Dy aktet e një vepre operistike që nuk përfundoi kurrë!

0
390
blank

Historia mbresëlënëse në burgun e Ballshit me poetin, studiuesin dhe përkthyesin, Nikollë Dakaj e kompozitorin, Zef Lekaj

“Në qoftë se e don atdheun, duhet të vish urgjent për nevoja të arsimit”, kjo ishte thirrja e Ernest Koliqit dhe Karl Gurakuqit që e ktheu në atdhe Nikollë Dakajn. Ai studionte në Universitetin Antonianum të Romës. Menjëherë pas thirrjes së atdheut, Nikollë Dakaj iu drejtohet me këto fjalë drejtuesve të universitetit në Romë: “Mua më kërkon atdheu dhe do të largohem”. Ata kundërshtuan dhe i thanë që “nuk do të ikësh në asnjë mënyrë. Ne të kemi piketuar që do të të vëmë në një detyrë të madhe këtu në universitet, do të të mbajmë këtu” dhe kundërshtuan me forcë, mirëpo ai u tha: “Më kërkon atdheu dhe unë nuk mund të rri”.  Kështu u largua nga një e ardhme e ndritur që e priste për t'u kthyer në vendin e tij të varfër e për të kontribuar për arsimimin e Shqipërisë.

Nikollë Dakaj është një ndër intelektualët e nderuar në historinë e Shqipërisë, poet, përkthyes me aftësi të rralla në latinisht, greqishten e vjetër, italisht etj.. U dallua si estet, si historian e mbledhës folklori dhe si gjuhëtar e dramaturg.

blankSi përkthyes nga latinishtja, greqishtja e vjetër dhe italishtja Nikollë Dakaj bëri të mundur përkthimin e kryeveprave botërore. Kështu që ai u paraqit në Tiranë, shkoi në ministri dhe e mbajtën në ministri nga shkurti deri në muajin tetor, ku u angazhua me redaktim tekstesh. Në tetor, u emërua në Elbasan, në Normalen e Elbasanit ku qëndroi 2 vite shkollore, atje ku jepte latinishten dhe greqishten e vjetër. Më pas, tranferohet në Liceun e Tiranës, ku jepte mësim edhe Arshi Pipa.

Ishte vitit 1945 kur zëvendësministri i Arsimit, Shemsi Totozani, në Liceun e Tiranës, mbledh trupin mësimor dhe u thotë: “Me vendim nga lart, nga udhëheqja lart, Fishta përjashtohet nga shkolla shqipe si shovinist”. Nikollë Dakaj e kundërshton me vendosmëri e me argumente përjashtimin e Fishtës. Zyrtari komunist e humbi durimin dhe i drejtohet: “More reaksionar, more katoliku i Papës...”

Ndërkohë Nikolla kishte humbur një tjetër shans për t'u kthyer në Itali, edhe pse ishte lajmëruar nga miqtë e tij se e ardhmja në atdhe nuk ishte më e sigurt për të. I kishte mbërritur një sinjal nga Koliqi e Gurakuqi të cilët i kishin thënë se: “është e pamundur, nuk çahet, kështu që detyrimisht më mirë hajde tani dhe të shkojmë në Romë”. Ky thotë: “Unë e ndava mendjen, e lashë Romën dhe erdha këtu dhe deri në fund do të punoj këtu, do të vazhdoj këtu”. Pas përplasjes me zyrtarin komunist të Ministrisë, Nikollë Dakaj u transferua në Korçë, atje ku dhe do të arrestohej e do të dënohej me 15 vjet burg. Pas disa faljeve, ai u lirua duke kryer vetëm 5 vjet burg dhe u kthye në Institutin e Përkthimeve të Tiranës, të gjuhëve klasike, punoi aty si redaktor megjithëse ishte i burgosur dhe në përfundim i ofruan ta mbanin në Tiranë që të punonte aty, por pa të drejtën e emrit. Ai u tha që “pa lekë punoj, por jo pa emër”. Nuk e pranoi një ulje të tillë që të punonte pa emër, kështu që prej aty u kthye në fshat te prindërit, atje ku u vendosën në Hotin e Ri.

Do të kalonin kohë përmes peripecive dhe përndjekjes deri në arrestimin e dytë në moshën 58-vjeçare. U ridënua me 10 vjet burg. Dënimin e kreu në Ballsh dhe në Zejmen. Në Ballsh u ritakua me kompozitorin, Zef Lekaj. Të dy bashkë nisën të mendojnë për të nisur shkrimin dhe kompozimin e një vepre operistike.

Zef Lekaj i kishte propozuar Nikollës që të bashkëpunonin për një vepër operistike siç ishte opera “Mrika”. Nikolla e nisi punën dhe shkroi dy akte, aktin e tretë nuk arriti. Zefi kompozoi aktin e parë. Kur dolën nga burgu shumë pjesë kishin humbur.

blankJa si e rrëfen i biri i Nikollë Dakajt bisedën me të atin për pjesën operistike: “Unë i thashë që ta fillonte edhe një herë se ndoshta bënte edhe aktin e dytë, se me dy akte është e realizuar, edhe pa aktin e tretë. Më tha që nuk kishte më fuqi, se kishte marrë fund dhe nuk ishte në gjendje të bënte asgjë. Në atë kohë babai doli nga burgu shumë i lodhur. Edhe babai, edhe Zefi. Shumë të lodhur. Madje ka qenë një histori sepse u bë një falje dhe Zefi ka shkruar diçka në lidhje me babanë dhe tregon që “atje në burg kohët e fundit u tha që po na fal Enver Hoxha më duket se ndodhi një falje me 2 vite apo diçka e tillë”. Babai i kishte thënë: “Jo more Zef, nuk del mjaltë nga grethi”. Dhe ashtu ndodhi. U falën gjithë ata njerëz, por Zefi dhe Nikolla nuk u falën sepse këta dilnin nga shkollat fetare dhe dihej ajo”, rrëfën i biri i Nikollë Dakajt.

Zef Lekaj e Nikollë Dakaj e kryen të plotë dënimin dhe dolën të rraskapitur nga burgu. Ata nuk ia dolën dot më të vazhdojnë veprën operistike që kishin nisur në burg. Vepra mbeti me dy akte ndërsa Nikollë Dakaj ndërroi jetë vetëm një vit pas daljes nga burgu.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here