Haki Xhelo, dëshmori i vrarë nga Partia

0
190
blank

I nipi i Haki Xhelos tregon si e vranë xhaxhanë e tij natën pasi mbushi 20 vjeç. Pajtim Xhelo bën përgjegjës drejtpërdrejt Mehmet Shehun i cili, sipas tij, vrau poetin dhe kompozitorin e ri antifashist vetëm se ky kishte mendime të kundërta me Partinë. Krimi u pasua me cinizmin e shpalljes dëshmor të Haki Xhelos, ndërkohë që ai figuron edhe ndër viktimat e regjimit komunist.

Tregim nga Pajtim Xhelo

(Ngjarje e vërtetë)

Prej një muaji e mbanin nën mbikqyrje në Mallakastër, ku ndodhej "Çeta Plakë". Ai kish qenë Sekretar i Rinisë Antifashiste për Qarkun e Vlorës, po e kishin shkarkuar për mendime të kundërta me Partinë, sidomos për ndërhyrjen e jugosllavëve. Nuk bënte pjesë në grupin antiparti të Sadik Premtes, as të Anastas Lulos, po Halim Xhelo (Dukati) së bashku me Liri Gegën, të cilët kishin zëvendësuar Hysni Kapon në Qarkun e Vlorës, të dy njerëz mediokër, ambiciozë, sektarë, egoistë e kishin raportuar në Shtabin e Përgjithshëm si element "turbullues" në radhët e rinisë...Element "turbullues” ai që kish ngritur rininë e Bregut e të Labërisë në Luftën Nacional Çlirimtare!

blank
Autori i shkrimit, nipi i Haki Xhelos, Pajtim Xhelo

Kësisoj e kishin izoluar në "Çetën Plakë" për një periudhë të pacaktuar. Edhe pse ishte mbrëmje vere, bënte pak freskët prej dy ditësh dhe një grup partizanësh po mësonin këngën "Dalngadalë po vjen behari" që e kish shkruar dhe kompozuar Haki Xhelo për dy shokët e tij, Mitat e Lef Sallata, që kishin mbetur të vrarë në rrethimin e pushtuesve italianë. Kur këndonte Hakiu të gjithë e dëgjonin të rrënqethur. Ai kish zë të bukur. Shkruante poezi, kompozonte këngë. Kish një shpirt të thellë artisti, të mbushur me dashuri të pakufishme për shokët e për njerëzit në përgjithësi. E donte jetën, e donte drejtësinë shoqërore, e donte Lirinë. I ishte përgjigjur që në krye të herës thirrjes antifashiste, kësisoj e kishin përjashtuar nga Shkolla e Mesme Tregtare e Vlorës e më pas e kishin dënuar në burgun e Tiranës së bashku me miqtë e tij Vllas Arapin, Qemal Stafën e disa të tjerë, prej nga i nxori i ati i Haki Xhelos, Hazbi Xhelo duke paguar një sasi floriri. Punonte në ilegalitet, ishte këmbëngulës, trim dhe orator, i zinte vend fjala te të rinjtë e Labërisë, Myzeqesë, Topalltisë dhe Bregut. Zotëronte gjuhën italiane dhe atë franceze. Ishte largpamës, i mençur, po kokëfortë dhe i pandikuar në mendimin e vet. Kur e thirrën për të bërë autokritikë, jo vetëm që nuk pranoi, po u tha:- Kush jeni ju që po më kërkoni të pajtohem me mendimet tuaja? Unë respektoj lirinë e mendimit, për të cilën u përjashtova nga shkolla, bëra edhe burg dhe ju tani doni që të ma rrëmbeni këtë liri? Gaboheni, unë kam lindur i lirë dhe kështu do vdes! Ju doni të më prangosni mendimet? Si do t'i kapni ato? Mua ja ku më keni, mund edhe të më vini në pranga, po lirinë nuk do ma rrëmbeni dot.

