Dosja e 1945-ës/ Gjyqi i vështirë i Abdulla Ramit, si i shpëtoi dënimit me vdekje avokati i diplomuar në Montpelier

0
1075
blank

Pse kërkonte me çdo kusht dënimin me vdekje për avokat Ramin prokurori Nesret Osmani? Dëshmia e bashkëshortes së Abdulla Ramit, Gjyrxhies:“Gjithë floririn që kishim ia dhamë kryetarit dhe anëtarëve të gjyqit, - tregonte ajo. Ndryshe Abdullain do ta kishin pushkatuar si shumë intelektualë të tjerë të pafajshëm...ˮ

Nga Ermira Xomaqi Godo

Procesi gjyqësor i Abdulla Ramit është një model i proceseve gjyqësore formale e krejtësisht të sajuara të kryera në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Ai është një ndër ato qindra e mijëra procese të cilat çuan në dënimin kapital si edhe në burgime të gjata të gjithë elitës intelektuale dhe politike, të gjithë atyre njerëzve të cilët i bënë qëndresë dhe kundërshtuan vendosjen e këtij regjimi. Dënimi i tij është një nga aktet më të padenja që shënoi shkatërrimin përfundimtar të krejt karrierës së juristit të diplomuar në Europë, të së ardhmes së tij dhe gjithë familjes që ai përfaqësonte.

Proces gjyqësor i detajuar si më poshtë, është paraqitur në bazë të dosjes nr 522,  që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shtetit Shqiptar. Dhe pavarësisht nga procedura formale e gjykimit të Abdulla Ramit, ai bënte pjesë në listën e personave që me urdhër të Enver Hoxhës, duhej të merrnin dënimin maksimal.

Abdulla Rami vuajti për rreth dy vjet në Burgun e Kalasë së Gjirokastrës. Edhe procesi gjyqësor i tij u bë në Gjirokastër. Sikurse dëshmon edhe bashkëvuajtësi Kajtaz Çelo, në kujtimet e tij:

“Dalin në gjyq me rradhë, profesori jurist Abdulla Rami, i cili dënohet thjesht për bindje politike. E dënuan me 30 vjet burg nga të cilat vuajti 18 vjet. Haki Tahiri dënohet me 30 vjet burgim dhe vdes në burg. Avdulla Haxhiu dënohet me 15 vjet burg…ˮ

Më poshtë është një paragraf i shkëputur nga proces verbali i Prokurorisë së Gjyqit Ushtarak pranë qarkut të Gjirokastër, mbajtur më 27 Korrik 1945.

Këshilli Gjyqësor Ushtarak

Pranë Komandës së Qarkut të Gjirokastrës. Nr 88 dosje.

27/07/1945

Proçes verbal

Sot me kohë të caktuar gjyqi u formua prej:

Mustafa Qilimi, Kryetar i Gjyqit, Ago Çela, Anëtar, Xhemal Shehu,  Anëtar

Duke qenë gati, prokurori i Gjyqit Kiço Proko, me asistencën e sekretarit Teli Zoto.

Tasho Lolin, Avokat

U soll nga burgu duke qenë i shoqëruar i pandehuri Abdulla Rami dhe duke mos qenë i penguar u vu në vendin e posaçëm dhe gjyqi u çel botënisht.

Mbi këtë i pandehuri tha se: emëroj përfaqësues dhe avokat mbrojtës z. Tasho Loli. Ky i fundit duke qenë gati e pranoi. Gjyqi fillon botënisht.

Abdulla Rami i biri i Tasimit dhe i Alimes, vjeç 37, lindur në katundin Tatzat të Delvinës, i martuar me tre fëmijë, i padënuar, gjyqtar i karrierës, me shkollë universitare, në kohën e Ballit ka qenë Sekretar i Komitetit në Gjirokastër. Në kohën e Zogut është dënuar si antizogist.

