Dëshmia/Pjetër Noka: Më vdiq vajza 7-muajshe nga kushtet e këqija të banimit

0
268

Pasi i burgosën dy burra të familjes, një nga të cilët ndërroi jetë në burg dhe të tjerët i shpallën  kulakë, Pjetri nisi të përjetojë përndjekjen e egër të regjimit komunist. E çonin ku ishte puna më e vështirë dhe i jepnin banesën më të keqe, aq sa në një barakë, në Milot, prej kushteve mjerane, krejtësisht të papërshtatshme për një fëmijë të vogël, i ndërroi jetë e bija, 7-muajshe.

Z.Pjetër, cila është historia e familjes suaj?

Po, unë kam lindur në janar të ’56-ës. Rrjedh nga një familje e pasur e Kurbinit. Kanë qenë shumë punëtorë. Janë marrë me bujqësi dhe blegtori kryesisht dhe kanë pasur një shumë të madhe të gjësë së gjallë. Një shtëpi kryesisht bujare, këtë e njeh gjithë Kurbini, por në vitet e hyrjes së Partisë, shtëpia ime përkrahu Komitetin e Maleve, të cilët ishin Fran Miri, vëllai i shtëpisë sonë, Mark  Piroli, Mark Gjon Marku, të gjithë Komitetin e Maleve. Dhe ata strehoheshin dhe me municion edhe me bukë ushqeheshin te shtëpia e njerëzve të mi. Në ’47-tën, arrestohet Pal Noka, xhaxhai im dhe Zef Noka.

Çfarë kërkonin nga ata?

Zefit i kërkohet që të presë në besë Komitetin e Maleve që hanin bukë në shtëpinë tonë. Ky jo, s’e pranon. Është torturuar në birucat e Krujës në mënyrën më shtazore duke filluar që nga kunjat e shkrepëses nëpër gishta, nga teli i nxehtë nga pulpat e këmbës si dhe veza e nxehtë. Ndërsa për fuçinë e ujit tregonte që “për mua ishte tortura më e vogël”. Në ’52-shin, ish-ministri Kadri Hazbiu i shkon në birucë: “Ju jeni Zef Noka”? -“Po”. -“Do ta kryenit atë...”, edhe për ta bërë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. –“Do ta kryeni atë që ju ka kërkuar Sigurimi i Shtetit”? “Jo,-thotë-në mënyrë kategorike, unë, asnjëherë.”“Këtu ke për t’u kalbur”. Dënohet me 30 vjet burg.

Ku e vuajti dënimin Zefi?

Mbas shumë vuajtjesh në birucat e Krujës, pas shumë torturave çnjerëzore, çohet në Kënetën e Maliqit, ku atje punojnë si kafshë dhe ka fituar me punë dhjetë vjet duke punuar 3 norma në ditë. Ky njeri nuk ka lënë fëmijë, ka jetuar me ne deri në ’79-ën që ka vdekur. Dhe për çudi, kur ne i bëjmë varrin sepse ne i kemi thërritur "baba" atij dhe babait i thonim "lalë", ne thirremi disa herë në Komitetin e Partisë: “Pse i keni bërë varrin Zef Nokës?”.

Po me Pal Nokën, çfarë ndodhi?

Kurse Pal Noka, nga torturat çnjerëzore, vdes në birucat e Durrësit dhe ne sot, ka një djalë, ne sot e kësaj dite nuk i dimë as varrin. Në ’50-ën, arrestohet edhe bashkëshortja e Zefit, xhaxhait tim, e cila dënohet me 10 vjet burg për strehim të kriminelëve dhe si antikomuniste. Ndërsa xhaxhai, Gjergji dhe babai im Gjoni, kulak nga ’48-a deri në ’90-ën.

Po ju personalisht ju përndoqën?

