Si e fundosi Sigurimi i Shtetit artistin e Teatrit të Operas: Shtresë e pasur, pro regjimit të Zogut, shtëpia e tyre bazë e fashizmit, vëllai i pushkatuar si “armik i popullit”
Fotografia e publikuar më lart ku shfaqet fytyra e diktatorit me artistë të TOB-it, duket se është e dëmtuar në një njërin krah, ekspozohej në hollin e TOB-it. Bëhet fjalë për vitin 1974. Kur u konstatua nga organet drejtuese të diktaturës, u alarmua e gjithë struktura e Sigurimit të Shtetit për të gjetur autorët e dëmtimit të kësaj fotografie. Për këtë arsye nisi menjëherë survejimi dhe më pas përndjekja e vazhdueshme e dhjetëra artistëve të këtij institucioni kulturor.
Në ciklin e artikujve për raportin e Sigurimit të Shtetit, në dosjen për Teatrin e Operas dhe Baletit, do të përqendrohemi kësaj here te historia e një artisti me profesion orkestrues në Teatrin e Operas, në vitet 1970. Është fjala për artistin me inicialet H.M.B i datëlindjes 1922 nga Libohova e Gjirokastrës. Qysh në nisje të pasqyrimit të të dhënave të Sigurimit, rezulton se i survejuari i përkiste shtresës së pasur me arsim të mesëm. Në të dhënat e grumbulluara rreth tij, spiunët e Sigurimit veçojnë se gjatë regjimit të Zogut, familja e tij kishte mbajtur një qëndrim pro atij regjimi duke plotësuar më tej me një informacion akoma më të rëndë për kohën që fliste për shtëpinë e tyre si bazë e fashizmit. Informacioni që e rëndonte edhe më shumë pozitën e artistit ishte edhe ngjarja e ndodhur vite më herët me të vëllanë, i cili ishte pushkatuar nga regjimi komunist i etiketuar si “kriminel lufte”.
Në raportin e Sigurimit, sugjerohet që artisti të largohet nga puna dhe të vazhdojë verifikimi i të gjitha lëvizjeve të tij.
Të njëjtin fat do të kishte edhe një tjetër personazh që i përkiste grupit të këngëtarëve, pjesë e korit të Operas. Artisti me inicialet Th.P.N. i datëlindjes 1926, nga Korça, evidentohet gjtihashtu se i përkiste shtresës së pasur.
“Rrjedh nga një shtresë e pasur tregtarësh. Si para dhe gjatë okupacionit si familje kanë përkrahur ato regjime. I ati ka qenë i burgosur për veprimtari armiqësore dhe ka vdekur në burg. Jemi të mendimit të hiqet nga ky institucion”, theksohet në dosjen e Sigurimit të Shtetit.
I njëjti sugjerim vjen edhe për këtë artist, ku rekomandohet që të largohet nga puna dhe të vazhdojë survejimi i tij.
Survejimi i artistëve të Operas dhe Baletit erdhi pas një ngjarjeje, për regjimin me shumë rëndësi: dëmtimi i një portreti të diktatorit Enver Hoxha. Ishte viti 1974 kur u konstatuan dëmtime të dukshme në portretin e diktatorit, i cili ishte i vendosur në hollin e TOB-it, u angazhua e gjithë struktura e Sigurimit të Shtetit për të gjetur autorët e saj, duke përjashtuar në çdo moment një incident të paqëllimshëm.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.