Homazh për Gjelosh Lulin

0
84
blank

Fundi makabër i intelektualit dhe ushtarakut Gjelosh  Luli, një prej figurave më të shquara të qëndresës antikomuniste në mesin e viteve ’40.  

Nga Pjetër Pepa*

Kush ishte Gjelosh Luli?

U lind në vitin 1912, në Traboin të Hotit, në një familje në zë për tradita patriotike, atë të Dedë Gjon Lulit. Rrallë ndonjë familje tjetër shqiptare i dha atdheut dhe lirisë së tij luftëtarë e martirë sa dera e Dedë Gjon Lulit. Përveç vetë Dedës, do të sakrifikohej për atdhe edhe kushëriri i tij, Nish Gjelosh  Luli, (vrarë në luftë, më 1911) dhe djali i tij (vrarë kundër malazezëve, më 1920). Djali i vogël i Dedës vritet gjithashtu në luftë më 1912. Më vonë i madhi, Kola helmohej ndërsa kthehej nga internimi (nga Italia).

Gjeloshi do të shkruante: Kushëriri tjetër, Gjoka, plagoset në Luftën e Koplikut dhe internohet, ndërsa i biri i tij, Gjeloshi kundërshton me forcë regjimin komunist.

"Nuk asht shue jo, ideali yt. Gjithçka harrohet në këtë shekull, gjithçka shuhet si vesa para diellit, por kurrë gjaku i derdhur për liri të atdheut. Deçiqi, sa krenar, aq vigan, do të vijojë të jetë monumenti yt o plak fatos!" (Pas 450 vjet robërie Dedë Gjon  Luli ngrinte në majë të Bratilës së Deçiqit më 6 prill 1911, Flamurin e parë të Pavarësisë Shqiptare). (Hylli i Dritës 1944, faqe 11)

Pra, kësaj dere patriote, i përkiste Gjelosh Luli, i cili në moshën 7-vjeçare shkon në Shkodër, ku kryen shkollën e mesme në Konviktin Malet Tona. Studimet e larta i kryen në Akademinë Ushtarake të Torinos, ku edhe specializohet në degën e artilerisë. Zotëruesi i italishtes, frëngjishtes e gjermanishtes shërben në armën e artilerisë në Tiranë e Shkodër, me gradën kapiten i parë dhe shpreh pikëpamjet e tij antikomuniste me botimet në revistën "Hylli i Dritës" e materiale të tjera të botuara e të pabotuara që më pas u dogjën gjatë bastisjeve. Gjatë viteve 1943-1944 është komandant i forcave antikomuniste në Malësinë e Madhe. Mjaft prekës është fjalimi i tij i ndarjes me banorët e kësaj malësie në vjeshtën e vitit 1944, kur i drejtohet bashkëmalësorëve të tij me thirrjen: "Boll jena vra vëlla me vëlla e s'kena ma gjak me derdhë, prandaj ju kthehuni në shtëpitë tuaja, ndërsa unë nuk i dorëzohem i gjallë kundërshtarit”.

E me pëlqimin e plotë zgjodhi rrugën e vetësakrifikimit e arratisjes duke kundërshtuar me këmbëgulje të gjithë ata që donin ta ndiqnin pas e t'i qëndronin pranë. Pra, Gjelosh Luli do të vetëflijohej në mënyrën që kishte zgjedhur vetë. Ndeshet shpejt me forcat e ndjekjes, por e shpëton besa e malësorëve trima. Fillimisht strehohet në fshatin Vrith, por me ta marrë vesh hotjanët dërgojnë 12 burra për ta tërhequr se Gjelosh  Luli i takon vetëm Hotit e askujt tjetër. Dy shtëpi të mëdha angazhohen për strehimin dhe fshehjen e tij. Andej kufirit janë kushërinjtë Kol e Mark  Miri, këtej kufirit janë miqtë Mark, Lul e Luk Gjeloshi. Ndiqej pra në të dy krahët Gjelosh  Luli; nga Jugosllavia, toger Baba e banda e tij, e nga Shqipëria forcat e sigurimit dhe të ndjekjes: Sigurimi burgosi e torturoi edhe vetë strehuesit për të gjetur me çdo kusht Gjelosh Lulin.

