Nga Agron MEMA
Një nga pikat kulminante të diktaturës komuniste në Shqipëri, është “Lufta e Klasave”; pushkatimet, vrasjet pa gjyq, burgosjet me akuza të pabazuara, internimet dhe persekutimet në të gjitha format dhe llojet e saj të tmerrshme, e cila në Shqipëri erdhi e një lloji të veçantë, me fytyrën më të egër e kanibale, me tingujt më të fortë të tragjizmit dhe dhimbjes, me notat më të ashpra të urrejtjes për jetën dhe intesitetin e forcës më të madhe goditëse ndaj vyrtyteve dhe moralit njerëzor, varrosjen për së gjalli të çdo ëndrre për të ardhmen e lumtur. E natyrisht, pa u njohur mirë këto, nuk do të kishte kuptim njohja dhe denoncimi i krimeve të diktaturës komuniste dhe vetë terrorit të ferrit të kuq të shfaqur në formën më të tmerrshme e më të pamëshirshme. Mijëra shqiptarë të pafajshëm e provuan këtë sistem të egër nëpër kampet e përqëndrimit, kampet e internimit dhe kampet e punës, provuan plumbat e litarin, humbjen e varrit, së bashku me eshtrat e tyre që nuk do të gjenden kurrë. Një popull shpresëhumbur, i stërmunduar, i uritur, rraskapitur e i lebetitur.
Një nga këta të shumtë vuajtës të sistemit komunist diktatorial mesjetaro-feudal, është edhe Arsen Prifti nga fshati Piqeras i bregdetit të Sarandës dhe i gjithë fisi i tij. Një nga fiset më të mëdha e më të kamura të kohës në Piqeras dhe të njohur në gjithë bregdetin e fshatrat e tij, për fisnikërinë dhe ndihmat humane ndaj shtresës së varfër. Të gjithë të lidhur me LANÇ. Shtëpitë e tyre dykatëshe ndodhen në qendër të fshatit, aty ku banorët i thonë “Porta e Madhe”. Shtëpi të hershme që rezistojnë edhe sot. Por një vit pas çlirimit të vendit, maj 1945, ndodhi tragjedia që do të sillte mbi këtë fis gjëmën e madhe: burgosje, internime e persekutime, deri në brezin e tretë pasardhës të Arsenit.
Po çfarë ndodhi në Piqeras, atë maj të 1945-s?
Vëllai i Arsenit, Grigor Prifti (Goli), që në ditët e para të Çlirimit arratiset në Greqi. Arratisje mbi të cilën koha nuk ka hedhur dritë dhe ka ngelur enigmë edhe sot, megjithëse në vitet e para të demokracisë, Goli erdhi në fshat pak ditë, por qëndroi gojëkyçur. Goli ishte partizan dhe arratiset papritur duke lënë pas gjëmën e madhe për fisin e tij dhe shumë bashkëfshatarë. Urrejtja dhe hakmarrja komuniste do të shfrynte mbi ta, tmerrshëm e pamëshirshëm. Por nuk u nxituan. Koha do të sillte në skenë ngjarje të reja në zhvillim. Dokumentet dhe gojëdhënat duan të thonë se erdhi disa herë në fshat si diversant, por kjo nuk u faktua edhe pse shumë veta u dënuan dhe riskuan. E faktuar është vetëm ndodhia që do të rrëfejmë më poshtë.
