Ambrogio Guarneri (Ambroxhio) lindi nga dashuria e Emel Kolonjës dhe Mario Guarnerit në kohën e terrorit më të egër komunist. Gjithë jeta e tij u shenjua nga ky terror dhe hakmarrja e komunistëve ndaj prindërve të tij intelektualë. Babain nuk e njohu kurrë, ndërsa nënën e bukur e pa tërë jetën duke punuar në beton. Pa mbushur të 18-at e shpallën “armik të popullit” në mes të shkollës dhe e internuan. Provoi tortura në hetuesi, punë të rënda në bujqësi, por plaga më e madhe që i la komunizmi i erdhi nga shikimet e shokëve të tij. Kur partia e shpalli ‘armik’ edhe shumica e shokëve e panë si armik dhe u larguan.
Dëshmia e plotë dhënë për kujto.al
Si quhej mamaja?
Mamaja ime quhet Emel Kolonja, bijë patrioti mamaja ime. Gjyshi im quhej Hasan Kolonja. Babai Mario Guarneri.
Kur nisi historia e familjes tuaj?
Atëhere babai im ka ardhur në Tiranë, në Shqipëri, domethënë në vitin ’43, ishin 4 inxhinierë, dy inxhinierë ndërtimi dhe dy nafte, për të punuar për naftën, punonin për llogari të AGIP-it në Itali, edhe secili kishte ato ndërrmarjet e tyre. Njëri nga këta inxhinierët që njofti tezen time e prezantoi dhe me mamanë time, Marion, babain tim. Kur ra Musolini në ’43-in, në fillim të ’44-ës, u arrestuan të gjithë italianët që ishin këtu. Ndër këta edhe këta të katër inxhinierët, ku ishte dhe im atë. U futën në burg, burgu i parë që ka bërë babai im ishte zbatues i projektit rus që po ndërtonin Shallvaret këtu në Tiranë. Mbasi mbaroi kjo, e çuan në tharjen e kënetës së Maliqit. Në tharjen e kënetës së Maliqit, u torturua, u dënua në ’46-ën me grupin e tharjes së kënetës së Maliqit si një nga agjentët dhe sabotatorët kundër partisë, kundër popullit shqiptar si agjent i Fultz-it, i CIA-s edhe në gjyq kur ka dalë dënimi i tij ishte si agjent.
U dënua me 101 vjet babai im. Mbasi bëri 13 vjet e gjysmë burg, në vitin e fundit, i kishte kërkuar një leje që të takonte mamanë edhe aty iu dhanë një natë leje ku dhe mamaja ime ngeli shtatzënë. Në nëntor të ’54-ës, shkoi dikush nga Ministria e Brendshme, i thërret këta që ishin në burg edhe iu thotë që ju të katërt do shkoni me gjithë familjet tuaja në Itali. Atëhere na çojnë ne, i çojnë këta të katër inxhinierët me gjithë familjet në Durrës, i hipin në traget për t’u nisur të nesërmen në Itali. Për fatin e keq ishte kohë e keqe dhe trageti nuk u nis. Në darkë, Ministria e Brendshme, ata të Ministrisë së Brendshme, hynë në traget edhe iu thonë që ju katër burrat do shkoni në Itali, ndërsa familjet tuaja do vijnë në një moment tjetër. Aty u ndamë ne përjetësisht. Mamaja ime ishte akoma shtatzënë, unë kam lindur 6 muaj mbrapa.
Çfarë ndodhi me mamanë tuaj?
Mamaja ime direkt prej aty, dhe tezja se bashkë kemi qënë gjithmonë, na çuan në internim. Internimi i parë ishte në Gjeç-Fushë në Vorë, ku dhe unë linda. Siç ju thashë shtëpia ime ishte katër fuçi nafte me një copë plasmasi sipër, ku ne jetonim. Pas këtij internimi na çuan në Velipojë ku ndenjëm dhe nja një vit e gjysmë edhe i treti pastaj ishte në Shtyllas të Fierit. Në Shtyllas të Fierit, kemi ndenjur deri në fillimin e ’64-ës.
Çfarë kujtoni nga koha e internimeve? Nga fëmijëria juaj në të?