Tre shokët e tij bënë autokritikë dhe i falën. Atë nuk e vunë në pranga dhe as i bënë gjyq, po e mbajtën nën mbikqyrje. Kur e pyeti Liri Gega komandantin e Çetës Plakë, përse nuk e kishin prangosur, ai ia kish kthyer me ironi:

- Shpendi di vetëm të fluturojë.- Pastaj kish shtuar - Nuk kam urdhër nga Shtabi Qendror, nga Komandanti. Do të them vetëm që trimi nuk bëhet kurrë tradhtar, as i shokëve, as i Çështjes së shenjtë, për të cilën po luftojmë.

Liri Gega ia kish thënë Mehmet Shehut këtë dhe pritej që ai të vinte për të biseduar me Haki Xhelon, për të cilin Hysni Kapo i pat dhënë vetëm mendime të mira.

- Kam ndenjur dy vjet në shtëpitë e tij në lagjen Karabash. Është një familje intelektualësh atmëmëdhetarë. I gjyshi ka qenë me rilindësit e Egjiptit.

Aty afër muzgut kish mbërritur një korrier dhe i kish thënë komandantit të çetës që do të vinte Mehmet Shehu. Hakiu u kish mësuar partizanëve gati gjysmën e këngës.

Ndërkohë mbrëmja po zbriste qetëqetë mbi kodrinat përreth dhe merrte mbi krahët gri melodinë e zvargur të asaj kënge, që më pas do të bëhej thuajse himn. Komandanti ishte pështetur në bërryla, gjysmë i shtrirë përballë Hakiut dhe po përsëriste nën zë këngën. Ai e njihte prej kohësh djalin dhe e admironte për vyrtytet e tij, madje edhe për kokëfortësinë dhe këmbënguljen. Atë paradite që Hakiu nuk kish pranuar të bënte autokritikë, ai e kish takuar përzemërsisht dhe i kish shtrënguar dorën pa i thënë asnjë fjalë. Atyre të tjerëve që, për mendimin e tij, ishin treguar të dobët, nuk u kish folur fare.

Zëri burrëror i atij që këndonte trazonte natën e heshtur gjer tejane, ku duhet të ishin shtëpitë e para të atij fshati me një shtrirje të çuditshme. Ditën, sa të hante syri ndiheshin këmborët e bagëtive, kurse tani kodrat që ngjanin si vargan i pandarë, rëndonin mbi jetën e truar të hijes së pushtimit.

 

Dikush u afrua te komandanti dhe diçka i tha në vesh. Ai u ngrit dhe priti ashtu derisa Hakiu mbaroi strofën…

E përqafoi, e puthi në ballë dhe kërkoi që të mbahej qetësi. Kur mbrëmja humbi këngën, u dëgjua zëri i tij:

- Sot djali ynë, Hakiu mbushi njëzetë vjeç. Le t'i urojmë edhe njëqind vite të tjera në Liri!

E uruan edhe të tjerët që ishin rrotull. Dikush ia mori këngës tjetër të Hakiut që e kishin mësuar disa ditë më parë:

Vajza dhe djem mbledhur tokë,

Këndojmë me gaz e hare,

Vëllezër të dashur dhe shokë,

O shoqe eja edhe ti me ne.

Në sytë e djalit që sapo kish mbushur njëzet vjeç, shndritën pak pika loti. Ishin lotët e ëndrrës për Lirinë, margaritarë të fshehur prej vitesh nën aromën mbytëse e të përgjakur të luftës së pakuptimtë.

Iu kujtua e dashura, së cilës i kish premtuar që do ta festonin bashkë njëzet vjetorin.

 

"Eh, lufta - psherëtiu - Po zgjat dhe po mësohemi me të. Do harrojmë edhe të dashurojmë, edhe të martohemi.- Vuri buzën në gaz. Iu kujtua e ëma, Bukuria që i pat thënë " Jo, bir, dasma ka edhe në luftë. Ne do t'i bëjmë ato për inat të pushtuesit!".

- Tani kemi një dasmë të madhe, Lirinë. Kur të vijë ajo, edhe martesa do të ketë gjithmonë! - mendoi dhe i dolën para syve dy gërshetat e dendura të vajzës së tij të zemrës, të cilat ia kish lidhur me një fjongo të kuqe dy ditë para se të vinte në Mallakastër.

Po mendimin ia preu një pëshpëritje që kaloi nëpër rreshtat e partizanëve të Çetës Plakë dhe grrici paksa mbulesën e murrme, që mbrëmja sapo kish hedhur mbi Mallakastër.

