Zija Tafil Hoxha, lindur më 10.2.1933 në Lepenicë ishte vëllai për nënë i Sadik Premtes. Ky i fundit ishte një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Enver Hoxhës, i larguar nga Shqipëria në vitin 1944 dhe vdekur në Francë në vitin 1991. Zijai duke qenë vëlla i Sadikut, vuajti dy dënime politike dhe një jetë të kaluar gjithë vuajtje. Pas vitit 1991 ai emigroi në SHBA ku edhe ndërroi jetë më 23.3.2024 si shtetas amerikan.
Dënimi i parë
U arrestua më 30.10.1960. U akuzua në bazë të neneve 73/1 (agjitacion e propagandë) dhe 218/1 (moskallëzim krimi) të Kodit Penal. Bëhej fajtor për lidhje me të arratisurit, vëllanë Sadik Premten dhe Qemal Hoxhën, prej të cilëve kish marrë pako. Sipas akuzës, në vitin 1957 ishte njohur me Mehmet Kananin e Muço Çapajn, të cilëve u kish folur për pakënaqësi kundër pushtetit e duke thënë se në vendet kapitaliste jetohej më mirë, se situata do ndryshonte, etj. Akuza shtohej në formën se në vitin 1958 kish pirë shëndete për disa udhëheqës të “personaliteteve të vendeve armiq të Shqipërisë”, etj.
Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.7, datë 26.1.1961 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 9 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 3 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.20, datë 7.3.1961 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Në ankimim të vendimit, shkruante se e vetmja pasuri që kish, ishte një kamionçinë, e cila vlente rreth 50.000 lekë, e blerë me kredi, pasuri e cila do i konfiskohej. Kërkonte të mos merrej kjo masë, pasi si shofer me atë jetonte e familja nuk kish asgjë tjetër. U lirua më 24.12.1965.
Dënimi i dytë
U arrestua më 17.6.1981. U akuzua në bazë të nenit 55/1 (agjitacion e propagandë) të Kodit Penal. Edhe në këtë dënim, vihet re përmendja e emrit të Sadik Premtes. Gjykata vërente se ai kish refuzuar të thoshte edhe fjalën e fundit në gjyq. Ajo konkludonte se ai nuk kishte nxjerrë mësime nga dënimi i mëparshëm politik, se ishte kritik ndaj personave që shkonin vullnetarisht të punonin në fshat, se theksonte se në Shqipëri mungonin partitë e tjera, se vlerësonte Sadik Premten e Skënder Muçon, etj. Midis të tjerash në vendim thuhej:
“I pandehuri...rrjedh nga një familje me qëndrim të keq politik. Ai është vëlla me nënë me armikun e partisë, tradhtarin Sadik Premte. Për këtë arsye gjatë luftës nacionalçlirimtare, familja e tij ka qenë e lidhur me fraksionin antiparti të organizuar nga vëllai i tij Sadik Premte. Po ashtu edhe disa kushërinj të të pandehurit...si dhe familja e bashkëshortes së tij kanë qenë në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar”.
Gjykata e Rrethit Vlorë, me vendimin nr.168, datë 25.8.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.
U lirua më 10.2.1989 nga Reparti nr.325 Tiranë me dekretin nr.7276, datë 8.2.1989 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.