Dëshmia/ Fetah Hamata: Në Tepelenë, kam parë eshtra fëmijësh

0
135

Fetah Hamata, pavarësisht kërkimeve, nuk ka mundur t’i gjejë eshtrat e babait të pushkatuar në vitin 1949. Pas vrasjes së babait, ata u internuan familjarisht, në Kamëz e më pas në Tepelenë. Nga ky vend Fetahu ka edhe një kujtim tronditës, kur në vitin 88, në një shesh ku punonte si kryeusta për ndërtimin e pallateve të banimit, gjatë gërmimeve, pa eshtra njerëzish. Pavarësisht që e ngriti zërin, askush nuk mori asnjë masë, madje i thoshin që nuk kishte përse merrej me atë gjë

Dëshmia e plotë

 

Si quheni dhe sa vjeç jeni?

Unë quhem Fetah Bajram Hamata, unë jam tani 78 vjeç.

Zoti Fetah, cila është historia juaj dhe e familjes suaj?

Me babain tim, në ’48 ishte me punë se mbaroi lufta dhe iu dhanë nga një punë të lehtë, se ishte luftëtar i shkreti në të gjitha luftrat, edhe në fashizmin. Pastaj e vunë në minierë llogaritar atje, miniera ishte shumë e vogël. Punoi atje, duke u përplasur pastaj se ndryshonin sistemet, qysh mori cekët në ’44, që kur u bë Kongresi i Përmetit. Ishin shumë shokë këta: babai im, xhaxhai, Zenel Shehu, ishin plot. Dhe nuk ranë dakord për vendimet që merrnin këta, bile nuk shkuan edhe në Kongres, në Përmet.  Më pas i shikonin me një sy të keq se “çfarë patën?”. Qoftë babanë edhe Zenel Shehun. Zeneli ishte këtu. Këta u ngritën, u lidhën me shumë njerëz, pavarësisht se nuk u gjet lista, se u dogj lista, por që të dhënat unë i kam marrë nga kushëriri i babait, bëri 40 vjet burg ai bashkë me babanë,  Sefer Sela, i cili jetoi mbi 5-6 vjet në Zhapokikë. I thashë: “Po çfarë bëtë ju kështu ?”. “Jo, ne e patëm mirë,-tha,- po na tradhtoi  ndonjëri që na zbuluan”. U organizuan tamam ata për kryengritje kundër pushtetit, edhe programin e kishin që do niseshin nga Zhapokika e Tepelenës e do grumbulloheshin në Berat. Vajtën afër Beratit në Plashnik, u informua shteti nga ana e spiunazhit. Atëherë u nis kryetari i Degës së Tepelenës, Xhezo Makashi, ka erdhur këtu në repart, (i kam marrë të sakta këto), kryetari i Degës erdhi në repart,  tha: ai Amir Xhaxhoja nga Libohova, është në Amerikë gjallë, është mosha e këtij, i madh. Tha: “Kur shohim ne erdhi kryetari i Degës, e njihnim, po i rreptë, foli me komandantin dhe i tha: Dua 20 ushtarë. Na mblodhën na vunë në rresht këtu në fushë, këtu përpara. Edhe erdhi kryetari i Degës dhe “dil ti, dil ti”; ne nuk dinim gjë, po ata e bënë me “dil ti, dil ti” e na nxorrën… “Shpërndahuni ju të tjerët! Drejtim, depos së armatimit”!- na tha. Vajtëm u furnizuam me municion, me çanta, me ushqim dhe dolëm aty- tha. Po aty në repart ishin makinat, ishin ca makina gaz-i, me ngjyrë të verdhë, hop hop hop, hipëm ne. Edhe na nisën andej në Memaliaj. “Kur u hodhëm në Memaliaj,-tha,-na tha kryetari: “Dëgjoni djem! Kemi një marshim të gjatë, për në Zhapokikë se janë ngritur në kryengritje kundra pushtetit popullor, i cili është Bajram Kamberi që do ta njohim ne, po ju nuk do qëlloni”. Vinim vërdallë ne. Një ushtar u hodh, po unë isha prapambetës,-tha,-isha i pjekur. Rri o ti -i them. Çfarë ka?- thanë. Dhe i themi: Po të na qëllojnë ata?  Po të na qëllojnë, do ju jap unë urdhër “zjarr!”. Prandaj ne e kemi rrugë të largët. Ikëm, ikëm dhe vamë në Kamçisht, në një fshat. Ata kishin ikur”. Tani nga Berati, vijnë forcat e Beratit, aty ranë në përpjekje, bile aty u vranë katër veta në fakt, në luftim e sipër, katër, dy nga pala jonë dhe dy nga pala e Sigurimit të Beratit. Deri në mesnatë. Ata tashi kishin zënë pozicionet, u ngritën me pozicion, babai ishte komandant i kryengritjes, e kishin zgjedhur këta. Edhe një Sefer Sela i thotë: Më duket u vra Mehmeti, poshtë. Për të vëllanë. Epo tani ne nuk vemi dot- thotë ai. Se ishte mitroleri lart, zjarr ai po jepte. Edhe këta kishin mitroloz brenda. U rregullua, u bashkuan. “Ç’u bë, Xhemali, Safeti, filani”? U shpërdanë, nuk e di s’po i gjenin dot. -Hajde, hajde- i thonë. Vanë e i kthyen ata se ranë kështu përmbys kur i vranë dhe i kthyen kështu dhe ikën. Ikën lumit e lumit e erdhën poshtë. Kurse këta të vrarët i mori ushtria e Beratit edhe i shpunë në Gllavë. Kishte një kushëririn e tij babai. -“O Fato”! -Urdhëro!- tha. –“Hajde se t’i prunë kushërinjtë këtu”. I shkarkuan me një kafshë. “Çfarë kushërinj”? -Ja mo ku i ke këtu… Vajti dhe pa. “S’janë kushërinjtë e mi këta” –tha. -“Hë mo, Bajrami”. “Jo nuk është Bajrami ky. Ku di unë, nuk i njoh këta”. “Mirë mirë”- tha. I morën e i varrosën ata, mbrapa. Edhe këta ikën. Tani babai ndenji në arrati. U kapën forcat, ushtarët mund të themi i kapën në Berat, ca u kapën këtej, i arrestuan. Babai ndenji katër muaj pa u kapur, bridh andej e bridh këtej. E rrethuan nja dy herë, tri herë, çau rrethimin, shpëtoi. Ka qenë janar, ndërkohë ne ishim në internim, familja. Unë isha 6-7 vjeç aq, po e mbaj mend, edhe babanë e mbaj mend.