- Erdhi, erdhi.

Dihej kush kish ardhur. Mehmet Shehu. Ai u dha dorën disave afër komandantit, pastaj tregoi me dorë nga Hakiu:

- Ky duket të jetë Haki Xhelo - tha dhe i zgjati dorën- Është kënaqësi që po të njoh. Hysniu më ka folur shumë për ty.

Djali ia ktheu përshëndetjen. U ulën shesh ata të tre dhe dy zëvendëskomandantë, kurse të tjerët u larguan. Për disa minuta nuk foli asnjeri. Zjarri kish nisur të tkurrej dhe komandanti i bëri shenjë dikujt që të sillte dru. Ajrin e mbytën kërcitjet e përralleve dhe shkëndijat që u ngritën lart, në harkun e së panjohurës që shtyhej drejt qiellit, tej në kohën që nuk ishte matur kurrë dhe nuk i dihej fillimi...As fundi. Dy-tri herë Mehmet Shehu e shikoi djaloshin ngultaz. Mbase donte të zbulonte ndonjë gjë të re, për të cilën Hysnyu nuk i kish folur. Hakiu rrinte i qetë, tashmë jo më nëpër mendimet e tij për vajzën me kordhele të kuqe në gërshetat e saj të zeza, po tretur në përzierjen që po gatuante ky njeri i tmerrshëm, për të cilin fliteshin lloj-lloj përsiatjesh, të qena e të paqena, ndonjëherë edhe në kufirin e legjendës.

Dikur Mehmeti u kthye përballë tij dhe e pyeti prerë:

- Që ta kuptoj qartë, ti që bëre propagandë aq të vyer për të çuar vajzat në mal për të luftuar kundër pushtuesit, tani je i mendimit që ato të kthehen sërish në shtëpitë e tyre?

Hakiu e shikoi, jo pa habi.

- Kështu ju paskan thënë?

- Po, pikërisht kështu.

- Ju kanë keqinformuar dhe ju nuk duhet ta besonit - ia ktheu me guxim. Ai që ndërton shtëpinë, nuk e prish, sepse i dhëmbet.

Tjetri e vlerësoi përgjigjen e mençur.

- Halim Xhelo dhe Liri Gega i gjetën gështenjat të pjekura nga unë dhe nga shokët e tjerë shoku Mehmet. Ata nuk e kuptojnë që unë kam edhe një të drejtë më tepër se ta për të dhënë mendime për veprat e mia. Ky është ligj i pashkruar, por duhet respektuar nga ata që vijnë pas teje…

Mehmet Shehu nuk dinte çt'i thosh. Dukej sheshit që Hakiu ishte tepër i mençur për moshën.

 

- Sa vjeç je ti Haki? - e pyeti fare papritur.

- Sot mbushi njëzetë, kish ditëlindjen - u përgjigj aty për aty komandanti i Çetës Plakë.

Mehmeti u duk serioz.

-Edhe njëqind vite të tjera - e uroi - U bëfsh plak me mjekër!

Qetë-qetë tjetri ia ktheu:

- Po na la lufta deri atëhere.

Mehmet Shehu bëri sikur nuk i dëgjoi fjalët e fundit dhe vijoi:

- Ke të bësh me Halim Xhelon?

- Jo - u përgjigj thjesht djali - Ai është nga Dukati, kurse unë jam qytetar vlonjat që prej viteve 1640, kemi ardhur nga Janina.

-Shqiptar? - e pyeti Mehmeti, që vijonte ta shihte me vëmendje.

Hakiu vuri buzën në gaz.

- Sigurisht - ia ktheu jo pa krenari të dukshme - Epirot shqiptar.

- Sipas teje ku është qëllimi i Liri Gegës dhe Halim Xhelos që të kanë raportuar kësisoj?

- Nuk e di, unë di vetëm që ato akuza janë gënjeshtra fund e krye. Mbase hakmerren, sepse unë nuk isha dakord që të vinin ata të dy, sidomos Liria në vend të shokut Hysni. Mendimin tim e thashë hapur, përballë, jo pas krahëve. Kështu jam unë. Nuk trembem nga e vërteta. Besoj nuk e kam gabim, apo jo?