Të gjithë ne si familje jemi përndjekur në mënyrë ekstreme, vazhdimisht dhe në ’82-shin, unë personalisht, Pjetri, pasi bëj ushtrinë në brigadën e punës në Kukës, në repartin 96, atje kisha marrë kategorinë e parë, atje marr edhe një kategori sepse (në Shënea) shokët ma dhanë një kategori dhe më japin një shtëpi në Milot që këto shtëpi vetëm unë dhe Bardha Gjon Markaj ishim në këtë gjendje: birucat që ishin të Italisë. Aty mua. Mjeku kërkonte që ky fëmijë nuk duhet të jetojë në këto kushte. Ata nuk më hiqnin nga aty dhe mua më vdiq një fëmijë, nga kushtet e këqija të banimit, vajza 7-muajshe. Aty mua më është dukur jeta më mirë në burg. Në Spaç më dukej lule sesa të punoja në Milot dhe unë me gjithë bashkëshorten time nuk shkonim në votime, por ka qenë një drejtor ndërmarrjeje, ka qenë një Haziz Lleshi, një burrë i shkëlqyer, sepse unë do të arrestohesha, i cili na vlerësonte nga puna që bënim ne të përndjekurit. Kemi bërë punët më të rëndomta. Në çdo punë që bënim, ne survejoheshim dhe kam punuar 16 orë. Kam ikur atje ku vendosnin gishtin dhe të them sinqerisht, bëhej një objekt në Laç, eksperimental, ishte një kapriatë 30-tonëshe. Unë isha i detyruar të shkruaja emrin në të gjitha kapriatat sado të larta, 30 metra. Me elektrodë Pjetër Noka, që nëse binte objekti unë hyja në burg i pari. I gjithë farefisi im janë survejuar për të gjithë vitet e atij pushteti por konfiskimi i ’48-ës ka qenë gjëja më çnjëzore për ne. Nga gjithë këto vuajtjet e tjera, në ’48-ën ne jemi konfiskuar nga shteti pa lënë as një copë letër të vogël. Pavarësisht se i kam të gjithë dëshmitarët e fshatit, i kam edhe me shkrim, por shteti s’na la asnjë letër që u morën ato gjëra. Se ku shkonin ato, i dinte Partia.

Ju u martuat dhe krijuat familje në atë kohë   

Po, jam i martuar. Kam tre fëmijë. Një fëmijë më ka vdekur nga kushtet e këqija të banimit, për të cilët ruaj dhe raportet mjekësore. Kam një vajzë të martuar, ka dy fëmijë, jam gjysh. Kam dy djem. Djali i madh ka mbaruar shkollën e lartë dhe është punësuar, kam edhe një djalë tjetër në shkollë, vazhdon shkollën. Unë që jam këtu duke ia ditur shumë për nder gjithë jetën time drejtorit të ndërmarrjes, Lleshit (Haziz Lleshit). Me shumë shkëputje, në ’82-shin kam kryer shkollën, natën, mekaniken sepse Partia atëherë kishte një parim për ata që mbaronin shkollën... Unë nuk e doja për gjë tjetër se e dija që s’kisha për të pasur asnjëherë detyrë as nuk kam për të pasur gjë tjetër, vetëm punëtor ku ishte më keq, por për të marrë kategorinë, sepse po të mos kishe shkollën e mesme...Unë kisha vite me të pestën dhe s’më jepte askush kategorinë e gjashtë.

Ndryshoi jeta juaj pas ardhjes së demokracisë? 

Gjithë farefisi e kemi pritur me gëzim të madh, kemi punuar shumë për të, vazhdojmë të punojmë shumë për të, por të them të vërtetën më shumë kujdes duhet, nga të gjithë pushtetet që vijnë, për ne, shtresën tonë… Në shumë institucione drejtojnë përsëri bijtë e tyre që ne na burgosën, na pushkatuan dhe na internuan. Këtë, e kërkoj sinqerisht nga shteti, dua që të vendosë një dorë te kjo shtresë e cila as në ato vite dhe as në këto vite, kurrë nuk është servilosur, po ka punuar me ndërgjegje, me shpirt që sot, ky popull të gëzojë këtë që kemi pritur prej shumë vitesh.

Nga arkiva e familjes Doko

kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here