Pasi e torturuan në hetuesi për muaj të gjatë me akuzën si spiune e perëndimit, dëshira kafshërore e shtazëve komunistë arriti pertej të paimagjinueshmes...Biankën e varin nga shpatullat, të lidhur në litarë, lakuriq, në mes të oborrit të burgut të burrave kur shumica e të burgosurve ishin miq të saj e të bashkëshortit. Ndër ta dhe gjyshi ynë Qemal Biçaku, i cili e kujtonte këtë pamje, si një ndër torturat më të tmerrshme për të, pavarësisht se ç'tortura kishte përjetuar ai vetë....
nga Ervina Toptani
Kur u njoha për herë të parë me historinë e Bianka Balliçit pësova një tronditje të thellë shpirtërore e psikologjike. Unë njoh Zonja të jashtëzakonshme shqiptare që i bënë ballë tmerrit të kmereve të kuq gjate diktatures e që mbeten të paharruara në kujtesen time e dashtë Zoti edhe të shumë të tjerëve. Por Bianka Balliçi, njësoj si Pauline Petrela etj, Zonja të huaja, provuan llavën e urrejtjes në lëkurë sepse kishin një shpirt të madh, plot dashuri e dinjitet, mjaftueshëm për t'u torturuar në meënyrë çnjerëzore nga shtazët e pashpirt veshur me veladonin e vdekjes, me drapër e çekan në dorë.
Bianca Balliçi ishte një gazetare italiane, piktore, artiste, e cila vjen në Shqiperi gjatë Luftës së Dyte Botërore si korrespondente e gazetës ku punonte. Në Shqipëri dashurohet e martohet me Adem Balliçin, djalë fisnik nga një familje e mrekullueshme qytetare, nga Elbasani.
Në vitin 1946 fillon kalvari i llahtarës për Biankën, bashkeshortin e familjen e tyre. Ata arrestohen, torturohen e burgosen. Bianka nuk e takon më bashkëshortin dhe si pasojë dashuria e tyre përskuqet dhunshëm nga hekuri i zjarrit e tortures komuniste.
Bianca ishte ndër Zonjat e para që burgoset në Shqiperi, së bashku me stërgjyshen e bashkeshortit tim, Semiramis Vrionin, dhe për disa kohe ishin të dyja në të njëjtën qeli.
Bianca ishte vërtet siç e kishte emrin, e bardhe në shpirt e lekurë, artiste që e adhuronte të bukurën, i donte njerezit, me një buzeqeshje plot jetë, me flokë bionde e sy të mrekullueshem të kaltër.
Pasi e torturuan në hetuesi për muaj të gjatë me akuzën si spiune e perëndimit, dëshira kafshërore e shtazëve komunistë arriti pertej të paimagjinueshmes edhe për mendjet e sëmura. Biankën e varin nga shpatullat, të lidhur në litarë, në një lloj mënyre torturuese (këtë torturë e kanë provuar shumë njerëz të tjere në këtë periudhe) që pesha e trupit të rëndonte aq shumë sa pjesa e shpatullave dhe e kraheve fillonin e shkeputeshin ngadalë prej pjesës tjeter të trupit, një lloj shqyerje e gjymtyrëve.
Biankën e lidhën kështu, lakuriq, në mes të oborrit të burgut të burrave kur shumica e të burgosurve ishin miq të saj e të bashkëshortit. Ndër ta dhe gjyshi ynë Qemal Biçaku, i cili e kujtonte këtë pamje, si një ndër torturat më të tmerrshme për të, pavarësisht se ç'tortura kishte përjetuar ai vetë.
Bianca e bukur, aq e re, aq e pafajshme, që përveç bashkëshortit nuk kishte asnjeri tjetër në Shqiperi, qëndroi me sy mbyllur në acarin e dimrit, me gjakun që kullonte nga trupi e që ngrinte në currila ngjyre të errët prej të ftohtit. Të gjithë zotërinjtë që vuanin burgun komunist u detyruan të dilnin ta shihnin një nga një si dënim këtë pamje, por askush nuk i ngriti sytë. Të gjithë qëndronin kokëulur me lotët që rridhnin faqeve.
Shumëkush, po atë dite u torturua sepse guxuan të rebelohen për Biankën, e ndërsa muret e birucave përskuqeshin nga gjak intelektualësh, si dënim për mos përlyerjen e tyre në krim, Bianka qëndronte heroikisht e varur, lakuriq me flokët e shpupuritur që kishin ngrirë nga gjaku, e me sytë e mbyllur duke pritur vdekjen, që nuk vinte. Ah, zemra....Nuk ndalon zemra, kur njeriu dëshiron kaq shumë që ajo të mos rrahë më!
Bianka, gruaja me shpirtin e emrin e bardhë, është ikone e kalvarit të vuajtjeve e dhimbjeve pa arsye, pa shkak, pa asnjë filozofi mbështetëse kuptimi. Bianka është viktima e absurdit dhe e urrejtjes shtazore të komunisteve antinjerez ndaj Njeriut!
Në kujtim, nderim e respekt të saj, e të shumë Zonjave si ajo që na mësuan me qëndresën e heroizmin e tyre se “Njeriu është vepra më madhore e Zotit në tokë, dhe një Njeri, nuk e mposhtin dot as dhjetra shtazë antinjerëzore, që Shqiperia pati fatin e tmerrshëm t'i kishte me mijëra në gjirin e saj.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.