Çfarë ndodhi me babain tuaj?

Më 5 janar të ’49-ës, u kapën në… siç është mali i Golikut atje, ajo maja, matanë, vajti tek njëri që të strehohej, e kishte dhe mik ndoshta, e njihte. -“Këtu, këtu”- i thotë. “Do iki vetëm”. –“Po ka dëborë”,- i thotë ai. Aty duket e rrethuan, ndenji nja katër a pesë ditë, e rrethuan dhe e kapën. E morën, e çuan në Gjirokastër. Në Gjirokastër, iu bë gjyqi: “Ke bërë kryengritje kundra pushtetit popullor, doje të përmbysje pushtetin. Ligji 372, 373, paragrafi aq e kaq. Dënohesh me kapital” – i thonë. “Po, -u thotë ky,- le të dënohem. Unë do paguaj edhe për ata që brodhën pas meje, edhe gjynahet e fëmijës, do t’i paguaj me kokë. Edhe kur erdhi puna e mbajtën në hetuesi deri në 10 korrik të ’49-ës, ditën e festës së ushtrisë. Atëherë e pushkatojnë.

Ku e pushkatojnë dhe ku e varrosën trupin e tij?

Në Gjirokastër. Disa na thoshin aty te Poligoni, nën kala ishte vendi. Tani unë shpresoj atje.  Atje thonë. Më kishin thënë njerëz, se kishim policë atje ne, këtej nga zona si dëshmitarë. E di unë,- tha njëri. “Po hajde të vemi”! -“Tashti nuk na lenë, s’lejohet”- tha.

Ju si familje e keni kërkuar trupin e babait tuaj?

E kërkuam. Po na thanë që jo, nuk lejohet. Është armiku i popullit. Ne, qysh nga ’49-a deri në ’55-ën; më pas nuk e kemi kërkuar të them të vërtetën. Se nënës i lidhën një pesion meqë u vra ai, po sesi ia lidhën edhe unë nuk e marr me mend. E dinin se u vra në minierë a kushedi. Na dhanë pension e unë vija merrja pensionin me nënën. Morëm gjithë ato lekë ne, se mbetëm pa bukë, s’kishim për të punuar, kush punonte.

