Një histori horrori me skenarist shtetin diktatorial shqiptar
Nga Alma.N. Liço
Bummm...bummm....bummm. Si kurrë më parë porta trokiti me forcë. Kush vallë po kërcënonte kësisoj? Cili mund të ishte? A mund t´i ndodhte diçka më e keqe se gjëma e dy muajve të fundit? Vajzën e saj të vetme, së bashku me të shoqin dhe tre fëmijët e mitur i kishin degdisur në internim, në një fshat të thellë të zonës së Dumresë. Zemrën e kishte plagë. Duke u dridhur, rrotulloi çelësin në bravë. Tre burra të panjohur u shfaqën në pragun e saj. Personat që po trokisnin, e shtynë atë grua të moshuar, duke rrezikuar ta rrëzonin. Madje njeri prej tyre, mbante uniformë policie. Pa denjuar që ajo të merrte disi veten dhe t´i pyeste se çfarë kërkonin nga një plakë shtatëdhjetë vjeçare, njeri prej tyre, me ton të prerë, pothuajse ulëriti:
-Ku është dhoma e gjumit të sat bije??...dhe pa pritur përgjigje e shtyu atë, e bëri përpara. Dy burrat e tjerë e ndoqën nga pas dhe u futën në oborr. E gjora grua, ende nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte. Burri që po hakërrehej, i shtyu me forcë dyert e dy dhomave të shtëpisë përdhese, tashmë mbetur e shkretë. “EUREKA”...njera prej tyre ishte vërtet e zbrazur. I lehtësuar për këtë zbulim, u kthye sërish drejt saj, dhe shtoi:
-E shikon këtë shok? Eshtë invalid, dëmtuar në minierë. Quhet Zenel Disha. Këshilli i lagjes ka vendosur ta strehojë në dhomën e sat bije. Ajo nuk jeton më këtu. Dimë gjithçka!!!
Ai komunikim arrogant nuk linte asnjë hapësirë për kundërshti. Mezi ngriti kokën dhe e drejtoi shikimin nga burri që do banonte në atë shtëpi të vogël, së bashku me të. U tmerrua. Ai banor i çuditshëm ishte rreth të dyzet e pesave. Flokët e rëna ekspozonin shenjat e të çarave në kokë, që ndoshta qenë shkaktuar nga aksidenti në minierë. Fytyra gjithë vrraga dhe sytë e kuq që i ndizeshin flakë, i jepnin atij një pamje të frikshme. Instiktivisht, ajo mori kurajon dhe iu afrua pak. Qelbej erë alkool. Ai qeshi në mënyrë të pakontrolluar e të neveritshme dhe i zgjati dorën.
- None, si je? Do jem unë çuni jot tashi...harroje gocën.
Nuk e kuptoi si arriti të përmbajë veten pa lëshuar një ofshamë. Pa i dhënë kohë të mblidhte veten, burri me veshje civile iu drejtua sërish:
- Jepi Zenelit çelësin e dhomës, pasi nesër do sjellë orenditë e tij...dhe mos të të shkojë mendja të trokasësh në ndonjë derë...pasi është marrë vendim i prerë për këtë. Ohhh... çelësi qenka në bravë. Merre Zenel!!! Disa sekonda më pas, tre burrat u larguan në mënyrë triumfale, ashtu siç kishin ardhur, duke tërhequr pas vetes derën e jashtme me forcë.
Ishte vendosur tashmë, do ndante shtëpinë me një të marrë. Me një të sëmurë që për vite kishte qenë i mbyllur në një spital psikiatrik. Si do mundej ta përballonte, për më tepër që ai dukej edhe i alkolizuar? Me kë mund ta ndante një të papritur që do të vijonte me një bashkëjetesë kaq traumatike? Zemra po i delte nga kraharori. Ishte në luftë me mundësitë dhe pamundësitë e saj. Por ndërkohë, dëshironte me gjithë shpirt të ishte e fortë, e dobishme për të bijën e sikterrisur, për nipërit e saj...nëse një ditë do ishin të lirë...nëse... përgjërohej me gjithë shpirt ta gjenin të hapur atë shtëpi...t´i priste me krahë hapur...duhej të rezistonte...