Atëherë nga fëmijëria ime në internime, mua më çonin, më linin të shkoja në shkollë, në shkollën fillore. Internimet e para atje, nuk kisha atë peshën e shokëve që kisha në klasë, vetëm kishim atë fukarallëkun që kishim se ne na mblidhnin, nxirrnin lopët nga kasollet edhe na fusnin ne brenda për të jetuar. Pra na linin 6 muaj për shemnull, në Shtyllas, mbas 6 muajve thoshin mblidhni plaçkat edhe na çonin në Frakull, në Kafaraj. Domethënë ishte vetëm fukarallëk, mizerie. Përçmimin e kishte më shumë mamaja, daja, tezja që ishte aty se ne të vegjëlit nuk e ndjenim shumë atje. Kurse këtu, kur u bë internimi tjetër, unë isha gati 18 vjeç.
Mamaja juaj çfarë ka pune ka bërë për t’ju rritur?
Mamaja ime gjithmonë ka punuar nëpër fusha me lopatë në dorë, me shat në dorë, kjo ishte puna që ne mund të bënim. Ne ishim të dënuar që në çfarëdo mundësie mund të kishim nuk mund të bënim punë të tjera.
Ndërkohë mamaja juaj kishte ndonjë profesion, kishte bërë shkollë? Çfarë kishte bërë përpara se të internoheshit?
Mamaja ime kishte mbaruar shkollën e mesme këtu te Pedagogjikja në Tiranë. Edhe kishte bërë një kurs për infermiere, sa ishte këtu, edhe ai ishte profesioni i saj, po nuk mundi dot ta bëjë sepse nuk e lanë. Edhe kur erdhëm, kur u rikthyem në Tiranë, në ’64-ën e vetmja punë që i dhanë mamasë sime në nyjen e betonit të 21-dhjetorit aty ke lumi poshtë, ke kombinati i mishit ku bënte 8 orë, bënte me lopatë në dorë, bënte beton. Kjo ishte puna që bënte mamaja ime. Mamaja ime ishte një grua e imët, e vogël, 33 kile peshonte ime më. Tërë jetën e saj ka vuajtur, ka vuajtur, ka vuajtur, shumë, shumë, shumë. Kjo ishte deri në ’74-ën.
Kur ju ishit në gjimnaz çfarë ndodhi?
Kur ishim në gjimnaz në vitin e 3-të na mblodhën na thanë; që ju klasat, maturat edhe klasat e treta, do shkonim të shikonim ekspozitën e Ministrisë së Punëve të Brendshme ku këta tregonin armiqtë që kishin dëmtuar popullin shqiptar. Edhe ndërmjet këtyre ishte edhe im atë. Më thërret vajza e tezes, më thotë: Hajde shiko brenda, se është fotografia e babit. Hyj brenda shikoj që aty në mur ishte me një kryq të zi, “grupi më i madh i sabotatorëve kundër partisë dhe popullit shqiptar në kënetën e Maliqit”. Ishte Kujtim Beqiri, Mario Guarneri, Zyrika Mano dhe Abdyl Sharra. Unë e pashë atë dhe ika.
Të nesërmen në mëngjes kur shkonim në shkollë, mbasi bënim gjimnastikën e mëngjesit në shkollë del gjithë ajo drejtoria e shkollës, mësuesit, sekretari i partisë edhe thonë që “neve sot duhet të bëjmë një autokritikë sepse në gjirin tonë kemi mbajur një nga armiqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar që quhet Ambroxhio Guarneri. Dhe sot kemi vendosur ta vemë në vend gabimin tonë duke e përjashtuar nga gjiri ynë”! Edhe më përjashtojnë nga shkolla.
Çfarë kujton nga ajo ditë? Si e përjetove atë moment?
Ajo ishte e tmerrshme sepse shokët, ndërkohë që këta tregonin, flisnin për këtë armikun që isha unë domethënë, më bënë të ndihesha me gjithë mend armik se të gjithë këta shokët e mi më shikonin me përçmim. Sikur me gjithë mend unë isha armik. Dhe më shumë mua më dënoi opinioni i shokëve, i miqve të mi, sesa ajo që bënë ata se ata atë veprim nuk e bënë vetëm me mua, ata e kanë bërë dhe me shumë të tjerë. Kur dilja në rrugë pastaj nuk më flisnin më. Unë isha, kisha ngelur me gjithë mend armik për ata, për një pjesë të shokëve dhe miqve të mi. Kjo më vriste më shumë.