U këndue akuza e të pandehurit dhe kur u pyet deklaron:

Unë kam ardhur në Gjirokastër (nga Kosova) në muajin gusht 1943, domethënë pas mbledhjes së Mukjes, me detyrë si sekretar në Komitetin e Ballit të Gjirokastrës... me urdhrin e Komitetit Qëndror, me qëllim që të bëhej një punë konform dekalogut (…). Komiteti i  Gjirokastrës në të cilin dhe unë bëja pjesë si sekretar, kishte vendosur luftën kundër okupatorit… dhe jo vetëm luftën kundër italianëve por edhe kujtdo tjetër që okuponte vendin tonë (…). Dhe kjo organizatë luftoi disa herë, në Vlorë me Hysni Lepenicën e gjetkë. Balli Kombëtar ka luftuar edhe kundër gjermanëve në Cepo (…). Kur është kthyer Neshat Kolonja nga pozicionet kundra gjermanëve e kam takuar në katundin Zhulat dhe më ka thënë se kishin luftuar kundra gjermanëve. Eshtë e vërtetë që kam qënë në katundin Tatzat ku atje kam propaganduar në favor të Ballit (…). Eshtë e vërtetë që kam bërë mbledhje në katundin e Kalasës, me rastin e formimit të çetës së Nazif Haderit dhe këtu kam folur në bazë të dekallogut të Ballit (…). kur kam qënë në Gjirokastër dhe pikërisht me Merçes Alinë më është hedhur një bombë (...). Në Dhjetor 1943,  kam mbajtur një fjalim kur ka vdekur Haziz Çami, ku kam lavdëruar të kaluarën e tija. Haziz Çami ishte eksponent i Ballit Kombëtar dhe u vra nga Fronti Nacional Çlirimtar. Kam marrë pjesë në mbledhjen e Vaut të Dafinës (…). Në atë mbledhje morën pjesë edhe Haki Tahiri si përfaqësues i Ballit, Fadil Çuçi, Koço Muka... Është e vërtetë që në shtëpinë time në Tatzat, në shtator të vitit 1943 kam biseduar me Jaho Gjolikun, Mustafa Matohitin dhe të tjerë anëtarë të FNÇ. Në këtë bisedë krejtësisht Akademike, kam mbrojtur gjithashtu idenë se Balli Kombëtar është një organizatë me tendenca krejtësisht Demokrate, ndërsa Lëvizjes Nacional Çlirimtare është me tendenca krejtësisht komuniste.ˮ

Akuza

Në mbështetje të normave përkatëse të ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake, pasi i përmënduri rëndohet me akuza të tilla që e karakterizojnë si armik të popullit, referohet për gjykim.

1)         Pse si sekretar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar për Gjirokastrën, ka punuar me zell për të lidhur popullin e Gjirokastrës me këtë organizatë (...)

2)         Pse ka bërë axhitacion në favor të Ballit Kombëtar (...)

3)         Pse ka përvetësuar parrullat e Ballit Kombëtar (...)

Pas kësaj seance gjyqësore për dëgjimin e dëshmitarëve të provës dhe të akuzës, gjyqi shtyhet për në datën 31 Korrik 1945 në orën 5 mbasdite.

Në pretencën e tij Prokurori i këshillit të Gjyqit ushtarak, Kiço Proko, kërkon dënimin me vdekje:

Abdulla Rami nga Tatzati vjeç 37 (…)

Eshtë koshient për gjithë aktivitetin e tij të zhvilluar në organizatën e Balli Kombëtar

Kërkojmë të vendoset fajtoria e tij dhe njëkohësisht dënimin e tij me vdekje.

2 Gusht 1945

Nënshkrimi, Prokurori i Gjyqit Ushtarak

Kiço Proko

Abdulla Rami u mbrojt në gjyq nga avokati Tasho Loli, i cili paraqiti mbrojtjen e tij më 2 gusht 1945. Mbrojtja e tij u përballua me akuzën e prokurorit të gjyqit, i cili kërkonte dënimin e Ramit me vdekje. Në mbrojtjen e avokatit Tasho Loli, ndër të tjera shkruhej:

