Ky ishte dokumenti me të cilin një person i internuar merrte njoftimin që i ishte dhënë masë internimi. Ai mbante përgjegjësi ligjore nëse lëvizte jashtë zonës së përcaktuar.
Për rastet e tilla internimi jepej një territor të caktuar. I internuari nuk kishte të drejtë të lëvizte pa leje sepse ndryshe dënohej penalisht deri në 3 vjet heqje lirie. I internuari paraqitej çdo ditë te përfaqësuesi i MPB-së apo pushtetit, i caktuar për verifikimin e vendndodhjen e tij.
Emri i personit që shihet në dokument ishte internuar për arsye politike me vendimin nr.11, datë 13.10.1975 të Komisionit të Internim dëbimeve, nga Tirana në Gjorm të Vlorës, së bashku me bashkëshortin Dhimitër dhe nënën e tij.
Në arsyetimin e vendimit thuhej se masa merrej sepse “janë familje me prejardhje të keqe politike, kanë qenë në burg ose pjesëtarët e familjeve të tyre për veprimtari armiqësore dhe se aktualisht nuk mbajnë qëndrim të mirë politik”.
Komisioni i Internim Dëbimeve vepronte këtë kohë pranë Këshillit të Ministrave.
Si bazë ligjore përmendej dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor nr.1906, datë 2.8.1954 “Mbi internimin e dëbimin si masë administrative”, i cili në fakt u ndryshuar me dekretin nr.3027, datë 12.1.1960, sipas së cilit ndryshoi përbërja dhe vendndodhja e komisionit nga Ministria e Punëve të Brendshme në Këshillin e Ministrave. Këtë kohë komisioni drejtohet nga zëvendëskryeministri. Në përbërje të tij ishte ministri i Punëve të Brendshme (zëvendëskryetar), prokurori i përgjithshëm dhe kryetari i Gjykatës së Lartë.
Praktika për të internuarit për çështje politike përgatitej nga organet e Sigurimit të rrethit, ndërsa për çështje ordinere nga organet e Policisë me të njëjtën procedurë. Për të dyja rastet merrej pëlqimi i kryetarit të degës së punëve të brendshme e miratimi i sekretarit të parë të PPSH-së në rreth. Propozimet kalonin për miratim në komisionin qendror në Tiranë.
Komisioni jepte masë deri në 5 vjet internim ose dëbim. Internimi ishte një vend të caktuar, ndërsa dëbimi me të drejtë lëvizje deri në 2-3 rrethe. I internuari kishte detyrim paraqitej çdo ditë në organin që caktohej./kujto.al