Iljaz Ago Sela, i vitlindjes 1939, lindur në fshatin Burim e banues në Vojaikë të Rrethit Dibër, u arrestua më 15.8.1983. U akuzua në bazë të nenit 47/gj të Kodit Penal për tentativë arratisjeje në fazën e tentativës. Më parë, në vitin 1968 ishte dënuar për moskallëzim krimi me 5 vjet heqje lirie. Pas daljes nga burgu i parë ishte dërguar specialist murator në Laç, por prej andej ishte larguar në maj 1983. Pas largimit nga puna, kish punuar murator privat.
Më 14.8.1983, duke përfituar nga një ftesë për dasmë, duke pasur një pincë dhe një thikë me vete, niset drejt kufirit në fshatin Bllatë e Poshtme, në vendin e quajtur Reshan. Arrin të kalojë klonin, por, kur ishte vetëm 30 metra larg kufirit, kapet nga njësiti i përbërë nga tre ushtarë kufiri dhe dorëzohet në Degën e Punëve të Brendshme.
Gjakata, midis të tjerash, shprehej: “Në caktimin e masës së dënimit, gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës, raportet e rëndësishme që janë prekur, të cilat kanë të bëjnë me pavarësinë e RPSSH, fuqinë mbrojtëse të atdheut tonë socialist, faktin që faza e realizimit të saj ka qenë shumë e avancuar dhe se ajo nuk u realizua për shkaqe të pavarura nga vullneti i të pandehurit, por gatishmërisë së plotë dhe vigjilencës së lartë që tregoi njësiti kufitar në këtë pikë”.
Gjykata e Rrethit Dibër, me vendimin nr.89, datë 28.9.1983, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 14 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.
U lirua më 7.8.1990 nga Reparti nr.325 Tiranë, me dekretin nr.7402, datë 31.7.1990 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Në foto: Kloni ku kaloi kufirin