Gjuetia e firmëtarëve të Pavarësisë në diktaturë

0
1619
blank

Shumë firma dënimesh u hodhën për firmëtarët e Pavarësisë gjatë diktaturës. Ata u pushkatuan, iu dorëzuan komunistëve serbë, u burgosën, u përndoqën familjarisht dhe u damkosën si armiq sepse nuk u bënë miq të komunistëve

Kur komunistët erdhën në pushtet, në Shqipëri, jetonin 31 prej figurave kryesore që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë, duke numëruar ata që firmosën aktin e 28 Nëntorit dhe të tjerët që, të vonuar nga rrethanat, mbërritën në Vlorë në ditët në vijim. E megjithatë ata nuk shërbyen kurrë si pika të gjalla kontakti mes aktualitetit dhe ngjarjes së madhe të 1912-ës.

Disa prej tyre ishin dënuar me pushkatim si Lef Nosi ose ishin futur në burg ku kishin ndërruar jetë si Shefqet Daiu etj. Disa ishin të detyruar të qëndronin larg shtetit që shpallën të pavarur, ku tashmë shiheshin si armiq dhe sa për rolin e tyre në shpalljen e Pavarësisë, ai iu ishte mohuar me lehtësinë e fshirjes së firmës nga dokumenti i 28 Nëntorit, siç ndodhi me Dom Nikoll Kaçorrin, Mit'had Frashërin etj.. Ishte një gjueti e papërmbajtur e firmëtarëve të Pavarësisë, që arrinte deri te eshtrat, që hidheshin në lumë, si ndodhi me Iliaz Vrionin, apo te të bijtë e atyre patriotëve, që hidheshin në burg si djali i Ismail Qemalit.

blank

Me një raprezalje të tillë në prapaskenë, ajo që shfaqej në tribunat e festave të Pavarësisë  mbetej të ishte një shfaqje e shfytyruar nga injeksionet e të pavërtetave.

Ata që u vranë ose ndërruan jetë në burgje

Një nga firmëtarët e Pavarësisë dhe ministër i qeverisë së parë të shtetit shqiptar, Lef Nosi, kur komunistët morën pushtetin, u detyra të maskohej dhe fshihej prej tyre, deri sa e arrestuan më 7 gusht 1945. Lef Nosi, 68-vjeçar u fut në birucë dhe pas pesë muajsh hetuesi doli në gjyq ku më 12 shkurt 1946 u dënua me pushkatim së bashku me Patër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin.

U dënua sepse “si anëtar i Regjencës në kohën e okupacionit nazist, ka bashkëpunuar dhe i ka shërbyer këtij okupatori në dëm t’interesave të larta të Atdheut dhe është përgjegjës për të gjitha krimet, shkatërrimet dhe dëmet materiale të kryera në vendin tonë”.

blank
Lef Nosi, ne sallen e gjyqit

Asnjë krim i tij nuk u vërtetua, por duke i ngarkuar të gjitha fajet e pushtuesve, drejtuesit e Gjykatës së Lartë Ushtarake firmosën dënimin me pushkatim, i cili u ekzekutua menjëherë në periferi të Tiranës. Lef Nosit iu sekuestrua jo vetëm pasuria materiale, por edhe çdo dorëshkrim e studim që do të përbënte një trashëgimi të vyer kulturore e historike nën emrin e tij, të destinuar tashmë për t’u fshirë kudo, edhe nga dokumenti i shpalljes së Pavarësisë.

Gjatë së njëjtës periudhë, u arrestuan edhe tre firmëtarë të tjerë, Shefqet Daiu, Sami Vrioni dhe Qazim Kokoshi, për të cilin nuk mund të thuhej as që kishte bashkëpunuar me pushtuesit, sepse ishte arrestuar dhe internuar në Bergamo prej tyre. Ata ndërruan jetë brenda pak muajsh a vitesh, në burgje nga sëmundje të rënda apo në hetuesi nga tortura njëlloj shfarosëse. Jeta iu mor edhe Qerim Begollit që partizanët jugosllavë e pushkatuan në Pejë dhe Bedri Pejanit që iu dorëzua serbëve, të cilët mendohet se e kanë helmuar. Zihni Hamzaraj Kanina u arrestua ca më vonë, në vitin 1951, provoi torturat në hetuesi dhe më pas u dërgua në Burgun 313 të Tiranës. Gjendja e tij shëndetësore u rëndua dhe ai ndërroi jetë në vitin 1959.

blank
Shefqet Daiu, firmetar i Pavaresise, avokat i Ismail Qemalit

blank

Të dënuar, bashkë me familjet 

Në vitin 1945, u arrestua dhe kleriku mysliman Sherif Langu, duke mundur të dilte i gjallë pas 7 vitesh të kaluara në burg në moshë të thyer. Për regjimin e ri ai ishte “bashkëpuntor i Ballit Kombëtar e Legalitetit, mik i ngushtë i Rexhep Mitrovicës dhe Lef Nosit dhe sabotues i lëvizjes nacionalçlirimtare” dhe jo firmëtar i Pavarësisë. Që këto personalitete shiheshin si armiq të urryer dhe jo fajtorë para drejtësisë që vendoste t’i dënonte me paanshmëri, e tregon hakmarrja e papërmbajtur dhe përndjekja e pafundme ndaj pasardhësve të tyre. Angazhimi patriotik në 1912-ën nuk vlente nëse angazhimi politik i viteve '40, nuk përputhej me pretendimet e Partisë Komuniste dhe ishte e qartë edhe që pushtetarët komunistë nuk mund ta ndanin skenën me bijtë e këtyre familjeve të njohura, që nuk kishin arritur t'i bënin për vete. I biri i Isa Boletinit, u vra me atentat në Shkodër. Dhëndri i Bedri Pejanit, u dënua me pushkatim. Një nga djemtë e Ismail Qemalit u burgos dhe të gjithë pasardhësve të tij iu mohua çdo nderim, deri dhe pensioni special. Djali i avokat Shefqet Dajiut, u dënua me 9 vjet burg dhe të gjithë fëmijëve iu mohua e drejta e arsimimit. I biri i Iliaz Vrionit u burgos…Ngritja e flamurit në Vlorë, apo dhe në qytete të tjera, nuk i mbrojti pasardhësit e atyre patriotëve nga dënimet e regjimit komunist as në raste të tjera, duke e bërë të madh numrin e të dënuarve politikë të diktaturës, baballarët apo gjyshërit e të cilëve ishin vënë në ballë të përpjekjeve për Pavarësi. Nga firmëtarët e mbetur gjallë dhe në Shqipëri, pjesa më e madhe u dënuan nga regjimi komunist, por edhe pjesa tjetër, duke mos pranuar të bashkëpunonte me pushtetarët e rinj, mbeti në hije.

Ajo që kujtohej më 28 nëntor ishte ngritja e flamurit në Vlorë. Të tjerat, sigurisht që kishin rëndësi, por ishin në dorë të regjimit...

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here