U shkreh në lot. Askush nuk mund t´i shihte, aq më pak t´ja fshinte ato. Ajo, mësuesja e nderuar, që për dyzet vite kishte rendur fshatrave për t´u mësuar fëmijëve a.b.c-në, ndjehej tërësisht e pafuqishme, e sulmuar nga ata që mund të kishin qenë nxënësit e saj. Nuk fjeti aspak atë natë.
…Rreth orës dhjetë të mëngjesit, një kamion i vogël përshkoi të nesërmen rrugicën e ngushtë me kalldrëm dhe u ndal me zhurmë para shtëpisë. Me ndihmën e dy djemve të fuqishëm, “anëtari” i ri i familjes futi në dhomën e prindërve të mi, ato pak orendi që dispononte. Ishin të vjetëruara, të ndotura, dhe mbanin erë të rëndë. Më pas, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, ishte mbyllur brenda saj, dhe nuk kishte lëvizur fare gjatë njëzet e katër orëve në vijim, madje nuk kish dalë as në banjon e përbashkët e të vetme të asaj shtëpie, që si në shumë banesa përdhese të atyre viteve, ndodhej në fund të oborrit.
Kësisoj, filloi për gjyshen përballja befasuese me veprimet e tij të pazakonta. Njëzet e katër orë, asnjë zhurmë, asnjë lëvizje. A ishte mirë?...Ishte gjallë?...Ndoshta kishte nevojë për ndihmë!!...Duhej ta mësonte. Pas një hezitimi, gjyshja trokiti në derën e tij. Sërish asgjë nuk pipëtiu. Çfarë i kishte ndodhur?? Mos kishte vdekur!!...Fundja i sëmurë ishte...dhe gjyshja trokiti sërish...Kur nuk kishte më shpresë të hapej ajo derë, fqinji i vetëquajtuar “çun” i saj një ditë më parë, u shfaq në derë, i përgjumur, me sy të kuq e të fryrë.
-Çfarë do none!! - Pse më zgjon !!!...— iu hakërrye.
E trembur e gjora gjyshe, mezi i tha:
-Je mirë?...Ke nevojë për gjë???
-Jo...- u përgjigj prerazi ai. Dua të fle. Më lër rehat, Kuptove?? - Psherëtiu, përplasi derën dhe nuk kapërceu pragun e asaj dere edhe për njëzet e katër orë të tjera.
Gjyshja përjetoi sërish të njejtin ankth...por nuk trokiti më. Dy ditë pa dalë nga ajo dhomë...a kishte vallë për të ngrënë?...po nevojat personale, ku i kryente???
Të nesërmen e ditës së dytë, në mëngjes herët ai doli pa zhurmë, duke flakur në oborrin e vogël dy shishe të boshatisura pijesh alkolike. U zhduk, për t´u kthyer vetëm në mbrëmje. Provoi të hapte derën e kuzhinës ku qëndronte gjyshja, dhe meqenëse e gjeti të mbyllur, trokiti në të. Pasi hezitoi pak, ajo e hapi atë derë. Duhej të përballej me të keqen që tashmë do të ishte prezente çdo ditë në jetën e saj. Duhej të përpiqej të mos e kishte armik atë të çmendur. Ai hyri brenda dhe u ul në minderin e gjyshes. Qelbej erë urine dhe alkoli. Sytë si nuk po i plasnin nga damarët e fryrë e të kuq. Pa pritur që ajo të thoshte diçka, filloi të broçkulliste fraza pa lidhje. Ai përjetonte një delir prej të marri, që e bënte të besonte se shteti komunist nuk mund të ekzistonte pa atë...se ai ishte besniku që e mbronte nga armiqtë...se ai ishte gati të vriste këdo që nuk e donte partinë. E shkreta gjyshe. Pas ndonjë ore të kësaj ligjërate të çakorduar e të pambarimtë, ajo iu lut të shkonte të flinte, pasi edhe ajo ishte shumë e lodhur dhe kish nevojë për pushim. …pasi përsëriti për të disatën herë heroizmat e asaj dite, u largua drejt dhomës tashmë të tij. Duke menduar se u sos për momentin tortura në praninë e të marrit, gjyshja mori frymë disi e lehtësuar. Por pesë minuta më pas, ai doli sërish në oborr, dhe filloi të këndonte me zë të çjerrë...Enver Hoxha e mprehu shpatën...Pasi mprehu për një orë shpatën, ai hyri më në fund në dhomën e tij, dhe nuk u ndje më. Të nesërmen, përsëri heshtje varri. Nuk pipëtiu asgjë. Ai nuk doli fare nga dhoma.E shkreta gjyshe, filloi të ambientohej me sjelljen e tij të çuditshme, dhe ta trajtonte atë si një të keqe me të cilën duhej të bashkëjetonte. Duke e njohur këtë realitet, njëri nga fqinjët shumë të gjindshëm, i vendosi shula të rinj e të sigurtë në derën e kuzhinës dhe atë të dhomës së saj të gjumit.