Ku ishit internuar ju, familja e tij dhe çfarë kujtoni nga jeta në internim?

Ne në Kamëz, edhe këtu në Tepelenë. Unë mbaj mend atë drejtorin e fermës “Bardhyl” që vinte atje se punonte nëna, e shoqja e xhaxhait, nja dy vajza, motra kanë vdekur ato. Vinin atje në fermë edhe punonin. E mbaj mend se kishte edhe të internuar të tjerë atje. Ishte një Hajdar nga Dibra. Ishte Vasilika, një grua. Atje në Tiranë ishte më ndryshe se buka na vinte bukë gruri, po pak, ne ishim gjithë ata fëmijë. Gjellëra bënin jo me bizele, hajde, me lëng e kalonim. Kurse këtu vuajtëm për të ngrënë ne, këtu bukë thatë, bukë misri. Kaq ishin ato bukët e misrit, po kush ta hante më parë atë. Se ne nuk na lanë të merrnim edhe ushqime se kishim plot ushqime për dimër  në shtëpi. “Jo, jo, nuk do merrni”!

Ju ka vdekur dikush nga familja në kampet ku u internuat?

Në kamp, jo, këtu vdiq vetëm një djalë i Xhemil Brahimit që edhe ai me këta ishte. Vdiq i vogël.  Kishim ne motrën të vogël edhe një kushëri, edhe ai djali, ishin vërsnik këta, të vegjël nga një vjeç, aq. Edhe nga të ftohtët këtu iu pruri njëri nga Kurveleshi, kishim një mik, iu pruri ca rroba të leshta që t’i mbështillnin, ai vdiq fare. Se ku e vunë, kush e mori vesh. Pastaj ne na morën dhe ikëm në Kamëz. Atje në Kamëz më ndryshe hanim bukë gruri, nja një çikë gjellë, po me vuajtje.

A keni një peng për faktin se babai juaj nuk ka një varr ku të prehet i qetë?

Po, sigurisht. Unë në fakt varrin ia bëra po çfarë futa brenda? Se në ’96 e shpalli shteti “Martir i Demokracisë” edhe kemi bërë “majkosh”, i kemi varret po qysh do t’i bëjmë këto varre. E ngrija si problem në mbledhjet e Shoqatës si anëtar i kryesisë. “Ore po nuk bëhet kjo punë”,-i thashë unë…”Jo, jo,- më thotë Naim Pashai,- atje ku vete ti që pyet, mbush dorën dhe merr një çikë dhe e hedh. “Po ku e di unë, te kalaja, apo më poshtë”. “Po një dorë dhe atje” -tha. Unë këmbëngula.

Ku është tamam vendi që mendohet se mund të jetë varrosur babai juaj?

Tani unë them e para doli një skemë, prapa kalasë, por nuk u verifikua, nuk e di. Po prapë…

Keni kërkuar ndihmë nga shteti për gjetjen e eshtrave të tij?

Po ja, me anë të Shoqatës.  Ku t’i kërkoj tjetër? Tjetër, ku?

Në vitin 1988 ju keni gjetur disa arkivole. Si i gjetët dhe ku i gjetët?