Çfarë ndodhi më tej me ju?
Më tej, mbas 3 muajve, unë filloj punë në fabrikën e bukës, punëtor gjithmonë, ngarkoja ata thasët me miell nëpër fabrikat e bukës që ishin nëpër Tiranë. Këta vijnë na thonë që: "Juve familjarisht jeni të internuar, do dënoheni në Fishtë të Lezhës". Edhe vijnë një ditë rreth orës 5:00 të mëngjesit me një Gaz, ne kishim shumë pak gjëra. Këta ç’bënin? Sa herë që na spostonin nga një internim në tjetrin, vinin dhe na hapnin ato dysheqet se thoshin që ju nëpër dysheqe keni armë, keni libra propagande kundër partisë. Gjëra që nuk ekzistonin. E bënin këtë më shumë për të na terrorizuar akoma, për vendimet që këta merrnin në drejtimin tonë.
Na çuan në këtë kampin e Fishtës. Fillimisht na çuan në një kasolle, pastaj nxorrën, hoqën ata se ishin akoma ata oficerët që jetonin nëpër zyrat e burgut, i hoqën ata dhe na çuan të paktën nëpër shtëpi me tulla. Edhe aty ishte sepse ishte e rrethuar me tela me gjemba, ishin kollonat akoma të Fishtës, kishte qenë kampi aty. Dhe mblodhën tërë fshatin e thanë: "I shikoni këta këtu? Këta janë armiqtë më të rrezikshëm të popullit tonë". Ishim ne, ishte një familje e Fadil Paçramit që sinqerisht ndoshta, jo ndoshta, por e meritonte të ishte aty, unë jo, ata po. Ishte një i Markagjonit, ishte një Bardha, e bija e Gjon Markagjonit edhe kjo. Ishim nja tetë familje të parat që ishin aty, që u internuan në të njëjtën kohë.
Edhe na trajtonin si kafshë. Neve kishim një banjo jashtë, që s’kishte as derë, as çati, mirë ne që ishim meshkuj, po kur shkonin nënat tona, motrat e tyre që ishin aty, rojet i shikonin me pushkë aty kur shkonin. Kjo ishte një torturë psikologjike në të gjitha pikëpamjet.
Na çonin, na rreshtonin në mëngjes, na çonin në punë edhe fshatarët duhet të na pështynin, na qëllonin me gurë sikur ne ishim kafshë. Dy vitet e para ishin të tmerrshme pastaj dhe ata e kuptuan, edhe fshatarët e kuptuan që nuk ishim ata që këta na prezantonin.
Vinte ai kryetari i Këshillit…. Në Fishtë është hapur një restorant famoz që flet edhe Italia për këtë restorantin e madh. Ky restoranti është hapur 30 metra nga kampi ku ishim ne. Të zotët e restorantit, gjyshi i atyre ishte kryetar i këshillit të bashkuar, Kol Frroku. Ky zotnia mua më kapte, më lidhte me tel duart edhe më mbante një natë, lajmëronte atë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Degën e Brendshme të Lezhës, i thoshte e kam kapur se deshte të ikte pa leje. Përralla komplet. Më mbante aty tërë natën në një kasolle që kishin këta edhe vinin ata të nesërmen më çonin pastaj nëpër biruca, në Lezhë, derisa ata më linin edhe rikthehesha prapë në kamp. Ata zotnilerët sot e quajnë veten njerëz, kam shkuar atje në fakt më çuan ca miqtë e mi dhe i thirra, i thashë: kush janë ata? Një nga ata, një nga ata të zotët e lokalit ishte si gardiani ynë në kamp. Erdhi atje, ngeli keq, më tha: Boxhi, nuk e di ti si ishin punët atëherë? –E lemë atë punë,- i thashë,- se nuk kam ardh këtu i thashë për me… po të paktën koha tregoi se nuk ishim ne ata që ju mendonit, ose në mënyrën sesi na prezantuan përpara jush.