  1. Kryetar

Z.Z. Gjykatës

I përfaqësuari im Abdulla Rami duke u bazuar në dekallogun e famshëm të organizatës Balli Kombëtar që midis të tjerave predikonte dhe luftën kundër okupatorit, u bë anëtar i kësaj organizate dhe pranoi detyrën që ju ngarkua nga komandanti i jugut Hysni Lepenica si sekretar i Komitetit Qarkor të Gjirokastrës (…) Ka bërë mbledhje në Vaun e Dafinës, në fshatin Kalasë ku ka shpjeguar Degallogun. Në fshatin Tatzat biseda me shokun Mustafa Matohiti, ka qenë një bisedë private Akademike rreth pikës politike të Ballit dhe Frontit Nacional Çlirimtar (…)

Meqënëse apologjinë e tij përpara gjyqit e bëri me sinqeritet të plotë dhe pa gënjyer gjyqin e popullit (…)

Meqënëse gjatë kohës që ka shërbyer si Sekretar i Organizatës për Qarkun e Gjirokastrës, nuk rezulton të jetë nxitës ose autor i ndonjë vepre kriminale (...)

Meqënëse para Gjyqit ka mbajtur një qëndrim shumë të mirë dhe ka treguar sjellje shumë të mira.

Meqënëse mbas largimit të okupatorit nuk mendoj asnjëherë të dilte jashtë kufijve ose të fshihej si kundër vepruan shumë të tjerë. 

Kërkoj:

Për të gjitha këto, shkaqe lehtësore që konkurojnë në favorin e të përfaqësuarit tim, ndëshkimi i tij të jetë kondisionel.

Gjirokastër 2/08/1945

Vdekje Fashizmit Liri Popullit

Nënshkrimi, Av. Tasho Loli.

Në disa nga deklaratat e paraqitura në këtë proçes gjyqësor shkruhet:

Deklaratë

Unë Ago Çela, komandanti i Qarkut dhe banues në Gjirokastër, deklaroj se në muajin shtator 1943, kemi qenë në katundin Tatzat të Delvinês dhe pikërisht në shtëpinë e Hasan Ramit së bashku me Mustafa Matohitin dhe Jaho Gjolikun. Këtu ka ardhur dhe Abdulla Rami dhe kemi biseduar rreth organizatës “Balli Kombëtar”.  Abdulla Rami merr fjalën dhe na thotë: “mbas Nacional Çlirimtares është fshehur një komunizëm i gjallë!” Mustafa Matohiti i përgjigjet: “një ditë shpejt ose vonë do të dilni në gjyq para popullit për të dhënë llogari”.

26 Korrik 1945, Firma.

Deklaratë

I nënshkruari Avokat Aristidh Totozani:

Gjatë kohë së qëndrimit të Abdulla Ramit në Tiranë në vitin 1944, kam biseduar shumë herë me të për çështje profesionale (…). Përpiqesh që të çelte Zyrë Avokatore, të cilën e hapi në Prizren.

Lëshoj këtë deklaratë për ta paraqitur ku t’i shfaqet nevoja.

Tiranë 1 Gusht 1945, Firma.

Deklaratë

Kam dijeni të plotë për qëndrimin e tij politik qysh në beharin e vitit 1941. I kthyer atëherë nga Franca, kishte një urrejtje për Italinë dhe një simpati për Demokracinë frënge. Më 1942 ka qenë gjykatës në Gjilan të Kosovës, kur unë ndodhesha mësues në Prishtinë. Më vonë mora vesh se ai qe me Ballin dhe bile kish ardhur nga anët e Delvinës… ka qenë shumë kryelartë.

Ymer Malo

3 Gusht 1945 Gjirokastër, Firma.

Deklaratë

Të nënshkruarit Këshilla e Frontit dhe e Pushtetit të Katundit Tatzat deklarojmë si më poshtë:

Mustafa Matohiti dhe Jaho Gjoliku kanë pasë ardh në katun dhe janë prit për darkë nga Abdulla Rami... Kur është vrarë Hazis Çami në Tiranë, Abdullai mbajti fjalim n’emën të popullit të Gjirokastrës, midis të tjerash tha: Komandant gjunjëzohem para teje. Të vranë terroristat, të shiturit, por shpejt do të merret haku.