Mark Gjeloshi me vëllezër u burgosën, familjet u internuan. Luli vdes në burg, Marku verbohet e i tillë jeton i internuar deri në vdekje. Mark e Kol  Miri torturohen barbarisht. Kol Mirin të lidhur e rrotullojnë si ferlik (hell) në mes të dy zjarreve e pastaj e zgjidhin për t'i drejtuar te Gjelosh  Luli. Por malësori i Hotit s'e njeh tradhtinë e Kola ka vendosur te vdesë pa e dorëzuar kushëririn. Gjatë rrugës, ndalojnë tek një shtëpi për të kaluar natën dhe për të ngrënë darkë... Por i zoti i shtëpisë, sipas traditës, kërkon t'i zgjidhen duart të burgosurit se kanuni i maleve nuk e lejon t’i shtrohet buka mikut me duar të lidhura. Eshtë pikërisht kanuni apo ora e maleve që e shpëton Kol Mirin, i cili duke u ndodhur pranë derës gjen momentin e përshtatshëm e hidhet plot shpresë në errësirën e thellë të natës nën breshërinë e automatikëve... Të gjithë e mendojnë të vdekur atë natë të errët vjeshte, por Kola nga një gropë me dushk nis rrugën e gjatë të mërgimit e të shpëtimit, duke u ndarë nga i vëllai që do të përfundonte në burgjet jugosllave".

E gjithë kjo do të ndodhte në vitin 1947, ndërsa jeta në arrati e Gjelosh Lulit ishte vështirësuar mjaft. Sakrifica të pashembullta bëri populli i krahinës për ta furnizuar me ushqim e veshmbathje, por ishte e fortë diktatura dhe i rreptë shpagimi. Për pasojë malësorët detyrohen ta largojnë sërish nga krahina e Hotit. Të ftohtët e ngricat e dimrave në malet i kishin ngrirë gishtërinjtë e këmbëve dhe me shumë vështirësi e çojnë deri në Kastrat ku e strehojnë diku tek një shpellë...

"Isha fare i ri,- kujton kryetari i pajtimit të gjaqeve Ndrekë Pjetri.- Shkova për t'i çuar rrobat e kalova pak orë të këndshme me të atë natë... e lotët i rrjedhin edhe tani pas 46-vjetësh ndërsa vitet e kanë zbardhur. Këmbët i kishte mbuluar me një xhaketë, por nuk më tha që i kishte të ngrira. Pushkën e mbante pranë ndërsa vetë shkruante. Më habiti bukuria e fjalës dhe vendosmëria e tij. Çdo gjë tek ai ishte e përsosur.

Ishte dimri i vitit 1947. Forcat e sigurimit të ndjekjes kishin rënë sërish në gjurmët e tij e Gjelosh  Luli ishte tashmë fare i izoluar dhe i vetëm. Çdo komunikim me të ishte i pamundur. Rrethimi ngushtohej gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më shumë humbiste shpresa. Kishte plot 3 vjet që rezistonte për të mos u dorëzuar i gjallë intelektuali e patrioti trim Gjelosh Luli.

Sa burra kishte lënë në luftë kundër shkjaut familja e Dedë Gjon Lulit në mbrojtje të trojeve shqiptare!

E Gjeloshi do të ishte kurbani i fundit i flirtit sllavo-komunist që do të flijohej për të vetmin "krim" se ishte patriot, se e donte Shqipërinë e se për hatër të saj urrente komunizmin e sllavizmin!