Për të evituar vizitat e tij të frikshme e të padurueshme të mbrëmjes, sapo ndjente kërcitjen e bravës së portës së oborrit, gjyshja fikte dritën dhe qëndronte në qetësi absolute. Donte t´i jepte atij të kuptonte se e kishte zënë gjumi dhe se nuk duhej ta shqetësonte. Por ai nuk bindej se ajo mund të flinte në atë orë dhe trokiste pa pushim në derën e saj të kuzhinës. Sakaq, avujt e alkoolit depërtonin nëpërmjet hapësirave të saj dhe gati i merrnin frymën. Me zemër të ngrirë, gjyshja mezi priste që ai të lodhej e të hiqte dorë nga insistimi i marrë, që ajo t´i hapte derën. Dikur ai tërhiqej, por shkaktonte skandale të pafundme në oborr...herë thyente ndonjë vazo...herë-herë sokëllinte këngën e tij të preferuar...Ndonjëherë urinonte e kryente nevojat e tij në mes të oborrit. Ndodhte, që pas një nate me shi, ajo fëlliqësirë përhapej në gjithë ambientin e vogël të shtruar me çimento e të plasaritur. E shkreta gjyshe. I duhej të pastronte të nesërmen, duke vjellë e nxjerrë zorrët nga pështjellimi.
Në mbrëmje të tilla, e ngujuar, ngashërehej pa zë dhe i lutej Zotit t´i jepte forcë e kurajo për të përballuar këtë situatë absurde. As në makthet e saj më të këqia, nuk kishte imagjinuar kurrë se në atë moshë do ndante banesën me një të çmendur, e do të vuante gjithë pasojat e kësaj.
Duke ndjerë dështim në invazionin e mbrëmjes, mendja e tij e sëmurë gjeti një tjetër mënyrë diabolike, që ta detyronte gjyshen t´i hapte derën. Në njërin nga muret e oborrit, ishte vendosur kutia e siguresave të energjisë elektrike. Duke liruar njërën prej tyre, shkaktohej ndërprerja e saj në gjithë shtëpinë.
Disa ditë e duroi gjyshja këtë situatë, duke kaluar gjithë mbrëmjen në errësirë, madje duke mos guxuar as të ndizte ndonjë qiri, i cili do të qe sinjal se ajo nuk po flinte. Shpresonte e gjora se ai do të lodhej. Por ai e vazhdoi këtë lloj eksperimenti shantazhues me të njejtin zell. Madje, gajasej me zë të lartë kur gjithçka mbulohej nga errësira. U dorëzua me në fund gjyshja e shkretë. Në këmbim të ndriçimit, duhej të duronte çdo natë për dy orë gjepurat dhe idiotësitë e tij, si dhe erën e rëndë shkaktuar nga mungesa e higjienës. Kishte net kur kthehej i gjakosur nga grushtet apo rrahjet që rëndom ndodhnin ndërmjet pijanecësh ordinerë, dhe në raste të tilla rrihte gjoksin për trimërinë e tij në përballje me disa armiq, të cilët ai kishte mundur t´i shfaroste. …Gjyshja po ambientohej me këtë regjim të çuditshëm dhe e qetësonte disi veten se kishte forcën ta përballonte atë situatë. Madje, herë pas here ndjente keqardhje për të.
