Historia e mjekut të palodhur dhe kirurgut të shkëlqyer, që u dënua dy herë nga regjimi komunist duke provuar për 6 vjet burgjet dhe kampet e punës
Emrin e Dr. Spiro Treskës e gjen lehtësisht në historikun e Spitalit të Tiranës si përgjegjësi i repartit të parë të lindjeve në vitin 1937 dhe sidomos në atë të Durrësit si themelues i kirurgjisë dhe gjinekologjisë në këtë qytet. Siç vë në dukje Bashkim Habibi, autori i librit “Historiku i spitaleve të Durrësit”, Dr.Treska, për aftësinë dhe përkushtimin që kishte ndaj pacientëve, fitoi respektin e durrsakëve që i dhanë titullin moral “Mjeku i nënave”, por Dr. Spiro Treska nuk është vetëm mjeku i përmendur në historikët e spitaleve, por edhe ish-i dënuari politik që të burgosurit e përmendin si një nga mjekët e kampeve të punës. Për rreth 6 vjet, në dy dënime të ndryshme, ai provoi burgjet e komunizmit, ku me mjetet e pakta që gjendeshin në infermieritë e kampeve, u erdhi në ndihmë të dënuarve që plagoseshin në punë.
Spiro Treska u lind në fshatin Treskë të Korçës më 24.01.1902. Shkollën e mesme e kreu në Athinë, ndërsa studimet e larta ne Fakultetin e Mjekësisë të universitetit "Ludovico Maximiliniea" në qytetin e Mynihut, ku mbrojti dhe disertacionin për titullin doktor në mjekësi në vitin 1930. Deri në gjysmën e vitit 1931 punoi në klinikën universitare të Konigsbergut ku u specializua për kirurgji, gjinekologji dhe për mjek të ndërhyrjes së shpejtë. Po atë vit, u kthye në Shqipëri.
Fillimisht punoi në Korçë, ndërsa nga viti 1933-1935 punoi mjek kirurg në spitalin ushtarak Tiranë. Në vitin 1937, Mbreti Zog e dekretoi operator të dytë dhe gjinekolog të spitalit të përgjithshëm “Zogu i Parë”, ndërsa dy vjet më vonë, ai do të ishte një nga mjekët e ekipit që asistuan mbretëreshën Geraldinë në lindjen e princit Leka I. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, u pushua nga puna dhe punoi privatisht në Tiranë në vitet 1940-1943. Në librin “Historiku i spitaleve të Durrësit”, botuar nga “Morava”, më 2012, shkruhet se me ndërhyrjen e tij, të kryepeshkopit të Ardenicës Irine Banushi dhe klerikut Erazmi Jorgo, në komandën gjermane në Tiranë u ndalua nisja e 450 të rinjve shqiptarë për në kampin nazist të Prishtinës.
Pas mbarimit të Luftës, punoi për një vit kirurg dhe gjinekolog në spitalin e Elbasanit dhe në vitin 1945 hapi për herë të parë maternitetin në qytetin e Durrësit. Ai vuri në përdorim instrumentet që kishte blerë vetë në Gjermani madje kontribuoi edhe me para për sallën e operacionit dhe sallën e lindjes.
Dr. Treska u bë kështu themelues i kirurgjisë dhe i gjinekologjisë në Durrës, por ai nuk arriti të punonte më shumë sesa dy vjet në qytetin bregdetar, pasi më 1947 vjen arrestimi i parë. “U arrestua dhe u dënua nga regjimi komunist si intelektual me pikëpamje perëndimore dhe meqenëse nuk pranoi të bashkëpunonte në sigurimin e shtetit”, shkruhet për Dr.Treskën në “Historikun e Spitaleve të Durrësit”.
Qëndroi dy vjet në burg, deri më 1949. Kësaj periudhe i takojnë dëshmitë e ish-të burgosurve që kanë qenë të dënuar në të njëjtën kohë me të. Skënder Stefanllari kujton një ngjarje të vitit 1948, kur gjatë punës në kampin e Vloçishtit, gjenerali Sulejman Vuçiterna preu gishtat e këmbës me bel dhe të dënuarit e çuan në infermierinë e kampit. “Atje, mjeku Isuf Hysenbegasi, bëri sa mundi për t’i ardhur në ndihmë së bashku me kirurgun Spiro Treska (ardhur nga Burgu i Durrësit), i cili e njihte personalisht në jetën e lirë zotin Sulejman”, shkruan Stefanllari.
Pasi dol inga burgu, duke qenë i domosdoshëm, Dr.Treska punoi sërish në spitalin dhe maternitetin e Durrësit deri në vitin 1954, kur e riburgosin. Sigurimi vazhdonte t’i bënte oferta për bashkëpunim të cilat dr.Treska i refuzonte dhe për këtë arsye e futën sërish në burg, deri në vitin 1958. Gjatë viteve të dënimit, ai provoi vuajtjet e kampeve të punës të Radostinës në Fier, të Rinasit në Tiranë e të Bulqizës, nga shkëputej kur regjimi për nevojat e tij e dërgonte të kryente shërbime të caktuara mjekësore në spitalet dhe maternitetet pranë këtyre kampeve.
Pas dënimit të dytë, u dërgua të punonte në spitalin e Peshkopisë, të Kukësit dhe më vonë atë të Shkodrës gjithmonë i mbikëqyrur nga Sigurimi. Pasi doli në pension si invalid, më 1961. Pas kësaj u kthye në Durrës, ku punoi në Poliklinikën e qytetit me orë të zgjatura.
Në librin për historikun e spitaleve të Durrësit, mjeku Bashkim Habibi, shkruan se Dr.Treska ishte një mjek shumë i saktë, i shpejë e me intuitë, që operonte në dy tavolina me anestezi lokale ose me eter me pika dhe pavarësisht mungesave, u shpëtoi jetën shumë pacientëve. Njëkohësisht, ai ishte një mjek i palodhur, gjithmonë i gatshëm, t’u vinte në ndihmë të sëmurëve, në çdo orë të ditës e të natës, duke u shërbyer jo vetëm qytetarëve të Durrësit, por edhe të Kavajës, Shijakut, Rrogozhinës e Krujës. Dr.Treska ishte një intelektual i mirëfilltë, njohës i 4 gjuhëve të huaja, zotërues i një biblioteke të pasur, nga e cila përkthente me iniciativën e tij nga gjuha gjermane materiale që ia shpërndante stafit me të cilin punonte.
Dr. Treska u nda nga jeta më 24.03.1966. Regjimi komunist nuk formuloi asnjë fjali për të, por kleriku i Durrësit Erazmi Jorgo mbajti një fjalim të denjë për atë njeri e mjek të mrekullueshëm, ndërkohë që Durrësi e ruajti në vite kujtimin e mirë për Dr.Spiro Treskën dhe sot, në qytet ka një rrugë me emrin e tij.
Informacionet biografike dhe fotot janë marrë nga libri “Historiku i spitaleve të Durrësit” i autorit Bashkim Habibi, botimet "Morava", Tiranë, 2012.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.