Tatzat 16.3.1945

Kryetari i Këshillës Niazi Tahiri, Isuf Reizi, Mejdan Dino, Zeko Miraçi.       

Më 2 gusht 1945, Abdulla Rami, i vënë në bankën e të akuzuarve, paraqet përpara trupit gjykues fjalën e mbrojtjes që e titullon “Promemorie”. Ky dokument hedh dritë edhe njëherë mbi veprimtarinë, aktivitetin dhe pikëpamjet e tij politike në periudhën e vitit 1943 deri në dhjetor të vitit 1944.

Më poshtë një fragment nga kjo promemorje shkruar dhe nënshkruar prej tij, në burgun e Kalasë së Gjirokastrës, më 3 korrik 1945.

blank

blank

Promemorje

  1. Kryetar

Z.Z. Gjyqtarë

Siç deponova në hetuesi edhe para asaj të ndershmes Gjykatë, vënia ime në lëvizje lidhet qysh më datën 2 Gusht 1943, me “Mbledhjen e Mukjes”, ku të dy frontet erdhën në kontakt dhe përfunduan në një rezolutë harmonie dhe bashkëpunimi, duke ruajtur secili personalitetin dhe individualitetin e tij për një luftë të pamëshirshme kundër çdo okupatori dhe për këtë u krijua «Komiteti për çlirimin e Shqipërisë», i cili u pranua unanimisht nga të dy palët.

Me këtë frymë bashkëpunimi, unë marr pjesë në disa mbledhje ku shpjegoj programin e Ballit Kombëtar simbas dekallogut; në këto konferenca kanë qënë prezent edhe përfaqësues të Frontit Nacional Çlirimtar dhe problemi është rrahur në frymë bashkëpunimi (…).

Konviksjonet dhe bindjet intime të çdo njeriu janë ato më të shenjtat, që formohen mbas një përvoje të gjatë dhe vdesin vetëm me njerinë, janë aq të shtrenjta sa jeta vetë, kështu që këto nuk mund të preken as që mund të pranojnë cënimin më minimal (...).

  1. Kryetar Z.Z. Gjyqtarë:

Duke e ndjerë veten krejt të pafajshëm e bile shumë koseguent me mobilet që më determinuan në pjesëmarje t’organizatës Balli Kombëtar,

KËRKOJ

Nga ajo Gjykatë deklarimin e pafajësisë sime.

Në rast të kundërt akordimin e ndëshkimit kondicjonel, konformë Nenit 16, paragrafi i parë, Nenit 19 paragrafi i I dhe V, Nenit 26 e 29 paragrafi i I-rë .

 Paraqitur në  Gjykatën Ushtarake më datën, 3 Korrik 1945.

I akuzuari Avokat  (Abdulla Rami) firma

Në këtë “Promemorie”, Abdulla Rami kërkon pafajësinë, kërkon pezullimin e çështjes, dhe në bazë të Nenit 19 paragrafi I, kërkon shkaqe lehtësore, kërkon apelim. I kërkon Gjykatës të ngrihet në sferën më të lartë të misionit të saj, duke gjykuar me ndërgjegje të lirë sipas Nenit 26 dhe 29 të Kodit Penal.

Trupi gjykues tërhiqet për të marrë vendimin dhe më 6 Gusht 1945, jepet  gjykimi përfundimtar.

Vendim

Abdulla Rami i biri i Tasimit dhe i Minesë, 37 vjeç, i martuar me tre fëmijë, gjyqtar i karrierës universitare, i dënuar në kohën e Zogut si anti-zogist, në kohën e Ballit, ish sekretar i Komitetit të Gjirokastrës, deklarohet fajtor dhe cilësohet: armik i popullit për këto faje:

Ka bashkëpunuar dhe ndihmuar në forcimin e organizatës tradhëtare Balli Kombëtar...

Ka vepruar kundër interesave të nalta të atdheut, kundër frontit e lëvizjes Nacional Çlirimtare, si propagandist e axhitator ...”

