Nemira Asllan Bumçi, lindur në vitin 1922 në Gjirokastër, por me banim në Tiranë, me profesion rrobaqepëse, nënë e tre fëmijëve, ishte 52 vjeç kur u arrestua. Vuajti dënimin aq sa i dha gjykata, në vitet 1974-1981, duke u liruar në moshën 59 vjeçe. Në fakt rrallëherë shfaqen persona që të kenë vuajtur 100% dënimin e dhënë nga gjykata. Sepse kohë pas kohe dilnin amnisti apo përfitonin nga ditët e punës që kryenin gjatë vuajtjes së dënimit. Asnjë mëshirë nuk tregonte regjimi as ndaj grave.
Nemira u arrestua më 30.8.1974. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal, pra për agjitacion e propagandë. Gjykata Popullore e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.556, datë 28.11.1974, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 7 vjet heqje lirie. Në ankimin e vendimit të shkallës së parë, ajo shprehej se duhej prishur sepse mungonin elementët e figurës së krimit (ana subjektive), pasi pakënaqësitë i ka shprehur pa u nisur nga qëllimi “për të dëmtuar ose minuar pushtetin popullor”. Megjithatë, dënimi u la në fuqi me vendimin nr.12, datë 20.1.1975 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Në vendimin e kësaj gjykate, ndër të tjera thuhej:
“Kur ka folur për pakënaqësitë ekonomike, kjo ka pasur parasysh anën ekonomike të familjes së saj. Po kështu ka shfaqur pakënaqësi ngaqë nuk i janë plotësuar disa dëshira...
Por nga materialet e çështjes ka rezultuar se e gjykuara..., ashtu si me të drejtë e ka pranuar gjykata, ka patur një predispozicion të vjetër armiqësor ndaj pushtetit popullor e për pasojë, bisedat armiqësore me këta persona ajo i ka bërë për të minuar ose dobësuar atë. Në këto rrethana, cilësimi i veprës në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal është i drejtë.
Edhe masa e dënimit që ka caktuar gjykata duhet të konsiderohet e drejtë. E gjykuara ka kohë relativisht të gjatë që agjiton e propagandon kundër pushtetit popullor, duke iu kundërvënë masave revolucionare që ka marrë partia e pushteti”.
Citohej se ishte e pakënaqur nga transferimi i djalit të saj inxhinier në Elbasan, mosdhënia e së drejtës së studimit për djalin tjetër, etj”.
U lirua më 30.8.1981 nga Reparti nr.318 Kosovë, duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi, nga amnistitë apo me punë.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.