Heroi i çartun Dom Simon Jubani përballë spiunit, lider në pluralizëm

2
865
blank

Përmendet sa herë kujtohet mesha e parë në vitin 1990, pas 23 vitesh ndalimi të fesë. Por këtë herë, Shkëlqim Abazi na tregon për Simon Jubanin që ka njohur në burgjet e diktaturës. I cili, i ndershëm dhe parimor, mbeti i njëjtë në çdo kohë, ndryshe nga ndonjë, që në burg ishte vegël e komandës dhe në ndryshimin e sistemeve, mori rolin e liderit që mbronte të drejtat e të përndjekurve

Nga Shkëlqim Abazi

M’u fanit një fëmi i lidhur me pranga: ky isha unë! Me një auto-arkëz-burg pa dritë, pa ajër, me pesëmbëdhjetë të tjerë bashkë, mbas një udhëtimi troshitës që na i pruri zorrët në gojë, drejt e në derë të Burrelit.

…Fatkeqësisht kur na nisën nga kampi, më hipën të parin në makinë, kështu në Ferrin e Burrelit, më erdhi radha të zbrisja i fundit.

Ca na verboi drita e beftë, ca nga mpirja e këmbëve prej rrugës së gjatë, unë s’u tregova i shkathët sa duhej dhe polici që na priste, ngathtësinë e mori si tangërllëk timin dhe tallje për personin e tij. Kështu, në vend të më fusnin në dhomat e burgut me të tjerët, përfundova në qelitë e burgut me minjtë.

Pra, tersi nisi që në krye!

Dhe ky ters më njohu me dom Simonin. Në fakt, s’pata rast të njihesha unë personalisht, po shtrojat e mia që i sistemuan ngjitur me jatakun e tij.

Pas tri ditësh izolim, më nxorrën; direkt nga biruca vajta ku më shpunë.

Më uroi mirëseardhjen dhe më tregoi shtrati:

-Mirse ardhe, or burrë, e të prift e mbara! Ene pse s’e ke nis fort mbarë!

E përshëndeta dhe u ula mbi jatak.

M’u qasën edhe të tjerët të panjohur, më uruan dhe u larguan, kurse kokorroçi mbeti aty.

Vetëm dy të njohur gjeta në atë dhomë, Luan Kokën nga Vlora dhe Shuaip Seitin nga Shkodra, me ata kisha ardhur nga Repsi, të tjerët i shihja për herë të parë. Aty takova edhe dy patriot të mi beratas, Ilia Thereskën dhe Luftar Çalën.

Me atë katërshe, u kufizua njohja e asaj dite.

Gjithsesi, shok krahu s’do kisha asnjë nga të njohurit, po Simonin që më pas do mësoja se ish prift dhe duhej thirrur me titull.

Kurë më pohoi se ishte prift, s’u binda lehtë sepse ai s’i shëmbëllente asnjë prifti tjetër nga ata që kisha njohur deri atëkohë. Të gjithë të tjerët kishin pamje të përvuajturish, ishin të zbehtë deri në venitje; përkundrazi, ky kuqali kish trup atleti, si sportistët.

I kisha rënë pikës, vërtet s’isha gabuar! Nga bisedat me të mësova se para se të shugurohej prift, në të ri kishte qenë sportiest, madje mjaft cilësor; këtë ma pohuan edhe bashkëqytetarët e tij.

Mbase sporti duket një zeje paksa e papranueshme për një prift, por meqë kisha njohur eksponentë fetarë, mjeshtra në disa profesione, s’u habita aspak që një prift mund të kishte qenë edhe futbollist në rininë e vet.

“Fundja edhe ata njerëz janë, s’kanë lindur pleq, po kanë kaluar fazat e zhvillimit në jetë, si gjithë të tjerët!”,-binda veten.

Përsa i përket paraqitjes fizike e klasifikova sipas ndarjes që aplikonte Dom Mark Hasi, pra, ai futej në kategorinë e “kokrroçave” dhe “bukrroçave”.

Me atë fizik të fuqishëm sportisti gjithë vitalitet, ai s’e tregonte moshën e vërtetë. Ndaj edhe para Mondit ngula këmbë si mushka, “dom Simoni vdiq i ri, rreht të shtatëdhjetave!”, fatmirësisht kisha gabuar me plot katërmbëdhjetë vjet. Por, me siguri në këtë gabim do kemi rënë të gjithë, ne që jetuam me të.

Ditët që pasuan, e njoha më mirë.

Gjeta të mishëruar te ai edhe martirin e përvuajtur, edhe heroin e çartur! Dom Simoni ish prifti më trim nga gjithë meshtarët katolikë që më rastisi të njoh.

