Më shumë se 100 vite burg u dhanë gjatë vitit 1953 për 7 njerëz të një zone të Përmetit. Akuzoheshin, pa asnjë provë, për akte terrori ndaj udhëheqësve ose që do të hidhnin në erë depo dhe ura. Lista e të arrestuarve dhe të dënuarve ishte edhe më e gjatë. Arsyeja e vërtetë e kësaj goditjeje shfaqet mes rreshtave të vendimeve të gjykatave, ku të dënuarve u përmendet largimi nga radhët e partizanëve apo përkatësia kulake
Nga Xhafer Sadiku
Pas dështimit në fushën ekonomike, regjimi fajësonte armiqtë. Në historikun e sigurimit të rrethit Përmet vihet në dukje se: “Partia i orientoi organet e sigurimit të shtetit, ashtu si kudo edhe në rrethin e Përmetit, që të merrnin masa në kohë dhe shpejt për të zbuluar ndonjë veprimtari të mundshme që do të tentonin të kryenin zbulimet e huaja dhe armiqtë e klasës në drejtim të sektorit ekonomik”.
Sipas sigurimit, “banda diversante e Iliaz Gurit, sipas udhëzimeve që kishte, vuri në shërbim të saj një grup elementësh të deklasuar me qëndrim të keq politik. Ky grup kryesohej nga Saliko Lukaj prej katundit Podgoran dhe përbëhej nga shtatë veta. Detyra e këtij grupi kish qenë, që të organizonte akte terrori kundër udhëheqësve të Partisë e Shtetit, sabotim dhe akte diversion…”
Më 6 nëntor 1952, sigurimi arrestoi Shefit Kamberaj, Neim Saliaj, Saliko Lukaj dhe Halil Saliaj duke i quajtur “Grupi i Këlcyrës”. Sipas sigurimit, banda e Iliaz Gurit, kishte dhe detyrë që të hidhnin në erë depot e grumbullimit dhe objektet e tjera të rëndësishme në Këlcyrë”.
Ata u dënuan me akuza të pabaza e të pavërtetuara: Neim Saliaj e Shefit Kamberaj me nga 25 vjet burg, Halil Saliaj me 18 vjet dhe Saliko Lukaj me 10 vjet burg. Arsyeja e vërtetë kuptohet nga pjesa arsyetuese e vendimit gjyqësor ku, midis të tjerave, theksohet se Shefit Kamberi, “kishte dezertuar nga radhët partizane”. Neim dhe Halil Saliaj u dënuan për arsye se ishin… “të prekur nga Reformat e Pushtetit, sot paraqiten si armiq të klasës dhe janë cilësuar kulakë”.
Saliko Lukaj, nga Podgorani, megjithëse gjykata e dënoi me minimumin e dënimit: “duke marrë parasysh origjinën dhe gjendjen e tij ekonomike”, sigurimi e kishte vendosur në krye të “grupit armiqësor”.
“Grupi i Kiçokut”
Pesë muaj më vonë, sigurimi do të “zbulonte” një “grup” tjetër, këtë herë në katundin Psarr. “Grupi i Kiçokut”, siç u quajt nga sigurimi, përbëhej nga Hamit Sali Saliaj, Sali Maliq Saliaj, Myslim Hysen Saliaj, etj., të cilët “do të rrëzonin pushtetin popullor me dhunë, do të helmonin kryetarin e lokalitetit në Ballaban dhe do të vrisnin operativin e zonës. Ky grup e kjo çetë, sipas sigurimit, do të hidhnin në erë katër ura: urën e Kiçokut, urën e Përmetit, urën e Leklit dhe urën e Dragotit, me qëllim që Përmeti të mbetej zonë e lirë ku të zbarkonin anglo-amerikanët. Më 17 prill 1953, ata u arrestuan dhe pas gjyqeve farsë, Hamiti u dënua me 12 vjet, Saliu me 10 vjet dhe Myslimi me 5 vjet burg.
Të arrestuarit ishin të shumtë, të dënuar në grupe, por edhe vetëm.
Marrë nga libri “Skenarë të përgjakur (Përmeti, 1943-1990)” i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.