I larguar nga Shqipëria, Qazim Mulleti kishte lënë aty jo vetëm emrin e tij, me të cilën propaganda komuniste bëri ç’deshi, por edhe familjen, shtëpinë e orenditë e saj. Sigurisht edhe ndaj tyre u morën masa të rrepta. Bashkëshortja dhe i biri, Reshit Mulleti u internuan e nuk u lanë të qetë asnjë çast. Edhe i vëllai, Hakiu u arrestua dhe familja e tij u nxor nga shtëpia. E ndërsa figura e Qazim Mulletit sulmohej e përbuzej, teshat e tij nuk ishin aq të padëshiruara. Dokumentet e publikuara nga studiuesi Kastriot Dervishi tregojnë informacionet që përcilleshin për teshat e ish-prefektit dhe përpunimin agjenturor që iu bë Hajrie Mulletit gjatë gjithë jetës
Studiuesi Kastriot Dervishi shkruan në faqen e tij në FB që përpunimin agjenturor të Hajrie Mulletit e drejtuan në dy kohë, 8 punëtorë operativë. Ai vijon me përcjelljen e informacionit për bashkëshorten e ish-prefektit:
Pas internimit të Kampin e Tepelenës (1950-1953), Hajrie Mulleti (1903-1980) me të birin, u internuan në Savër të Lushnjës pranë fermës “29 nëntori”. Këtu bënin një jetë të vështirë duke punuar në bujqësi. Duke qenë në listat e elementit kundërshtar, disa vite pas vendosjes në Savër, u përgatit një dosje për të. Biografia e Hajries, e përdorur për përpunimin, në të dy rastet përmban gabime të mëdha. Kjo tregonte se informacioni i organeve të Sigurimit ishte i pakët dhe formimi kulturor i punëtorëve operativë gjithnjë i mangët sepse nuk arrinin të lexonin as ndryshimet e mëdha brenda një dosjeje.
Më 8.12.1958 Hajria u kategorizua në kontroll operativ 2B nga Dega e Punëve të Brendshme, Lushnje, nga operativi Hajri Dragoti, me pëlqimin e shefit të Seksionit të 1-rë Gjysh Tafili dhe miratimin e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Nuçi Tira. Përmendej se paraqiste “rrezikshmëri shoqërore” dhe përpunimi drejtohej me këtë arsyetimit:
“Ka propaganduar sipas dëshirës së saj dhe nga ana tjetër ka ëndërruar ndryshimin e situatës së jashtme dhe të brendshme nga elementët që ndodhen të arratisur jashtë shtetit duke pas shpresat nga vendet imperialiste të Perëndimit”.
Ec e gjeje se si i kuptonin ëndrrat këta dhe si duhej propaganduar jashtë dëshirës. Përpunimi ndërpritet më 9.11.1964. Gjatë kësaj kohë, nga raportimet e bashkëpunëtorëve vërehen vetëm shprehje mbi jetën që bëhej atje si dhe pjesë të korrespondencës së ndaluar.
Pas disa vitesh, më 3.6.1977, “për të kaluarën e saj shumë të keqe” dhe për zhvillimin e agjitacionit e propagandës u kategorizua sërish në kontroll operativ 2B nga Dega e Punëve të Brendshme, Lushnje, nga operativi Iljaz Rrokaj, pëlqimin e shefit të Seksionit të Përgjithshëm Thimi Kosta dhe miratimin e zëvendëskryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Natyral Mici.
Këtë herë nuk u soll asnjë informacion dhe rezultoi se përpunimi nuk pati asnjë vlerë. Gjatë kësaj kohe Hajria u sëmur rëndë.
Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar po në FB, edhe një dokument që përcjell njoftimin që shefi i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit të Korparmatës së parë, major Bako Dervishaj, i dërgonte Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit mbi teshat e familjes së të arratisurit Qazmi Mulleti që në janar të ‘45.
Ja çfarë shkruhej ndër të tjera, në atë letër: “Informohemi se një sasi tesha të shtëpisë së Qazim, Haki dhe Hysni Mulletit, janë të shpërndara nëpër miqtë dhe kushërinjtë e tyre. Pesë karroca me tesha janë shpënë në shtëpinë e Alibe Mënikut, 7 karroca me tesha në vëllazën Kazazi një prej Kazazëve ka marrë motrën e Qazimit dhe një sasi teshash si qilima, sixhade dhe antika janë shpënë në të kushërinjve që rrinë gnjitur në shtëpinë e Qazim Mulletit. Këto tesha i kanë ndarë nëpër dhomat e tyre dhe bashkuar me teshat e tyre. Një sasi teshash të fshehura ishin të fshehura te miku I tyre, Meri, I cili ishte kryetar i këshillit të sektorit të Saraçit.
Kur qeveria bëri shpalljen se duhej të dorëzohej çdo gjë e reaksionarëve, Meri i shpie teshat natën në oborr të Qazim Mulletit. Brigada e parë e Mbrojtjes së Popullit informohet për këto tesha dhe dërgon intendentin t’i marrë në dorëzim. Intendenti i gjen teshat. Mbasi i regjistroi i fut në një dhomë dhe derën e mbyll me dyllë të kuq. E shoqja e Qazim Mulletit lajmëron Baba Fajën i cili vjen në shtëpi të Qazimit, thyen dyllin dhe teshat ia jep së shoqes së Qazimit dhe I thotë që kush të vijë, i thuaj se janë të Baba Fajës”.
Pas disa kohësh, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Prefekturës, me vendim nr.96, datë 22.04.1947, vendosi sekuestrimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme të “armikut të popullit të quajturit Qazim Mulleti”.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.