Edhe kështu ajo periudhë ka qënë një periudhë shumë e vështirë. Vitet e para ishin tortura të njëpasnjëshme. Unë kam pasur një... u bllokova nga këmba në punë, nuk më lanë të shkoja te doktori për 8 muaj derisa nuk ecja dot më. Mbas 8 muajve pastaj më lanë të shkoja në Lezhë te doktori. Ai i tha: Këtu te unë ne nuk i bëjmë dot gjë. Ishte një zotëri Naim Shtylla ishte edhe më lanë mbas 2 vjetëve të vija në Tiranë. Mbas 2-vjetëve më lanë të vija në Tiranë. Më operuan këtu në Tiranë se dyshonin, tumor thoshin. Dhe për fatin tim të mirë nuk ishte tumor. Më ka operuar Petro Cani. Petro Cani ishte ai që... mjeku që ka operuar Mehmet Shehun në atë kohë.
Sa vite keni kaluar në internimin e dytë?
Në internimin e dytë kam kaluar 15 vjet. Nga ’75-a deri në ’90-ën, që këtu u shemb muri i regjimit komunist.
...
Ju kanë mbajtur në hetuesi kur ju ndalonin?
Më kanë mbajtur në hetuesi.
A i mbani mend torturat dhe hetuesit tuaj?
Më kanë arrestuar, më kanë mbajtur në hetuesi rreth 3 muaj dhe hetuesit e mi ishin Nasho Gjinopulli, Bastri Meçe, Ilia Kongo dhe këta ishin ata që në mënyrat më mizore na torturonin. Mua këta, mbasi pinin, vinin më ngulnin një kunjë, stikadent, te gishtat e këmbëve dhe m’i ngulnin me çekiç për së gjalli. Ose merrnin... ishin prangat, ishin pranga gjermane që quheshin kriket, m’i vinin mbrapa duarve dhe unë duhet të rrija, nuk duhet të lëvizja duart se ato po t’i lëvizja duart shtrëngoheshin, sa herë t’i lëvizja duart shtrëngoheshin vetë. Këta me këmbë pastaj m’i lëviznin duart derisa hekuri i prangave hynte në mish. Rrëzohesha pa ndjenja. Më hidhnin një kovë me ujë edhe më ringrinin akoma. Më rrihnin në mënyrë barbare, me shqelma, me grushta, pastaj më lidhnin dhe më vinin tërë natën një prozhektor me dritë në sy dhe unë nuk duhet të flija, nuk duhet të mbyllja sytë.
Për çfarë i bënin gjithë këto tortura?
Sepse për ta ne… ata për mendimin tim e bënin… ishte mënyra që, e kishin brenda tyre atë se një njeri ma merr mendja nuk mund t’i bëjë ato gjëra. Ishin urdhrat, urdhrat që kishin për të na torturuar, për të na futur atë tmerrin. Le që ne tmerrin e kishim, nuk kishte më shumë se kaq që të na tmerronin për krimet që bënin në drejtimin tonë. Po ishte si një... ishte urdhër nga Ministria e Brendshme. Ishte dhe një tjetër që e harrova, Ligort Divjaka, edhe ai ishte një kriminel, kriminel edhe këto tortura i bënin me kënaqësi këta, qeshnin, këta kënaqeshin kur ne na shikonin të gjakosur. Ishte sikur po bënin një festë, nuk e di për ata ishte një gjë normale. Kurse ne ishim ato kafshët, tamam kafshë, ne na trajtonin si kafshë, ju jeni armiqtë, ju deshët të na shkatërroni partinë e popullin, etj.. Ky ishte pikësynimi i këtyre. Ne ishim as numra, as numra nuk ishim për ta, vetëm torturë. Na kishin ca biruca mbrapa te kampi, biruca ishte rreth 2 metra. 70 cm e birucës ishte jashtë, pjesa tjetër ishte nëntokë, ku kullonte ujë, ftohtë, një tmerr. Kullonte ujë, të linin vetëm me të mbathura, të lidhur me pranga, një javë rresht aty brenda i lidhur dhe uji që kullonte dhe një e ftohtë që të hynte në palcë. Këto ishin mënyrat sesi ato të torturonin atje. Pse? Sepse nuk ke bërë normën. Nuk ke arritur të bësh normën. Po të mos bëje normën nuk ktheheshe në kamp. Duhet të arrije të bëje sasinë e punës që këta të kishin caktuar.
