Sali Ramadan Tahiri, lindur në vitin 1960 në Korçë, banues po atje, në vitin 1985, kërkoi të arratisej. Me një jetë të vështirë, përfshi edhe qëndrimin në Shkollën e Riedukimit të Fëmijëve, ndodhej me masë internimi në fshatin Krosnisht të Korçës.
Në mbrëmjen e datës 24.6.1985, pasi u kthye nga takimi me punonjësin e policisë, i mërzitur për perspektivën e zymtë që e priste, pa si rrugë të vetme vetëm arratisjen. Udhëton gjithë natën duke mbërritur në Pogradec. Pasi kalon fshatin Udënisht, drejtohet në fshatin Lin. Por lëvizjet e tij kanë ngjallur dyshimet e shtetasve Xhevat Hoxha dhe Rafet Dokollari, të cilët e kanë marrë në pyetje dhe i kanë kërkuar dokumentet. Pasi dy shtetasit nuk u bindën nga përgjigjet, i kërkuan të shkonin në postën kufitare të Udënishtit. Fillimisht nuk kundërshtoi, por më pas vrapoi dhe u fsheh në shkurre. Me ndihmën edhe të shtetasve të tjerë, u arrit kapja e tij dhe dërgimi në postën kufitare, ku edhe u arrestua. U akuzua në bazë të neneve 47/gj e 117 të Kodit Penal.
Në vendim, midis të tjerash, thuhet: “Qysh në ditët e para të vuajtjes së dënimit me internim, i pandehuri, i mërzitur nga qëndrimi i vetmuar e larg pjesëtarëve të familjes, nga puna në bujqësi dhe nga fakti që nuk gjeti pritje të mirë dhe ambient të ngrohtë në familjen prindërore, pas kthimit nga vuajtja e dënimit me heqje të lirisë, ka kërkuar pranë punonjësit të policisë së zonës që t’i ndreqet vendi i internimit, por ka marrë përgjigje se ky problem do të shihej nga organet përkatëse kompetente”.
Gjykata e Rrethit Pogradec, e drejtuar nga Pirro Tili, me pjesëmarrjen e ndihmësprokurorit Nezir Gjoka, me vendimin nr.62, datë 10.9.1985, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie dhe 5 vjet internim pas mbarimit të dënimit.
U lirua më 17.8.1990 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
