Familja që u sakrifikua për mikun dhe besën

0
451
blank

Çfarë ndodhi me familjen që nuk e tradhtoi Haxhi Manin. Historia e qëndresës së burrave dhe grave të familjes që pavarësisht kërcënimeve dhe torturave nuk thanë asnjë fjalë për deputetin që mbronte të drejtat e malësorëve. Dy vrasje, burgosje dhe dhjetëra vite internim. Hakmarrja e regjimit që nuk kurseu as djemtë as nënat 

Miku i mirë njihet në kohë të vështirë. Dhe Haxhi Mani kohë më të vështirë nuk kishte pasur në jetë sesa marsi 1963. Zona e Malësisë së Shkodrës që përfaqësonte që në zgjedhjet e para të pasluftës, po vuante nga reformat. Si mik e deputet i malësorëve, kundërshtoi hapur kolektivizimin e detyrueshëm dhe për këtë arsye u konfliktua me udhëheqësit e lartë të Partisë. Një nga të njohurit e tij funksionarë, e lajmëroi për planin e thurur në zyrat më të larta dhe Haxhiu nuk pati rrugë tjetër veçse të fshihej. Kjo është dita kur i kërkoi ndihmë miqve të tij të vjetër. Për në shtëpinë e Dodë dhe Pjetrush Pajës e shoqëroi nipi i tyre, që banonte në Shkodër, Noshi. Tani vështirësia e tij ishte dhe e miqve. Vendosën që ai të strehohej në një shpellë, në shpatet e thepisura malore. Noshi, 27 vjeç, u ngrit dhe tha që nuk do e linte vetëm. Ku të shkonte Haxhiu, do të shkonte ai. Haxhiu sërish kundërshtoi, por Noshi nuk lëvizi nga e tija.

Baresha

Pashka, kunata e Dodës, dinte një shpellë të fshehtë që e kishte hasur kur dilte me bagëti atyre viseve. Vendosën që do të strehoheshin aty. Ishte një vend i vështirë për t’u arritur dhe për t’u pikasur. Ishte detyrë shumë e vështirë për një grua. I kunati e kundërshtoi, por ajo këmbënguli. Haxhiu nuk ishte mik vetëm i shtëpisë së burrit, por edhe i të vëllezërve. Dhe ashtu u bë. Dukej se në atë kohë e në atë vend, edhe burrat, edhe gratë flisnin veç një herë. Duke dalë me bagëti, çdo ditë, ajo merrte pak ushqim dhe ujë që të mos binte në sy dhe ua çonte.

Furnizimi me ushqim dhe ujë vazhdoi për 14 ditë me radhë deri kur shtëpia e Pajajve u rrethua. Shteti ishte mobilizuar për ta kapur deputetin që po kundërshtonte hapur reformat e Partisë dhe kishte rënë në gjurmët e tij, por nuk e kishte zbuluar ku fshihej.

Dy vëllezërit e familjes që e kishte marrë përsipër mbrojten e Haxhiut u morën dhe u çuan në kishën e Rrjollit ku u torturuan në mënyrë shtazarake, por nuk nxorën asnjë fjalë. Miku nuk mund të tradhtohej. Besa e dhënë nuk mund të shkelej. Kishin Zotin dëshmitar! Në tortura, Pjetrush Paja dha shpirt. Doda mbijetoi, për t’u dënuar më vonë me 18 vite burg. Terror dhe presion iu bë edhe grave, por as ato nuk bëzanë. As Pashka, ajo që dinte më mirë sesa kushdo vendin ku fshihej Haxhiu. E kishin imagjinuar çfarë mund t’u ndodhte kur morën përsipër ta ndihmonin mikun. Nëse pranuan atëherë, nuk do të thyheshin tani.

