Gjystina Sekuj: Kur e vranë Ndoc Jakovën, zemra jeme u tha prej trishtimit... jetova vetem me kujtimet e rinisë

0
1623
blank

"E lashë Shkodrën e dashtun me lule kur u nisa drejt Klosit. Pas një viti, kur u ktheva prej andej, e gjeta përsëri me lule, por zemra ime ishte e tharë nga trishtimi. Zemra ime vuante se i riu, i miri, i dashtuni, Ndoc Jakova, ishte vrarë nga forcat komuniste më 12 shkurt 1946, mbeti varrhumbur dhe unë mbeta gjallë dhe në zemrën time mbet e vetme, e përjetshme dashuria për të"

Nga Fatbardha Saraçi

Gjystina Sekuj ishte një vajzë shkodrane e cila studoi në shkollën e mesme “Donika Kastrioti” në qytetin e lindjes. Ishte kryetare e klasës. Ishin vitet e pushtimit fashist, ku dhe përshëndetjen e donin në mënyrë romane. Ajo ishte kryetare e grupit që iu kundërvu drejtoreshës italiane dhe s’pranuan të përshëndesnin në mënyrë romane, d.m.th. përshëndetjen fashiste dhe këtë e realizuan.
Ajo ishte dhe aktiviste e rinisë së organizatës së Ballit Kombëtar. Miqësia që kishte me të riun Ndoc Jakova, që ishte kryetar i Veprimit Katolik në Shkodër dhe drejtonte rininë e Ballit Kombëtar, e ndihmoi shumë në aktivitetin e saj atdhetar…, por fatkeqësisht me hyrjen në qytet të forcave komuniste, Ndoc Jakova me shokët e tij u detyruan të largoheshin në drejtim të malit.
Dy të rinjtë që, përveç aktivitetit të përbashkët shoqëror ishin të lidhur dhe shpirtërisht, dashuroheshin, e vazhduan korrespondencën me letra dhe në vitin 1945 spiunazhi komunist arriti të kapte njeriun ndërlidhës dhe gjetën letrat që Ndoc Jakova ia drejtonte Gjystinës (nga fshati Sheldi) dhe letrat e vajzës. Të gjitha letrat ishin të vendosura në dosjen e Gjystinës.
Ja si tregon e nderuara Gjystina Sekuj (në bisedën e saj me dt. 05.02.1996)
- Nga 22 janari deri më 02. 02. 1945 na mbajtën në burgun e ish-Gestapos, mandej na dërguan në burgun e madh. Aty na mbajtën shtatë muaj. Më 2 shtator 1945 u bë gjyqi i parë i popullit me Prekë Calin (që u pushkatua me gjithë grupin). Avokat kisha zotin Myzafer Pipa, prokuror Aranit Çelën. Prokurori më drejtoi shumë pyetje, por dy ishin më kryesoret:
1. Si e quani Mit'hat Frashërin? (Ndoc Jakova ishte kryetar i rinisë së Ballit Kombëtar në Shkodër.) Më kishin zanun letrat që i kisha dërguar Ndocit në fshatin Sheldi, ato letra ishin edhe politike. Më kishin ndjekur me anë të spiujve.
Z. avokat Myzafer Pipa më mbrojti dhe më nxiste me shprehjet që duhet t’i jepja prokurorit. Ishte avokati që mbrojti pa frikë të gjithë veprimtarët antikomunistë, iu kundërvu prokurorit sadist Aranit Çela, më vonë ky avokat i nderuar do të vdiste në hetuesi nën tortura të tmerrshme në vitin 1946.
E dënuan vajzën 20-vjeçare me 5 (pesë) vjet heqje lirie. E liruan me kusht, d.m.th. të mos bënte asnjë lloj veprimtarie. Mos me folë, d.m.th. duhej të ruhej nga vetvetja. (Ajo gjatë bisedës me shkodranishten e saj të ëmbël, thonte: me roje mrenda vedit.)
Ishin kohë të vështira, njerëzit të spiunonin ose nga frika, ose nga shpërblimi. Mbasi e liruan me kusht, u dërgua mësuese në fshatin Qelë të Pukës, më 1946 pa e tmerruar si u ndoqën nacionalistët. Në vitin tjetër (tregon Gjystina): “Më emëruan në Burrel. Udhëtimi u bë me një kamion plot me ushtarë, ishte një udhëtim shumë i vështirë, isha mësuese në fshatin Klos. E lashë Shkodrën e dashtun me lule kur u nisa drejt Klosit. Pas një viti, kur u ktheva prej andej, e gjeta përsëri me lule, por zemra ime ishte e tharë nga trishtimi, zemra ime vuante se i riu, i miri, i dashtuni, Ndoc Jakova, ishte vrarë nga forcat komuniste më 12 shkurt 1946, mbeti varrhumbur dhe unë mbeta gjallë dhe në zemrën time mbet e vetme, e përjetshme dashuria për të. Jetova vetëm me kujtimet e rinisë.” Punoi në fshatrat Burgajet e Klos të rrethit të Matit. Në dosjen nga Burreli ishte e shkruar: “Mësuese Gjystina Sekuj nuk e don pushtetin popullor”. Punoi mësuese në fshatrat e Lezhës, Shën Koll Grykë, Manati, Varosh deri në vitin 1953. Në vitin ’53-’54 e pushuan nga puna si e padëshiruar në arsim. Mbeti 8 (tetë) vite pa punë, pa asnjë të ardhur jetike. Në vitin 1962 e riemëruan mësuese në fshatin Trush, Ashtë. Punoi dhjetë vjet derisa doli në pension. Nuk formoi familje. Ajo s’u martua, por u tregua një nënë e vërtetë me fëmijët e së motrës, që i mbetën jetimë në moshë të vogël. I mori me vete kudo që shkoi, u dhuroi shumë dashuri dhe ndihmoi në rritjen dhe edukimin e tyre. U bë një nënë e mrekullueshme, dinte të dhuronte dashuri, shumë mirësi, si me fëmijët e së motrës, po ashtu dhe me nxënësit e saj.

Edhe në vitet e vjeshtës dhe të dimrit të jetës ajo ecën rrugës krenare, me qetësi (e ndjek kudo heshtja, se ndigjimi i është dobësuar) dhe kurora e flokëve të bardhë i jepte fytyrës një shkëlqim të veçantë, që dhuron mirësi.
Shpirti i saj mbeti përherë i lirë, një humaniste e madhe, u dhuronte shumë dashuri më të përvuajturve, të pamundurve.
Më tregonte: - I shërbej një vajze të re që s’është në gjendje të lëvizë. E ushqej, e ledhatoj, e pastroj… te motrat e Nënë Terezës (ishte viti 1998).
Por pleqëria bëri të sajën, shëndeti i saj, në veçanti shfaqja e sklerozës, humbja e kujtesës, lodhja e viteve…
Sot ndodhet në shtrat, por nën kujdesin e ëmbël, me plot dhemshuri, me shumë dashuri, me mirënjohjen e pakufij të mbesës së saj të mrekullueshme, të kryeveprës së saj, Jozit.
Tre vitet e fundit iu shoqëruan me humbje të kujtesës, ajo femra e urtë, e qetë, e mirë, e ambël, punëtore, edukuesja e palodhur… U lodh… Sa keq…, kujtesa e saj…
Mbylli sytë më 6 gusht 2007.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here