80 vjet ma parë, mesnata kur Fishta fluturoi n'Parriz

0
1161
blank

80 vjet nga vdekja e Poetit të Kombit/ Si ishte mesnata e 30 dhjetorit 1940, kur At Gjergj Fishta dergjej në shtrat, në përqafimin fatal me vdekjen. Ditët e sëmundjes deri në orën e mbrame, sipas kujtimeve të At Viktor Volajt.

Në një natë dhjetori si kjo, 80 vjet më parë, pak minuta pasi kishte hyrë data 30 dhjetor 1940,  At Gjergj Fishta, i cili dergjej prej ditësh në shtrat, i sëmurë, mbylli sytë përgjithmonë. Jashtë në qytetin e Shkodrës bora kishte shtruar nji vello të hollë, të bardhë. Qyteti s’bënte zë. Zhytur në gjumin e rëndë pas mesnate, njerëzia do e merrrte vesh lajmin e ikjes së hidhur të Poetit vetëm në mëngjes. E gjithë Shkodra do i bashkohej kortezheve mortore në lamtumirën e fundit. Të gjithë shqiptarët do të përjetonin ikjen e dhimbshme të një njeriu të madh, një poeti mbi poetët, një patrioti të rrallë e një kleriku të veçantë me dashuri e përulje të pazakontë para Zotit.

Edhe pse kohë lufte, ceremonia e lamtumirës së Poetit, do të ishte madhështore e do të mbetej në memorien e gjithë atyre që morën pjesë, por edhe në rrëfimet, herë me zë të lartë e herë me pëshpërima nga më të moçmit tek më të rinjtë, dekada më vonë, kur vendi do të binte nën kthetrat e komunizmit.

Fatmirësisht Fishta nuk jetoi as një ditë në komunizëm, por regjimi kishte për të një urrejtje aq të thellë, sa një ditë do t’ia shkulte edhe varrin e eshtrat e poetit do t’ia treste në Bunë. Pa u ndalur në urrejtjen e pashpjegueshme, regjimi komunist të gjithë veprën e Fishtës e shpalli të ndaluar, e emrin kurrë nuk lejuan t’ia përmendin as në shkollë, e as në ambjente të tjera publike.

Vepra e tij me urdhër nga kupola më e lartë e regjimit, u la në errësirën e harresës për afro gjysëm shekulli, edhe pse shqiptarët nuk e shkulën asnjëherë nga zemra as emrin dhe as veprën e At Gjergj Fishtës.

Në këto 80 vjetor të trishtë, të ndarjes së tij nga jeta, Kujto.al, sjell nji nga shkrimet më të gjalla dhe emocionuese, mbi ditët e fundit në jetë të Fishtës dhe çastet kur ai përqafoi vdekjen,  shkruar nga At Viktor Volaj, nji nga miqtë që i qëndroi afër edhe në momentin kur Poeti mbylli sytë përgjithmonë.

blank

(Trupi i pajetë i Fishtës gjatë ceremonisë mortore në kishën Françeskane në Shkodër)

Smundja e deka  e A.Gjergj Fishtës

Kangen ma t’bukuren, duen me thanë, e këndon mjellmja para se të desë.  Nji kangë përmallimi, qi shquen ndër angrra ndiesitë ma të brendëshmet. Nji kangë pershëndetjeje, qi frymzohet në nji kundrim nostalgjik të së kaluemes.

Nji nostalgji, ndoshta, këso dore e rrëmben Poetin, tue e shty të kalojë disa dit, ma në vetmi, në vendlindje. Nuk ka ndjet të këndojë ndonji kangë të posaçme, këso here don të këndojë nji kangë heshtimi së përmallshem, nji kangë pershndetjeje, qi do të mbesë e ndryme në zemrën e tij epike, vullkanike. Nji kangë mallëngjimi qi don të gjejë kënaqje e pushim në kundrimin e agimit të muzgët të zhvillimit të parë të jetës.Mall i pakufishëm i andrrimeve fëmijnore; mall për plang, për troje të të parvet, por sidomos për kuvend, qi i hapi dritën e jetës së mendes, ku ndieu atë za të fuqishëm, të mbrendshem, qi e shtyni të shkëputej ende fëmi prej dashunisë së prindvet, mallit së shtëpisë, tue e udhzue per jetën rregulltare me detyrët të nji luftëtari të rrebtë, qi do të kishte nji program të prem e harmonikisht të bindshëm “pro aris et focis”. “Due me shkue, thotë, e me kalue disa dit në Troshan e mandej me shkue nji herë edhe në shpi e me pa të mijtë, pse s’kam kenë kah mot”.