Çfarë pune bënit?
Konkretisht punonim nëpër kanale. Mua p.sh, kur vinte periudha e qershorit ishte periudha e korrjes së grurit ose e misrit, në këtë periudhë më vinin deri në 80 kg në kurriz që unë duhet ta bëja për 12 orë rrjesht. Ishin 300 metra nga parcela deri te hambari ku hidhej misri. Unë shkoja atje në... balta ishte deri këtu, më vinin thesin me misër ose me grurë në kurriz, unë duhet ta çoja atje dhe për 12 orë rrjesht unë duhet të bëja këtë punë. Edhe isha 19 vjeç, 20 vjeç.
Aty të rrihnin. Mamanë time unë e kam parë kur e merrnin dhe e rrihnin edhe isha i pazoti që ta ndihmoja e t’i dilja zot. Ata kanë bërë krime të pallogaritshme. Për mendimin tim komunizmi duhet të zhduket nga faqja e dheut, po jo vetëm këtu në Shqipëri kudo, që ka qenë, kudo që ka qenë. Unë akoma sot luftoj edhe me atë, aty ku jam në Itali sepse aty ku jam unë p.sh., një pjesë e mirë e zonës ku jam unë është një zonë që voton të majtën. Ata thonë që komunizmi nuk është njësoj si ai i juaji atje. Unë u them: Komunizmi është një, nuk ka dy komunizma. Idetë, për fatin tonë të keq i bënë dhe mbi ne, i vepruan mbi ne. Por ama komunizmi është ky. Unë vazhdoj akoma sot të luftoj, por është e pamundur.
Si e pritët shembjen e regjimit?
Mezi e prisja, për mua ishte një çlirim, një çlirim, ishte një gjë e pamundur se deri pak përpara ishte një... të mendoja se një ditë do vinte që unë mund të ikja ose të lirohesha ishte ëndërr, ishte e paarritshme. Kështu që kur kjo ndodhi nuk më zinte vendi derisa të gjeja mënyrën për të shkuar. Shkova në ambasadë, ata më pritën. Por edhe atyre iu thashë pjesën që meritonin se ata e dinin se në ç’mënyrë ne trajtoheshim si italianë nga komunizmi. Kur ata nxorrën dosjen, që kishin tonën, më bënë fotografi, më dhanë pasaportën italiane, direkt më ndërruan më vunë emrin tim që kisha Guarneri, jo Kolonja, edhe më thanë: "tashti shko në Itali" sikur s’kishte ndodh asgjë, "shko në Kremona". Në Kremona nuk shkova dot sepse para se të niseshim, i shkruaja në adresën që kisha unë, të babait, Kryqit të Kuq të Kremonës; edhe ata më përgjigjen se na vjen keq t'ju njoftojmë që babai juaj ka vdekur më 24 janar të vitit 1964, po kushërinjtë e tu nuk duan të kenë të bëjnë me ty. Aty m’u bllokua një pjesë tjetër kështu që ndalova në Mantova, Mantova me Kremonën janë rreth 70 km. Në Mantova rifillova jetën time.
A keni folur me djalin tuaj mbi historinë tuaj dhe sa e vështirë ka qenë për ju t'ja tregonit historinë tuaj? Çfarë do donit ju të bënte ai me këtë histori?
Atëherë unë djalit, gjithmonë edhe vazhdoj t’i flas akoma për historinë time, e kam çuar në Fishtë që të shikojë kampin, atë që kishte ngelur nga kampi i Fishtës për t’i treguar jetën edhe çfarë ka bërë komunizmi, jo vetëm këtu tek ne, po komunizmi ku ka vënë dorë vetëm skamje ka pasur. Im bir e ndjen peshën e viteve të mia dhe dua që ai, as unë nuk dua ta harroj. Se dikush më thotë: Harroje sepse ti ke filluar një jetë tjetër, por, lëre që është e pamundur ta harroj sepse është gjysma e jetës sime që ka kaluar këtu në këtë skëterrë, por nuk dua ta harrojë edhe im bir sepse duhet ta ketë për nesër, për pasnesër edhe ai për fëmijët e tij, t’i tregojë vuajtjet; kush është komunizmi. Sepse shumë njerëz nuk e njohin komunizmin, siç e kemi parë ne këtu. Nganjëherë më thonë ata miqtë italianë: është e pamundur që ti na tregon këto gjëra. Nuk është e pamundur, kjo është e vërtetë,- u thashë, edhe nja dy-tre nga ata i kam sjellë këtu dhe i kam çuar deri te kampi i Fishtës.