Forcat e shumta ushtarake kishin rrethuar Reçin ku ngritën çadra për dy ditë e dy net, por pa sukses, atëherë zbritën në Koplik. Këtu një banor që jetonte përballë shpellës ku ishte fshehur Haxhi Mani, i cili kishte pikasur lëvizjet e Pashkës, u raporton drejtuesve të operacionit vendin e dyshimtë. Më 8 prill 1963, ata u vendosën rreth shpellës. Tashmë Haxhiu dhe Noshi ishin pikasur.

Kur besa dënohej brez pa brezi

Forcat e rrethuan hyrjen e shpellës dhe i bënë thirrje Haxhiut të dorëzohej. Ai ua bëri të qartë që nuk dilte i gjallë. Siç ka thënë në një intervistë Gjergj Paja, vëllai i Noshit, vite më vonë, Haxhiu u kishte dhënë fjalën malësorëve që nuk do t’i linte në mëshirë të reformave që po u merrnin çdo gjë dhe nuk mund ta kthente mbrapsht këtë fjalë edhe nëse i gjithë shteti do i vihej kundër. Ai u kishte thënë drejtuesve të operacionit që ndodhej aty për ankesat e popullit që kishte mbetur pa bukë ndaj nuk dorëzohej. Vetëm po të vinte Mehmet Shehu do dilte. Atëherë, forcat ushtarake i bënë thirrje Nosh Pajës të dorëzohej. Ai u tha që i kish dhënë fjalën dhe besën dhe pa dalë Haxhiu, as ai nuk dilte që aty dhe nëse do i duhej të jepte jetën sepse e kishte mik. -Atëherë qisni pushkë!- i  provokuan. -Vëllazëvne tanë nuk u qisim pushkë na!-ishte përgjigjur Noshi.-Filloni ju! Atëherë ushtarët filluan të gjuajnë të parët. Batareja zgjati 7 apo 8 orë siç dëshmojnë banorët e zonës. Në një kohë, vendosën të ndalojnë, por kur ushtarët iu afruan shpellës, Haxhiu dhe Noshi ishin ende gjallë. Dy trimat dolën te gryka e shpellës dhe përdorën gurët e fundit duke hedhur disa granata atëherë forcat e shtetit filluan të përdorin artilerinë e rëndë. U dëgjuan gjashtë shpërthime predhash. Haxhi Mani dhe Nosh Paja mbetën të vrarë: njëri në prag të ‘50-ave sepse u kishte dhënë fjalën malësorëve dhe tjetri në lule të moshës sepse i kishte dhënë fjalën mikut.

Hakmarrja nuk do të vazhdonte vetëm me kufomat që u shëtitën deri në Koplik e pastaj nuk dihet ku u hodhën, as vetëm me familjen e deputetit që u internua në Borsh të Sarandës, por edhe me familjen Paja. Atë kullë njerëzish të besës, diktatura e boshatisi duke i internuar të gjithë në fshatrat e Myzeqesë. Nuk kursyen nga dënimet e egra as gratë. Vetëm pak ditë më pas, shkuan të arrestonin mamanë e Noshit. E dënuan fillimisht me pushkatim, por pastaj ia kthyen me 25 vjet burg. Një dënim shumë i rëndë, por për atë grua që kishte humbur të birin asgjë nuk mund të ishte më e rëndë. Pritën ca sa edhe një djalë tjetër i familjes, Preka, i biri i Pjetrit, të arrinte moshën madhore dhe e arrestuan edhe atë. “Më dënuan me 8 vjet burg, nga të cilat bëra 6 sepse dy m’u falën. Kur më morën, lashë në shtëpi nënën sakate dhe motrën 10 vjeçe”, ka treguar ai në një intervistë për “Histori me zhurmues” të TV Klan.

Vuajtjet e tyre nuk morën fund derisa diktatura mori fund. Jo vetëm të rriturit, por edhe më të vegjëlit u ndëshkuan. Ishte koha kur njerëzit duhet të mësoheshin të trashëgonin frikën?

 

Në foton kryesore: Nosh Paja

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here