Pak ditë përpara kishte krye “Mbretneshen e Lulevet’, punim qi ai e pat fort për zemër, e rreth të cillit punoi me vjet e vjet, por me nji ndërmjetsi të gjatë kohet. “Nuk e xen besë, - më thotë, mbasi më diftoi se e kishte krye; sa fort e kam lëmue ketë punim e sa gjatë kam punue rreth si; e per vertetim më lexoi ndonji ndrrim, qi kishte ba, me kohë, nder disa shprehje.

Në Troshan dojte me pushue a ma mirë me thanë me ndrrue vend, pse nuk mund të flitet për pushim a pezullim letrár të këtij poeti. Kishte në mend n'atë nderkohë me perkëthye disá tingllime të Petrarkës. Shkasin ia epte kremtimi i shtatëqindvjetorit të kunorimit të tij në Kampidol. Petrarka ishte nji nder ata poetë, qi Fishta e njihte mirë, e per të cillin kishte nderim, pse ai kishte dijtë me këndue dashunín në nji mënyrë të nderëshme. Nder dorëshkrime të para të Poetit, nder sá punime tjera, vêhen n'oroe edhe disá tingllime të Petrarkës të nenshkrueme me nji exercitii gratia. Punime qi mund të kén ndenji farë vëlere, per të studjue atë curriculum të trajtimit të këtij poeti. Mundi i tepruem në perdorim të padám të kohës e lodhin per së tepermi, e ai, në vend qi me u pertrî, nisë me e ndie veten keq: qetsija e terhjekë mos me iu dá punës.

Para disa vjetësh ishte randue teper. Kamba vijte tue iu ligshtue perherë e mâ fort, e zemra herë herë diftojte simptome jo të mira. Nji trazim çë fare do a ndonji perjashtim prej pjetës mjaftojte, nder vjetët e mbrame, me e bâ të dekës. Kur ndonji herë per hater të shoqnís nuk i rrijte perizës së mjekvet, kishte zakon me thânë tue qeshë: ,”sot po bâjmë vakancë".

Me 10 të Dhetorit smuhet. Randimi i smundjes shkon tue i u shtue. Të prenden me 13-XII-40 smuhet per dekē. Lypë sakramendet e i merr të gjitha me perkushtí me mende akull, si nji qi e din se âsht tue u dá këso jete. Lypë Provinçjalin P. Çiprian Niken, P. Pal Dodaj e të nenshkruemin. U drejton pershëndetjet e veta miqvet e te njoftunvet e thotë: „Jam tue dekë i qetë, pse kam punue me të drejtë per Fé, Atdhé e Provincë e ketë porosi po ia la sidomos moshës së ré, qi të punojn edhe ata mbas këtij programi".

Të gjith zhgrehen në vàj, edhe mjeku qi mundohej n' ata çasa rektimi me i a shpëtue jeten! Me 14 mbërrin lajmi i smundjes së tij në Shkoder.

Me nji herë n'atë mbrame nji mjek bashkë me disá bashkëvllazen shkuen me e pá. Kishte pasë kalue krizen. Kje pru në Shkoder, në spital të Bashkís.

Ne e nesre me 15. A. Provincjali më muer e shkuem me e pá. Ishte mjaft mirë. Mbi fêtyren e tij të lodhun kundrohej rreziku i shpëtuem. “Kujtova njimend se po des - na thotë – Menden e kishem akull, pse nuk kishem ethe, por zemra s'më punojte. Kam dijtë gjith shka. Si domos kur pash mjekun qi po kjate, e pash se jam në mbarim. Çova prandej me të thirrë, i thotë P. Provincjalit e edhe Viktorin“.

Ndoshta per të më lanë ndonji porosí per rreth veprash - ia prita“. “Po“, më përgjegji, tue i dhânë pak krés në shej pohìmi.

Gjendja e tij shkonte tue u permirsue ditë në tjetren mbas kësajë smundjes së parë.

Por s'vonoi me i a behë e dyta.