Bashkëfshatarët, Golin, e përshkruajën të fortë fizikisht, të mençur dhe trim. Kish zgjuarsi natyrale të admirueshme. Ngjarja që shkaktoi tragjedinë mbi fisin e tij dhe e dokumentuar si ardhja e fundit në vendlindje nga shteti grek, është ajo e majit 1945-ës. Një nga më të moshuarit e fshatit Piqeras dhe fis me Golin, 87-vjeçari Aleksandro Prifti tregon se: “Atë natë organizata bazë e partisë qe mbledhur në mbledhje tek godina e madhe dykatëshe në mes të qendrës së fshatit, Shtëpia e Qendrës e cila ashtu është edhe sot. Partia dhe fronti qenë sinjalizuar nga Sigurimi i Shtetit se Grigor Prifti kish ardhur në fshat si terrorist dhe duheshin marrë masat për arrestimin e tij. Ata bënin mbledhje në katin e dytë të godinës, ndërsa Goli rrinte fshehur në katin e parë dhe i dëgjonte. Në një moment pas mesnatës, kur diskutimet morrën zjarr, Goli mori gruan e fëmijët dhe një bashkëfshataren e tij, zonjë të shtëpisë ku bëhej mbledhja, Leni Qëndron, e cila kish burrin në Amerikë dhe më pas u bashkua me bashkëshortin, i tha dhe Vito Qesarit se kish biseduar me të shoqin e saj në Amerikë dhe kish leje ta merrte e ta çonte tek burri, por ajo nuk pranoi se kish fëmijë shumë e qenë të vegjël, nuk kish ku t’i linte. Goli me bashkëshorten e fëmijët dhe me Lenin zbritën buzë detit ku i priste mjeti lundrues dhe u larguan për në Greqi. Të nesërmen u mor vesh ngjarja. KQ i PPSH-së, me urdhër të posaçëm nga Enver Hoxha, mori vendimin për shkrirjen e organizatës bazë të partisë.” Ndoshta rast i veçantë ky në Shqipëri gjatë gjithë kohës së sundimit komunist. Dhe do të nisnin arrestimet dhe internimet me akuzat absurde dhe këtë absurditet e tregojnë vendimet e para të gjykatave dhe anulimi i tyre. Qëllimi qe gjetkë. Do të niste e famshmja “Lufta e klasave” dhe shpronësimi i fshatarësisë dhe kjo do të shoqërohej me terror dhe shantazh kundër familjeve të pasura dhe ato të mesme. Kjo kish nisur një vit më parë kur qe arrestuar një nga më të pasurit e fshatit, Llukan Xhani me akuzën "agjent grek" dhe fillimisht u dënua 20 vjet burg e më pas doli sepse nuk ia faktuan akuzën. Tani vinte një radhë më e madhe, një luftë më e gjatë që do të përfundonte vetëm në fund të vitit 1990. U arrestuan pas arratisjes spektakolare të Golit me familjen, Filip Laska e Kiço Çuni, të dy barinj. Mbi ta rëndoi akuza se kishin strehuar Golin disa herë kur ai kish hyrë në Shqipëri nga kufiri grek. Filipi u dënua 21 vjet dhe Kiçua 12, po nuk i bënë të gjitha vitet e burgut. Tjetër i dënuar qe dhe Thanas Prifti, ish-partizan i Brigadës së 6-të S, por ky shkoi në vend të babait dhe bëri katër vjet burg dhe u lirua si ish-partizan, ndërsa Kiço Çuni u lirua pas 6 muajsh se nuk iu provua akuza si strehues i Golit. U internua i ati i Golit, Lonidha Prifti në Lushnjë, por u kthye shumë shpejt në fshat duke shtuar çudinë e kësaj tolerance vetëm brenda një viti. Por nuk kishin harruar: i vëllai Arqile Prifti u internua 20 vjet në Krujë. Në Krujë u internua 2 vjet dhe një grua piqerasjote, Vasiliqi Voda e cila kish burrin në Amerikë, por nuk iku dot me Golin, ndërsa Sigurimi i Shtetit dyshonte se mos Goli vinte prapë dhe e merrte, ndaj e internuan për të qenë më të sigurt. Disa familjeve iu hoq triska e frontit si dhe shpallën dy kulakë, Timoleo Bitrin dhe mësuesin e fshatit Dhimitër Vrana. U përndoq i gjithë fisi i priftajve, miq e shokë të tyre, të afërm e krushqira. Po barra më e rëndë e goditjes ra mbi të vëllanë tjetër të Golit, Arsen Priftin. Ai u dënua me pushkatim, por më pas ia ulën 25 vite burg nga të cilat bëri 17. Të afërmit trashëgimtarë të tij tregojnë se ai u arrestua ndonëse kish qenë përkrahës i luftës partizane, poliglot me 6 gjuhë të huaja si dhe inspektor policie. Por jo vetëm që nuk e kursyen komunistët, por vuajti më shumë nga të gjithë. Arseni dhe Timoleo Bitri shpëtuan burrat e fshatit nga pushkatimi gjerman. Pas masakrës në fshatrat e Bregut, Nivicë-Bubar e Shën-Vasil, nazistët gjermanë grumbulluan burrat e fshatit të Piqerasit para automatikëve të tyre që nuk dinin të falnin po të merrnin jetë njeriu. Situata qe e rrezikshme dhe koha nuk priste. Falë zotërimit të gjuhës gjermane, Arseni komunikoi me komandën dhe situata u zbut. Së bashku me again e fshatit Timoleo Bitrin bënë një pagesë të majme me napolona flori dhe vaj ulliri. Burrat e fshatit shpëtuan nga masakra.