Edhe pyetja e fundit, ka pasur drejtësi për ju ose ato pritshmëritë që kishit në ‘90-‘91 kur ra sistemi, a u plotësuan?
Jo, ne nuk patëm, nuk patëm dhe nuk kam shpresë që të kemi drejtësi jo vetëm unë, por të gjithë ata që hoqën “të zinjtë e ullirit”, këtu në vend. Nuk ka pasur drejtësi. Këtu për mendimin tim gjithçka ka ngelur si më parë. Është një, e vetmja gjë që ka ndryshuar është kjo liria që mund të kenë njerëzit për të shëtitur që deri dje kur ishim ne ishte, jo vetëm për ne, po edhe për shqiptarët ishte e pamundur. Për të tjerat unë nuk shoh asnjë ndryshim. Shikoj ca pallate, kanë shkatërruar Tiranën. Tirana ishte më e bukur atëherë, më vjen keq ta them se nuk dua t’i vë vlera të mira Enver Hoxhës, këta e shkatërruan akoma më keq dhe këta e kanë akoma në dorë, këta me ç’dëgjoj dhe me ç’shoh këta po e shkatërrojnë këtë popull komplet. Këtu nuk kanë ngelur, nuk po i lënë as identitet këtij populli. Dmth, këtu akoma ka njerëz që vuajnë për bukën e gojës dmth, se nuk mund të shikohet Tirana dhe me Tiranën të përfaqësosh gjithë Shqipërinë. Me ç’dëgjoj unë ka vuajtje. Unë shikoj që pensionet p.sh., janë mesa kam dëgjuar dmth, janë 100 euro në muaj. Ç’mund të bëjë një njeri me 100 euro në muaj? E pak a shumë që çmimet janë gati si aty tek ne. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh kështu që ne drejtësi nuk kemi pas. Unë s’kisha drejtësi as nga italianët, jo vetëm nga këta. Se unë kur shkova në Itali, në vend që të, siç mendoja unë, si do më prisnin ata për gjithçka që hoqëm këtu pa pasur as më të voglin faj, nuk ndodhi. As azil politik s’më dhanë. Nuk e kërkova në fakt me thënë të drejtën, nuk e kërkova sepse s’mendoja se duhet, mendoja se ata duke ditur ç’kemi hequr duhet të na prisnin, duhet të na jepnin atë minimalen e kushteve për të jetuar. Nuk mora asgjë unë nga Italia, absolutisht asgjë, gjithçka që kemi sot e kemi me krahët tanë, absolutisht asgjë.
E vetmja gjë që unë atje... të paktën këtë e mora dhe këtë me luftë... që më njohën për pension vitet e persekutimit këtu. Kështu që unë kam dalë në pension në 2015-ën, me vitet e punës këtu kam bërë rreth 45 vjet punë, edhe kam marrë një pension të mirë. E vetmja gjë është që m’u njoh nga Italia.
Dhanë ca lekë për burgun e tim eti, internimin tonë nuk e quajtën, e quajtën sikur ne kishim shkuar me dëshirë, të internoheshim me dëshirë. Ne nuk na quhet fare, internimi është zero. Vetëm babait i kanë dhënë ato, s’kanë dhënë gjë se dy këste na kanë dhënë neve për gati 14 vjet burg që ka bërë im atë edhe për jetën që i humbën se im atë arriti të jetojë edhe 9 vjet mbas iku nga Shqipëria. Kështu që, jo vetëm unë po asnjë nga ata që kanë hequr dhe kanë vuajtur nuk janë shpërblyer moralisht të paktën për atë që këta na bënë neve dhe popullit shqiptar sepse edhe populli ishte në një gjendje të mjerë.
Intervistoi Blerina Gjoka, Kujto.al / Gusht 2022
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.