Besnik Kripa, 17-vjeçari që u dënua me 20 vjet burg për shpërndarje traktesh antikomuniste

0
217
blank

"Në mbrëmje, erdhi një oficer i Degës së Brendshme; i ra derës, u fut brenda dhe tha që “djalin e kemi arrestuar ne”. “Po, pse?” e pyeti im atë. “Po ja, tha ai, se u mpleks me një femër, dhe ajo e ka akuzuar…” vazhdoi ai. Pra, gjëra të kësaj natyre. Pastaj tha se do t’i bënin kontroll shtëpisë. Bënë kontroll; nuk lanë gjë pa gërmuar. Morën dhe fletoret e shkrimit të vëllait, për ekspertizë të shkrimit. U duk qartë pastaj që nuk ishte punë femrash". Rrëfimi i trishtë i Reshat Kripës, për dënimin e të vëllait, Besnikut bashkë me shokët e tij Lavdosh Beqon e Aladin Alemin

Viti 1950 shënon kulmin e luftës së egër të diktaturës komuniste ndaj kundërshtarëve të regjimit. Pushteti i ashpër përdorte çdo mjet për të shuar çdo formë rezistence, duke përfshirë edhe ata që ishin ende të mitur. Ndër ta ishte rasti i Besnik Kripës dhe shokëve të tij, të rinj në moshë vetëm 17 vjeç, por të etiketuar si armiq të rrezikshëm të regjimit, që u persekutuan dhunshëm. Në prill të vitit 1950, Besnik Kripa dhe shokët e tij, Lavdosh Beqo dhe Aladin Alemi, u arrestuan nga sigurimi i Shtetit dhe u dënuan me 20 vjet burg, pasi shpërndanë trakte antikomuniste në qytetin e Vlorës. Ky akt i thjeshtë, i mbushur me guxim e dëshirë për liri, u shndërrua në një dënim të rëndë dhe në shkelje edhe të ligjeve të diktaturës pasi Besniku ishte ende i mitur.

Reshat Kripa ka rrëfyer dramën e tij e të vëllait, Besnikut, i cili u dënua me 20 vjet burg, pasi kaloi disa muaj nëpër toruturat e hetuesisë së ashpër të diktaturës komuniste.

***

Në vitin 1950, im vëlla Besniku, bashkë me Lavdosh Beqon dhe Aladin Alemin, krijoi një organizatë në shkollë. Ishin në vitin e dytë të gjimnazit, 17 vjeçarë të tre. Madje Aladini ishte pak më i vogël nga këta të dy. Lavdoshi ishte më i madhi, i dyti ishte Besniku. Krijuan një organizatë dhe shpërndanin trakte në gjimnaz. Më 15 prill 1950, Besniku na tha që “sonte kemi një mbrëmje vallëzimi në shkollë dhe do t’shkoj.” Im vëlla ka qenë një tip shumë elegant në paraqitje; i pëlqente shumë që ta mbante veten. Ishte shumë sqimtar, dhe unë nuk i kam ngjarë në këtë drejtim. Në mbrëmje, u vesh, u pispillos e iku në shkollë. Prit ne në darkë të kthehej, por hiç. Prit e prit deri në mëngjes dhe Besniku nuk erdhi. Filluam të merakoseshim rëndë. Vëllai, Agimi, i cili ishte në vitin e tretë të gjimnazit, duke e menduar, tha: “More, nuk e di, por unë kam parë ca trakte nëpër shkollë. A thua mos ka ndonjë lidhje Besniku me to?”

Ndërkohë, ju nuk dinit gjë?

Jo, asnjëri nga ne. E dinim që Besniku kishte shoqëri me Lavdoshin dhe Dinon (Aledinin) dhe im atë i thotë Agimit që “ik njëherë e pyet Lavdoshin,” meqenëse shtëpinë e tij nuk e kishim shumë larg. Lavdoshi, kur e mori vesh, sikur u prish pak në fytyrë por nuk e dha veten. “Jo, nuk di gjë,” tha ai. Pritëm edhe gjithë ditën e nesërme, por asnjë lajm. Vinin të afërmit dhe për të na qetësuar thoshnin që do të jetë mpleksur me ndonjë vajzë po mos u bëni merak. “Jo, jo, tha im atë, ia njoh karakterin djalit tim unë; nuk bën nga këto gjëra ai.”

Në mbrëmje, erdhi një oficer i Degës së Brendshme; i ra derës, u fut brenda dhe tha që “djalin e kemi arrestuar ne”. “Po, pse?” e pyeti im atë. “Po ja, tha ai, se u mpleks me një femër, dhe ajo e ka akuzuar…” vazhdoi ai. Pra, gjëra të kësaj natyre. Pastaj tha se do t’i bënin kontroll shtëpisë. Bënë kontroll; nuk lanë gjë pa gërmuar. Morën dhe fletoret e shkrimit të vëllait, për ekspertizë të shkrimit. U duk qartë pastaj që nuk ishte punë femrash.

Më falni, po vëllanë ku e arrestuan, se ai u nis për mbrëmjen e vallëzimit?

Duke ikur rrugës.

Mbas ca kohësh, arrestuan edhe Lavdoshin, edhe Dinon. Po si i arrestuan këta të tjerët? Në fakt ishin katër vetë të përfshirë. Përveç këtyre të treve, ishte edhe një Luan Llupa, që ishte në të njejtën lagje. I ati i tij ishte në burg për politikë, por atje në burg shikohej si shërbëtor i komunizmit, gjë që e di sepse e gjeta në burg kur rashë edhe vetë më vonë. Këta bashkëpunuan me Luanin, por Luani ishte lidhur me Sigurimin dhe kishte nënshkruar deklaratën e bashkëpunëtorit me ta. Edhe ky u kishte thënë vetë Besnikut e Lavdoshit në një moment, që “unë e kam nënshkruar bashkëpunimin me Sigurimin, po për ju nuk kam treguar gjë.” Në fakt kjo, siç doli, nuk ishte e vërtetë. Dhe Dega arrestoi Besnikun të parin, pastaj, Lavdoshin, pastaj Dinon, por veç e veç. I arrestuan dhe bënë gjashtë muaj hetuesi.

A dini gjë se si e kanë trajtuar vëllain në hetuesi?

E kanë rrahur. E kanë torturuar. Si përfundim i nxorën në gjyq, por jo në Vlorë se Vlora nuk kishte Gjykatë Ushtarake, por në Gjirokastër. Dhe dënuan Besnikun me 20 vjet, kurse Lavdoshin e Dinon nga 15 vjet.

Sa vjeç ishte Besniku në atë kohë?

17 vjeç. Më pas arrestuan edhe këtë Luanin, nuk e dënuan në gjyq me tre të tjerët. E sollën në Tiranë dhe e dënoi gjykata e Sigurimit.

Pse?

Sepse morën vesh që ky u kishte treguar këtyre të treve që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit dmth, e dënuan pse kishte nxjerrë sekretin. Dhe sa e dënuan? Tre vjet. Bëj tani diferencën nga 20 dhe 15 vjet që u dënuan të tjerët, me tre vjet që u dënua ky, kur ishte i përfshirë në ndarjen e trakteve njëlloj si ata.

Ne bëmë kërkesën në Gjykatën e Apelit dhe Besnikut ia ulën 5 vjet. Pra, edhe atij dënimi i shkoi 15 vjet.

Shënim: Intervista është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës” botim i ISKK, me autorë Luljeta Lleshananku dhe Agron Tufa

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here