Unë në ’88 punoja usta se isha zanatçi, mësova, me atë haja bukë unë se, vetëm që punoja si kafshë, se do më kishin futur brenda. Tani na caktojnë një pallat neve këtu mbrapa, në anë të repartit dhe është një pallat i madh, tjetri ra aty, të gjitha ndërmarrjet. Më thotë drejtori: O Fetah, hajde një çikë në zyrë! E kishin bërë planin ata, po unë s’kisha dalë këtej. Ne kalonim kështu dhe vinim seria në Mamaj. Më tha: “Të kemi caktuar si kryeusta, do bëjmë se kemi marrë pallatet, në atë pallat të kemi vënë edhe për të marrë shtëpi”. Se kush më jepte shtëpi mua! I thashë:  Faleminderit, po sa të bëhet ajo, drejtor. “Epo do ta bëjmë,- tha,- me punë vullnetare. Kemi caktuar filanin, do marrësh shtëpi,-tha. Si usta ke Luan Berxhin nga Dukaj edhe Kastriot Dadërin, punëtorët do vijnë nga ndërmarrja, të plotësojnë oraret. Edhe vajtëm atje, morëm çimento, një makinë e prunë atje, bam një barangë edhe filluam. Erdhi ai tekniku që kishte projektet. Më tha mua: “Ty s’ta kam merakun”. -“Pse”? –“Ke punuar dhe e di”,- më tha mua. Themelet i ke 1:30 të thella e 1:30 të gjëra, ti e ke këtu edhe atje, është e ndërrmarjes suaj, me tre seksione, aty e ka ndërmarrja tjetër, më poshtë tjetra”. “Dakord”, i thashë. “Pastrojeni mirë,- tha- se kanë mbetur dhera. Hajde, mirupafshim”! Ikën ata. Gurë, dhera atje dhe ne i pastruam dherat kështu. Ata punëtorët: “O Fetah, o Fetah”! “Hë, mo”. -“Po këtu paska eshtra”! “Çfarë eshtrash”? Kur shikojmë eshtra të vogla kështu të duarve, të kërcinjve. Fëmijësh, njeriu, fëmijë o fëmijë të vogla. I thashë: Me avash.Vajta atje unë, buzë themelit që ishte 1:30, vete shikoj unë atje dhe i thashë: E di çfarë të bëni? I mblidhni këto eshtrat dhe i fusni në këto vrimat që ishin rradhë ato, afër e afër ishin. Në pallatin tim mund të ishin, në atë krahë mund të ishin 15 e 15 këtej, 30, po vazhdonte ajo. “Ato mblidhini me kujdes dhe iu hidhini dhe. Merrni dhe në ndonjë me bar dhe ia çoni”, se varre ishin. Ishin kalbur ashtu.

 

A kishin arkivol apo ishin thjesht me dërrasa?

Ato ishin kështu; tani kishin dërrasa guri, dërrasa të zeza jo të bardha, dërrasë guri. Dy dërrasë anës edhe një mbi të edhe vrimë tutje. Vazhdonte se i preu ajo një pjesë edhe ishte tutje. Kaq të ngushta. Tashti arkivole nuk ma merr mendja se do gjenim ndonjë copë dhoge të kalbur. Jo, s’kishte… vetëm ai vendi atje se i kontrolluam edhe ne me detaje, ishte bërë ai vendi, ai dheu  kuptohej shenjë e njeriut, ishte nxirë nga kullimi i gjakërave që tretet njeriu. I mbuluam dhe vazhduam, e mbusha unë themelin. I thashë drejtorit se unë nuk marr shtëpi atje. “Të kemi planifikuar”, tha ai. “Jo atje është varre dynjaja”. Po radhë. “Pa pyet njëherë”, tha. Edhe unë tani për kuriozitet, se e dija këtë punë unë, këtë muhabet, që thoshin, “i mbuluam atje, i futëm këtej, i mori lumi”. Takoj një ish-polic, dy bile e thashë me vete do i marr me të mirë. “O xha, Hamit”, plak, kanë vdekur ata, i thashë: “këtu-këtu, mban mend ti?”. -Ku? “Po ja aty në ato themelet”. –“Janë ata të Gegëve,- tha. -Po lere ç’të duhet ty ajo punë, ti vazhdo punën tënde”, tha. U vazhdua puna po s’përfunduan. Ai pallati im, jo njëherë. Kishte ushtria matanë. Bile unë me atë “kundova”, bisedova me atë policin, është polic te burgu ai. I thashë dhe më tha: “Jo, jo ai pallati im s’kishte”, pasi kishte frikë se mos ia prishnin. I thashë: “Po atje?”… “Po avash fol, o avash,- më tha,- se dëgjon tjetri”.

Fetah, keni mundur të shkoni në një institucion përkatës për t’i treguar për ekzistencën e këtyre varreve?

Jo jo… nuk vija dot se s’ma mbante të them të vërtetën. Edhe kështu me një qind për qind, tani varret e hershëm, ajo duhet të hapet vendi të merret të bëhet ADN-ja se tha edhe këtë ai Zarif Shehu: “E kushedi ku janë varrosur më përpara?”. “Po ata ishin fëmijë- i thashë unë,- të shumtit. Pse e dridhni fjalën”? -Po rri o, ç’të duhet ty”! Jo, jo, ato janë bërë natën me sekret. As këta s’dinin gjë që ishin të internuar këtu. Jo, jo, ne shikonim për shenja dalluese. Se më thoshte mua ai, se ishte më i vogël nga mua ai, kisha ata shokët unë: “Po hajde të kontrollojmë se mos ka ndonjë varëse floriri, t’i shikojmë se nuk dihet çfarë del”. Kërkonim po nuk kishin asgjë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here