Selim Meta, i lindur në vitin 1905 në Kuqar, banues në Zharrës të Fierit, u dënua dy herë në regjimin komunist. Herën e dytë, për ta dënuar, i falsifikuan edhe moshën. Duke mos duruar dot vuajtjet vdiq në Repartin nr.309 Ballsh, pak muaj pasi ishte dënuar.
Dënimi i parë
U arrestua më 3.11.1944. U përfshi në një proces ku ishin edhe 13 persona të tjerë.
Këshilli Gjyqësor Ushtarak Fier, i drejtuar nga Myftar Nexhipi, me pjesëmarrjen e prokurorit Nusret Osmënaj, me vendimin nr.103/119, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burgim, punë të detyrueshme të rëndë, konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtave qytetare për kohën e burgimit. U akuzua në bazë të nenit 18/gj të ligjit “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake”, si pjesëtar i Ballit Kombëtar. U lirua më 24.8.1949 me amnisti të përgjithshme.
Në raportim agjenturialo-operativ
Dega e Punëve të Brendshme Fier e kishte në raportim të vazhdueshëm si element kundërshtar. Për këtë arsye, çeli dosjen nr.313 të përpunimit aktiv 2A. Më 19.2.1980, DPB Fier me propozim të punëtorit operativ Vladimir Ferra i kërkonte Degës së 1-rë të Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arrestimin e Selim Metës për agjitacion e propagandë, duke dërguar edhe dosjen formulare. Ishte ndjekur si problem i centralizuar “Merimanga”. Ndaj tij ish përdorur teknika operative. Ishte raportuar nga bashkëpunëtorët “Tomori”, “Stilografi”, “Guximi”. Nënvizohej lidhja e tij me kulakët e tjerë. Raporti përcjell faktin se duhej dhënë një goditje së bashku me kulakët e Vlorës. Meta shprehej kundër pushtetit se nuk e kishte të gjatë se do të vinte edhe dita e tyre.
Më 27.2.1980 Drejtoria e Hetuesisë i kthyen dosjen formulare DPB Fier, duke rekomanduar mosarrestimin e objektit për shkak të moshës së madhe, 75 vjeç, por këshillon të demaskohej para fshatit. Kërkohej të kryhej një verifikim për ngjarje të kohës së luftës, një prej të cilave do përfshihej në një proces tjetër.
Por pak ditë më vonë, më 10.4.1980, DPB Fier dërgon një kërkesë të re për arrestimin e Selim Metës, duke ridërguar dosjen formulare, biografinë, certifikatën, si dhe duke shtuar se i përmenduri ishte i vitlindjes 1918 dhe jo 1905. Pra i falsifikuan edhe moshën. Për këtë i kishin marrë “deklaratë personale”, duke i ulur moshën me plot 13 vjet.
Dënimi i dytë
U arrestua më 2.5.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Në vendim midis të tjerash thuhej: “Si armik i pushtetit popullor, i pandehuri me dëshmitarë të ndryshëm, ka shfaqur qëllimisht pakënaqësitë e tij ndaj shtetit të diktaturës së proletariatit duke dashur që të bëjë të pakënaqur dhe ata vetë”.
Citohej të kish thënë se “ky pushtet nuk do ta ketë të gjatë, por do të përmbyset”, se “krerët e Ballit Kombëtar ishin burra të mirë” (kishin nderuar me një minutë heshtje kujtimin e tyre), ishte gëzuar për vdekjen e Hysni Kapos, etj.
Gjykata Popullore e Rrethit Fier, e drejtuar nga Fehmi Abdiu, me pjesëmarrjen e prokurorit Nebi Shkëmbi, me vendimin nr.79, datë 9.4.1981, e deklaroi fajtor duke e dënuar maksimalisht me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. U dërgua për të vuajtur dënimin në Repartin nr.309 Ballsh, i cili punonte për ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës. Duke mos duruar dot vuajtjet për shkak të moshës, vdiq në këtë kamp më 6.12.1981 në moshën 76 vjeçare.
Fotografia e kohës së arrestimit të dytë
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.