...Dy vite më pas prindërit vendosën të më rikthenin pranë gjyshes. Isha vetëm dymbëdhjetë vjeç. Si e mitur, masa e internimit nuk ishte bllokuese për mua, ashtu siç ishte për prindërit e mi. Ata më konsideronin tashmë të përgatitur mjaftueshëm, sa për të mos e lënë gjyshen të vetme. Mbërritja në Tiranë më përballi edhe mua me këtë të papritur.
…Gjyshja po më priste me padurim. Nëpërmjet një letre, prindërit e kishin njoftuar për mbërritjen time. Nuk di sa minuta qëndruam të përqafuara në oborr, ndërkohë që na rridhnin lotët. Së fundmi mblodhëm veten. Unë mora valixhen që e kisha lëshuar mbi dyshemenë e oborrit dhe nxitova drejt dhomës së gjumit. Gjyshja u prish në fytyrë dhe më tha:
-...Jo aty, mos...!
-Pse, – e pyeta, çfarë ka ngjarë?
Ajo më ftoi të shkonim në kuzhinë dhe pasi u ulëm në minder, me zë të mekur më tregoi atë që kish ndodhur pas syrgjynosjes sonë. U tmerrova. Duke e përqafuar, me lot në sy i përsërisja se ajo nuk do të vuante aq shumë, pasi nuk do të ishte më vetëm.
Të nesërmen në mëngjes u përballa në oborr me të. Për mua nuk ishte surprizë. Fillimisht ai shtangu, dhe pastaj më pyeti kush isha unë. Me një lloj ngurrimi iu prezantova dhe çuditërisht pashë një lloj kënaqësie në sytë e tij. Këtej e tutje do të ishin dy persona në atë shtëpi, të cilëve ai do t’u kërkonte vëmendjen. Sjellje tipike e një njeriu të braktisur e të vetmuar. Ishte ekzakt si ma kishte përshkruar gjyshja. Instiktivisht ndjeva një lloj mëshire për të. Ai ishte fajtor pa faj. Përgjegjës për këtë situatë kaq anormale ishte shteti bandit diktatorial që dhunonte edhe të drejtat më elementare, siç ishte privatësia e banesës. Unë u solla ekzaktësisht si më mësoi gjyshja, duke u mbyllur kur mundeshim me shula dhe duke evituar në maksimum përballjen me të. Pavarësisht gjithçkaje, së paku gjyshja nuk ishte më njeri pa njeri.
Një vit e gjysëm më pas, një epidemi e rëndë gripi i rrëmbeu jetën gjyshes sime. Dha shpirt në krahët e mi. Nuk mund ta përshkruaj dot dhimbjen e humbjes së saj dhe vështirësitë e atij funerali në mes të dimrit dhe të epidemisë. Bashkë me largimin e saj, perënduan edhe të gjitha ëndërrat e mia për një jetë ndryshe nga ajo që më impononte internimi. Çuditërisht, i çekuilibruari u zhduk për katër ditë nga shtëpia kur gjyshja mbylli sytë. Nuk mund ta di se çfarë ndjeu. Ishte kaq i mjegullt e i pakuptueshëm raporti i tij me jetën dhe vdekjen. Keqardhje ndoshta?... Nuk e di.
Pas një përpjekjeje të dështuar për të ndjekur shkollën e mesme, dhe përjashtimin pas përfundimit të vitit të parë të saj, u ktheva përfundimisht, pranë familjes sime, në fshatin e internimit. Ndërsa shtëpia jonë në Tiranë, mbeti në duar të të çmendurit. U rrënua tërësisht. Qëndruam njëzet e tre vite në internim. Një ditë ky kalvar mori fund, por asgjë nuk mund të kthehej më si më parë. Të marrin e mjerë, nuk e takuam më kurrë. As nuk e mësuam fundin e tij.
Marrë nga FB i Alma Liços, ku ndodhet shkrimi I plotë kushtuar gjyshes së saj, Shefikat Sefa. (Narazani), një nga mësueset e para gra të rrethit të Elbasanit, ku një nga rrugët e qytetit mban emrin e saj.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.