Në bazë të dëshmive të të dënuarve të Spaçit, Kujto ka realizuar një ekspozitë me skica “Jeta në Spaç”. Këtë herë, shoqëruar me disa nga këto skica, po sjellim përshkrimin që i bën jetës në kamp-burgun e Spaçit, ish-i dënuari politik Luan Myftiu, i mbërritur në Spaç pas revoltës së majit 1973. Një përshkrim për menunë, kushtet e kampit dhe regjimin e terrorit
Nga Luan Myftiu
Ushqimi në kamp, sidomos për të papunët ishte aq i pakët sa shumica ishin vazhdimisht të uritur. Tetë muaj në vit na jepnin si gjellë vetëm presh të zier, të cilët, ndonëse të raskapitur nga uria mundonjëse, shumë të dënuar i derdhnin në kazanin e ushqimit të derrave, që rriteshin me “bukën” tonë dhe therreshin për të dënuarit që punonin në minierë.
Çaji i mbrëmjes qe pothuaj fare pa sheqer dhe për ta “shtytur” bukën njerëzit e thërmonin në të, sepse kështu formohej një përzierje e thartë që ndryshonte pak nga ajo shija monotone dhe gati e neveritshme.
Për të marrë këtë ushqim në gavetën që mbanim me vete, na duhej të prisnim me orë të tëra në diell, shi a dëborë. Ata që kishin ndihmë nga familjet, ulnin kokat të turpëruar tek shihnin të dënuar të mblidhnin copa buke, të lëna nëpër tavolinat e mensës prej të burgosurve që punonin, të cilët s’e hanin gjithë ushqimin nga shkaku i gazrave që kishin marrë në minierë. Dhe, kur kuzhinierët lajmëronin se ndër kazanë kish tepruar ushqim, atje vraponte kolona e të uriturve që nuk duronin dot më, të cilët, “duke ngrënë turpin me bukë”, s’dinin ç’të mallkonin më parë, njerëzit, jetën a veten e tyre.
Pushteti i urisë i vinte në ndihmë terrorit psikologjik për t’i rrëzuar më shpejt viktimat në batakun e turpit. Ta haje një karamele në sy të një të dënuari pa ndihma, qe fyerje, sepse, pa dashje, i kujtoje se ai qe i braktisur nga njerëzit e tij të afërt.
Uria qe themeli mbi të cilën ngrihej mbretëria e fshehtë dhe e heshtur e të gjitha marrëdhënieve në kamp, sidomos midis atyre që punonin dhe të uriturve pa punë. Ata të dënuar që dilnin si lugetër të zinj nga galeritë e bakrit dhe, sidomos, të piritit, u ngjanin engjëjve me krahë të bardhë, kur i shuanin urinë një të dënuari pa asnjë ndihmë. Sa grindje e mërira ndizeshin e shuheshin, por edhe sa leva kishin gjakosur njerëz të pafajshëm për shkak të urisë. Mjerë njeriu i ndershëm! Ai tretej në heshtje si një qiri i ndezur, duke përkëdhelur krenarinë e vet, ndërsa shuante urinë vetëm nëpër ëndrra. Dhe jeta shteronte si ujët e atij burimit në verë, ndërsa diktatura mbushej me jetë duke i kthyer në fantazma kundërshtarët e saj.
Pleqtë shpesh rrëzoheshin të vdekur për tokë si pula të sëmura, ndërsa të tjerët plakeshin që në rininë e hershme.
Diktatura plotësonte procesverbalet për të motivuar vdekjen e tyre dhe kujdesej të mos u jepeshin kufomat familjeve pa plotësuar ato dhe në varr masën e dënimit të dhënë nga drejtësia. Prandaj familjet bëheshin copë për t’i nxjerrë njerëzit e tyre nga ky varr i hapur.
Zgjimi bëhej në orën pesë të mëngjesit dhe jeta niste me përplasjet e njerëzve nëpër çezmat e pamjaftueshme.
Pastaj vinte radha për marrjen e ushqimit, e numërimit tonë për t’u kontrolluar dhe e nisjes për në punë. Dhe, meqë këto përsëriteshin tri herë në ditë, jeta në kamp qe një radhë e përhershme. A mund të qëndrojë njeriu një çerek shekulli në radhë? Me mijëra shqiptarë e kanë kaluar këtë provë durimi.
