Kryetar i Gjykatës së Lartë Ushtarake i shkruante diktatorit për shkeljet flagrante te te drehtave të njeriut, gjatë proceseve gjyqsore ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist
Në vitin 1949 Bilbil Klosi ishte Kryetar i Gjykatës së Lartë Ushtarake. Me anë të një promemorie, ai pranon se shumë gjyqe, sidomos të llojit si ai i grupit të dytë të deputetëve ishin zhvilluar me shkelje të rënda dhe ishin dënuar njerëz të pafajshëm. Ajo që Klosi thekson në tekstin e promemories së tij drejtuar Enver Hoxhës, është fakti që rehabilitimet e rasteve duhet të paraqiteshin si ndreqje e gabimeve të bëra në pozita trockistë e jo sikur këto kishin ndodhur nga vija e partisë. Për të gjitha rastet, ai thotë se do merrte mendimin e komandantit suprem (Enver Hoxhës), i cili do ishte vendimmarrësi kryesor këtë rast.
Promemoria
Gjykatës dhe prokurorisë ushtarake u kanë ardhur dhe vazhdojnë t’u vijnë nga njerëz të burgosur ose të liruar nga burgu lutje me anën e të cilave denoncohet mënyra se si janë zhvilluar hetimet dhe gjyqet para kthesës së partisë.
Rezulton nga lutjet e tyre dhe nga zbulime që dihen se tortura ka qenë mjeti mbi të cilin mbështeteshin organet e sigurimit për të administruar provat. Pra proceset të marra nën presionin e torturave munden të mos u përgjigjen realitetit të gjërave, ashtu sikundër mund të ndodhi që me gjithë se marrë në tortura, një proces të përmbajë gjëra reale.
Sidoqoftë, gati të gjithë të burgosurit të dënuar, sidomos nga viti 1947 dhe këtej, reklamojnë me të madhe pafajësinë e tyre. Këtë pafajësi nuk e reklamojnë vetëm ata që janë në burg dhe duan të lirohen, por edhe ata që përfituan nga familja.
Pafajësinë e reklamojnë sidomos anëtarët e partisë të cilët me të dalë nga burgu u paraqitën në gjykatë. Të tillë p.sh janë Arif Gjyli, Shaban Zareci, Sabri Dajlani, Xhemal Meçe, Stefan Caro, Mehmet Qemali, Rexhep Kollçaku, etj.
Nga anëtarët e partisë që ndodhen në burg dhe kërkojnë pafajësi janë p.sh.: Nexhmi Ballka, Foto Veshi, e të tjerë të kësaj kategorie. Por ka edhe njerëz jo anëtarë parti të liruar që e konsiderojnë veten të pafajshëm dhe kërkojnë të deklarohen të tillë nga gjyqi (p.sh. Ali Shtëpani) ose që janë në burg e duan të lirohen.
Vendimet e gjyqit për të gjithë këta njerëz, kanë marrë formën e prerë dhe në rrugën e zakonshme të ankimit nuk mund të goditen. Por ligjet tona parashikojnë riparimin e vendimeve të padrejta që kanë cenuar rëndë ligjin edhe kur këto vendime kanë marrë formë të prerë. Ky riparim mund të bëhet duke u ushtruar nga Prokuroria e Lartë Ushtarake rekursim për mbrojtje ligjshmërie pranë Gjykatës së Lartë Ushtarake. Kemi raste kur ligji është shkelur rëndë: po. Gati të gjitha gjyqet me dyer të mbyllura janë bërë pa mos patur të dënuarit avokat. Kjo është një shkelje flagrante e nenit 19 të Statusit të Republikës.
Titpik për arbitraritetin e tij është gjyqi ku ka qenë dënuar Islam Radovicka, Surja Selfo, Nexhmi Ballka, etj, gjithsej 19 persona. Shumë nga këta njerëz janë dënuar vetëm nga atribuomi të marrë nën torturë duke mos pasur asgjë në proceset e tyre p.sh. Surja Selfo, Nexhme Ballka, Islam Radovicka, Bexhet Shehu, etj.
A do kemi raste të njerëzve të dënuar pa faj? Po. Deri tani kjo gjykatë ka rehabilituar pse i gjeti krejt të pafajshëm toger Halit Hajrin nga Mati, toger Kamber Vinçanin, pse në vend të një faji disiplinor ka qenë dënuar me degradim dhe 15 vjet burg. Që të dy anëtarë partie të vjetër.
Kjo gjykatë nuk i ka dhënë pafajësi dhe pra nuk i kthen të drejtën e gradës kapiten Halit Tafanit, pse e konsideron të pafajshëm, megjithëse ai është liruar nga burgu. Ç’mund të bëhet? Nuk është punë e lehtë dhe gati e pamundur t’i vihesh rishikimit të gjithë gjyqeve, as nuk është e drejtë, por kjo gjykatë mendon:
Disa grupe si ai i deputetëve që u bë me dyer të mbyllura duhet t’i nënshtrohen një rishqyrtimi për të gjetur të vërtetën. Edhe sikur të mbërrihet në konkluzione pafajësie, edhe për njerëz që mund të jenë ekzekutuar, këta haptas të deklarohen viktima të trockizmit; të rishikohen edhe rastet e individëve që reklamojnë pafajësi sidomos të anëtarëve të partisë (shembull i sipërm).
Si për rastet e para ashtu edhe për të dytat, gjykata ushtarake duhet të ketë ndihmën e oficerëve të Sigurimit, që kanë proceduar në rast se shfaqet nevojë.
Gjykata nuk do të vendosi për asnjë persona pa mos ja parashtruar rastet konkrete në hollësi dhe objektivisht komandantit suprem.
Precedenca për rastet dhe personat që duhet t’i shtrohen këtij shqyrtimi e shikon gjykata rast pas rasti, si dhe në mënyrë që të mos pengohet puna e përfundimi të proceseve në zhvillim.
Tiranë 17.5.1949
Nënkolonel Bilbil Klosi
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.