Binjakët e Postribës

0
2125
blank

Ditën e lindjes e kishin të njëjtë. Të njëjtë patën edhe ngjarjen që përcaktoi fundin e tyre: Kryengritjen e Postribës

Ditën kur shpërtheu kryengritja e Postribës dhe të nesërmen, kur u ekzekutuan pa gjyq me akuzën e pjesëmarrjes në të, u vranë gjithsej 18 burra. Më pas, me dhjetëra vetë u arrestuan dhe u dënuan. Disa u dënuan me pushkatim dhe u ekzekutuan. Të tjerë u zhdukën në tortura apo të vetëvrarë. Numri i njerëzve që humbën jetën e që kishin diku të përmendur si shkak kryengritjen e Postribës arriti në 64. Mes tyre ishin edhe binjakët Hordolli. Ata shpëtuan të gjallë nga luftimet dhe ekzekutimet që i pasuan të nesërmen, por në tetor 1946 u gjendën të rrethuar. Në këtë kohë, vëllezërit e lindur bashkë, u ndanë. Abdyl Hardolli u ekzekutua menjëherë. Ndërsa Xhelali u kap dhe u gjykua. Fundi edhe për të ishte i njëjtë. U ekzekutua në vitin 1948, duke thirrur: “Rroftë Shqipërija!”. Atdheu qe në të vërtetë frymëzimi i jetëve të tyre. E kishin shfaqur patriotizmin në disa çaste kyçe e me disa veprime domethënëse, si kur dërguan abetaret e para shqip në vendlindjen e tyre, Krajë, kur ishin 20 vjeç, apo kur luftuan me pushtuesit nazi-fashistë kur ishin 30. Kur ishin 35, pikasën një tjetër armik për Shqipërinë: pushtetin komunist dhe, edhe këtë herë, u angazhuan kundër tij. Shtypën, në këtë kohë, 250 trakte me përmbajtje antikomuniste, me kërkesë të profesor Sami Repishtit, të nënshkruara nga Rinia Demokratike dhe një vit më vonë nisën të organizonin zonën e Anës së Malit dhe Krajës për kryengritjen që shpërtheu në 9 shtator 1946, me emrin kryengritja e Postribës.

Patriotizmi ishte një vlerë e trashëguar në familjen e tyre, ku edhe i ati, Beqir Hardolli, i rritur në Stamboll dhe i arsimuar në Francë, u kthye në vendlindje I shtyrë pikërisht nga ndjenjat atdhetare, me të cilat ushqeu dhe të bijtë e lindur në vitin 1910. Ata u arsimuan fillimisht në Krajë e më pas në Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës, ndërsa në vitin 1938 fitojnë të dy bursa studimi për në Robert’s College të Stambollit. Pushtimi i Shqipërisë në vitin 1939 bëhet shqetësimi i tyre kryesor. Viti 1943 i gjen të reshtuar me forcat e Legalitetit kundër nazi-fashistëve, mirëpo në mbarim të luftës, trofeun e fitimtarëve në Shqipëri e morën forcat komuniste. Me një shikim të qartë prej formimit perëndimor, binjakët e kuptuan menjëherë që kjo do të kishte pasoja negative për vendin, ndaj si shumë qytetarë të tjerë, kryesisht të Veriut të Shqipërisë, menduan për rezistencën që i duhej bërë vendosjes së regjimit komunist. Kryengritja e Postribës ishte fryt i këtij organizimi. Megjithatë ajo nuk u zhvillua siç ishte menduar.

Siç shkruan Zef Pllumi në librin e tij, data e shpërthimit të kreyngritjes u përshpejtua sepse disa prej pjesëmarrësve ishin thirrur në ushtri, ndaj u mendua që kryengritja të niste para largimit të tyre. Duke mos qenë plotësisht të organizuar, ata u mposhtën më lehtë duke e kthyer kryengritjen në një masakër të regjimit ndaj malësorëve, pjesëmarrës apo jo në atë kryengritje. Kjo masakër e nisur në shtator vazhdoi për muaj me radhë duke e rritur vazhdimisht numrin e të arrestuarve dhe të vrarëve. Në tetor u rrethuan vëllezërit Hardolli. Për datën, diku 10, diku 26 ka ende mospërputhje. Në këtë rrethim mbeti i vrarë Abdyli, ndërsa Xhelali i plagosur me dhimbjen e vrasjes së të vëllait, u arrestua. Procesi gjyqësor ndaj tij dhe njëzet e një të tjerëve u zhvillua nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës, në sallën e kinemasë Rozafat të qytetit, ku më 27 nëntor 1947, u dënuan me vdekje pesë të akuzuar: Cin Sereqi, Xhelal Hardolli, Dulo Kali, Gjergj Volaj nga Shkodra dhe Bilbil Hajni nga Progonati i Kurveleshit. Ata jetuan disa muaj duke pritur ekzekutimin, i cili ndodhi më 3 prill 1948, në orën 5.20 të mëngjesit. Fjala e fundit e Xhelal Hardollit, sipas dokumentit që Gjykata Ushtarake e Shkodrës i niste asaj të Tiranës, ishte: “I thoni familjes që fëmijtë të m’i dërgojnë në shkollë dhe t’i edukojnë mirë që të jenë të aftë për Atdheun. Rroftë Shqipërija!”

Armiqtë e atdheut nuk thonë këto fjalë para se të vriten. Xhelali, si Abdyli, ishin thjesht armiq të regjimit komunist dhe kjo u kushtoi jetën.

a.çano/ kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here