Burri i tmerrshëm ia ktheu:

- Edhe unë i dua trimat, po ata të mençurit ama. Ndonjëherë nuk duhet të nxitohesh pa qenë i sigurt për atë që mendon.

Djali u acarua.

- Unë jam i sigurt që ata të dy nuk janë njerëzit e duhur për atë punë. Koha do ta tregojë. Mehmeti e shikoi sërish ngultaz dhe këtë herë nuk u kuptua në ish dakord me atë që tha djali, apo jo.

- Partia i ka parë me kujdes gjërat para se të vendoste - i tha. Pastaj shtoi - Po për jugosllavët cilat janë kundërshtitë e tua?

Djali nuk u përgjigj menjëherë. Tjetri priti ca dhe e përsëriti pyetjen.

- Në këtë pikë kam mendimin tim. Më duket e tepruar ndërhyrja e jugosllavëve në luftën tonë. Them se i zoti e di ku i pikon çatia. Nuk jam kundër ndihmës së tyre, janë më me përvojë se ne në shumë drejtime, po kjo nuk do të thotë që t'i lemë të bëhen zotër në shtëpinë tonë.

Mehmet Shehu u nxeh. Ai e ndërpreu:

- Si ta kuptoj këtë?

Edhe Hakiu ia ktheu me ton:

- Që të mos i lejojmë të futin hundët në punët tona. Luftën po e bëjmë vetë, nuk po vijnë të na i bëjnë ata.

- Ti thua që të jemi mosmirënjohës?

- Nuk e thashë unë atë. E thatë ju.

Ai u ngrit në këmbë dhe nisi të bënte ecejakje pak më tej. Tre të tjerët nuk kishin ndërhyrë fare në debatin e tyre. Komandanti ishte përpjekur disa herë, po nuk e kish thyer akullin. Para atij njeriu të gjithë druheshin. Ishte krijuar mendimi që Mehmet Shehu nuk falte as të atin po t'i kundërvihej. Tashmë ishte ngritur në këmbë edhe Hakiu.

- Ky është mendimi im- i tha ai, si për ta mbyllur bisedën.

- Po është mendim i gabuar dhe përçan unitetin e Partisë!

-Unë nuk jam anëtar i Partisë - u përgjigj qetë - Deri para ca ditësh isha Sekretar i Rinisë Antifashiste për Qarkun e Vlorës. Tani nuk jam më.

Biseda kish marrë drejtim të ngatërruar, po djali nuk tërhiqej kollaj, nuk lëshonte as pe për të zbutur acarimin.

- E kupton që po kundërshton strategjinë tonë të luftës?

Hakiu qeshi.

- Strategjinë tuaj? Kush jeni ju? Luftën e nisëm të gjithë bashkë dhe duhet të na i merrni mendimin edhe ne të tjerëve. Të paktën kështu kemi thënë.

Mehmeti nuk po e mbante dot inatin. Djali po e mbushte kupën. Kush ishte ai që kërkonte të njëhësohej me udhëheqjen e Partisë? Tani po e kuptonte që Liri Gega dhe Halim Xhelo kishin të drejtë. Ky djalë qe arrogant dhe i pëlqente vetja. Dukej sheshit që shokët ia kishin rritur ca si shumë vlerat.

- Po ti e kupton që po hyn në ca gjëra që s'të takojnë? Nuk jemi si këmbët e dhisë. Disa komandojnë, të tjerët zbatojnë pa kundërshtuar. Jemi në luftë dhe ligjet e luftës janë të ashpra. Ndonjëherë edhe digjesh, sepse të tjerët nuk kanë kohë të gjykojnë me gjakftohtësi. Këtë duhet ta mendosh.

Hakiut i hipi gjaku në kokë. Po ndihej i fyer dhe i shpërfillur dhe iu mbush mendja plotësisht që të gjitha fjalët që thuheshin për këtë njeri ishin të vërteta. Ai nuk të hapte rrugë, ishte prepotent dhe arrogant.

- Kam frikë se këto ligje të luftës, do t'i kemi edhe në paqe dhe nuk po ndihem mirë që tani, - ia ktheu djali.