[Pjetër Pepa nuk jep hollësi për fundin e jetës së Gjelosh Lulit, por nga publikime të tjera siç është dëshmia e Fran Xhanaj, i intervistuar nga Marçel Hila dhe publikuar në memorie.al, del se Gjelosh  Luli, u vra nga një prej shoqëruesve të tij, i cili i mori florinjtë. "Komunistët..., kur morën vesh ngjarjen, shkuan e zhgroposën dhe i prenë kokën". E bija e Gjelosh Lulit, Izabela  Luli, në një intervistë dhënë Dashnor Kaloçit dhe publikuar te "Gazeta Shqiptare", nuk flet për vrasje nga shoqëruesi, por thotë se "Aty nga dhjetori i vitit 1947, ai u rrethua në shpellën ku strehohej në zonën e Kastratit dhe mbeti i ngrirë në dëborë. Pas shumë kërkimesh, kufoma e tij u gjet nga Forcat e Ndjekjes, të cilat ia prenë kokën... Më pas, kokën e tij ata e morën me vete dhe e sollën në Koplik, ku thirrën disa fshatarë që e kishin njohur atë, për të bërë verifikimin nëse ishte ajo koka e Gjelosh Lulit...Aty nga pranvera e vitit 1948, trupin e tij e gjeti një çoban i atyre anëve, i cili e varrosi dhe vuri një shenjë që të mos e harronte vendin."-shënim i Kujto.al]

Ishte dhjetori i vitit 1947. Familja kastratase e Gjolajve do të varroste në heshtje të thellë kufomën e mikut të saj e të gjithë malësisë Gjelosh Lulit, rënë për patriotizmin e idealin e tij antikomunist. E mbajtën kështu të fshehur atë varr si amanet nga babai tek i biri dhe është pikërisht sot, pas 46 vjetësh djali i kësaj familjeje që tregon varrin e fshehur dhe nxjerr eshtrat e tij. Nderim e falenderim për gjithë shtëpinë e tij e gjithë malësinë shqiptare! Ishte kjo një relikë e shtrenjtë por shumë e rrezikshme gjatë regjimit komunist. E rrezikshme fort se hakmarrja s'njihte masë as kufi.

Përndjekja e familjes

45 vjet do të zgjaste kalvari i martirizimit të familjes së patriotit trim. Gruaja e re do të merrte 2 vajzat e vogla e do të niste rrugën e mundimshme të internimit ku do të mësonte edhe për vrasjen e të shoqit. Kishte gjetur mbështetjen e vetme te Nora e Katrina e Dedë Gjon Lulit që do t'i qëndronin gjithnjë pranë e do ta ndihmonin për rritjen e jetimeve të vogla. E pra Lena ishte një ndër 3-4 arsimtaret e para të qytetit të Shkodrës dhe kishte mbaruar Institutin e "Nanës Mbretëreshë". Por s'do të mjaftonte as internimi e puna e rëndë. Atë do ta priste për një 10-vjeçar edhe burgu për motive politike sepse edhe ajo kishte menduar ndryshe nga partia-shtet. Me gjithë këtë ajo mbeti përsëri gjallë dhe e fortë, për t'i dhënë nderimin e lamtumirën e fundit burrit të dashur e të nderuar prej të cilit u nda nuse e re, në rivarrosjen e eshtrave të tij në ditët e demokracisë.

Diktatura natyrisht shfreu edhe mbi vëllezërit. Të dy u burgosën e iu nënshtruan torturave çnjerëzore... E ajo s'harron e s'fal kurrë, ndaj vazhdoi pafundësisht edhe mbi fëmijët. Mjafton të kujtojmë se edhe pas 40 vjetësh jetimja do të pushohej nga arsimi për të pastruar e larë makinat diku... larg në parkun e automjeteve. E megjithatë ditën edhe ato të ruajnë e të përcjellin me dinjitet nderin tënd patrioti e intelektuali trim Gjelosh  Luli!

Sot krenohet me ty Hoti, Malësia, Shkodra dhe e gjithë Shqipëria Gjelosh  Luli, trim i Malësisë së Madhe e martir i demokracisë.

*Marrë nga libri “Dosja e diktaturës” me autor Pjetër Pepën

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here