Ai e pohonte pa droje qenien në shërbim të fesë. E kam dëgjuarv etë kur debatonte me përfaqsues të komandës së burgut dhe me çdo ofiqar kur vinin për kontroll:

-Unë jam prift, jam ushtar i bindur i Krishtit. Ndihem bukur fort, njitu ku jam! Kam qelën time për me kry detyrimet para Zotit e Jezusit! Jam gadi me duru edhe ma zi!-pohonte ai, krenar.

Ishte burrë me karakter shumë të fortë, intrasigjent, i pathyeshëm.

Për këto veti e respektonin të gjithë, madje edhe policët e thjeshtë.

Nuk shquhej për ndonjë përgatitje të thellë teorike si priftërinjtë e tjerë, ngaqë shkollat fetare u mbyllën pa e përfunduar ai ciklin e plotë, por këtë mangësi e kompensonte dhe e tejkalonte me studime vetjake dhe me vendosmërinë e palëkundshme që demostronte, në mbrojtje të parimeve.

Ishte prifti më intolerant, kur dikush tentonte ta fyente në shenjtërinë e doktrinës dhe dinjitetin Kristian që ai besonte verbërisht; reagonte ashpër, ndonjëherë edhe dhunshëm.

Për ta ilustruar këtë fakt, i tregova Mondit për një ngjarje të dhimbshme, sa unikale aq edhe banale; ku rastësisht përfundova dëshmitar në një sherr të papëlqyeshëm.

Siç përmenda më lart, Dom Simoni gëzonte respektin e të gjithëve pa përjashtim, madje edhe të policëve.

Një individ me karakter aq të fortë e burrëror, për më tepër prift i devotshëm që krenar e deklamonte këtë në çdo rast, s’mund t’I shpëtonte syrit vigjilent të komunistëve intrigantë. Operativi dhe drejtuesit e lartë të burgut dhe të Degës së Punëve të Brendshme, i njihnin në perfeksion këto cilësi të individit Simon. Ndaj kërkonin me çdo mjet, ta poshtëronin, t’ia “thyenin hundën” priftit luftarak e krenar.

Për këtë qëllim ndërsenin lamashët e burgut që i ushqenin dhe i mbanin rreth e qark, për t’I përdorur kur ua donte puna, si kopaçe ndaj individëve dinjitozë. Inskenonin provokacione ordinere që mundësisht në fund, të mbylleshin me sherre të dhunshëm.

Këta mjeranë, vegla qorre në duart e operativity, kishin cytur herë pas here edhe dom Simonin, po ai i kish shmangur me gjakftohtësi.

Një ditë në pajtos bashkë me ca bashkëmoshatarë të mitë, barresnim tutje-tëhu në oborrin e ngushtë të burgut. Grupi i zagarëve pak më tej, po gagarisnin si patat me zë të lartë; ishte e qartë, dikë kishin piketuar për të sulmuar.

Ende pa mbyllur dy varavinga, dëgjuam një britmë të fortë që u pasua me sharje, me fjalor shumë vulgar...

Ndaluam.

Pak metër më tej, dom Simoni i skuqur si speckë djegës, ballë tij, tre horrat i ndërseheshin me fyerje të ulëta dhe sharje ordinere.

Edhe pse i nxehur në kulm, me qetësi të habitshme, ai burrë zemërak u përpoq t’I shmangte.

Për shans, bilbilët e policëve fishkëllyen në momentin deçiziv; ishin sekondat e fundit të pajtosit.

Sherrxhinjtë u larguan.

Të gjithë iu drejtuam qelive.

Hymë brenda. Pranë jatakut, u ul dom Simoni.

E pashë që turfullonte, po s’I fola, e lashë të qetësohej.

Pas ca minutash, në derë ia behën tre horrat.

Duket, ustallarët iu kishin ngarkuar detyrë t’i shkonin gjer në skaj provokimit. Vetë fakti i denonconte: i kishin lënë të vërdalloseshin nëpër corridor, kur ne të tjerëve na hapnin derën vetëm dy herë në ditë.

Më i paturpshmi ndër ta bëri para, po me atë fjalor vulgar që ma zinin veshët për herë të parë në burgjet politike, vazhdoi avazin e të sharave atje ku i kish ndërprerë në oborr.

Derdhi në këtë lumë fyerjesh, gjithë gjirizin gjuhësor.

E shau nga nëna, të cilën e adhuronte me veneracion të veçantë:

-Të q…sh nanën!-shau zullapi.

-Të falemnderës, tash po t’them babë!- u përmbajt prifti i skuqur.

E shau nga motra, e cila me trasta në krahë me dashuri motre, e ndoqi burg më burg:

-Të q…sha motrën!

-Falemnderës, tash po t’thon kunat!

Ndoshta përgjigjja e dytë, e nxiti për më tej provokatorin.

Të papërgatitur për këtë reagim të butë, lamashët menduan se e trembën priftin, ndaj edhe detyra që iu kishin ngarkuar, po iu dukej se mund të përmbushej më lehtë po të shtonin edhe më dozën e fyerjeve.