Me 22 nji pelhurë e bardhë bore nisi të mblojë token. Poeti ishte kênë çue prej së shtruemes e dalë në dritore, per të kundrue flokët e borës kah biejshin si flaurí. Bukurít e natyrës e fenomenat e sáj e terhoqen e e rrëmbyen perherë ketë poetë, me gjithse nuk i këndoi kurr ex professo. Per t'u çuditë! Frymzimi poetik, qi kishte ushqye perherë jeten e tij, do t'ishte edhe shkaku i njij smundjeje, qi do t'i a këputëte fijen e jetës.

Njandej kah ora 10.30 shkojm me e pá. Po rrijte në karrigë ngjat stufés. Mbas nja nji gjymsë ore po nisë me u ankue per nji dhimbë n'anë të shmajtë. Na me nji herë i a tresim. Né, me të vërtetë, s'na merrte mendja kurrkund se ajo dhimbë ishte nji simptom i rrezikshem. Mbas pak kohe prap po nisë me u ankue, e atëherë na thotë: “A dini shka, un po biej, po ju rrini“. Kishte qef me pasë shoqní, kur nuk ishte në gjendje me punue. Rá në të shtrueme e na ndejem sa ndejem e u quem. Ne e nesre mjekët kishin konstatue nji polmonitë të lehtë. Së parit u duk me të vërtetë e lehtë, por dale kadalë erdh tue u randue. Tue kênë se ishte ligshtë me zemer, ditë e natë kje rrethue prej vellazensh së vet. Njerz gjithnduersh rrajshin me e pá e me pyetë per te.

Me gjithse zjarmíja nuk e lêjte të qetë, menden e kishte akull e merrte pjese në bisedë. Nji andje të posaçme –  si gjithëmonë në jetë te vet - ndiejte, kúr gjindej i rrethuem prej së rísh. “E dij - u thojte me buzë në gaz- se ju dhimbem me bà me dekë: nuk doni qi të des pa i krye do vepra qi kam per doresh, per ketë arsye ju dhimbem".

Me 25 kje prû nji mjek prej Tiranet per me e vizitue. Ai e kishte deklarue gjendjen e tij të rrezikshme e si të kishte kalue koha per sherim.

Të prenden me 27 paradite smundja iu randue. N’atë ditë u pá se gjendja ishte me të vertetë e pa shpresë. I kje bâ nji telegram Shejtnís së tij Papës prej Provincjalit tue lypë per tê bêkimin apostolik. U rrfye edhe nji herë per dekë.

Mbasdite shkova me pá bashkë me nji shoq t'êmin. Ishte nji grimë mâ lehtë. Randimi i paradites i kishte kalue, por ishte këputshem. Zjarmija e teprueme nuk e lejte të qetë. Me gjith këta né na u bâ nji grimë qefi: na u duk se s' ishte në rrezik deke.

"Pasëkeni bâ mírë qi keni ardhë - na thotë -: Kam pasë do porosí me jú. Nderkaq ia nisi të na këshillojë dashuní vllaznore e bashkëpunim, pa u kursye, mbas tradicjonit të Provinçës per Fé e Atdhé. U ndal nji grimë. Mandej nisi të çekë rregullimin e mbajtjen e bibliotekës e të muzeut (kolega i im ishte n'atë kohë drejtuer i bibliotekës e i muzeut) por s' mujt me vijue ma gjatë e e kêputi fjalen tue thânë: “Por jo; sot nuk po mundem, ndoshta as neser nuk kam me mujtë» !..

Njani sy kishte nisë pak me i u càngullue, Ai kishte nisë me u kujtue per gjendje kritike të smundjes. Zemren e drojte gjithmonë. Mâ se nji herë e pasëkà pase çeke ne jetë të vet se do të diste prej polmonitet, kurdo qi t’i vijte dita.

Nji agoni të këthiellët - në kje se kështu mund të thirret kishte pase dý javë përpara. N' atê i dukej se i kishte krye të gjitha porosit. Kjo smundja e dytë nuk e lên të qetë as nji ças të vetem. «Po des - i tha nji bashkëvllau të vet. - Ju tash keni me mendue per salikim por edhe Kombi ka... per rreth meje.

Të gjith fshim të piklluem: s' flitej, s' mendohej tje- ter nder né por per tê.

