Guljem Deda, jeta-ferr e një përkthyesi në diktaturë dhe "njollat biografike"

0
451
blank

Dokumenti i Ministrisë së Brendshme që paralajmëronte vijimin e kalvarit të gjatë në burgje e internime për përkthyesin e kryeveprës italiane "Orlandi i çmendun" Guljem Deda dhe si ia nxiu Sigurimi i Shtetit biografinë për ta mbajtur gjithmonë të dënuar....

Biografitë që shkruhen në dokumentet e Sigurimit të Shtetit për intelektualët më të ndritur të kombit janë shembulli se sa shumë i urrente regjimi komunist njerëzit e ditur e të shkolluar në Perëndim. Një shembull perfekt është ky dokument i hartuar për një varg intelektualësh, më 19 shkurt 1954, për të cilët Sigurimi i Shtetit po përgatiste terrenin që t'i internonte e më pas t'i burgoste a riburgoste. Mes tyre veçojmë sot përkthyesin brilant Guljem Deda, i cili pas viteve të arta të studimeve e angazhimeve letrare e publicistike, me mbarimin e Luftës dhe instalimin e regjimit komunist e gjeti veten menjëherë pas hekurave të burgut, duke nisur një kalvar të gjatë 45-vjeçar me burgime e internime të vazhdueshme.
Biografia e tij korrekte është kjo më poshtë, publikuar në Fjalorin Enciklopedik të Krimeve të Komunizmit. Aty përshkruan të përmbledhura, të gjithë detajet e jetës dhe karrierës së tij.
Guljem Deda lindi në Shkodër më 1915, në një familje të njohur intelektuale dhe patriote. Studimet i kreu në Kolegjin Saverjan të etënve jezuitë në qytetin e lindjes. Më 1937 diplomohet në Universitetin e Padovës në degën letërsi-filozofi. E mbron laurën me studimin mbi gjuhën e Cuneus Profetarum (Çeta e profetëve) të Pjetër Bogdanit, me vlerësimin më të lartë «Summa cum laude».
I kthyer në Shqipëri, emërohet profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë greke dhe latine në gjimnazin e Shkodrës deri më 1939. Më 1942 themelon e boton revistën «Balli i Kombit» që e drejton deri më 1943-një revistë për rininë shqiptare me përmbajtje të zgjedhur e frymë kombëtare. Me vendosjen e sistemit komunist i pushkatohen gjashtë pjesëtarë të familjes.
Në dhjetor 1944, arrestohet e dënohet me pesë vjet burg me punë të rëndë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për aq kohë «për krime kundër shtetit». Lirohet më 1950 pasi punoi në kampet e punës dhe dërgohet në guroren e malit Tarabosh. Pasi nuk pranon të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit, do të nisë një kalvar i gjatë persekutimi nga njëri kamp në tjetrin.

blankMë 1954, arrestohet e burgoset në kampin e Shtyllasit (ku ishte internuar, sipas dokumentit ku shënohet nga Sigurimi biografia e tij e deformuar. Shënimi ynë.), bashkë me 50 intelektualë të tjerë shkodranë, ku hapin kanalin Vjosë-Levan-Fier.
Prej këtu izolohet në kampin e Kuçit të Vlorës, ku edhe nisi përkthimin e poemës epiko-heroike "L’Orlando furioso" të Lodovico Ariosto-s. Në kushte të pamundshme e me mungesa të mëdha, pas 17 vjet punë të pandalur, arriti ta përkthejë shqip këtë kryevepër të letërsisë italiane prej 40 000 vargjesh. E kaloi thuajse gjithë jetën ndër burgje e kampe internimi.
Por e kundërta e kësaj tabloje për këtë njeri të papërkulur e përkthyes të jashtëzakonshëm jepet në këtë dokument të Ministrisë së Brendshme, të datës 19 shkurt 1954, ku të dhënat për biografinë e tij nuk përkojnë me variantin e konfirmuar përmes rrëfimeve e dokumentecionit të lënë nga vetë Guljem Deda dhe shpesh shtrembërohen me akuza të pabaza e hamendësime.

blank

blank

Ja çfarë shkruhet në dokumentin e Ministrisë së Brendshme:
Gulielm Jak Deda. Datlindja 1915, lindur e banues në qytetin e Shkodrës, i pamartuar me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim të naltë, sot pa punë, din gjuhën italisht, i dënuar nji herë me 6 vjet nuk ka në ngarkim asnji njeri. Gjatë regjimit të Zogut ka qenë pro, i cili ka marrë bursë prej shtetit për Itali. Gjatë fashizmit italian ka qëndruar pro okupacionit, në shtëpinë e tij ka banuar kapiten Anti Koja (?) ish kuadër i spiunazhit italian, ky dyshohet të jetë vënë në shërbim të tija. Ka qenë federal në Korçë-Vlorë - Gjinokastër e Durrës dhe pastaj Tiranë. Më 1943 ka qënë redaktor i gazetës "Balli i Rinisë" më vonë u bë drejtues i organizatës "Guf" dhe B.R.U.F.SH. që don të thotë Balli Rinisë Universitare fashiste Shqiptare me të cilët funksione qëndron deri në kapitullimin e Italisë. Mbas Çlirimit dënohet me 5 vjet, mbas daljes tij nga burgu vazhdon aktivitetin duke komentuarë lajmet e dëgjimeve në radiot e shteteve të huaja armike por mjaft i rezervuarë".

blankPas këtij dokumenti, që ishte në të vërtetë një orientim i Ministrisë së Brendshme për të internuar një listë të gjatë intelektualësh, Guljem Deda   internohet në Shtyllas dhe prej andej burgoset sërish, duke vijuar kalvarin e vuajtjeve përgjatë gjithë regjimit komunist.

Guljem Deda, mundi t'i mbijetojë gjithë torturave e vuajtjeve të 45 viteve, por nuk e gëzoi gjatë jetën në liri dhe as shijoi botimin e veprës madhore "Orlandi i cmendun" kryevepra e poetit italian Lodovico Ariosto, që falë tij është një kryevepër edhe në gjuhën shqipe.

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, në vitin 1990 Guljem Deda emigroi në Itali, ku edhe u nda nga jeta shumë shpejt, në vitin 1994 në Peruxhia, i sëmurë dhe i sfilitur nga vuajtjet e rënda të një gjysmë shekulli.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here