Të afërmit e Arsenit tregojnë për gazetën “Telegraf” se 9 muajt e parë të arrestimit nuk kishin asnjë lajm për Arsenin deri sa i kishin humbur shpresat se ai jetonte akoma. Veshët u kishin dëgjuar shumë bëma kriminale të pushtetarëve të rinj komunist. Sinjali i parë se Arseni qe gjallë erdhi nga një grua e fshatit (M. M.). Ajo u zbrit nga makina në Sarandë se e spiunoi një i njohuri i saj për një thes misër që kish me vete fshehurazi. E zbritën dhe e shoqëruan në Degë, por pasi i morën thesin e liruan. Por gruaja duke dalë në oborrin e Degës së Brendshme, te pisha që është ende dhe sot si dëshmitare e vetme e krimeve dhe torturave çnjerëzore, pa, të lidhur, Arsenin, kockë e lëkurë, të sfilitur deri në vdekje. Vetëm nga sytë e njohu. Ashtu, të lidhur te pisha, e kishin lyer me mjaltë dhe trupi i qe mbushur me miza. Një torturë që Arseni vetëm rënkonte nga thellësia e shpirtit dhe ai rënkim mezi dilte nga honet e zbrazëta të tij. Bashkëfshatarja ulëriti me kuje para kësaj pamjeje makabre dhe ra në shesh pa ndjenja. Kështu në fshat erdhi haberi që Arseni qe gjallë, jetonte, apo më mirë të themi frymonte. Arseni do të provonte mbi trupin e tij të sfilitur e të drobitur, të dobësuar deri në venitje, gjithë egërsinë dhe torturat më çnjerëzore deri sa të detyrohej të pranonte akuzën si strehues të vëllait të arratisur. Torturave të kolegëve të tij, Arseni i papërkulur, duke mos e pranuar kurrë akuzën, u përgjigjej: “Nuk është e vërtetë që e kam strehuar, as nuk e kam takuar. Duke qenë operativ sigurimi kisha dy mundësi të mos përfundoja në këto qeli e të përballesha me këto tortura të pamerituara dhe akuza të pabaza; e para ikja së bashku me të siç ikën të tjerët dhe e dyta i hidhja hekurat dhe e sillja këtu ta dorëzoja në polici. Nuk kisha pse të hiqja kaq shumë tortura në biruca, pse të provoja kaq vuajtje e të lija fëmijët rrugëve, se duke punuar këtu e njoh mirë gjendjen. Po nuk e kam takuar asnjëherë” Por gjykata e dënon fillimisht me pushkatim. Më pas ulet në 25 vite nga të cilat bëri 17 prej tyre. Kur Arseni u burgos la në shtëpi gruan e re me fëmijë, nënë Viton si e njohu brezi ynë. Ajo kujtonte më vonë me respekt trajtimin që i bënë fillimisht bashkëfshatarët me kryetarin e këshillit popullor Andrea Xhani, i cili i tha të rrinte ca kohë pa hyrë në kooperativë se kish burrin në burg e fëmijë të vegjël. Duheshin mundësi ekonomike për të përballuar hallin që i zuri. Dhe e lanë dy vjet me pronë private pa u futur në kooperativë. Por ky detaj tregon se fshatarësia nuk e priti mirë kolektivizimin duke u kthyer në “vullnetar me pahir”.Fshatarësia qe e bindur me mençurinë e saj se kooperativa “nëma mua, ç’e do ti” do të bënte që të pllakoste në çdo derë një varfëri e madhe. Mes torturave dhe vuajtjeve, pas 17 vitesh Arseni del nga burgu me gjysmë