Në vazhdim të këtij proçesi gyqësor, me vendim të Gjykatës Ushtarake Gjirokastër dhe me aprovimin e Akt-gjykimit Nr. 88 të kësaj Gjykate:

Abdulla Rami dënohet me 30 vjet heqje lirie dhe heqjen e të drejtave qytetare dhe politike për 10 vjet kohë”.

Gjykata

“ ... i akordon të pandehurit  shkaqe lehtësore të parashikuara nga Neni 16 paragrafi i I, Nr. 41, datë 14.01.1945. Për këto arsye dhe në bazë të Nenit 15 dhe 16 paragrafi i I.18 gërma G, të ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake… Nenit 18 gërma G dhe 19 paragrafi III dhe Neni 12 dhe 29 paragrafi i I të ligjit në fjalë, si dhe i ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake: unanimisht u vendos siç përshkruhet në dispozitivin e këtij vendimi.

Gjirokastër 6/8/1945

Kryetari

Miço Gramatiko, Firma

Sekretari

Mustafa Qilimi, Firma

blank

blank

 Rreth një muaj më pas, Prokurori i Gjyqit Ushtarak, të rrethit të Fierit, Nusret Osmani, kërkon rigjykimin e çështjes së Avokat Ramit dhe dënimin më të rëndë për të. Si më poshtë deklarata e tij:

Ushtria Kombëtare Shqiptare                                                            

V.F.L.P

Prokuroria Ushtarake                                                                        

Fier më 25/9/1945

Nr Extra

Shok Prokuror dhe shok Gjyqtar

Deklaratë

Mbi të pandehurin Abdulla Rami

Unë i nënshkruari Nusret Osmani nga Tatzati dhe me detyrë këtu në Fier si Prokuror i Gjyqit Ushtarak, Deklaroj: Mbasi muarëm vesh dënimin e çuditshëm të tradhëtarit me damkë Abdulla Rami që u dënua me 30 vjet burg, na bëri që të bëhemi pesimistë dhe të detyrohemi t’i vëmë në dukje edhe njëherë krimet dhe tradhëtitë e tija (…). Ka qenë adjutant i Ismail Hakiut krahu i djathtë i tija. (…) Abdulla Rami ka punuar me misionin e tij propagandist: në Rrëzomë, Delvinë, Gjirokastër, Këlcyrë, Berat, Lushnje, Tiranë, Shkodër e Prizren, kudo ka treguar aktivitetin e tij, këto janë fakte (…). Me dy fjalë Tatzati ka qenë qëndra e reaksionit, ka penguar gjithë luftën tonë në gjithë rajonin e Gjirokastrës. Ka qënë prezent në mbledhjen që u bë në Tatzat ku ishte i deleguari i Partisë shoku tonë Mustafa Matohiti, i cili përpara popullit i deklaroi dënimin me vdekje nga ana e frontit (…). Me urdhërin e Partisë kemi kryer dy atentate mbi të dhe nuk e vramë dot, d.m.th. dënimi i tija me vdekje ka qenë marrë dy vjet më përpara nga neve…

Le të marrë parasysh kjo Gjykatë deklaratën tonë (…) dhe në radhë të dytë të shikohen deklaratat mbrojtëse të Enver Zazanit me shokë.

Neve me padurim presim rikthimin e tija në gjyq dhe dënimin e merituar.

Të fala shoqërore

Prokurori i Gjyqit Ushtarak të Fierit

Kapiten Nusret Osmani,

Firma

blankblank

Vite më pas e shoqja e Abdulla Ramit, Gjyrxhia tregonte që i paguan me florinj anëtarët dhe kryetarin e gjyqit për të shpëtuar Abdullain nga vdekja:“Gjithë floririn që kishim ia dhamë kryetarit dhe anëtarëve të gjyqit, - tregonte ajo. Ndryshe Abdullain do ta kishin pushkatuar si shumë intelektualë të tjerë të pafajshëm...ˮ

Pjesë nga libri ˮPërtej harrimit -Abdulla Ramiˮ

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here