Dom Simoni mbeti në udhëkryq, i purpurosur deri në rrëzë të flokëve, me zor po përmbahej. Sidoqë e kuptoi se ata i kish shtyrë operative, me gjakftohtësi maksimale, u përpoq ta shmangte sherrin, por s’qe e mundur.

Kulmi do të mbrrinte pak çaste më pas, kur sërish më guximtari apo më budallai prej tyre, iu avit dhe i shfreu në fytyrë:

-Të q… Krishtin!

Kjo sharje e derdhi kupën! Ai burrë trim që deri atë çast, kish gëlltitur çdo fyerje, s’mundi më!

U përkul rrëmbimthi, kapi përfund shtratit nallanen e trashë prej dërrase pondçe, ia lëshoi mbi surrat provokatorit me sa i hante krahu.

Tashmë e kishte kapluar inati, nën ndikimin e marrazit për fyerjen e paimagjinueshme, kish humbur logjikën, kish marrë tiparet e një bishe të tërbuar.

Mbas dy përgjigjeve të buta, arsyeja Iu errësua, përgjigjja e tretë qe nallania.

Përgjigje gjakuese, vrastare! Jashtë etikës predicative që aplikonte përditë me të tjerët.

Pizgat e gjakut shpërthyen mbi jatakët tanë, spërkatën dyshemenë dhe muret e pista, ndërsa lamashi gjigand u shtri sa gjatë gjerë mbi çimento dhe prifti i tërbuar iu vërsul, si qifti mbi preh.

Qëllonte dhe ulërinte, me sa kishte në kokë:

-Mos eh burrë, jo gjer te Krishti! M’ke sha nanën, t’thash bab! M’ke sha motrën, t’bana kunat! Po njitash? Ç’kam me t’ba?!-dhe shtinte, e shtinte mbi kurmin e shtrirë dhe fytyrën e gjakosur.

Ne që u gjindëm pranë, fillimisht nuk ndërhymë, me mendimin se Zoti di ç’bën! Ky maskara dhe të tjerët pas tij, e meritonin një mësim të tillë! Por kur prifti i verbuar nga tërbimi, s’po rreshtte, ndërhymë dhe e bllokuam.

Ai, duke u dridhur nga inati, i verdhë shafran, u suall drejt nesh e na tha:

-Më lini ta qëroj kët hale! Ky asht edepsëz e dinsëz, s’I vlen kërkujt!

Natyrisht, s’mund ta linim të vazhdonte më tej në nismën e drejtë ndëshkimore. Jo se na dhimbsej dinsëzi, ai korri atë që mbolli, po menduam pasojat që do binin mbi mikun tonë.

Sigurisht mbas kësaj, domi bëri një muaj birucë që s’e kishte për së pari, po këtë herë plotësisht të merituar.

Kodoshi mori një mësim me vlerë unikale, për vete dhe të ngjashmit!

Mori edhe një damkë të përjetshme që i dallohet qartë, si kujtim prej Dom Simonit në mbrojtje të dinjitetit kristian.

Ky palaço, që gjithë të dënuarit politikë të atyre viteve po dhe më të vonshëm, e dinë kush është, sot ka vetëmarrë pozitat e një lideri, me demek në mbrojtje të shtresave të persekutuara (shpresoj, kjo të jetë një formë ndjese, ndaj Domit dhe priftërinjve të tjerë për andrallat që iu shkaktoi ato vite). Ai ishte një ndër ata që Dom Simoni i quante “spiuj të qelbun”.

 

Shënim: Marrë me shkurtime nga libri "Repsi Kampi i punë së detyruar", i autorit Shkëlqim Abazi, botim i ISKK, 2017

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

2 KOMENTE

  1. po si valle keshtu edhe tani ne te tilla rrethana as emrin nuk ia permendni ? Kjo nuk eshte njerzore zoterinj, kjo eshte e turpshme. Ju duhet madje e keni per detyre te permendni emrat e spiunave te asaj kohe te ndyre dhe te neveritshme !

    • Pershendetje! Faleminderit qe ndiqni kujto.al dhe qe komentoni. Ne e kemi marre shkrimin nga libri "Repsi" i Shkelqim Abazit, i cili nuk e ka permendur emrin e personazhit, ndaj edhe ne nuk kishim si ta shkruanim. Nuk i dime arsyet pse autori nuk e ka permendur emrin ne kete rast, por ndiejme per detyre te themi qe pavaresisht kesaj, ai liber me kujtime nga burgu eshte shume i vyer per informacionin qe sjell mbi ashpersine e diktatures dhe mbi personat e njohur ose te panjohur qe kane vuajtur ne burgje, te cilet autori i pershkruan dhe ua ben publike vuajtjet dhe meritat. Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here