trupi se gjysmën tjetër e kish lënë qelive të amortizuar. I provoi të gjitha burgjet e tmerrshme të kohës dhe momenti që u lirua qe në ndërtimin e uzinës së plehrave kimike. Ai do të tregonte tek të afërmit kujtimet e zymta të qelisë. Ushqimin që, kur ia sillnin, u hidhnin ujë në qeli të mos uleshin po të hanin në këmbë, ai ushqim që ua bënte gojën helm sikur përtypnin grimca duhani në gojë. Por tregonte edhe kur i detyronin të hanin të vjellat e shokëve (ndjesë lexuesit). Ai tregonte për t’i lanë pas si kujtime të trishta se ndoshta një ditë do të tregoheshin më shumë si një denoncim për të mos u pajtuar kurrë me diktaturën e kuqe apo të çdo lloj forme e ngjyre qoftë ajo. Tregonte qindra tortura të tjera të provuara mbi trup sa që të afërmit kur duan t’i tregojnë mbyten nga lotët dhe fjalët u ngecin në grykë, nuk u dalin më. Tortura që i morën jetën shumë shpejt nga kalbja e organeve dhe mishrave të gjymtyrëve. Provoi burgjet më famëkeqe të Shqipërisë, maj 1945-1966, deri sa mbaroi rendja e tij nëpër burgje e qelira çnjerëzore. Ditë nëpër qelira të cilat dhimbjen dhe shqetësimin ia trazonin vetëm imazhet e buzëqeshjes së Vitorisë së tij, të cilën e kish larg, atje në fshat sypërlotur e të munduar deri në thellësi të shpirtit të saj, zërat e fëmijëve të tij që i qenë bërë mall tundues. Ëndrra të dikurshme, dhimbje që i vlonin në gji dhe për t’i marrë mulliri i mungesës, për t’i bluar e thërrmuar që të bëheshin shumë e kurrë të mos mbaronin.
Tregonte se ditën e lirimit arriti deri në Durrës, qëndroi të takonte xhaxhanë e të nesërmen nisej për në Sarandë. Në Durrës takoi bashkëfshatarin e tij, Vasil Gjini i cili punonte shofer aty. Vasili menjëherë rregulloi një ngarkesë për në Sarandë dhe u nisën. Rrugës, Vasili u kthye në Levan ku qe i internuar vëllai tjetër i Arsenit, Llukë Prifti. Vasili, sa herë tregonte atë takim emocional të dy vëllezërve, përlotej. Kështu erdhi në fshat për të mbyllur jetën e tij të vuajtur pa asnjë faj. Dilte te një shkëmb i vogël përballë portës së tij të shtëpisë. Vinte një jastëk të vogël për t’u ulur dhe për rreth tri orë lexonte një libër të trashë. Ngrihej dhe ikte në shtëpi i heshtur. Vuajtjet dhe torturat ia kishin dekompozuar organet dhe mishin e gjymtyrëve dhe pas pesë vitesh të lirimit nga burgu, ndërroi jetë duke lënë pas një kujtim të një jete plot vuajtje të pafajshme, një mendim të trishtë se pse të ndodhnin këto në Shqipërinë e vogël, larguar nga jeta me një brengë shpirtërore duke u lënë fëmijëve pas, përndjekjen e luftës së klasave, pa asnjë faj, përndjekje që vijoi deri te brezi i tretë me ndalimin e shkollimit të fëmijëve të djalit të tij Napolonit, sidomos vajzës së madhe, Vitorisë. Një jetë plotë dramë njerëzore!/Marrë nga gazeta Telegraf.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.