Gusht 1990/ Kur Ramiz Alija takonte intelektualët, ne na lidhnin me zinxhir dhe na thyenin kockat

0
1427
blank

Ndërsa në Tiranë, Ramiz Alija takohej me intelektualët për të biseduar mbi kërkesat për ndryshime në jetën e vendit, në kampin e Shën Vasilit, të dënuarit torturoheshin pa shkak. Ish-i dënuari politik, Bujar Sala, tregon ditët e gushtit 1990 kur të dënuarit shihnin e dëgjonin sesi shembej regjimi dhe vazhdonin vuanin izolimin dhe rrahjet

 

Në verën e vitit 1990, të dënuarit politikë prisnin lirinë, por pikërisht atëherë kur regjimi komunist përfytyrohej, ashtu siç dhe ishte në të vërtetë, në fund të jetës së tij, ai tregonte dhëmbët dhe hapte të tjera plagë të rënda. Në '90-ën ende vriteshin njerëz për motive politike. Të burgosurit një ditë dëgjonin për artikujt me frymë liberale që botonin intelektualët dhe tjetrën, për vrasje në kufi. Liria nuk kishte qenë kurrë kaq afër e megjithatë ata nuk mund ta dinin nëse ishte e vërtetë apo rishtas, një mirazh në ajrin e nxehtë të ditëve të gushtit.

Bujar Sala, i arrestuar në vitet '80 për disa trakte kundër regjimit komunist, ato ditë ndodhej në kampin e Shën Vasilit, në Sarandë, ku e kishin transferuar nga Qafë-Bari ku kreu pjesën më të madhe të dënimit. Në një intervistë që bën pjesë në arkivën e familjes Doko dhe disponohet gjithashtu nga kujto.al, ai tregon atmosferën gati joreale brenda kampit gjatë atyre ditëve.

"Më kujtohet kur na transferuan. Kishte filluar tronditja. Jo rënia e Murit të Berlinit, jo dënimi i Çausheskut...më kujtohet një skenë e tmerrshme në Sarandë: atë kohë e kanë jetuar të gjithë shqiptarët, kur vjen Kryeministri grek edhe e shoqëron Adil Çarçani në kufi. Edhe me sa mbaj mend unë, turma i thotë që të hapet kufiri, edhe turma shkoi me ta. Ne na mbanin në burg. Shikonim popullin e Jugut që vërshonte nëpër rrugë, për të dalë në Sarandë, për të shkuar në kufi, sepse atje ishte kampi i Shën Vasisë. Shikonim, nga kampi, njerëzit që iknin, kurse ne na mbanin akoma në burg. Krijohej mendimi që duan të na vrasin, që na mbajnë peng për interesa të tyre", ka treguar ai.

Kampi i Shën Vasilit, apo Shën Vasisë siç thuhet rëndom në gjuhën e folur, ndodhej në fshatin me të njëjtin emër në komunën e Lukovës në Sarandë, ku të dënuarit, merreshin me punë bujqësore pemëtarie, duke punuar në kodrat me agrume dhe ullinj të atyre anëve. Shumica ishin të dënuar për krime ordinere, por kishte mes tyre edhe të dënuar politikë, kryesisht të ardhur pasi kishin vuajtur vite me radhë në kampet më të rënda të punës. Një prej tyre ishte edhe Bujar Sala. Ai ka treguar që në '90-ën rreth 80 të dënuar të atij kampi, vendosën të bënin një grevë. Hipën në tarracë dhe qëndruan aty për 10 ditë gjatë të cilave policët përdorën çdo mjet që kjo shfaqje revolte të ndalej, duke u ndërprerë furnizmin me ujë e duke u premtuar që do u vinte në takim prokurori. Edhe më kulmore, sipas kujtimeve të tij, ishin ditët kur Ramiz Alija takoi intelektualët. Ishte takimi i 12 gushtit.

"Kishin filluar të hynin fjalë, që po bëheshin ca tolerime. Ishin botuar në gazetë shkrimi i Sali Berishës, i Ylli Popës që ne na dukeshin çudi: "me çfarë guximi shkruanin ata!" dhe shpresonim me thënë të drejtën. I them komandantit të kampit, Agim Vrana: "Do hapësh televizorin të shohim se ka sot Ramiz Alija takim". Bënte takimin me intelektualët, në atë periudhë, në gusht. Ky, si me marifet, nis bisedën me mua: jo "nga je?", jo, "sa je dënuar?", jo, "a të ka ardhur familja?", jo, "s'të ka ardhur familja" dhe ishte një tunel aty, ku  zbrita me të duke biseduar. Shokët më shoqëronin nga mbrapa. Ata më thanë: "Mos ik poshtë, o Bujar!".  Në atë kohë, policët më mbyllën derën mbrapa dhe më çuan atje poshtë. Ishte një Xhelal, Xhelal, një kriminel, oficer prapavije, edhe i thotë komandanti i kampit atij: "Merreni edhe këtë aty!".  Edhe fillojnë drurin aty, 11 veta të lidhur me një zinxhir. 11 shokë. Filluan drurin, dhunën. Një Zyhdi Krymit i thyen duart, një Gjergji i thyen dhëmbët... Në '90-ën!".

blank
Nga takimi i intelektualeve me Ramiz Aline, gusht 1990

E quan një absurditet atë që ndodhte me të dënuarit ato ditë. Një shpërthim i pajustifikuar i dhunës. Një përpjekje për t'i mbajtur të dënuarit nën terror, pa asnjë shkak, siç ishte edhe rasti i Bujar Salës. Ai kishte kërkuar vetëm të ndiznin televizorin, atë ditë gushti, diçka e zakonshme në kamp. Por atë ditë ekrani mund të transmetonte një lajm që mund të quhej si një fitore e vogël e të dënuarve ndaj drejtuesve të burgut dhe ata nuk mund ta lejonin këtë. Ata do të vazhdonin edhe për ca kohë të luanin lojën e pushtetit që nuk e kërcënonte asgjë.  Nuk mund ta thuash nëse ishte për mungesë vizioni apo inerci ligësie, por Bujar Sala tregon që vetëm muaj më vonë, ajri i ndryshimit filloi të ndihej edhe brenda kampit të Shën Vasilit, kur erdhi edhe lirimi i tij dhe rreth 50 të dënuarve të tjerë, me dekret, në janar 1991.

"Ishim rreth 50 veta që u liruam atë ditë. Na kishin prurë dhe një autobus, se na merrnin si me të mira. Kjo ishte një lojë e këtyre që mos të hakmerreshim kundër tyre". Në të vërtetë, të dënuarit politikë, në dëshmitë e tyre shprehen që nuk e kanë menduar kurrë hakmarrjen. Kur kanë dalë nga burgu dhe kur regjimi komunist u rrëzua, me siguri kanë shpresuar që drejtësia do të hakmerrej për ta. Ose të paktën që persekutorët do të kërkonin falje. Një shpresë që sot, 30 vjet më vonë, thuajse e kanë humbur.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.