Vetëm po të pranosh sesa shumë duron njeriu në mjerim arrin të kuptosh që, edhe pse e përvëlonte dielli i korrikut, a e ngrinin erërat e ftohta brisk të janarit, i dënuari kënaqej që mbushej me frymë pas një nate të kaluar gati pa gjumë në një dhomë ku flinin 52 vetë.
A ka gjë më të bukur për një diktator? Robotë të tillë ai u përpoq të bënte gjithë kombin. Vetëm para njerëzish të tillë, ai mund të mbetej perëndi në fund të shekullit të atomit.
Por mbetej edhe pak kohë e lirë për t’u takuar me shokët në ecejaket që ne i quanim shëtitje, mirëpo oborri qe aq i ngushtë sa, po të dilnin të gjithë nga dhomat, s’na mbetej veç të përplaseshin çdo minutë bërrylash me njëri-tjetrin. Bisedat mund t’I quaje kolektive, sepse nga ngushtica e vendit, të gjitha fjalët mund të dëgjoheshin nga të tjerët. Kështu ne mbaheshim në një kontroll aq të rreptë, saqë na dukej sikur komanda njihte edhe mendimet që nuk i kishim shprehur akoma.
Mësimi i gjuhëve të huaja që i ndaluar, ashtu si edhe e qeshura me zë të lartë. Kur komunistët kishin festë, mendonin se ne qeshnim për t’ tallur dhe, kur ata vajtonin një disfatë, ne qeshnim, sipas tyre, nga gëzimi. Ata s’mund ta kuptonin sesa e thellë qe urrejtja jonë për ta. Por ne, që të mos e paguanim shtrenjtë urrejtjen tonë rebele, e edukuam veten t’i përbuznim. Dhe ata habiteshin me urtësinë tonë, duke menduar se kishin bërë efekt metodat e tyre të “riedukimit”. Pushteti absolut dhe nënshtrimi i kombit i verboi ata me kohë deri në shkallën sa të besonin që njeriu mund të ndihej i lumtur vetëm pse po e linin gjallë. Dhe, ndoshta, ky verbim shpejtoi edhe fundin e tyre të pamenduar. Çdo lloj shoqërie ndërmjet të dënuarve shihej prej komandës me dyshim, ashtu si dhe një vetmi e pajustifikuar. E para dyshohej si përgatitje e një komploti të organizuar, e dyta, si përpunim i thelluar i një plani arratisjeje nga kampi.
Ndër burgje dhe kampe kishte vazhdimisht njerëz me karakter të fortë e shpirt të madh. Ata ushqenin masat e të dënuarve me shpresë dhe moral të lartë. Ata vlerësonin bukurinë e çdo gjesti dhe i frymëzonin njerëzit të qëndronin të ndershëm. Sigurimi këta i kërkonte me qiri dhe i zhdukte pa gjurmë. Por ata sikur dilnin nga dheu përsëri dhe vendosnin në kamp kuptimin e jetës. Ne s’e humbëm besimin tek e mira dhe shpëtuam kryesoren, duke mbetur njerëz. Duke qenë viktima të padrejtësisë, ne përpiqeshim të mos urrenim me paragjykime. Ne s’qemë krishtër, por e vlerësuam çdo sjellje njerëzore. Ne qemë viktimat më të pabesueshme të shekullit, mjeranë krenarë që s’e pranuam kurrë pozitën tonë për realitet dhe i pamë si fatkeqë, me një thes mëkatesh, armiqtë tanë që po na merrnin jetën.
Në burg kish edhe shembuj të vërtetë dashurie njerëzore, me të cilat do të kishin përse të frymëzoheshin shkrimtarët. Kish të uritur që, duke ngrënë në birucë gurët e tharë të shahut, bërë me tul buke, linin të paprekur “filin” e brumtë, në shenjë mirënjohjeje ndaj oficerit që sillej mirë me ta. Sa e sa njerëz u lidhën, u torturuan dhe u dënuan për hir të shokëve të tyre më pak të fortë, a të katandisur psikikisht. Dhe silleshin e sakrifikonin ashtu thjesht, si të ishte kjo një detyrë që u takonte.
Shkëputur nga libri “Nën terrorin komunist”, i autorit Luan Myftiu, botim i ISKK, Tiranë, 2014
Seria e plotë e skicave që përshkruajnë jetën në Spaç, është e publikuar te hartaekujteses.al.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.