- Pra ti dyshon në sistemin demokratik të pasluftës në Shqipëri?

- Jo unë, janë fjalët e tua që e sjellin këtë dyshim. Demokracia nuk ka fron mbretëror, ajo është një rreth, ku të gjithë janë të barabartë. Unë kështu e kuptoj dhe them se kam të drejtë. Madje, jam I bindur se kështu është.

 

Tjetri nuk ktheu asnjë përgjigje. Dikur ndërhyri komandanti i Çetës Plakë, që e solli bisedën rreth prurjeve të reja në radhët e çetës, pastaj për dy-tri përplasje me një çetë ballistësh që nuk pranonin bashkërenditjen me veprimet kundër italianëve.

Kish kaluar mesnata kur Mehmeti e ftoi Hakiun të shkonin për të pirë ujë te burimi i fshatit. Komandanti i priti aty; mendoi se do të ishte i tepërt, ashtu si ishte ndier për një kohë të gjatë në debatin e tyre gjithë mbrëmjen, për orë të tëra.

Mbase e tepronte ngaqë po priste në ankth kthimin e tyre, po iu duk se u vonuan shumë, ndoshta një orë dhe kur ishte duke e kapitur gjumi, dëgjoi dy të shtëna armësh dhe përgjoi me gjak të ngrirë. Minutat iu dukën orë pa fund e kufi, zemra po i rrihte aq fort, sa pati ndjesinë se do t'i çante krahërorin.

Dikur i dëgjoi edhe hapat që priste. Po Mehmet Shehu ishte vetëm.

Komandanti nuk guxoi ta pyeste. Priti mos i thosh vetë ndonjë gjë, po ai u drejtua për nga shtëpia ku do të flinte, pa e përshëndetur.

Të nesërmen njerëzit pëshpërisnin nën zë për atë vrasës zemërzi, që I kish rrëmbyer pranverën e jetës një djaloshi të pafajshëm, sapo kish zgjatur dorën për të këputur trëndafilin e parë të asaj pranvere... Ai

kriminel i kish ndërprerë rrugën e Lirisë një djaloshi ditën që ai mbushi njëzet vjeç.

Pse? Sepse ishte i mençur, poet, kompozitor, trim, sepse e donte Lirinë pa ato njolla të zeza që po dukeshin në horizontin e të ardhmes.

Haki Xhelo u vra dhe varri nuk iu gjet kurrë. Prindërve, vëllezërve që e kërkuan u thanë që e kish vrarë Partia. Familja e tij u persekutua me metodat më shtazarake e të pabesa deri në vitin 2018, kur, papritur

Kryetarja e Shoqatës së Dëshmorëve, zbuloi në arkivin e Komitetit Qendror të Partisë se Haki Xhelo dhe vëllai i tij, që ishte internuar në Mathauzen, Mahmut Xhelo figuronin të dy dëshmorë që në vitin 1945...Edhe më pas, kur ishin rishikuar, në vitin 1972.

Kjo ishte historia e një djali të pafajshëm njëzetëvjeçar, xhaxhait tim. Edhe pse nuk e kisha njohur, gjithë njerëzit e fisit më thoshin që unë i ngjaja atij dhe kjo bëri që ta kisha edhe unë thikë në zemër Rininë e tij të vrarë.

Tragjedi! Histori nga më makabret. E vret numri 2 i Partisë, nuk tregojnë, po thonë që e vrau Partia, e bëjnë dëshmor dhe e mbajnë të fshehtë, kurse familja vuan kalvarin e pafund të persekutimit.

Në maj të vitit 2018 u bë një ceremoni për dy vëllezër dëshmorë, që për 75 vite të gjatë i kishin mbuluar me veladonin e kujtesës së përhumbur të krimit, për të ndaluar një hakmarrje kundrejt vrasësit të paskrupullt, Mehmet Shehut.

Haki Xhelo dhe Mahmut Xhelo sot janë dy dëshmorë pa varre... Nuk janë as te të vdekurit, as te të gjallët.

Kush kërkoi falje për këtë krim?

As u tha, as u pranua, as u ndëshkua.

Botuar i plotë me titullin “Atë ditë ai bëri njëzet vjeç” te fjalaelire.com. Fotoja, ilustruese.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here