Të Diellen me 27 - mbas nji jave qi kishte marrë polmoniten dy mjekët, qi e kurojshin, kostatuen se varra kishte marrë të hapët. Nuk kishte mbetë mâ shprese. Pa reshtun i bajshin injecjone per zemer. N'atë paradite më ndodhi me i u gjetë te kryet deri n' oren 13.30. Me gjithse randimi shkojte dalëkadalë tue u bâ per herë mâ i dukēshem,  me gjithkëta merrte pjesë kah nji herë në bisedë. Rrahte prej zjarmije si peshku në záll. Lypi me u çue e me ndejë në shtrat. E drejtuem, i veshem këmishen e gjatë, çarapët e e venduem në prak të shtratit me kambë pështetë per tokë. Krahnori i tij ziejte si nji kazan, qi kishte marrë valë, ase si ushtima e largtë e nji sheu të rrëmbyeshem. Nderkaq u ula edhe vetë ngjat tij qi të mujte me u pëshetë per mue. Nuk mujt me qindrue ma teper se pesë minuta e lypi me u shtri.  Syt të dy kishin fillue me i u vû si ag: shenj se deka nuk ishte larg.

I kje diftue se gjendja e tij ishte kritike. N' oren 7 mbasdite muer vjatikun, rrethue prej vllaznish, qi i porositëshin shpirtin Hyjit. Prej zjarmís së madhe e prej pa gjumit ishte lodhë aq sa s' mujte mâ me folë gjatë, shpesh herë edhe tretëte në kllapí. Vllazent i rrijshin padá te kryet tue u shndrue e tjerë gjithnduer çete shkojshin e vijshin, të gjith të piklluem per tê.

N' oren 10 në mbrame shkova edhe nji herë me e pá. Ishte kenë sjellë në krah të shmajtë kah muri. U kujtue se dikush hini. Ishem vetë i dyti. Luejti nji grimë kryet per me marrë vesht se kush ishte. Me nji herë i tregova emnin tem e të shoqit tem. Atë të mbramin e pestriti e ashtu n' atë gjendje si në kllapí e cillsoi natyren e veprimit të tij.

Vllazent qi e ruejshin na thânë se kishte nisë me tretë. Në kllapí kishte permendë Lahuten e kishte folē per nji shkurtim. Duhet dijtë se Poeti më pat çekë se kishte në mend me e shkurtue protasis të kangës së parë, e me këthye këtu gati n' atë të perparëshmen. Kishte permendë shpesh me vete datat 1940 e 1941. Shkojte tue persritë në gjuhe latine fjalen i kryqzuem. Kishte lypë qi ti pikturojshin, tue bâ me shenj kah muri per báll, gjyqin e giithmbarëshem. Ndoshta në prakun e dý jetvet, n'ate shqyrtim të ndergjegjes, tue mendue gjyqin, i janë paraqitë stanze-t e Raffaelit të Kapelës Sistine.

Mbas nji ore këthyem në kuvend, tue lane në rojë A. Antonin Fishten e A. Sebastjan Dedaj. Ai kishte rá si në gjumë; sýt tashmâ i kishin vû si perde e mëzi qi i cilte, kambët kishin nisë me iu ftofë, randimi i të marrunit të frymës tue iu shtue. Me gjithkëta nuk na e merrte mendja se ajo natë do t'ishte mâ e mbramja per te.

N' atë gjendje të zhgrehunit, mâ fort fjetë se zgjuet kishte vijue deri n'oren 0.35, kúr pa pritë e pa kujtue, mbas nji trandjeje nji çasi së vetem, u shkrim prej njij sulmi kardjak, tue pasë per brî vllazent e naltpermendun. Këta ndodhte me 30 Dhetuer, n'oren 0.45 si mbas ndrrimit të herorit të luftës.

Ai trup qi kishte ndry fuqi të pambatun shpirtnore u ngrî akull. Ato sy të rrufeshem, të rrethuem prej nji vandaku vizash si zhgjeta u erren. Balli i tij, në të cillin kundrohej këthielltësija e genit, u terë, e dora me të cillen rroku penden-shpatë u shtangue!

Me dekë të tij zhdukej heroji letrár ma i pushtedshem i Fisit. Por deka s' mujt, me e humbë. Me dekë ai nisi të jetojë ma me gjallní në shpirtin e në zemren e Kombit : u perjetësue nëper Komb qi ai përjetësoi me vepra të padekëshme.

Deka kje praku i padekësís së tij së vërtetë, pse “Vetem Burrnija-nji Burrní çelike Asa' i rrshet dore".

(Kujtimet e A.Viktor Volaj. O.F.M. botuar ne "At Gjergj Fishta, O.F.M. 1871 - 1940, botim anastatik, 2010)

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here