk tradhton kurrë këtë popull e atdhe, edhe pse mund të emigrojë larg.
Kuptohet, për largimin tim përgjigjem vetëm unë. Asnjëri tjetër nga njerëzit e mi, nga farefisi im, nga miqtë dhe shokët e mi nuk ka dijeni dhe nuk mund të jetë fajtor për çështjen time. Për mundësitë praktike të arratisjes, u detyrova të bëj me vete vetëm një njeri, Selfo Haxhiun. Ai braktisi familjen vetëm sepse mendon se po të arratisem unë patjetër do të arrestohet, mbasi organet e sigurimit të shtetit do të kuptojnë që jam arratisur me ndihmën e tij.
Shënim: Pjesë nga letra që Bilal Xhaferri la para se të arratisej, është marrë nga arkiva e AIDSSH-së
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.